Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e lartë të klerit shqiptar, ku kërkoi mbështetjen për të sensibilizuar ndjekësit e tyre për domosdoshmërinë e ndjekjes strikte të udhëzimeve të institucioneve të shëndetit publik me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.
Kryeministri vlerësoi me rëndësi shmangien e panikut, respektimin e masave higjieno-sanitare dhe kujdes të shtuar veçanërisht nga të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
COVID-19 është një virus i panjohur, tha Kryeministri, duke nënvizuar se ka një vdekshmëri më të ulët në raport me sëmundjet e tjera.
“Gjëja më e thjeshtë, më e saktë, më e bukur që mund të lexosh për të marrë këshillat për epideminë është fjala e profetit që thotë: Mos shkoni aty ku ka epidemi, por, nëse epidemia vjen aty ku jeni, mos lëvizni. Realisht, gjëja që njerëzit duhet të bëjnë, që kush ka ardhur nga një zonë e prekur duhet të vetëkarantinohet”, – tha Kryeministri Rama, teksa shtoi gjithashtu se mbyllja e shkollave ka më shumë lidhje me transmetueshmërinë e virusit tek të tjerët sesa me rrezikun për vetë fëmijët.
Përfaqësuesit e klerit shqiptar apeluan gjithashtu për nevojën e zbatimin nga qytetarët e masave të përcaktuara për parandalimin e përhapjes së virusit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.