Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Më rastin e Ditës së Rinisë, 8 Dhjetorit, Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në mbrëmje një bashkëbisedim me nxënës dhe studentë të shkëlqyer, nga shkolla dhe universitete të ndryshme të vendit.

Këtij takimi, të zhvilluar në mjediset e Kryeministrisë, iu bashkuan edhe qindra të rinj e qytetarë të tjerë nëpërmjet pyetjeve të tyre në rrjetet sociale Twitter dhe Facebook.

Kryeministri u shpreh gjithashtu i kënaqur që ky takim me të rinjtë e ekselencës shqiptare çel edhe një rubrikë të re të komunikimit të drejtpërdrejtë me Kryeministrin në sallën e Hartave, rubrikën e përmuajshme “Kryeministri juaj”.

 

Më poshtë, bashkëbisedimi i Kryeministrit Edi Rama:

Përshëndetje! Unë quhem Edra Capja, vij nga gjimnazi “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan. Si një qytetare e thjeshtë do të doja fillimisht t’ju uroja shumë fat në rrugëtimin tuaj si Kryeministër dhe gjithashtu përgëzime për punën tuaj të derimëtanishme. A do t’i ndihmojë Qeveria nxënësit me rezultate të shkëlqyera? Nëse po, në ç‘mënyrë?

”Faleminderit edhe për urimin! Ne do të bëjmë çmos për të ndihmuar të gjithë nxënësit, por pa dyshim, nxënësit me rezultate të shkëlqyera janë ata që meritojnë edhe një respekt të posaçëm. Kur unë kam drejtuar Bashkinë e Tiranës, ne kemi përfshirë në programin e Bashkisë, për herë të parë, një trajtim të veçantë për të gjithë nxënësit me 10-a. Besoj se jo vetëm ka qenë shumë mirë, por ka qenë një program i veçantë që ka dhënë edhe rezultatet e dëshiruara, duke iu treguar atyre që udhëheqin me forcën e shembullit se meritojnë edhe mirënjohjen dhe respektin e gjithë shoqërisë. Dëshira jonë është që një program i tillë të shtrihet dhe të përmirësohet në vijim.”

Përshëndetje Zoti Kryeministër. Unë jam Ervil Mali, gjimnazist, nga qyteti i Elbasanit. A do të ishte e mundur që për ne nxënësit e mirë, për ne maturantët, në fund të këtij vitit shkollor ju të na akordonit bursa për në universitetet evropiane, sepse për prindërit tanë është pak e vështirë të përballojnë të gjitha shpenzimet për universitete me taksa të shtrenjta.

“Ka një praktikë të njohur, një praktikë të vënë në lëvizje nga qeveria e mëparshme. E megjithëse praktika ka patur edhe disa probleme, e rëndësishme është që është një praktikë e mirë. Ne duam që këtë praktikë të mirë ta mbajmë jo vetëm gjallë, por edhe ta çojmë më tutje, duke bërë të mundur që ata të cilët vërtet e meritojnë, ata të cilët vërtet mundohen dhe sakrifikojnë gjatë viteve për rezultatet e tyre, ata të cilët marrin përmes mundit të tyre mundësinë për të studiuar më tutje në universitete të njohura dhe që nuk e kanë mundësinë ekonomike për të mbështetur studimet e tyre, të kenë në mbështetje Qeverinë, të kenë në mbështetje shtetin shqiptar.”

Përshëndetje Zoti Kryeministër! Në radhë të parë ju falënderoj që na keni dhënë mundësinë të flasim me ju dhe t’ju drejtojmë pyetje në mënyrë të drejtpërdrejtë. Unë jam Oriot Malo, në klasë të 11 në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Tiranë. Pak më parë ju na folët për nismën e re “Kryeministri juaj”. A mund të na thoni pak më shumë për këtë nismë, si do zhvillohet ajo në muajt në vazhdim?

“Unë besoj se një nga gjërat më të rëndësishme për një Kryeministër, por edhe për një Kryetar Bashkie, por edhe për një drejtues të lartë është që të mos humbasë kontaktin e drejtpërdrejtë me realitetin, të mos humbasë kontaktin e drejtpërdrejtë me njerëzit, të mos bjerë pre e atij rrethimi të vogël, që zakonisht ndodh kur je në një pozicion të lartë. Nga ana tjetër, unë e kam thënë qysh ditën e parë kur më është besuar kjo detyrë kaq e lartë dhe më është bërë ky nder kaq i madh që: Zyra do të jetë e imja, por pushteti do të jetë i juaji! Në këtë aspekt, besoj se edhe kjo nismë ndihmon. Ndihmon për të dëgjuar, por ndihmon edhe për të komunikuar drejtpërdrejt me qytetarët, duke ftuar këtu në këtë sallë grupe të ndryshme, përfaqësues të shtresave të ndryshme dhe duke përfituar nga komunikimi i drejtpërdrejtë për t’iu përgjigjur atyre pyetjeve që janë pyetjet me të cilat përballen njerëzit në të përditshmet e tyre dhe që jo gjithmonë mediat arrijnë t’i ngrenë me të njëjtën thjeshtësi dhe me të njëjtën forcë që mund t’i ngrenë njerëzit që kërkojnë përgjigje. Në funksion të kësaj, besoj që kjo rubrikë e përmuajshme do të ndihmojë, edhe pse është vetëm një nga shumë rrugët e komunikimit që ne kemi në dispozicion. Rrugë të tjera komunikimi me siguri do të hapim edhe në të ardhmen, hap pas hapi.

Përshëndetje! Jam Ledio Riska, student i Historisë. Për mendimin tim, mënyra më e mirë për të zhvilluar vendin është revolucioni në kulturë dhe në arsim. Politikat e tjera si rendi, siguria, ekonomia, shëndetësia janë një derivat i tyre. Shqetësimi më i madh në vend janë studentët funksionalë, të cilët janë produkt i diplomave të blera dhe kaosit në arsim. Si mendon se do të zgjidhen këto dy probleme dhe cilat do të jenë politikat tuaja për zgjidhjen e këtyre dy problemeve?

“Faleminderit! Kjo është një pikëpyetje e madhe që rëndon mbi të ardhmen e shumë vajzave dhe djemve sot dhe që lidhet me të panjohurën e madhe që ka përpara gjithsecili kur kapërcen pragun e universitetit, pasi sot jemi të gjithë të vetëdijshëm që sistemi ynë i arsimit të lartë nuk ka liri konkurrence të bazuar mbi meritën dhe nuk garanton meritën përmes lirisë së konkurrencës.

Më lejoni të ndaj me ju bindjen time se nuk është në fakt ashtu sikundër shpeshherë nënvizohet, për mendimin tim padrejtësisht, arsimi privat në vetvete problemi. Problemi është në rënien poshtë e më poshtë në tërësi të sistemit tonë arsimor, në rritjen e parazitizmit dhe fatkeqësisht edhe të korrupsionit në mënyrë horizontale në të gjithë sistemin tonë arsimor, si në sistemin shtetëror ashtu edhe në atë privat. Mbi të gjitha, besoj në mungesën e një baze mbi të cilën të gjitha universitetet të mund të vlerësohen me kritere të qarta dhe në mënyrë të pavarur dhe përmes së cilës të gjitha universitetet të mund të konkurrojnë drejtësisht. Prandaj, ne besojmë që është e domosdoshme të hedhim një hap tjetër, një hap kurajoz, por një hap shumë të rëndësishëm për të shkuar drejt një sistemi publik, pavarësisht nëse universitetet janë shtetërore apo janë private. Që do të thotë, nga njëra anë universitetet private të mos funksionojnë më si fabrika që nxjerrin fitime përmes diplomave dhe nga ana tjetër universitetet shtetërore të mos vegjetojnë më, bazuar në faktin se jemi të shtetit, na mban shteti dhe për gjithçka përgjigjet shteti.

Kjo është një reformë e rëndësishme. Është një reformë e thellë. Është një reformë piketat e së cilës tanimë ne i kemi vendosur konceptualisht, por pa asnjë dyshim është një reformë që kërkon pjesëmarrje dhe kërkon përfshirjen e të gjithë aktorëve dhe faktorëve në sistemin tonë universitar, por edhe të atyre që janë konsumatorët e sistemit, qoftë studentët, qoftë prindërit. Kjo periudhë do të shërbejë pikërisht për të përvijuar, ashtu siç duhet, gjithë fizionominë e kësaj reforme dhe pastaj për të kaluar në jetësimin e saj në realitet.”

Unë quhem Marcela Ruço. Pyetja ime ka lidhje me taksat. Të ardhurat e familjes time përfitohen nga dy pagat e prindërve të mi. Ditët e fundit kemi parë të publikohet në shtyp lajmi në lidhje me rritjen e taksave që do të aplikohen. Më konkretisht dua t’ju pyes sa të vërteta janë ato tabelat e taksave që janë publikuar në media?

“Taksat nuk janë asnjëherë një fjalë që tingëllon ëmbël. Nga ana tjetër, unë besoj se tek taksat qëndron edhe vlera e patriotizmit të një shoqërie. Unë besoj se të paguash taksa do të thotë të jesh një patriot i mirë, ndërsa të mos paguash taksa do të thotë që t’ia punosh prapa shpine shoqërisë dhe vendit tënd. Thënë kjo, unë besoj, po ashtu që sistemi i taksave duhet të jetë një sistem sa më i drejtë me të gjithë dhe sa më i ndershëm për të gjithë. Nuk mundet dot që të gjithë të paguajnë taksa njësoj, sepse të gjithë nuk fitojnë njësoj. Nuk mundet dot që të paguajnë më shumë taksa ata që kanë më shumë halle, siç ndodh fatkeqësisht në Shqipëri prej shumë vitesh tanimë, ndërkohë që ata që kanë jo më pak halle ;sepse kanë halle të natyrave të tjera; por që kanë më shumë mundësi të paguajnë më pak taksa. Sot në Shqipëri, me sistemin që është në fuqi, sistemi i ashtuquajtur i taksës së sheshtë, një mësues, një infermiere, një polic, paguan më shumë taksa sesa Kryeministri. Një biznes i vogël; dhe biznes i vogël është një fjalë goje, sepse në fakt ju e dini shumë mirë që ata që merren me të ashtuquajturin biznes të vogël janë qytetarë të vetëpunësuar; të paguajnë më shumë taksa sesa një kompani e madhe. Një furrë buke, të paguajë më shumë taksa sesa hotel 15-katëshi në Tiranë. Kjo është e padrejtë! Ne do ta ndreqim këtë padrejtësi!

Sistemi ynë i taksave do të bazohet në taksën e ndershme, në taksimin e ndershëm dhe jo në taksën e sheshtë. Tabelat, të cilave ju i referoheni kanë krijuar jo pak shqetësime, nuk janë të vërteta, nuk janë zyrtare. Ne sot jemi në një moment të vështirë të ekonomisë sonë, por ne nuk mundet dot që barrën më të madhe të kësaj vështirësie t’ua ngarkojmë atyre që janë më të dobët. Ne nuk mundemi dot që për të kapërcyer këtë moment t’u kërkojmë atyre që fitojmë më pak të marrin pjesën më të vështirë të përpjekjes për këtë kapërcim. Kjo është e qartë.

Nga ana tjetër, jemi në një diskutim intensiv; edhe sot që po flasim bashkëdiskutimi vazhdon me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Botërore; pasi përveç problemeve të çdo familjeje dhe të çdo biznesi, Shqipëria si e tërë, si Familja jonë e përbashkët, ka edhe ajo një problem shumë të madh me ekonominë dhe me financat. Në fund të fundit, nëse flasim për shërbime më të mira, nëse flasim për më shumë arsim cilësor, më shumë shërbim shëndetësor cilësor, por edhe më shumë punësim dhe infrastrukturë, flasim për më shumë mundësi për t’i financuar këto shërbime. E nëse tek punësimi, përpjekja duhet të fokusohet tek rritja e aftësisë së sipërmarrjes për të krijuar vende të reja pune; tek shërbimet, përpjekja duhet të fokusohet për të mbledhur më shumë taksa dhe për të patur më shumë para në dispozicion që t’i financojmë këto shërbime. Kur flasim për të mbledhur më shumë taksa nuk kemi parasysh që ata që paguajnë të paguajnë më shumë, ndërsa ata që s’paguajnë apo që janë mësuar të mos paguajnë, të vazhdojnë të mos paguajnë. Flasim, në radhë të parë, për të zgjeruar bazën e taksapaguesve, në mënyrë që barra të shpërndahet në sa më shumë supe dhe të mos ta mbajnë këtë barrë ata që janë më korrekt me ligjin dhe me shoqërinë.

Për të përballur problemin e përbashkët të ekonomisë dhe të financave të vendit, ne na duhet një program i ri me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ky program i ri nënkupton në fund, nëse do të biem dakord dhe do të biem dakord për ta bërë këtë program, qoftë marrjen e një ndihme, por qoftë edhe plotësimin e atyre kushteve që do të ketë marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kështu që, sigurisht, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për ta kapërcyer krizën ku ndodhet, por kriza është e pakapërcyeshme nëse secili nuk merr pjesën e vet të përgjegjësisë. Ata që fitojnë më pak sigurisht do të paguajnë më pak. Ata që fitojnë më shumë sigurisht do të paguajnë më shumë dhe të gjithë së bashku do të bëjmë më shumë që Shqipëria ta kalojë sa më shpejtë këtë fazë të vështirë. Më pas të fillojë një rritje e qëndrueshme ekonomike që të shoqërohet me më shumë punësim dhe që të shoqërohet sigurisht, me më shumë të ardhura për të financuar ato shërbime për të cilat njerëzit, me të drejtë ankohen sot dhe të cilat kemi detyrimin t’i përmirësojmë.”

Përshëndetje. Jam Andi Shkira student në Fakultetin e Drejtësisë. 23 vjet më parë, studentët kërkuan jo vetëm ndryshimin e sistemit politik, por edhe atë jurisprudencial. Sot 23 vjet më pas, 8 dhjetor 2013, ne e gjejmë drejtësinë të rënë përmbys. Tashmë jemi në vigjilje të mbylljes së 100 ditëve të para të qeverisjes suaj. Dua t’u pyes çfarë keni bërë dhe çfarë do të bëni për të ndryshuar këtë gjë, apo thjesht do të mjaftoheni me atë që drejtësia është e pavarur dhe më ketë rast do të lani dhe duart?

“Pyetje e vështirë, por pyetje e drejtë. Në radhë të parë më lejoni t’ju them që 100 ditë janë mjaft për të shkruar dhe për të prezantuar kartëvizitën; nëse mund të them kështu; të një qeverie, por janë shumë pak për të realizuar gjërat që një qeveri ka marrë përsipër. Pa dyshim që kartëvizita ka shumë rëndësi dhe prezantimi i parë ka shumë rëndësi. Më pëlqen shumë një fjalë që thotë “përgatitu mirë për prezantimin e parë, se zakonisht nuk ke një shans të dytë mbas një prezantimi të keq”. Ndërkohë që, problemi i drejtësisë është një problem që i kapërcen kufijtë e mundësive të një qeverie në vetvete. Ju e dini shumë mirë që ne në bazë të Kushtetutës sonë kemi tre pushtete të ndara dhe të pavarura nga njëra-tjetra. Qeveria është vetëm një nga këto 3 pushtete, pushteti ekzekutiv. Pushteti legjislativ është Parlamenti dhe pushteti gjyqësor është ajo që me një fjalë të vetme ne e quajmë drejtësia. Por kjo nuk është asnjë arsye as për t’u tërhequr dhe as për të larë duart, duke thënë se drejtësia është e pavarur, ne s’kemi çfarë të bëjmë dhe kështu s’na mbetet veçse të bëjmë sehir me shumë keqardhje me të pabërat, thuajse të përditshme të sistemit të drejtësisë. Përkundrazi, ne duam dhe do të bëjmë gjithçka për ta reformuar dhe transformuar sistemin e drejtësisë, por duke e filluar përsëri nga vetja. Unë kam besuar gjithmonë që në një vend që qeveriset me padrejtësi dhe përmes padrejtësisë, është e kotë që të shkosh ta kërkosh drejtësinë në dyert e gjykatave apo duke trokitur në derën e prokurorisë. Shembulli që jep Qeveria është shumë i rëndësishëm në krijimin e një atmosfere dhe të një marrëdhënieje të caktuar mes qytetarëve dhe drejtësisë apo drejtësisë dhe qytetarëve. Sigurisht, kur shoqëria shikon se si qeveria bën përditë padrejtësira madje se si qeveria përfiton apo njerëzit në qeveri përfitojnë përmes padrejtësive është iluzion të presësh drejtësi pastaj në dyert e drejtësisë. Besoj që në këto ditë ne kemi dhënë mesazhe shumë të qarta përmes punës që kemi bërë, vendimeve që kemi marrë, shembullit që kemi mishëruar që ne duam ta ndajmë procesin e qeverisjes nga të këqijat që fatkeqësisht e kanë karakterizuar për vite të tëra. Pra, nga një proces keqqeverisjeje, duam të ndërtojmë një proces mirëqeverisjeje. Këtë problem kompleks, problemin e drejtësisë, duam ta trajtojmë si një sëmundje të rëndë që kërkon një konsultë të gjerë, për të vendosur jo vetëm diagnozën, sepse diagnozën mund ta vendosë çdokush në Shqipëri sot për sistemin e drejtësisë, por dhe për të vendosur recetën e duhur, për të bërë terapinë e duhur për këtë sëmundje. Kjo është një sëmundje e rëndë, është një kancer dhe kërkon një terapi të fortë. Nuk mund të shërohet as me aspirina dhe as me antibiotikë. Ne po përgatitemi për këtë dhe më herët se vonë do të hapim një debat të madh me të gjithë për të adresuar këtë sëmundje dhe për të rënë dakord për terapinë që pastaj të gjithë së bashku duhet të ekzekutojmë në funksion të goditjes së këtij kanceri që po i merr frymën shoqërisë.”

Quhem Teuta Dinaj. Vij nga Universiteti Mjekësor i Tiranës. Në radhë të parë ju falënderoj që bëni të mundur që ne studentët të mund të diskutojmë rreth problemeve tona. Meqë më jepet rasti, jo vetëm në emrin tim, por edhe në emër të studentëve të Universitetit Mjekësor, unë dua të parashtroj një problem që ne kemi në lidhje me ekzistencën e Universitetit Mjekësor si institucion. Duke qenë se që kur është krijuar si institucion, kemi patur shumë problematika, duke filluar që nga fakultetet e krijuara që pothuajse janë inekzistente apo atyre edhe të atyre problematikave që ekzistojnë mes dekanateve dhe rektorateve, ku secili përpiqet t’ia kalojë përgjegjësinë njëri-tjetrit. Gjithashtu, edhe me njohjen e diplomave tona në tregun ndërkombëtar, ku Universiteti Mjekësor i Tiranës, nuk figuron si universitet. Këtu bëhet fjalë për ne që na zuri krijimi i Universitetit Mjekësor të Tiranës në mes të studimeve tona. A ka nga ju ndonjë fjalë, meqë ky takim po ndiqet live dhe ne jemi shumë të shqetësuar?

“E di këtë shqetësim dhe jam njohur me problematikën e këtij, po e quajmë, konflikti. Ministri i Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit e kanë pjesë të detyrave të tyre të kësaj periudhe. Shumë shpejt ne do të kemi një ide të qartë për mënyrën se si do të veprojmë. Në këtë rast nuk do të veprojmë, duke dhënë një urdhër nga lart poshtë, por dhe duke diskutuar dhe duke ju dëgjuar ju, duke dëgjuar të tjerët, sepse siç e dini është një çështje, ku jo të gjithë janë në një mendje dhe duke dalë në konkluzionin e duhur, pa humbur kohë dhe pa ju humbur kohë as juve dhe as të tjerëve. Ju siguroj për këtë!”

Nga Universiteti Marin Barleti. Doja t’ju pyesja, cili nga ministrat ka qenë ai që ju ka ndihmuar më shumë dhe cili ka qenë ai më problematiku?

“Nuk besoj se do të ishte ide e mirë për mua që të bëja këtu një klasifikim, por për këtë periudhë kohe mund t’ju them se skuadra  e Qeverisë e ka përballuar, besoj unë ashtu si duhet sfidën. Ajo çka unë kam dashur dhe dua qysh nga momenti i parë, është që ne të punojmë si një skuadër. Edhe në këtë aspekt ne kemi ndryshuar gjithë metodën e punës, duke e lënë mënjanë metodën tradicionale të punës së qeverisë dhe duke vënë në jetë ditë pas dite një metodë të re pune që bazohet shumë në komunikimin e brendshëm mes të gjithë anëtarëve të Qeverisë, në takimet e përjavshme qoftë të të gjithëve bashkë, qoftë në grupe të ndryshme për të trajtuar probleme të ndryshme që duken sikur janë probleme të një ministrie apo të një tjetre, por në fakt janë probleme që nuk mund të zgjidhen pa ndërveprim. E deri këtu nuk do të thosha asgjë të pavërtetë nëse do të thosha që anëtarët e Qeverisë janë në lartësinë e duhur dhe po e kryejnë detyrën me mjaft përkushtim dhe zotësi. Por sigurisht, për të mos ju lënë pa asnjë përgjigje konkrete, mund të them se unë kam fatin të kem një zëvendës që unë jam i bindur se çdo kryeministër do të donte ta kishte; një Ministër të Brendshëm që jam i bindur jo rastësisht ka marrë nota shumë pozitive vazhdimisht në sytë e opinionit publik; një Ministër të Jashtëm që po bën një punë të admirueshme, edhe pse një pjesë e kësaj pune është larg syve të publikut e me radhë, për të mos i përmendur të gjithë ministrat që edhe nëse në këto 2 muaj e pak nuk kanë rënë shumë në sy, ju siguroj se janë duke punuar me përgjegjshmëri të lartë dhe duke përgatitur 4-vjeçarin me shumë zotësi.

Ne, në përfundim të 100 ditëve do të bëjmë një takim të hapur. Aty jam i bindur që njerëzit do të shohin shumëçka që nuk ka qenë para syve gjatë kësaj periudhe, por që është një punë konkrete. Është një punë që do të vlejë shumë për t’i dhënë një nga një përgjigje pyetjeve dhe shqetësimeve të njerëzve në shumë sektorë, sepse janë probleme të cilat prekin jo të gjithë drejtpërdrejt, edhe pse ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë  e punëve në vendin tonë. Fjala vjen, problemet që kanë të bëjnë me fshatin janë probleme të një grupi të madh shoqëror, por ndaj të cilave njerëzit në qytet nuk janë domosdoshmërisht po aq të vëmendshëm sa ç’janë ndaj problemeve që i prekin ata drejtpërdrejt. Problemet që kanë të bëjnë me pasuritë natyrore, me minierat, me naftën, janë probleme që lidhen me raportet me pjesë të caktuara të gjithë zinxhirit të ekonomisë, por që ndikojnë drejtpërdrejt në të gjithë zinxhirin e ekonomisë. Dhe qoftë në rastin e parë, qoftë në rastin e dytë, unë besoj që ne kemi ministra që janë plotësisht në lartësinë e sfidës. Sfida është e madhe, por në fund të fundit, kjo është dhe arsyeja pse ne jemi votuar.”

Unë jam maturante në gjimnazin “Partizani”. Përveçse duhet t’i përkushtohem këtë vit shumë studimeve të mia, duhet edhe të mendoj për të ardhmen time, për tregun e punës. A do të jem unë e zonja që të gjej një punë në profilin tim?! Gjatë qeverisjes suaj, të rinjtë pas diplomimit, a do të mund të punësohen sipas meritave të tyre?

“Sigurisht që në fund të fundit, kryefjala e programit tonë dhe kryefjala e shqetësimit sot në Shqipëri është punësimi. Por, punësimi nuk është një nga ato arritje që mund të shënohen në 100 ditë. Punësimi është një arritje që do të shënohet hap pas hapi, pasi të kemi kaluar një periudhë të mandatit, kur të kemi vendosur piketat e duhura të punës për punësimin. Sot, fatkeqësisht, punësimi konsiderohet si obligim i sektorit publik dhe kërkohet përgjithësisht që ta garantojë shteti. Ndërkohë që motori i punësimit natyrshëm është biznesi, biznesi i vogël dhe biznesi i madh. Fuqizimi i biznesit të vogël, krijimi i kushteve për rritjen e biznesit të madh e mbi të gjitha krijimi i hapësirave për rritjen e volumit të investimeve të huaja janë edhe pjesa më e rëndësishme e përgjigjes për punësim. Sot pa dyshim ju të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi, ndërkohë që vazhdoni shkollën, vazhdoni studimet, jetoni me ankthin se çfarë ju pret më pas. Edhe për shkak se siç e thamë në fillim ka shumë pak vlerësim të meritës dhe ka shumë diploma të pamerituara, por ajo që ne na shqetëson në radhë të parë është ndryshimi i këtij sistemi edhe në funksion të punësimit, duke krijuar alternativën e arsimit profesional dhe duke mos i detyruar të gjithë të rinjtë, bashkë me prindërit që të shpenzojnë energji dhe paratë e familjes për të marrë në fund një diplomë që nuk ka asnjë vlerë. Por, duke i krijuar kushtet që kush dëshiron dhe i ka aftësitë dhe përkushtimin për të shkuar më tutje dhe për të marrë diplomë dhe për të bërë një karrierë të caktuar përmes arsimit më të lartë, ta bëjë këtë, në një hapësirë, ku konkurrenca dhe merita vendosin. Shumëkush tjetër, ashtu siç ndodh në të gjithë vendet normale, të zgjedhë zanatin dhe përmes zanatit të sigurojë jetën e tij, të ofrojë shërbimet e tij, të hapi një biznes, të fitojë para dhe të mos vuajë papunësinë. Thënë të gjitha këto, unë besoj se potenciali për të kapërcyer këtë periudhë shumë të errët papunësie dhe për të filluar rritjen ekonomike me punësim është aty. Na duhet të bëjmë më të mirën që këtë potencial ta kthejmë në një realitet të prekshëm nga gjithmonë e më shumë njerëz dhe jam i bindur që do t’ia dalim.”

Endri Mërtiri, student i drejtësisë. Pyetja ime është në lidhje me një temë me interpretim të zgjeruar të ditëve të fundit, nga media dhe nga opinioni në tërësi. Ka të bëjë me ndërtimet që janë prishur në bregdet. Thuhet që Qeveria ka lekë që të paguajë banorët dhe nuk ka lekë që të paguajë individët.

“Të falënderoj për këtë pyetje! Është një pyetje që në fakt e kam dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve, jo në një rast, por në shumë raste. Është një pyetje që është legjitime për shumë njerëz, të cilët sot janë në vështirësi. Këtu kam dy sqarime për të bërë. E para, ne kemi ndërmarrë një nisëm që unë e konsideroj shumë të rëndësishme për Shqipërinë që duam, për Shqipërinë që ju meritoni që lidhet me ndalimin përfundimtar të abuzimit të përditshëm dhe të përshumëvitshëm me territorin, me pronën tonë të përbashkët. Pjesë e kësaj nisme është aksioni ynë për të çliruar bregdetin, duke filluar nga bregdeti i Vlorës,nga të gjitha ndërtimet abuzive, qofshin ato pa leje, qoftë edhe ndërtimi në fjalë, që është një ndërtim abuziv i bazuar në një procedurë, e cila nga fillimi në fund është abuzive, por ku në mirëbesim qytetarë kanë shpenzuar para për të përfituar një apartament, apo një hapësirë. E pra, do të ishte tërësisht e padrejtë që këta qytetarë që kanë përfituar në mirëbesim, sepse janë bazuar në dokumenta hipotekorë, të dalin të dëmtuar dhe të dëmtuar jo pak nga kjo histori që është një histori përpjekjeje për të zhdëmtuar një qytet të tërë dhe unë besoj një popull të tërë në një nga pasuritë më të mëdha që kemi që është bregdeti. Këtu nuk flasim për një shkatërrim qorrazi, se kam dëgjuar që ka që thonë se këta vetëm po shkatërrojnë, po nuk po ndërtojnë. Këtu flasim për rikthimin e një të drejte themelore të shkelur me këmbë dhe të abuzuar për vite të tëra, të një qyteti të tërë, por dhe të një populli të tërë për të përfituar nga një pasuri kaq e madhe sa ç’është bregdeti. Kjo është një pasuri në shumë plane. Rikthimi i ligjshmërisë në vijën bregdetare, vënia në lëvizje e planeve dhe e projekteve të Shqipërisë së gjeneratës tjetër, në vizion dhe në standarde; realizimi i këtyre projekteve, transformimi i kësaj vije bregdetare në një vijë bregdetare të një cilësie ndërtimore si në shumë pika tërheqëse të Mesdheut, do të thotë ndër të tjera apo mbi të gjitha rimëkëmbje ekonomike. Do të thotë edhe rimëkëmbje sociale edhe rimëkëmbje morale e shoqërisë. Prandaj, këtu nuk bëhet fjalë se po prishet një godinë apo prishet një godinë tjetër. Këtu bëhet fjalë për një nisëm, për një vizion dhe një projekt që është tërësor dhe duhet parë në tërësi. Ana tjetër është pamundësia që kemi patur deri në çastin që po flasim për të paguar normalisht njerëzit në nevojë, ata më në nevojë që janë invalidët, paraplegjikët dhe tetraplegjikët që prej muajsh nuk marrin pagesën që shteti ka detyrim t’ua japë. Arsyeja është sa e thjeshtë, aq edhe tronditëse, sepse mbi 90% të parave të caktuara për ta qysh në fillim të vitit, në buxhetin e vitit 2013, janë shpenzuar deri në qershor të vitit 2013 dhe janë shpenzuar për arsyet e mosarsyes së fushatës elektorale. Janë shpenzuar, jo për t’ua dhënë atyre që ju takojnë, por për t’ua dhënë shumë të tjerëve që janë përfshirë në këto skema si invalidë apo si njerëz në nevojë për ndihmë ekonomike, pa qenë në fakt, as invalidë dhe as në nevojë për ndihmë ekonomike, por thjesht për t’ju marrë votën, duke ju paguar lekët e dedikuara në buxhet nga taksat e shqiptarëve, për ata që realisht i meritojnë ato lekë në bazë të ligjit. Të thuash që pse me këto lekë po shembet një pallat dhe nuk po paguhen këta, është në fakt shumë abuzive sepse e para, me këto lekë nuk po shembet një pallat. Me këto lekë, ata që kanë përfituar në mirëbesim, dhe që nuk kanë arsye pse të paguajnë koston e madhe të një procedure tërësisht abuzive, do të marrin dëmshpërblimin, sigurisht duke paraqitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Ndërkohë që, edhe sikur të ishte ndryshe, këto lekë jo vetëm nuk mjaftojnë, por janë shumë pak për të zgjidhur problemin, problem që ne po bëjmë çmos që ta zgjidhim dhe që do ta zgjidhim me patjetër një orë e më parë.”

Përshëndetje! Kemi gjithashtu pyetje nga rrjetet sociale, të cilat janë të shumta, aq më tepër sot kur Kryeministri është në këtë përvjetor vetë realizuesi i ëndrrës së dhjetorit 1991. Një prej pyetjeve: Gjatë karrierës tuaj a ka pasur ndonjë moment apo ngjarje që të ka bërë të dyshosh për bindjet tuaja politike?

“Ndoshta pyetja më e saktë ose ndoshta kuptimi i saktë i pyetjes do të ishte: A ka patur ndonjë moment ose ngjarje për të cilën mund të ketë qenë përgjegjëse partia, ku unë jam anëtar dhe më ka bërë të dyshoj për partinë? Po meqë ky është interpretimi im, unë nuk po i jap përgjigje këtij interpretimi dhe po them që bindjet e mija janë arsyeja pse unë jam pjesë e asaj familjeje politike, ku unë jam pjesë dhe pse unë jam edhe këtu sot. Kështu që, nuk kam dyshim në bindjet e mija, nëse flasim për bindjet politike. Nëse flasim pastaj për bindjet lidhur me një çështje apo me një çështje tjetër, ato mirë është të mos jenë të palëvizshme, për sa kohë ka edhe të tjerë që të ndihmojnë që t’i modifikosh apo edhe t’i ndryshosh. Fjala vjen, kur nisesh për të bërë një reformë, ke një bindje të caktuar, por kur pastaj fillon puna për ta përgatitur reformën, ajo bindje mund të modifikohet në një mënyrë të caktuar, pa ndryshuar në thelbin e vet, kuptohet. Dhe në thelbin e vet, bindjet politike ndajnë ata që thonë jam majtas nga ata që thonë jam djathtas; ata që thonë jam socialist, nga ata që thonë jam demokrat. Dhe në këtë aspekt sinqerisht, unë nuk bëj pjesë në atë grup njerëzish që mund të ndryshojnë themelin e bindjeve të tyre, të paktën jo më në kuptimin e mirë të fjalës. Jam shumë i vjetër për të ndryshuar bindjet politike tani.”

Aida pyet në Facebook: Zoti Kryeministër, a influencoheni më shumë nga komentet dhe kritikat e analistëve dhe gazetarëve apo nga reagimet në rrjetet sociale si Facebook dhe Twitter?

“T’ju them të drejtën, unë konsumoj pak gazeta dhe televizion, qoftë për arsye të kohës që nuk ma lejon që në ato pak momente të lira të vazhdoj të ndjek atë që në fakt është puna e gjithë pjesës tjetër të kohës, qoftë dhe sepse besoj që nëse i shkon shumë pas komenteve, atëherë, jo vetëm konsumon shumë kohë, por rrezikon që të bësh më pak punë. Sigurisht që komentet, kritikat, sugjerimet që bëhen qoftë nëpërmjet mediave, qoftë nëpërmjet rrjeteve sociale e kanë vlerën e tyre dhe për këtë arsye në skuadrën tonë që merret me komunikimin, ka sy e veshë shumë të vëmendshëm që i mbajnë shënim ato për të nxjerrë konkluzione të caktuara. Por, unë personalisht funksionoj përmes këtij filtri, nëpërmjet filtrit të skuadrës së komunikimit.”

Adela, pyet: 8 dhjetori është futur në historinë dhe në gjirin tonë si shoqëri, si një moment heroik. A mendoni që ne sot kemi një perspektivë të qartë mbi ngjarjet e asaj kohe? A mendoni se këto ngjarje duhen parë me një sy kritik?

“Besoj që dhjetori i ’90-ës është një moment historik, të cilit gjithmonë do t’i referohemi si momenti i një ndryshimi të madh dhe të jashtëzakonshëm. Sigurisht, brenda lëvizjes së dhjetorit ka pasur gjëra që historia si histori i lë në plan të dytë, por që sidomos për ne që jemi bashkëkohës me historinë vlejnë edhe të lexohen, vlejnë edhe të gjykohen, vlejnë edhe si një bazë për të kuptuar rrjedhën e ngjarjeve, për të kuptuar personazhet dhe kështu me radhë, besoj unë. Paradoksi më i madh në këtë nivel të dytë të ngjarjes, sepse në nivelin e parë ngjarja është historike dhe pikë, është që dikush si unë që në lëvizjen e dhjetorit u përfshiva nga pozitat e njeriut që si shumë të tjerë në lëvizjen e studentëve dhe të pedagogëve që vinte nga rruga e kundërshtimit me Partinë e Punës është sot Kryetar i Partisë Socialiste që lindi nga transformimi rrënjësor i Partisë së Punës dhe dikush si lideri i Partisë Demokratike që erdhi në lëvizjen e dhjetorit si anëtar i Partisë së Punës u bë pastaj kryetar i Partisë Demokratike. Është një paradoks i madh, por është pjesë e paradokseve të historisë. Ndërkohë që, ka edhe një element tjetër shumë të rëndësishëm që përsëri buron nga ky nivel i dytë i dhjetorit, që në Partinë Socialiste; që rëndom nga pala tjetër në vite është akuzuar dhe vazhdon të akuzohet si ata që ishin atëherë; nga ata që ishin atëherë s’ka absolutisht asnjë, në drejtim. Në Partinë Demokratike, ata që ishin atëherë kanë një që si ta kishin zgjedhur me dorë, për t’u mos u harruar kurrë që ai ishte me ata dhe ata ishin me të. Edhe ky është një paradoks. Kështu që, në këtë aspekt lëvizja e dhjetorit ka shumë elementë që i vlejnë njerëzve për të kuptuar rrjedhën e ngjarjeve, për të kuptuar personazhet, dhe për të kuptuar edhe paradoksin.”

Pyetje nga Gerti: A mendon se këto 100 ditë si Kryeministër të kanë ndryshuar ty ose këndvështrimin tënd për shoqërinë?

“Sigurisht, është një punë që kur e shikon nga jashtë mund ta marrësh me mend, por kur e shikon nga brenda kupton se nuk merret dot me mend. Është një punë e jashtëzakonshme për nga privilegji i madh që të është bërë për të bërë këtë punë, për të drejtuar dhe për t’i shërbyer popullit tënd, por është një punë që për nga intensiteti dhe për nga mënyra sesi gjërat ndërthuren, mes atyre që ti planifikon dhe atyre që ndodhin, është e pakrahasueshme me asgjë të paktën që unë kam bërë më parë.”

Besniku ju pyet: Përshëndetje, zoti Kryeministër! Nëse mund ta vizualizoni, si do të dukej piktura e karrierës tuaj politike?

“Si do të dukej piktura e karrierës time politike… Nuk e di. Nuk e di. Unë do të kisha dëshirë që në fund t’i ngjante kësaj salle hartash, por të shikojmë si do duket deri në fund. Deri tani është një pikturë në proces.”

Gjatë fushatës suaj elektorale, keni premtuar se do t’i hiqni mandatin e deputetit çdo ministri. Ende nuk është parë të bëhet realitet. Është menduar për një moment të dytë apo jeni tërhequr nga ky premtim?

“Jo, jo, nuk jemi tërhequr. Është një procedurë që kemi qenë të kujdesshëm përpara sesa ta fillojmë, për shkak se, ju e dini apo kujt s’e di po i kujtoj, kemi pasur nevojë për një votim me shumicë të cilësuar dhe nuk kemi dëshiruar që të kishin probleme të natyrës procedurale të kalimit të mandateve nga disa duar në disa duar të tjera. Dhe tani është momenti kur kjo procedurë është bërë gati dhe do të fillojë të zbatohet. Ne do t’i qëndrojmë ndarjes së mandateve. Vonesa, nëse mund ta themi, ka qenë e natyrës tërësisht procedurale dhe jo e natyrës parimore apo aq më pak shprehje e ndonjë ngurrimi për të mbajtur një zotim të bërë publik.”

Si një e re që votova për ju dhe që shpresoj për një të ardhme më të mirë, duke u bazuar në deklaratën tuaj për një bashkëqeverisje strategjike me Kosovën, më lind një pyetje. Si mendoni se do të jenë në vazhdim zhvillimi i marrëdhënieve me Kosovën, nga pikëpamja kombëtare dhe ndërkombëtare?

“Faleminderit! Le të ndalemi vetëm një moment dhe të mendojmë vetëm një gjë: Ky vit i ri që vjen, 2014, është i pari vit i ri që i gjen të gjithë në shtëpi dhe askënd me një pushkë në dritare, duke marrë në shënjestër shtëpinë e fqinjit, në historinë e Ballkanit, qysh se Ballkani ekziston. Që do të thotë që ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme në rajonin tonë dhe marrëveshja e paqes mes Serbisë dhe Kosovës ka shënuar praktikisht, fundin e procesit të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë dhe fundin, shpresoj, të përgjithmonshëm të konflikteve në Ballkan. Është një paqe që është në të njëjtën kohë një hapësirë e madhe mundësish të reja zhvillimi ekonomik dhe social. Dhe në këtë kontekst, edhe bashkëpunimi ynë me Kosovën zhvillohet në një kohë, kur rajoni ka marrë një përmasë të re, përmasën e paqes. Duke zbritur tani në marrëdhënien e drejtpërdrejtë Shqipëri – Kosovë, ne kemi besuar prej vitesh se shumë më tepër mund të ishte bërë nga ana jonë, nga ana e Shqipërisë. Dhe ne do të bëjmë realitet ato zotime që kemi marrë, për t’a kthyer marrëdhënien me Qeverinë e Kosovës dhe për t’i kthyer marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës në marrëdhënie të bazuara tek një bashkëqeverisje strategjike. Ne e kemi thënë qysh në krye të herës që për ne, kufiri dhe kufijtë janë të palëvizshëm, por në të njëjtën kohë jemi të bindur se i kemi të gjitha mundësitë që kufirin mes nesh ta bëjmë tërësisht të padukshëm dhe t’i japim jetë një sërë politikash të reja bashkëpunimi, në të mirën e popullit shqiptar, në të dy anët e kufirit, duke bashkëpunuar për sigurinë energjetike, duke bashkëpunuar për ofertën e njësuar turistike, duke bashkëpunuar për sistemin e unifikuar arsimor, duke bashkëpunuar për të fuqizuar hapësirën rurale këtej dhe andej kufirit dhe për t’i dhënë më shumë vend dhe më shumë shanse prodhimit bujqësor këtej e andej kufirit, duke bashkëpunuar për bashkimin doganor dhe për lehtësimin e të gjitha atyre problemeve që i kanë shqetësuar vijimisht sipërmarrësit këtej dhe andej kufirit. Pra, hapësira e bashkëpunimit është jo vetëm kaq, por ende më e madhe se kaq. Na takon ne që këtë hapësirë bashkëpunimi ta shfrytëzojmë maksimalisht dhe kësaj hapësire paqeje t’i japim përmasën e zhvillimit ekonomik dhe social, jo vetëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, por mes gjitha vendeve të rajonit.”

Duke marrë parasysh nga të gjitha problematikat që u hodhën nga studentët e tjerë, do të doja të dija, a ka pasur ndonjë moment që ju keni menduar: Ç’mu desh kjo punë?!

“Me siguri ka pasur momente kur edhe juve ju vjen të thoni “Ç’mu desh kjo shkollë?!”, “Ç’mu desh kjo lëndë?!”, “Ç’mu desh kjo klasë?!” apo “Ç’ju desh prindërve kjo lagje që zgjodhën?!”. Momente të tilla besoj kanë të gjithë dhe ka gjithmonë, por kalojnë shpejt dhe nuk lënë gjurmë.”

Jam maturante e gjimnazit “Partizani” në Tiranë. Doja t’ju pyesja se kur do të marrë fund eksperimentimi me sistemin arsimor në Shqipëri, pasi shohim që vazhdimisht ndodhin ndryshime që krijojnë destabilitet, konfuzion, pasiguri dhe na pengojnë të krijojmë ide më të qarta për të ardhmen tonë, se çfarë duam të vendosim të bëjmë me veten tonë.

“Ke shumë të drejtë. Ky është fati i reformave të bëra nga lart–poshtë, të imponuara nga lart–poshtë, të projektuara pa dialog, pa gjithëpërfshirje, pa sensin e përgjegjësisë reciproke dhe pa objektivin e partnershipit. Ne nuk do ta bëjmë këtë gabim. Unë e kam thënë më parë, por ju siguroj se e përsëris pothuajse përditë me pjesëtarët e skuadrës së Qeverisë që kemi një fat: “Paraardhësit tanë na kanë lënë dhuratë një libër goxha me gabime që nuk duhen përsëritur. Mjafton që ne të shohim, të analizojmë dhe të regjistrojmë gabimet e tyre për të mos i përsëritur dhe kemi bërë gjysmën e punës”. Edhe në arsim, kjo nuk ka ndodhur vetëm me paraardhësit e 23 qershorit, por ka qenë një vazhdë më e gjatë, një traditë fatkeqësisht e krijuar në shumë vite. Janë bërë reforma apo reformime dhe deformime,  reformime–deformime, gjithmonë pa marrë parasysh të tjerët, pa marrë parasysh ata që e konsumojnë reformën apo produktet e reformës. Ajo që ne kemi diskutuar qysh në fillim me Ministren, jo vetëm me Ministren e Arsimit, por edhe me Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë, sepse tani Arsimi Profesional do të kalojë tërësisht nën kujdesin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe ndërlidhja do të bëhet në një formë krejt tjetër nga ajo që ishte deri më sot dhe që e pengonte arsimin profesional të zhvillohej, se kishte mbetur si jetim; ka qenë që reformat në arsim dhe reforma në arsim në tërësi është e një rëndësie shumë të madhe. Dhe reformat në arsim duhet t’i bëjmë duke përfshirë mësuesit, duke përfshirë prindërit, duke përfshirë pedagogët, duke përfshirë dekanatet, duke përfshirë të gjithë ata që do të punojnë me produktet e reformës. Sigurisht që kjo nuk do të thotë që të jemi dakord për të gjitha, por kjo do të thotë që të kuptojmë mirë njëri – tjetrin dhe të marrim një vendim të bazuar tek një diskutim i gjerë dhe i thellë i problemeve dhe i zgjidhjeve. Dhe kështu do veprojmë. Mbasi kemi mbaruar konkurset për Drejtorët e Drejtorive Rajonale të Arsimit, kemi pasur menjëherë një takim dhe gjëja që unë u kam kërkuar ka qenë të hapim një proces diskutimi në gjithë shkollën për altertekstin, për Maturën Shtetërore, për vlerësimin e shkollave, për vlerësimin e nxënësve, për problemet që kanë nxënësit, duke përfshirë edhe prindërit dhe jo vetëm mësuesit apo nxënësit. Besoj që një qasje e tillë do t’i japë reformës shumë më tepër material jetësor dhe shumë më tepër qëndrueshmëri.”

Jam studente e Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria është e vetmja që ka deri më sot ka aplikuar taksën e sheshtë. Me aplikimin e taksës progresive apo mëse të drejtë të quajtur taksim i ndershëm, si mendoni që do të ndikojë tek evazioni fiskal dhe çfarë masash do të ndërmarrë Qeveria për ta parandaluar atë?

“Ndoshta nga emocionet ose nga mungesa e informacionit, nuk e di që në fakt taksën e sheshtë e aplikojnë edhe vende të tjera të rajonit. Kanë filluar të ndjejnë se ka diçka që nuk shkon. Rasti më i freskët është Serbia që kaloi vjet nga një nivel taksimi 10% në 15% për kompanitë. Ndërkohë që ne, pavarësisht nga kjo dhe varësisht edhe nga zhvillime të tjera që kemi ndjekur, varësisht dhe nga ajo që ne përfaqësojmë, jemi Partia Socialiste, jemi Aleanca për Shqipërinë Evropiane, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe kemi një qasje të ndryshme nga pala tjetër. Për ne taksa e sheshtë është grabitje. Është grabitje e atyre që janë më të dobët. Nuk është, në asnjë mënyrë, një taksë e cila moralisht mund të pranohet prej nesh dhe ne nuk besojmë që taksa e sheshtë, kështu siç është aplikuar në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, mund të sjellë ato rezultate që predikohen. Sot është e qartë, nga të gjithë studimet dhe analizat, nuk ka një konkluzion që me taksën e sheshtë rritet punësimi më shumë sesa me taksën progresive; që me taksën e sheshtë rriten investimet më shumë sesa me taksën progresive. Ndërkohë që edhe predikimi se taksa e sheshtë e lufton më mirë evazionin nuk gjen reflektim në studimet dhe analizat e bëra. Sigurisht që një sistem i thjeshtë taksimi, në kushtet e një vendi si Shqipëria apo në kushtet e vendeve që nuk kanë një administratë të mirëstrukturuar dhe të sofistikuar tatimore e bën më të lehtë punën. Dhe ne nuk do ta sofistikojmë sistemin e taksimit në një mënyrë të atillë që ta kemi të pamundur përmes administratës që sot është fakt, është e dobët dhe nuk i ka të gjithë mekanizmat që duhet të kishte për të funksionuar në çfarëdo sistemi taksimi, ta bëjmë këtë gjë të pamundur. Ajo që për ne është e qartë është që duhet të rrisim bazën e taksapaguesve, pra duhet të luftojmë informalitetin dhe të shtojmë kontributet, duke mos ia lënë të gjithë barrën atyre që paguajnë. Dhe kjo vlen për taksat, kjo vlen për faturat e energjisë, kjo vlen në tërësi për detyrimet ndaj shtetit dhe ndaj ligjit. Por në të njëjtën kohë, me një sistem të thjeshtë taksimi, ne jemi të bindur që ata që fitojnë më pak; dhe këtu flas qoftë për ata që marrin rroga më të ulëta apo mesatare, qoftë për biznesin e vogël; duhet të paguajnë më pak. Ndërkohë që Kryeministri, ministrat, deputetët apo ata që kanë rroga që për Shqipërinë janë rroga të larta, si dhe biznesi i madh duhet të paguajnë më shumë. Për ne ky është taksimi i ndershëm. Nuk flasim për shkallëzime të sofistikuara progresive të taksave.”

Si maturante më shqetëson mungesa e informacionit lidhur me shumicën e degëve që ofrojnë universitetet shtetërore në Shqipëri. A mendoni se duhet bërë më shumë në fushën e këshillimit për karrierën dhe informimit për atë që çdo degë ofron?

“Ne mendojmë që duhet bërë më shumë në të gjitha aspektet, por sigurisht, duhet bërë jo më shumë, po duhet bërë gjithçka ndryshe në aspektin e informacionit për shkollat, duke filluar që nga shkollat elementare, duke vazhduar me shkollat e mesme dhe duke vazhduar me shkollat e larta. Prindërit duhet ta dinë se në çfarë shkollë po e çojnë fëmijën. Dhe akreditimi që ne po bëjmë gati bazën për të filluar qysh për vitin e ardhshëm, pjesë – pjesë kuptohet, do të ndihmojë shumë për të dhënë një pamje të qartë të sistemit dhe për të klasifikuar shkollat sipas cilësisë dhe sipas shërbimeve që ato ofrojnë. Pa dallim. Ne nuk do të akreditojmë thjesht shkollat private. Ne do të akreditojmë gjithë sistemin dhe të gjitha shkollat duhet të hyjnë në provën e cilësisë. Dhe nga prova e cilësisë, të gjitha shkollat duhet të kenë vendin e tyre në klasifikim, qofshin publike, qofshin private, apo siç do të dëshiroja të thosha shtetërore apo private që në këndvështrimin tonë duhet të kthehen në shkolla publike. Universitete private që bëjnë para dhe që funksionojnë si fabrika diplomash, përkundër parave që marrin apo si shërbime private ndaj klientit që paguan para. Besoj që Shqipëria nuk ka luksin që t’i mbajë dhe vetëm pasoja mund të ketë prej tyre. Ndërkohë që universitete që financohen privatisht, po, patjetër! Por duhen kthyer në institucione publike, pa qëllim fitimi. Ky është objektivi. Këtë, ne duhet ta kthejmë në reformë. Dhe këtë reformë do ta bëjmë duke ndërtuar një proces gjithëpërfshirës dialogu, për të ndarë përgjegjësitë dhe për të ndërtuar partneritetin.”

Jam student i Informatikës. Duke lexuar programin tuaj qeverisës, gjithashtu duke dëgjuar dhe duke parë që një nga kushtet që ne kemi nga Bashkimi Evropian për pranimin e vendit tonë në BE është lufta ndaj korrupsionit. Mund të më thoni se ç’do bëhet me “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit apo do duhet të harrojmë të gjitha ato që kemi parë apo dëgjuar këto 8 vite?

“Ju nuk duhet të harroni asgjë. Ju duhet të bëni çmos që të mos harrojmë ne. Por, ju siguroj që nuk harrojmë as ne. Ndërkohë që e përsëris, ne nuk kemi mandat për të harruar, por ne s’kemi as mandat për të hedhur pranga nëpër rrugë. Ne jemi Qeveria. Sigurisht, jemi Qeveria e një shumice shumë të fortë, jemi shumë të vetëdijshëm për këtë, ashtu sikundër jemi të vetëdijshëm që në votën e 23 qershorit ka pasur një etje për drejtësi. Dhe kësaj etjeje për drejtësi ne do t’i shërbejmë deri në fund, duke bërë pjesën tonë. Duke bërë pjesën tonë, siç kemi filluar ta bëjmë. Numri i rasteve të goditura për korrupsion në këta 2 muaj e pak është mbi 400% më i madh se sa në dy muajt e pak të një viti më parë. Po nuk po marrim të një viti më parë, se një vit më parë qeveria e shkuar ishte e lodhur komplet dhe nuk kapte dot as veten, jo të kapte të tjerët. Por, marrim bashkë disa vite më parë dhe përsëri numri është i pakrahasueshëm. Sigurisht që ha diskutim ky numër, sepse kur vijmë tek ata që ju i quani “peshqit e mëdhenj”, s’mund të themi se në rrjetë kanë rënë “peshq të mëdhenj”. Por, ama nga ana tjetër ju siguroj që ne do të çojmë përpara drejtësisë, për sa na takon si Qeveri, të gjitha rastet ku do të konstatojmë nga auditimi i të shkuarës arsye për ndjeke penale, pa kursyer askënd, në asnjë nivel. Dhe këtë do ta bëjmë duke e ndarë me publikun dhe sigurisht, për këtë ne do të kërkojmë që Prokuroria dhe Gjykatat të marrin përgjegjësinë e tyre. Por, askush s’duhet ta harrojë që tek e fundit, ne nuk jemi as Prokurori, nuk jemi as Gjykatë. Ndërkohë që kemi detyrën që edhe Prokurorinë edhe Gjykatat t’i bëjmë të funksionojnë më mirë, përmes reformave dhe përmes mekanizmave që duhet të ndërtojmë bashkërisht edhe me palën tjetër në Parlamentin e Shqipërisë.”

Kënaqësi tejet e veçantë të jemi këtu. Jam gjimnaziste nga gjimnazi “Petro Nini”. Dua të bëj një hyrje të shkurtër që lidhet më këtë faktin e gjithpërfshirjes që ju na bëni. Është për t’u vlerësuar që edhe ne asistojmë në demonstrimin e këtij ambienti që mbart gjithë atë  hijeshinë dhe fisnikërinë e mundshme dhe sigurisht ky lloj bashkëbisedimi kaq i çlirët, më bëri përshtypje edhe kjo formë e rrumbullakët që më kujton tryezën e Arturit dhe që na vë neve në barazi me njëri – tjetrin. Sigurisht që do të thosha se është një vizitë shumë, shumë e këndshme.

Në kokën time edukimi ka qenë si një premisë për ta përmirësuar natyrën njerëzore. Kur ne flasim për Maturën Shtetërore, ju së bashku me zonjën Nikolla keni parashikuar që t’i bëni një formatim Maturës Shtetërore, çka do të thotë, do t’i jepni më shumë prioritet mesatares dhe lënda e anglishtes do të jetë një provim i detyruar që ne duhet t’i nënshtrohemi? Së fundi, unë kuriozohem shumë të di nëse në këtë fundvit të ethshëm që ne presim statusin e vendit kandidat për në BE, kisha shumë të dëshirë të dija mbresat tuaja dhe do të doja të dija sa besimplotë jeni ju në këtë rrugën e re që Shqipëria pritet të nisë dhe shpresojmë që edhe ajo të printojë ato hapat e saj në rrugën e integrimit.

Ndoshta dhe ngaqë jemi afër, u impresionova nga paraqitja që bëre. Para se të të përgjigjesha doja të merrja të drejtën të të pyesja: Për mesataren dhe për anglishten, cili është mendimi yt?

E vërteta është që në qoftë se flasim për mesataren, është shumë e drejtë që t’i jepet prioritet një përqindjeje më të lartë që mesatarja duhet të zërë tek një nxënës, sepse e vërteta është që një provim nuk mundet domosdoshmërisht të përcaktojë të gjithë potencialin e një nxënësi, kur llogaritet potenciali në tre vite që ai duhet të japë. Kështu që, sa i përket mesatares, unë jam një mbështetëse shumë e fortë e kësaj çështje. Por, në qoftë se flasim për lëndën e anglishtes, unë do të ndjehesha e aftë dhe e zonja për ta dhënë, por çështja është që masivisht sa janë të përgatitur nxënësit. Që do të thotë se mirë ne jemi në Tiranë dhe anglishtes i jepet gjithë vëmendja e duhur, por po në rrethet e tjera? Dhe pse të penalizohen nxënësin mbi këtë çështje? Absolutisht, anglishtja është një lëndë që meriton të gjithë përkushtimin e nevojshëm, sepse na lidh me vendet e tjera.

“Faleminderit, të kuptoj shumë mirë. Ajo që the për anglishten vlen pak dhe për mesataren besoj unë. Pse?! Sepse sigurisht është më se normale, duhet të ishte bërë shumë më përpara, që edhe anglishtja, madje unë do të thosha një gjuhë e huaj, jo domosdoshmërisht dhe detyrimisht vetëm anglishtja, por dhe frëngjishtja, edhe një gjuhë tjetër, të jenë pjesë e provimit.

Por si mundet kjo të jetë e detyruar dhe e imponuar, kur në një pjesë të madhe të shkollave nuk kanë mësues anglishteje, sot. Ka shkolla të tëra që nuk kanë mësues anglishteje. Unë e kam hasur këtë gjë vetë, gjatë periudhave të kontakteve me njerëzit, para 23 qershorit. Gjithashtu, ne e kemi hasur këtë në grupin e programit tonë kur kemi kontaktuar me shumë realitete dhe kemi dëgjuar që mungesa e mësuesit të anglishtes është një problem. Ashtu sikundër në shkolla 9-vjeçare, problemi i mungesës së mësuesit të anglishtes, sidomos në zona të vështira, por jo dhe në zona shumë të largëta si këtu pranë Tiranës, prapa Dajtit, na është shtruar si një problem themelor i komunitetit, ku kemi dëgjuar: “Nuk duam as rrugët, as këto e këto, para një mësuesi anglishteje për fëmijët”.

Ndërkohë që mesatarja prapë nuk e di a jam kaq patriot i flaktë sa ti, por dhe unë, në qoftë se përdorim këtë term, nuk do isha kundër, por ama përsëri kemi problemin e bazës së nisjes, sepse fiktiviteti i notave në një sërë shkollash private apo ndryshimi i notës, ndryshimi i peshës së shtatës, së tetës, të nëntës, apo të dhjetës nga qendra në periferi, dihet që mund të bëjë diferencën. Kështu që, është absolutisht legjitime që të dyja këto çështje të trajtohen, që të dyja këto çështje të shikohen në perspektivë, por që të mos nxjerrim sytë, për të vënë vetullat, duke e bërë këtë gjë symbyllur.

Kemi nevojë të vendosim një bazë të qëndrueshme konkurrence të drejtë, që do të thotë një bazë ku të gjithë të kenë mundësinë të konkurrojnë në pozita sa më të barabarta dhe pastaj të vlerësojmë meritën mbi këtë bazë. Për këtë arsye ne do të këmbëngulim që na duhet më parë një transformim i madh, një transformim në mendësi dhe në përmbajtje i sistemit tonë, ku ndarja midis shtetit dhe privatit, nuk duhet të jetë ndarja midis një pjese të sistemit që merr para nga taksapaguesit dhe ushqen parazitizmin, dhe një pjese të sistemit që i merr paratë nga xhepat e prindërve dhe ushqen fiktivitetin. Kjo duhet ndeshur që në fillim, duhet përballur që në fillim dhe duhet mundur që në fillim, me një sistem të ri që duhet të jetë produkt i një mirëkuptimi të madh shoqëror dhe i një bashkëpunimi intensiv, mes shkollës, prindërve, nxënësve, universitetit, studentëve, Qeverisë, për të pasur një mirëkuptim mbi “kush janë çështjet” dhe hap pas hapi për të ndërtuar një proces. Për të shkuar më pas, hap pas hapi tek rritja e peshës së arsyeshme të mesatares, tek ndryshimi përmbajtësor, por dhe tek ndryshimi në sistemin e maturës shtetërore dhe tek garantimi i konkurrueshmërisë në universitet, pavarësisht a është universitet që paguhet nga xhepat e taksapaguesve apo është universitet që paguhet nga xhepat e familjeve dhe të studentëve.

Është shumë e rëndësishme që t’i bëjmë këto hapa me vetëdijen se ky sistem është i falimentuar, por ama se ndryshimi i këtij sistemi nuk mund të bëhet siç e tha vajza më përpara, ashtu siç janë bërë ndryshimet në të shkuarën dhe që pastaj kanë rezultuar të paqëndrueshme dhe me pasoja që kanë lenë pas boshllëqe të mëdha.

Zoti Kryeministër doja t’u adresoja pyetje të tjera që vijnë nga rrjetet sociale, konkretisht nga Twitter, ku Sonili pyet: Si imagjinohej e ardhmja pa komunizëm, me më shumë xhupa dhe atlete apo ishte diçka tjetër?

“Secili e kishte imagjinatën të zënë me pjesën që mund ta tërhiqte më shumë. Për dikë, ndoshta ashtu. Për dikë tjetër me më shumë muzikë dhe me më shumë piktura të ndaluara. Për dikë tjetër me më shumë mundësi për të zgjedhur mes vendeve, ku donin të jetonin. Për dikë tjetër me më shumë liri nga prindërit dhe me më shumë të drejta për të ikur nga shtëpia përpara se të martoheshe, sepse atëherë nuk ikje dot nga shtëpia po të mos martoheshe. Po e lidh pyetjen me pjesën tjetër të pyetjes që bëri vajza, lidhur me statusin e vendit kandidat dhe me ecurinë e mëtejshme.

E rëndësishme është që ne të jemi të gjithë të angazhuar dhe të vetëdijshëm që integrimi evropian nuk është udhëtim për diku. Nuk është një rrugë jashtë shtetit që përfundon në Bruksel, por është një udhëtim brenda vetes, për të ndërtuar gjithë ngrehinën e vlerave dhe të parimeve të Evropës së bashkuar në shoqërinë tonë. E mbi këto vlera dhe parime për të ndërtuar Shqipërinë evropiane, për ta pasur Evropën këtu në shkollat, në universitetet, në spitalet, në rrugët, në shërbimet që marrim.”

Pyetja e radhës vjen nga Samueli, i cili do të dijë më shumë si prind sesa si kryeministër, se ku çalon rinia sot. Cilat janë problemet më akute?

“Unë mendoj vetëm se ku çalon Qeveria. Se ku çalon rinia, është një besoj unë brutalitet i panevojshëm për t’u marrë me. E mbi të gjitha, është shumë e rëndësishme që sot vetë rinia që në fakt nuk është i njëjti koncept që ishte para 23 vjetësh, që rinia ishte një koncept uniformizues, që të gjithë ishin “një” dhe rinia ishte “një” dhe çdo njeri në një moshe të caktuar ishte pjesë e kësaj “rinia”. Sot është e përbërë nga pjesë të ndryshme, nga grupe të ndryshme, nga shumë individualitete, lavdi Zotit. Kështu që, disa vrapojnë, disa çalojnë, disa ngecin, disa ecin. Por, në tërësi besoj nuk është rinia që çalon, por është sistemi ynë i edukimit që çalon dhe sigurisht që çalimi i vrazhdë i sistemit tonë të edukimit, sjell pastaj edhe çalim të rinisë.”

Edi Rama, çfarë ju ban juve të lumtun?

“Unë besoj që lumturia është një fjalë shumë e madhe, por në të njëjtën kohë njeriu duhet të jetë i lumtur kur bën punën që do. Jo gjithkush e ka këtë mundësi. Ose më saktë, punën që duan apo gjërat që duan i bëjnë pas pune. Ndërkohë që janë të detyruar të bëjnë një punë që nuk është detyrimisht gjëja që duan të bëjnë gjatë ditës. Dhe nëse njeriu arrin të bëjë punën që do, në kohën e punës, nuk ka pse të ankohet që nuk është i lumtur. Edhe pse lumturia është një fjalë shumë e madhe që unë përgjithësisht nuk e përdor.”

Studente nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja. Me ngjitjen e shkallëve të karrierës suaj politike, sigurisht që janë rritur dhe përgjegjësitë, doemos edhe problemet dhe përgjegjësitë që keni. Unë doja t’u pyesja, cili është vendimi më i vështirë që juve ju është dashur të merrni këto kohë.

“Unë jam e bindur që ju e dini se cili është vendimi më i vështirë. Sigurisht që, vendimi më i vështirë ka qenë vendimi për armët kimike, një vendim që erdhi për t’u marrë në kohën kur sapo kishim filluar punën. Një nga ato vendime shumë të vështira që kjo punë t’i nxjerr përpara, me sa duket dhe ti nuk zgjedh dot nëse do të merresh apo s’do të merresh me vendimin që është për t’u marrë, por duhet të marrësh vendimin. Në kushtet kur Shqipëria ka marrë një rrugë të qartë në orientimin e vet euroatlantik, është anëtare e NATO-s, është e angazhuar në procesin e integrimit evropian, pra është në një fushë veprimesh dhe ndërveprimesh, ku jo gjithçka është zgjedhje e lirë. Dhe nga ana tjetër, në kushtet kur ne ndoshta me shumë se të tjerë, për shkak të memories shumë të freskët të një barbarie siç ishte regjimi komunist, jemi ndoshta më të ndjeshëm ndaj barbarive të natyrave të ndryshme, edhe pse ajo kasaphana në Siri është e pashoqë për kohët moderne dhe kur Shqipërisë iu kërkua të merrte përsipër një rol që i kalon përmasat e një vendi të vogël dhe e kthen një vend të vogël, në një qytetar global, nëse mund të përdor këtë shprehje.

Fatkeqësisht, nuk u përmbushën të gjitha kushtet që do ta kishin bërë këtë vendimmarrje një vendimmarrje pozitive dhe kështu vendimi që u mor ishte ai që të gjithë e dinë dhe rezonoi plotësisht edhe me dëshirën e pjesës më të madh të popullit që u shpreh përmes një proteste që ishte në fakt pjesë aktive e një debati dhe e një procesi vendimmarrës. Ai ishte vendimi më i vështirë.”

Jam Briken Gjoleka, maturant, në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”. Shumë nga pyetjet që kisha përgatitur për ju u ezauruan. Sidoqoftë doja t’i rikthehesha edhe njëherë temës së armëve kimike, për faktin e vetëm, se si shumë shqiptare edhe unë kur dëgjova nga përfaqësuesi më i lartë i SHBA-së të thoshte një natë para vendimit tuaj se në rastin e një “Jo”-je do të ishte shumë i zhgënjyer nga shqiptarët, do të doja të dija se deri në çfarë pike kishin ecur negociatat e Shqipërisë me instancat përkatëse, në lidhje me çështjen e armëve kimike.

“Ishim në kushtet kur çka ne kishim kërkuar, nuk ishte përmbushur. Gjasat që gjërat të përmbusheshin në harkun shumë të shkurtër të kohës që mbetej deri tek afati, ishin zero. Kështu që praktikisht ne nuk arritëm dot që të bashkojmë, nga njëra anë dëshirën për t’u angazhuar në një proces që ishte i jashtëzakonshëm dhe që do t’i kishte dhënë Shqipërisë shumë nga pikëpamja e dinjitetit, në sytë e botës, me ato nevoja që ishin të domosdoshme për një vend të vogël si Shqipëria për ta marrë përsipër këtë barrë. Mospërputhja e dëshirës me mundësitë në mungesë të kushteve që mund t’i përputhnin këto të dyja, solli vendimin. Vendimi ishte absolutisht i vetmi që mund të merrej në ato kushte.”

Kisha edhe një pyetje disi më personale, të cilën mund të zgjidhni të mos i përgjigjeni. Unë jam i mendimit se për të njohur më shumë një njeri duhet të njohësh autorët e tij të preferuar. Do të doja tu pyesja cili është shkrimtari juaj i preferuar, nëse është një apo më shumë dhe cilat janë veprat tuaja të preferuara.

“Në qoftë se do thosha shkrimtarë mund të jenë më shumë sesa një, por nuk po të them më shumë, por vetëm dy. Njëri nuk është shkrimtar për mua, është vetë letërsia që është Shekspiri. Tjetri që ka qenë shumë i rëndësishëm për mua, sepse e kam lexuar kur ishte i ndaluar, është Dostojevski.”

Përshëndetje, jam Sara nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi”. Doja t’ju përgëzoja për nismën e re që keni marrë që është vërtetë e nevojshme dhe së dyti, t’ju falënderoj për vlerësimin e vazhdueshëm që na bëni ne nxënësve të ekselencës. Pyetja ime është e thjeshtë. Ajo që më shqetëson më shumë është e ardhmja. Është e vërtetë ajo që thatë pak më parë që ne jetojmë me ankthin e së nesërmes. Pyetja ime është, realisht sa prioritet ju i jepni rinisë shqiptare. Cilat janë masat që ju po merrni dhe çfarë do të bëhet për ne, në mënyrë që kjo rini të mos i drejtojë sytë vetëm nga Evropa, por të ketë ndjenjën e një të ardhmeje të sigurt, këtu në Shqipëri.

“Unë e kam patur gjithmonë problem kur isha në moshën tuaj që të më thoshin prindërit, të më thonin mësuesit, të më thonin profesorët se çfarë duhet të bëja. Edhe atëherë thoja me vete, në u bëfsha ndonjëherë prind apo profesor, s’do t’i them fëmijëve apo studentëve se çfarë duhet të bëjnë. Nuk kam hequr dorë shumë nga kjo gjë, edhe pse të detyron pozita e prindit apo e pedagogut që të thuash gjërat që ke për të thënë. Kështu që, mënyra se si unë i them gjërat që kam për të thënë, qoftë kur vjen puna me djalin apo me vajzën, qoftë kur vinte puna me studentët në atelie dhe këtë e dinë të gjithë studentët e mi, është: “Unë mendoj që një rrugë mund të jetë kjo, ose në këtë rast unë do të bëja kështu.” Ti zgjedh. Nëse të pëlqen kjo alternativë për ta ndjekur, apo të pëlqen kjo rrugë për ta eksploruar tek studentët, ose nëse do të eksplorosh një rrugë tjetër, vazhdo me rrugën tjetër dhe takohemi në stacionin tjetër, të shohim se ku ka çuar rruga që unë propozojë apo rruga që ti propozon.

Ajo që besoj unë shumë është se sa më shumë komunitet të krijojmë, sa më shumë komunitet të krijoni, aq më shumë secili do të jetë i mbrojtur nga gjëra që mund t’i vijnë nga të katër anët si probleme. Po ashtu, gjithsecili do të jetë më i pasur në mendime, më i pasur në idetë ku jeton dhe më i bindur në bindjet e veta. Prandaj, ne do të bëjmë çmos që shkollës t’i japim përmasën e qendrës komunitare. Ne do të bëjmë çmos që shkollën mos ta kemi vetëm arsim, por ta kemi dhe edukim. Edukimin mos ta kemi një proces të imponuar nga lart – poshtë, por ta kemi një proces që ndodh përmes krijimit të komunitetit dhe përmes ndërveprimit me komunitetin. Në fund të fundit, besoj se sa më shumë komunitet të krijojmë, aq më të mbrojtur jemi në të gjitha aspektet. Për të mbyllur përgjigjen e pyetjes besoj që sa më shumë komunitet të krijoni, aq më pak do të thoni se çfarë do bëni ju për ne dhe aq më pak do të thoni çfarë duhet të bëjmë ne për ju. Në kuptimin që tjetër është të pyesësh se “çfarë do të bësh ti për mua“ dhe tjetër është të thuash “unë dua të bësh këtë për mua”. Kjo është gjëja që duhet. Duhet bërë kjo, sepse kjo vlen për mua, kjo vlen për ne.”

Dua t’ju falënderoj për mundësinë që ju i keni dhënë ekselencës për të shprehur dilemat e veta. Shqipëria gjatë gjithë këtyre viteve na ka dhënë dy imazhe. Imazhin e një vendi që vuan nga kompleksi i inferioritetit dhe imazhin e një makine, motori i së cilës ngec herë pas here. Se kush e ka fajin për këtë, se kush e hedh benzinën, ndoshta nuk është momenti për ta sqaruar këtu. Do të doja t’ju pyesja: Si mendoni e konsideroni rininë, apo shtresat e tjera të shoqërisë, të vlefshme në mënyrë që të japin kontributin e tyre për të hapur atë derën e ndryshkur të dhomës së errët, ku Shqipëria është kyçur, aktualisht?

“Gjëja që mund të them është që sot mundësitë për t’u informuar, mundësitë për të ditur dhe për të kuptuar botën ku jeton, janë me miliona herë më të mëdha sesa ishin para 20 vitesh. Rreziku është që të humbasësh në xhunglën e informimit dhe të gjithë llojeve të informacionit që çdo ditë të dalin para syve, por me siguri është më mirë kështu sesa ç’ishte. Dhe me siguri ata që janë të fokusuar, siç me siguri jeni ju të gjithë që jeni këtu sot, sepse jeni zgjedhur mes atyre më të mirëve, jo vetëm që do të gjejnë rrugën për të hapur derën për vete, por pa dyshim nëse do të kenë dhe vullnetin që të kontribuojnë si qytetarë, do të japin një ndihmë shumë të madhe që të hapin me të tjerë dyert njëra pas tjetrës dhe për vendin e tyre.”

Përshëndetje, jam Stela Muca nga gjimnazi “Qemal Stafa”. Duke qenë se dita e rinisë u vendos më 8 dhjetor për të kujtuar lëvizjen studentore, të cilët inspiroheshin nga parulla “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa.” Tani në këto ditë kur ne jemi në pritje të marrjes së statusit nga BE, unë doja t’u pyesja juve. Sa të realizuar e shikoni ju këtë ëndërr? A i ka realizuar Shqipëria kushtet që BE i vendosi? Dhe mbi të gjitha në qoftë se ne e marrim statusin e vendit kandidat, unë, familja ime, të gjitha familjet e zakonshme të këtij vendi, çfarë përfitimi do të kenë?

“Me siguri statusi i vendit kandidat nuk është ajo që mund të keni dëgjuar se janë kaq para, kaq vende pune, kaq fabrika e kantiere. Dhe me siguri unë vete nuk e kam ëndërr. Ëndrra ime është Shqipëria, anëtare në Bashkimin Evropian. Statusi i vendit kandidat është një stacion për të shkuar drejt anëtarësimit në BE. Ndërkohë që Shqipëria sot, sikundër thotë Komisioni Evropian është e gatshme ta marrë statusin e vendit kandidat. Propozimi i KE-së është i qartë. Por, ta keni parasysh që statusi i vendit kandidat jepet me pëlqimin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Edhe sikur një vend anëtar të thotë “të presim dhe pak”, statusi i vendit kandidat nuk merret por shtyhet për tre muaj, gjashtë muaj, apo për një vit, sipas raundit të mbledhjeve të Këshillit Evropian. Sigurisht që, do të ishte një gjë shumë e mirë që të gjitha vendet anëtare të thonin “Po, Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat” dhe ne ta mbyllnim këtë fazë. E pastaj fillon një fazë tjetër për të hapur negociatat, që është një pjesë realisht jo e lehtë. E pastaj fillojnë negociatat, dhe pastaj fillojnë të gjithë kapitujt e negociatave, kapitull pas kapitulli, si në shkollë. Po bëjmë detyra shtëpie dhe po shkojmë klasë pas klase, vit pas viti, për të marrë në fund të drejtën që të ulemi në tryezën e BE-së. Thënë të gjitha këto, nuk është e pamundur që një vend anëtar, dy vende anëtare, disa vende anëtare, të mos jenë gati që t’i thonë Shqipërisë “Po”. Por, është absolutisht e sigurtë që pavarësisht me status, pa status, ne do të vazhdojmë rrugën drejt BE-së, duke vazhduar të bëjmë atë që kemi thënë kohë më parë se për ne integrimi evropian, është modernizim i vendit tonë; është modernizim i shtetit tonë; është modernizim i institucioneve tona; është modernizim i shërbimeve për qytetarët; është modernizim i qeverisjes; është modernizim i raporteve mes shtetit dhe qytetarit. Pra, është të ndërtojmë Shqipërinë evropiane këtu dhe për këtë, ne procesi i integrimit evropian na ndihmon maksimalisht dhe për këtë sfidat e këtij procesi, pra provimet njëra pas tjetrës, na ndihmojnë maksimalisht. Ne besojmë që Shqipëria duhet ta marrë statusin, siç beson edhe KE-ja. Nëse të gjitha vendet anëtare do të thonë “Po” ne do të jemi të kënaqur, por nuk do të bien trumbetat e fitores, nuk do të bien daullet e triumfit. Nuk do të dëgjoni as nga unë dhe as nga Qeveria që të dalim dhe të festojmë. Nuk do t’ju ftojmë në ndonjë koncert qeveritar, ku krahas mitingut të kemi dhe një grup rroku për t’ju mbajtur me gajret. Përkundrazi, për ne do të jetë mbyllja e një kapitulli, ku kanë kontribuar edhe të tjerët. Kanë kontribuar edhe ata që ishin para nesh në këtë aspekt, pavarësisht se shumë gjëra s’i kanë bërë si duhet, ka gjëra që i kanë bërë si duhet, në funksion të procesit të integrimit. Kanë kontribuar dhe ata që ishin përpara tyre. Pra, është një proces që ka kohë që ka filluar. Ne do të vazhdojmë rrugën. Kjo është e gjitha. Nuk është se ditën e nesërme pas statusit ne do të jemi në një vend tjetër. Ne do të jemi prapë këtu, ne do vazhdojmë përpjekjen tonë, sepse rruga drejt BE-së është shumë më e gjatë se kaq. Nuk është një rrugë e lehtë, por është një rrugë për t’u bërë me patjetër.”

Nga gjimnazi “Qemal Stafa”. Dua t’ju uroj shumë suksese në mandatin tuaj 4-vjeçar. E dimë që Shqipëria është një vend që ka shumë problematika dhe uroj që ju ta justifikoni votën që ju dhanë shqiptarët. Së fundi, nga 1-shi tek 10-a, me çfarë note e vlerësoni ju veten si politikan? Nga të gjitha figurat në arenën ndërkombëtare, cila është ajo figurë që do të donit t’i ngjasonit nga historia që ka lënë pas?

“Ju falënderoj për pyetjen. Mos më kërkoni t’i vë notë vetes. Jo se nuk ja vë kur jam me veten, por që t’ja vë në publik. Është pak kërkesë jo shumë bujare. Sepse të jeni të sigurt që unë vetë vetes nuk i vë dhjetë asnjëherë, sepse përndryshe pastaj të nesërmen nuk do të çohesha për t’i përmirësuar gjërat, duke u munduar në radhë të parë që të përmirësoj atë pjesë që ka të bëjë me mënyrën se si unë punoj. Për sa i përket politikanëve, drejtpërdrejt dy më vijnë menjëherë në mend. Bill Clinton dhe Tony Blair. Besoj që janë dy lider të një lloji shumë të posaçëm dhe janë dy politikanë që kanë transformuar politikën dhe e kanë kaluar politikën nga një epokë në një epokë tjetër. Janë dy pararendësit e politikës së kohëve moderne. Ndërkohë që, sigurisht po të shkojmë më mbrapa në histori ka plot të tjerë, të cilëve nuk mundet veçse t’i përulemi me shumë admirim dhe respekt.”

Dua vetëm 30 sekonda për djalin që të mos mbetet shumë i zhgënjyer në fund. Duhet të jetë nxënës shumë i mirë, sepse duket tamam si ata që i thoshin “peshkop” nga ata me gjyzlykë.

Pyetja ime ka lidhje me mediat. Duke nisur nga viti 1945 deri në vitin 2013, Shqipëria nuk e ka gëzuar asnjëherë lirinë e medias, qoftë si mungesë të theksuar të lirisë së medias, deri në mungesë të pjesshme të kësaj lirie. A do të jetë Qeveria juaj, pikënisja e një të ardhmeje, ku liria e medias të jetë e padiskutueshme?

“Mund të themi çfarëdo për Shqipërinë e pas ’90-ës, por mos e krahasoni me Shqipërinë e pas ’45-ës, sepse janë dy botë të ndryshme. Sigurisht që liria e medias nuk është kurrë e përsosur, por ama prapë krahasimi para ’90 me pas ’90 për sa i përket lirisë së medias nuk shkon. Flasim për diktaturë, për barbari, për prerje gjuhësh, në kuptimin fizik të fjalës dhe për një liri tërësisht të papërsosur me shumë probleme, me shumë cënime, jam shumë dakord, pas ‘90. Sigurisht që ne do të ndiheshim keq në qoftë se edhe në këtë aspekt nuk do të sillnim ndryshim. Edhe pse besoj që përsosmëria e lirisë së medias nuk mbaron kurrë. Nuk është e përsosur në vende që janë shumë më të përsosura sesa ne. Nuk ka se si të jetë e përsosur në Shqipëri. Kjo nuk lidhet vetëm me qeverinë, apo nuk lidhet vetëm me vullnetin e mirë ose të mbrapshtë të një qeverie.

Duke ju falënderuar, do ta mbyll me dhënien e pjesës së dytë të përgjigjes të djalit që kërkoi të dinte për veprat që mua më pëlqejnë. Kam shumë dëshirë të kujtoj gjithmonë ndër disa vepra, një pasazh të mrekullueshëm tek Kanzanzaqis, ku njëri personazh i thotë tjetrit në anije “Jeta është një anije që e pret vetëm një liman. Vdekja.” Tjetri i thotë, –“Po mirë kapedan, çfarë të luftojmë, kur të gjithë do të vdesim?” “Mos pyet”,- i thotë, – “Lufto!”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.