Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni, Kryeministri Rama zhvilloi sot takime të veçanta me Presidentin Gjorge Ivanov dhe Kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski.
Në takimet me zyrtarët më të lartë të Maqedonisë u vlerësuan marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe u theksua nevoja që këto marrëdhënie të shoqërohen edhe me forcimin e bashkëpunimit ekonomik në fusha të interesit të përbashkët.
Në takim, Kryeministri Rama vlerësoi se zbatimi me rigorozitet i marrëveshjes së Ohrit, me fokus të veçantë arsimin, i shërben mbarëvajtjes së marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni dhe të ardhmes së përbashkët.
Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, Kryeministri theksoi se paqja e vendosur në rajon është një hapësirë e re zhvillimi dhe nxit forcimin e bashkëpunimin midis vendeve të rajonit. “U takon liderëve politikë,” – u shpreh Kryeministri – “ta shndërrojnë këtë paqe në zhvillim ekonomik.”