Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Gjatë vizitës së tij në Katar, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim dypalësh me  Kryeministrin e Katarit, Shkëlqesinë e Tij Abdullah bin Naser Al Khalifa Al Thani.

Homologët vlerësuan bashkëpunimin ekzistues mes vendeve, si dhe dakordësuan që potenciali bashkëpunues të zhvillohet edhe më tej në fusha si ajo e bujqësisë, agroindustrisë, energjisë dhe në mënyrë të veçantë, energjisë së rinovueshme. Me interes u mirëprit edhe bashkëpunimi në fushën e transportit ajror.

Kryeministri i Katarit, Shkëlqesia e Tij Abdullah bin Naser Al Khalifa Al Thani u shpreh se është ngritur një grup i posaçëm pune, në krye të të cilit është ai vetë, i cili do të realizojë së shpejti një vizitë në Shqipëri, me qëllim identifikimin e potencialeve dhe orientimin sa më të mirë të investimeve në bashkëpunimin Shqipëri – Katar.

Gjithashtu, gjatë takimit u firmosën disa marrëveshje: Marrëveshje Për Transportin Detar mes qeverisë së Shtetit të Katarit dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë; Letër qëllimi për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Shtetit të Katarit; Letër qëllimi për bashkëpunimin në Fushën e Sportit Ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve të Shtetit të Katarit.

Marrëveshjet u nënshkruan nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Etjen Xhafaj.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.