Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me kryetarët e bashkive të vendit:
Të nderuar dhe të dashur kryebashkiakë socialistë, ju kam thirrur sot dhe faleminderit për mundimin dhe ardhjen tuaj këtu, për një shkak dhe për dy arsye themelore në lidhje me punën tuaj. Shkaku që e afroi në kohë këtë takim të planifikuar për në fund të korrikut është arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjës dhe disa bashkëpunëtorëve të tij si të akuzuar nga SPAK-u për korrupsion. Patjetër që kryebashkiaku dhe të tjerët kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në përfundimin e gjykimit, por nuk është detyra ime, as e Partisë Socialiste të kërkojë pafajësinë e tyre. Kjo është puna e avokatëve të të pandehurve, ndërsa ky është rasti për t’ju përsëritur juve dhe gjithë të tjerëve që kanë marrë apo do të marrin besimin e shumicës sonë, të mandatuar për të tretën herë rresht nga populli shqiptar si forcë qeverisëse, se Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e të pandehurve dhe të akuzuarve nga drejtësia mes radhëve të saj, por është fuqia e votuar nga populli shqiptar për t’i shërbyer Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, jo të pandehurve, as të akuzuarve në radhët e veta.
Korrupsioni, ryshfeti, bakshishi nuk kanë ngjyrë politike dhe janë e zeza, errësira, llumi me të cilin ne duhet dhe do të përballemi, për të vazhduar të reformojmë Shqipërinë, të ndërtojmë shtetin e së drejtës, të refuzojmë çdo lloj mbrojtje për këdo qoftë ndër ne që bie pre e tyre dhe të udhëheqim popullin drejt majës ku duhet ta ngjisim dhe do ta ngjisim Shqipërinë, me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës.
Kryetari i Bashkisë së Lushnjës do të shkarkohet nga detyra dhe do të përjashtohet nga Partia Socialiste. Masa që mund të rishikohen vetëm nëse në fund të procesit ai do të dalë i pafajshëm nga organet e drejtësisë. Këto masa nuk nisen nga konsiderata se ai është fajtor. Këtë nuk e themi dot ne dhe nuk na takon neve ta vendosim. Ne i marrim këto masa për të bërë një mesazh shumë të qartë për të gjithë ata që janë përgjegjës për taksat e shqiptarëve në çdo nivel; Se kush luan me taksat e tyre, kush fut duart në xhepat e tyre, kush shkel të drejtën e tyre për të qenë të barabartë në konkurrencë dhe të shërbyer me dinjitet është thjesht i vetëm me avokatin e vet personal përballë drejtësisë.
Ndërsa arsyeja e parë, themelore, pse ju thirra, është që të gjithë, pa përjashtim, troç, t’i vini mirë gishtin kokës, të kuptoni në mish dhe në shpirt se mandati ynë i tretë kërkon një përkushtim të trefishtë ndaj popullit, një seriozitet të trefishtë ndaj privilegjit për t’i shërbyer këtij populli, një vetëdijësim të trefishtë për domosdoshmërinë e trefishimit të performancës qeverisëse të bashkive tona, të qeverisë sonë, të agjensive dhe drejtorive të nivelit ekzekutiv.
Më ra në sy se pas takimit të djeshëm me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit, disa ishin shprehur se unë isha kujtuar vonë për të kërkuar një kurs me një shpejtësi të re të Policisë së Shtetit në mbrojtjen e territorit nga ndërtimet pa leje dhe korrupsionit në Polici që e shoqëron në çdo hap si hije atë veprimtari kriminale, si dhe në luftën kundër kërkesës për ryshfet rrugëve nga ana e policëve që kanë rifilluar të shfaqen me avazin e vjetër të abuzimit të neveritshëm me drejtuesit e mjeteve.
Kjo nuk është aspak e vërtetë.
As unë nuk jam kujtuar vonë. As gjërat nuk janë njësoj siç ishin kur nisi ringritja e Policisë së Shtetit nga gërmadhat që e kishin mbuluar në fillim të përpjekës sonë transformuese. Progresi, qoftë në garantimin e rendit publik dhe ligjshmërisë në territor nga Policia, qoftë në nivelin e qeverisjes vendore është i madh, po të kthejmë kokën mbrapa, ndërsa të shikojmë majën ku duam të ngjitemi, është absolutisht i pamjaftueshëm.
Duke mbyllur këtë parantezë, po rikthehem te arsyeja e parë: prokurimet publike.
Kërkoj vëmendjen tuaj të plotë në këtë aspekt dhe uroj në reagimin e tuaj sa të menjëhershëm, aq dhe të pandërprerë, deri në fund të mandatit, për të garantuar drejtësi, cilësi, transparencë dhe shpejtësi në prokurimet publike.
Nuk po i hyj sot, fakteve dhe shifrave që tregojnë se sa shumë është përmirësuar sistemi dhe cilësia e prokurimeve publike, sepse nuk është ky qëllimi i kësaj mbledhjeje, por, duke qenë se pakënaqësia është që nga dita ime e parë në jetën publike dhe do të jetë e tillë deri në ditën e fundit një konstante e jetës së përditshme me veten, me ju, me qeverinë, me të gjitha institucionet e këtij shteti, edhe për prokurimet publike kam kërkuar reformimin e mëtejshëm. Pas një pune dyvjeçare, së bashku edhe me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë të fushës, për ta reformuar më tutje sistemin e prokurimeve publike, është miratuar dhe sapo ka hyrë në fuqi paketa e re ligjore në fushën e prokurimit publik. Paketa e re përmirëson ndjeshëm kuadrin rregullator për prokurimet publike në Shqipëri dhe krijon premisat optimale për rritjen e eficensës së sistemit, duke e përafruar atë shumë ndjeshëm me legjislacionin europian, si dhe duke marrë në konsideratë gjetjet dhe rekomandimet e organizmave ndërkombëtarë në këtë drejtim, kërkesat për ndryshimet ligjore nga institucione të ndryshme në vend, sipas fushave të kompetencës së tyre dhe duke adresuar problematikat e hasura në praktikë gjatë procesit të prokurimit.
Paketa e re synon të rrisë integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces esencial të makinerisë shtetërore, qoftë autoritet kontraktor apo qoftë operatorë ekonomikë, si dhe mbështet fuqizimin e mekanizmave monitorues dhe ndëshkues për çdo shkelje të konstatuar.
Unë ju ftoj të merrni sa më shpejt një laps të dorë, ta studioni këtë paketë dhe të kërkoni nga strukturat tuaja përgjegjëse për prokurimin të bëjnë të njëjtën gjë. Mbi të gjitha ju sugjeroj shumë dashamirësisht të mos përziheni me procesin e prokurimit publik.
Mbi të gjitha ju sugjeroj shumë dashamirësisht të mos përziheni me procesin e prokurimit publik. Të mos influenconi me pushtetin tuaj favorizimin e njërit në dëm të tjetrit. Të mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithnjë e më përvëlues në kushtet kur drejtësia e re do të ketë gjithë mbështetjen time dhe të Partisë Socialiste kundër kujto nga ju apo kujtdoqoftë që do luajë me zjarrin.
Ja problematika kryesore në procedurat e prokurimit publik të bashkive tuaja për periudhën 2020-2021.
Nga janari i 2020-ës në prill të 2021-it janë asistuar nga Agjencia e Prokurimit Publik pranë Këshillit të Ministrave plot 1275 procedura të publikuara në SPE nga institucionet bashkiake.
Asistenca e APP-së është një asistencë teknike, e cila i vjen në ndihmë çdo autoriteti kontraktor që ka vesh për të dëgjuar, që ka sy për të lexuar dhe që ka tru për të kuptuar.
Ndër procedurat e asistuara, 88.5% e procedurave ka rezultuar me problematika në hartimin e kritereve. Për këtë arsye, bashkive përkatëse u janë dërguar rekomandime precize nga Agjencia e Prokurimit Publik.
52.5% e bashkive nuk kanë reaguar dhe nuk kanë bërë asnjë reflektim në proces të rekomandimeve teknike të APP-së.
Tani është fakt botërisht i njohur se hartimi i kritereve të veçanta për kualifikim apo shqip, qepja me dorë e procedurës së tenderit si kostum me porosi, e cënon drejtpërsëdrejti shkallën dhe nivelin e pjesëmarrjes dhe patjetër, drejtësinë e konkurrencës së operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik. Është një teknikë grabitqare, e shëmtuar, përjashtuese!
Nga shqyrtimi i të dhënave në lidhje me numrin e ofertave të paraqitura në procedurat e publikuara nga bashkitë që janë asistuar nga APP-ja, për periudhën janar-prill 2021 dhe gjithë viti 2020 rezulton se; mesatarja e numrit të ofertave të kualifikuara në këto procedura është vetëm 2.1.
Nga ana tjetër, nga analiza e të gjitha procedurave të zhvilluara nga bashkitë, në sistemin e prokurimit publik rezulton se nga 61 bashki, 47 prej tyre, pra, më shumë se 50%, për më shumë se 50% të procedurave, kanë vetëm një operator ekonomik. Pavarësisht se procedura teorikisht është e hapur.
Po kështu, nga hetimet administrative të kryera nga APP-ja, me iniciativë apo bazuar në raportet e përcjella nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë vitit 2020 dhe periudhës janar – prill 2021 rezulton se; pas hetimit administrativ të 136 procedurave të prokurimit të kryera nga bashki ose institucione të tyre të varësisë janë konstatuar përzgjedhje të pajustifikuara të procedurës së prokurimit me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, probleme në përllogaritjen e fondit limit, vendosje kriteresh të veçanta, domethënë, qepje me porosi, të kualifikimit që nuk kanë fare lidhje me objektin e kontratës, kualifikim dhe shpallje fitues të operatorëve ekonomikë që nuk plotësojnë kriteret e kualifikimit dhe si rezultat janë dënuar me gjobë 156 punonjës dhe masë disiplinore 602 punonjës.
Dua t’ju informoj se do kalohet pa ngurrim, nga ana jonë këtu në këtë godinë, nga dënimet me gjobë në denoncimet në SPAK, në çdo rast kur shkeljet përbëjnë një dyshim shumë të arsyeshëm për tender korruptiv dhe do të jetë kushdo qoftë prej jush, unë shpresoj askush, por kushdo qoftë prej jush, por jo unë, as Partia Socialiste, që do shkojë para hetuesve të SPAK-ut apo trupës së gjykatës speciale antikorrupsion për të dhënë shpjegime.
Kështu që problematikat kryesore që kanë nevojë të adresohen me paketën e re ligjore dhe duhen adresuar pa asnjë hezitim dhe pa asnjë tolerancë nga ana juaj e që do të monitorohen e do të trajtohen në rast shkeljeje pa asnjë tolerancë nga kjo godinë ku jemi këtu, janë; Rritja e menjëhershme dhe e qëndrueshme e konkurrencës në procedurat e prokurimit;
Pjesëmarrja e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit nga relativisht shumë e ulët, do të bëhet relativisht e lartë;
Rritja e përgjegjshmërisë dhe integritetit të autoriteteve kontratore në planifikim, organizim dhe zhvillim procedurash;
Planifikim në kohë dhe me cilësi, që të shmanget përdorimi i procedurës me negocim pa shpallje paraprake, një kancer me të cilin tanimë prej disa vitesh në nivelin e qeverisë qendrore i kemi larë duart. Ndërkohë që në nivelin e qeverisë vendore, kanceri vazhdon ha lekë, me negocim, pa procedurë.
Çdo përdorim qartazi abuziv i kësaj teknike do të konsiderohet haptazi i paligjshëm dhe i dërgohet SPAK-ut për skanim penal. Të gjitha procedurat me negocim pa shpallje do t’i nënshtrohen hetimit administrativ;
Duhet të shmanget në mënyrë kategorike hartimi i kritereve, qepja e kostumit me porosi, në kundërshtim me legjislacionet e fushës, duke kufizuar forcërisht konkurrencën.
Për këtë dhe për këto që thashë deri më tani, do keni në vijim të gjithë asistencën teknike dhe deponimin e Agjencisë së Prokurimit Publik, 24 orë, por bashkitë duhet të reagojnë ndaj rekomandimeve të APP-së. Mosreagimi, fare, sikur këtu, gjithë ky ekip që punon për të rritur standardet shkruan letra të mbyllura në shishe që hidhen në det e nuk merr as përgjigje, ose mosargumentimi, se ka raste patjetër që autoritetet kontraktore kanë argumentet e tyre për “pse” është vendosur një kriter i veçantë, për të cilin APP-ja ka rekomanduar të hiqet, jo vetëm që do raportohet në mënyrë sistematike deri tani, por do të përfshihet në hetim administrativ dhe eventualisht do të dërgohet në hetim penal në SPAK.
Autoritet kontraktore që përfaqësohen nga ju duhet të monitorojnë edhe sjelljen e operatorëve ekonomikë, tërheqjet e tyre nga gara ose nënshkrimet e kontratave, rotacionet në ofertim apo ofertimet fiktive dhe të marrin masa. Kështu thotë paketa e re, nuk e them unë, për referimin e rasteve me emra dhe mbiemra konkretë të gjithë bizneseve që e bëjnë ketë cirk të shëmtuar në të gjitha institucionet përkatëse për hetimet administrative, p.sh, te Agjencia e Prokurimit Publik, te Autoriteti i Konkurrencës, si dhe kur është rasti duhet ju t’i çoni në prokurori.
Autoritetet kontraktore që përfaqësohen nga ju duhet të rrisin përgjegjshmërinë dhe në zbatimin e kontratave. Pasi kryhet prokurimi dhe lidhet një kontratë, u zbatua keq kontrata, bëhet e pavlerë e gjithë procedura e prokurimit, sado e mirë të jetë dhe sado konkurruese të ketë qenë.
Me paketën e re ligjore, lexojeni, ‘titullarët e autoriteteve kontraktore”, pra, kryetarët e bashkive në këtë rast, janë përgjegjës direkt për mirëmenaxhimin apo për keqmenaxhimin e fondeve publike përmes procedurave të prokurimit. Puna juaj si titullarë do të matet me rezultate konkrete në procedurat e prokurimit, që t’i përsëris edhe njëherë shkoqur katër kryesoret ;
1-numri i pjesëmarrësve për procedurë;
2-vlera e kursyer në arkën e bashkisë;
3-kufizimin drastik deri në eliminimin e procedurave me negocim pa shpallje;
4-realizimi i kontratave sipas kushteve në të cilat është zhvilluar procedura e prokurimit dhe disa të tjera që pasojnë.
Për gjithë sa më sipër, unë me këmbëngulje ua kërkoj përpara se të jetë vonë për këdoqoftë këtu, përvetësimin nga ana juaj të të gjitha parashikimeve të reja ligjore në teori, por edhe në praktikë, si dhe vetëdijësimin tuaj për pasojat që do të vijojnë në rast mosrespektimi të parashikimeve të reja ligjore. Roli që ju duhet të merrni në ndryshimin e perceptimit të korrupsionit sistematik në sistemin e prokurimit publik në përgjithësi është sa themelor, aq edhe i panegociueshëm me Partinë Socialiste, me qeverinë apo me mua personalisht. Ju jeni shok, shoqe dhe miq të mi, por vija ndarëse mes miqësisë dhe partisë sonë nga njëra anë dhe shfaqjeve dhe akteve abuzive në detyrën e lartë që secili prej nesh ka marrë nga populli në nivel qendror apo në nivel vendor do vijë duke u bërë gjithnjë e me e kuqe dhe do të skuqet deri në përvëlim, përgjatë gjithë mandatit të tretë qeverisës së Partisë Socialiste.
Arsyeja e dytë themelore, jo më pak e rëndësishme për thirrjen e këtij takimi, është domosdoshmëria e një ndryshimi imediat të kursit tuaj qeverisës në lidhje me regjistrimin e tokës bujqësore.
Qeveria e mandatit të tretë, Partia Socialiste dhe unë personalisht nuk do pranojmë më të marrim asnjë kosto publike për zvarritjen e mëtejshme të këtij procesi prioritar. Del edhe tepron mirëkuptimi që keni patur deri më sot, edhe justifikimi me të gjithë argumentet përkatës që i keni bërë jo pa të drejtë, përgjithësisht, kësaj vonese, që tani është e patolerueshme. Sepse ndërkohë janë bërë të gjitha ato që mund të bëheshin në aspektin legjislativ dhe organizativ që ky proces të hyjë në një shpejtësi krejt të re dhe që regjistrimi i tokave bujqësore të përfundojë brenda mandatit të tretë.
Regjistrimi i tokës bujqësore është një sfidë historike për të cilën ne jemi përgatitur, kemi punuar, jemi organizuar dy mandate rresht. Tani duhet bërë. Ligji i ri që është pjesë e këtyre përpjekjeve i ka thjeshtuar procedurat dhe ka përmbledhur të gjithë arkivat dhe dokumentet e tokës në një vend, në Kadastër. Ky proces nuk mund të nisë masivisht po nuk u krye dorëzimi i gjithë këtyre dokumenteve, regjistra, harta, pranë zyrave të kadastrës. Këtu kanë rol shumë të rëndësishëm bashkitë. Edhe qarqet, edhe prefektët, por këtu jemi me bashkitë dhe për bashkitë, pasi pranë këtyre institucioneve është depozituar historikisht, për 30 vjet, ky dokumentacion dhe ka qenë detyrim ligjor administrimi i këtij dokumentacioni që akoma sot nuk po mblidhet dot në Kadastër.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ju është drejtuar dy herë. Në 7 tetor të 2020-ës në 30 mars të 2021-it Çfarë ka prodhuar ky drejtim dy herë me shkresë?
Vetëm 10% e bashkive e kanë kryer dhe e kanë kryer përgjithësisht pjesërisht këtë detyrë. Konkretisht, vetëm 9 bashki kanë dorëzuar dokumentacionin, ndërsa 52 jo vetëm që nuk kanë dorëzuar dokumentacion, por nuk kanë dhënë asnjë shenjë të lexueshme që po merren me këtë punë. Unë dua t’iu kujtoj që me ndarjen e re administrative në vitin 2016, bashkitë morën detyrimin që të kryenin mbledhjen e arkivave të trashëguara të ish komunave. Nuk e kanë bërë akoma deri më sot. Tani ose bëhet kjo, ose nuk bëhet dot regjistrimi përfundimtar i tokës bujqësore për një dynja njerëz që dalin nga shtëpia pa u gdhirë dhe që i lënë e i gjejnë fëmijët në gjumë, për të punuar tokën dhe për një ekonomi që nuk mund të zhvillohet me gjithë forcën e mundshme, për shkak të mungesës së titujve të pronësisë që pengojnë transaksionet, shitjet dhe blerjet, për të mos thënë të tjera.
Argumentet që nxirrni ju janë sa të çuditshëm, aq edhe të papranueshëm më; “nuk disponojmë dokumentacionin nga ish komisionet e ndarjes së tokës në zbatim të ligjit të famshëm, të dokumentacionit kryesor arkivor për procesin e ndarjes, nga viti ’91-një e në vazhdim”, “formularët janë të amortizuar e nuk fotokopjohen”, “nuk kemi njerëz, na duhen mjete”.
Kemi bërë reforma administrative dhe një pjesë e madhe e bashkive, megjithëse duhet të kishin më pak, kanë më shumë njerëz, sesa kur kishim 300 e kusur komuna. Janë kthyer bashkitë në hapësira për indulegjenca, si gjithmonë për fat të keq është bërë dhe siç qeveria jo ka ndaluar së bëri, por ka bërë të kundërtën, duke i përdorur fondet për pensione në moshë të re, që do të thotë fut në punë, jep një rrogë dhe u krye. Pa asnjë llogari eficiense e pa asnjë sens financiar. Kështu që njerëzit i keni aty, mjetet i keni aty. Por, kur ke mjetet, që t’i sjell qeveria për të pastruar kanalet dhe bën tendera, patjetër që nuk dalin lekët e patjetër që nuk funksionon e pastaj përfundon në burg. Janë dy bashki kufitare, Fieri dhe Lushnja. Të dy bashkive, qeveria u ka dhënë mjete. Sot nuk ka një kanal në gjithë atë Fier, në gjithë atë intensitet prodhimi dhe nevojash për tokën bujqësore, ku të ketë bllokim apo ku të ketë një komunitet që thotë nuk ma pastroni, pa tendera, duke u ndenjur kryetari i bashkisë në krye dhe kanalet janë të pastra. Në Lushnje, as kanalet nuk janë të gjitha të pastra dhe edhe kryetari i bashkisë është në burg se do bënte tendera. I ka bërë si i ka bërë, nuk është fare çështja ime. Unë nuk jam as prokuror, as avokat, por unë po flas në parim, kur do ta bësh apo kur nuk do ta bësh punën.
Çfarë justifikimi mund të ketë më, që fermerët nuk marrin tokën?
“Nuk kam njerëz, nuk kam mjete” – as ky nuk është problemi, as formularët e amortizuar, as gjithë justifikimet. Problemi, në radhë të parë është këtu [në kokë], ku shumica juaj nuk e kanë ndezur llambën e alarmit për t’i ndenjur 24 orë mbi kokë kësaj pune.
Dokumenti është në arkiva, se nuk ka ku të jetë tjetër e këtu nuk po flasim për dokumente të kohës së Turqisë. Po flasim për dokumente të prodhuara deri në vitin 2000 dhe janë përdorur nga bashkitë deri para 1 ose 2 vitesh.
Patjetër që këtu ka rol dokumentacioni pranë këshillave të qarqeve. Po ju çfarë bëni e thoni, e ka qarku?
Ku në qark do shkojnë ata që ju kanë dhënë juve votën e që do t’u kërkoni votën prapë, për të kërkuar certifikatën e tokës?
Kush do t’i përfaqësoj ata, unë nga Kryeministria apo qarku që nuk ka marrë një kokërr vote për të qenë aty?
Do i përfaqësoni ju!
Po të ishte toka e kushërinjve tuaj, do e kishit regjistruar që muajin e parë. Po të ishte toka e miqve tuaj, do e kishit regjistruar që muajin e dytë, po të ishte toka e komshinjve, muajin e tretë e do e kishit mbaruar këtë punë.
E po nuk janë më pak, janë më shumë të rëndësishëm sesa kushërinjtë, fqinjët, komshitë, ata që janë atje, sot, në diell, ndërkohë që ne jemi këtu në hije, me ajër të kondicionuar dhe flasim për atë që ne nuk kemi bërë për ta për shkakun tuaj e këtu do ndahen përgjegjësitë. Nuk mund të vazhdojë më me “duam fonde” dhe fondet prokurohen keq. Ju keni braktisur fshatin në nevojën e vet më themelore, letrën që toka që punoj më takon mua sipas ligjit.
Këto nuk duan asnjë shkencë e nuk duan asnjë lek. Këto duan vullnet të hekurt për të bërë Shqipërinë. Asgjë tjetër.
Nga njëra anë, prokurimet duhet të ndryshojnë cilësisht dhe nga ana tjetër, 90% e territorit që ju qeverisni – e është 90% fshati, – duhet të hyjë në shtet se nuk është në shtet. Është si pa shtet, është si pa zot, përderisa i zoti nuk ka letrat e tokës e shteti nuk ia jep. Ato të dyja nuk negociohen.
Dua t’ju informoj që nuk do ketë më fonde pa performancë. Bashkitë që do performojnë, do marrin fonde. Bashkitë që nuk do performojnë, të shkojnë e të përgjigjen përpara popullit. Nuk ka mundësi më që ne të përsërisim të njëjtat gjëra që i kemi bërë. Çfarë kemi bërë, e kemi bërë. Çfarë nuk e kemi bërë, do ta bëjmë.
E vërteta është që kemi bërë jo pak punë të mira, nuk diskutohet. E vërteta është që në të gjitha bashkitë e qeverisura prej nesh, jo pak gjëra kanë ndryshuar, por e vërteta është që gjërat që duhet të ndryshojnë janë shumë më tepër se ato që kanë ndryshuar. Njerëzit nuk jetojnë me çfarë u bë, njerëzit jetojnë me çfarë do bëhet. Nuk të pyet njeri, thotë populli, si ke qenë, por të thotë si je. Mbështetjen e qeverisë e keni pasur e do ta keni të plotë, por përgjegjësitë do të jenë shumë të ndara, shumë qartë dhe vija ndarëse mes familjes sonë politike dhe raporteve personale mes meje dhe jush, nga njëra anë dhe taksave e tokave të njerëzve do jetë e kuqe zjarr. Është e pamundur që të ecet para dhe të shkohet aty ku duam të shkojmë, nëse nuk do flasim troç. E troç në sy të popullit, jo troç me dyer të mbyllura, siç ju kam folur në mënyrë të vazhdueshme.
Mandati i tretë nuk do t’i ngjajë dy të parëve, sepse po i ngjau dy të parëve, do bëjmë aq sa kemi bërë në dy të parët, që nuk kemi bërë pak, por që nuk mjafton. Për këtë na kanë zgjedhur, se nuk mjafton. Po të mjaftonte, nuk do merrnin mundimin të na zgjidhnin fare, edhe ne nuk do kishim nevojë të thonim na zgjidhni.
Shumë faleminderit dhe shpresoj shumë që t’i shikojmë rezultatet sa më shpejt, për të mirën tuaj, për të mirën tonë, mbi të gjitha, për të mirën e njerëzve e të vendit!