Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama u takua dhe zhvilloi bisedime sot pasdite, në Romë, me Kryeministrin e Italisë Enrico Letta.

Takimi u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe, avancimin e procesit të integrimit evropian dhe zhvillimet në rajon.

Kryeministrat Rama dhe Letta konstatuan me kënaqësi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, të cilat mbështeten mbi miqësinë e fortë dhe fqinjësinë. Ata u angazhuan për të evidentuar dhe shfrytëzuar çdo mundësi që zgjeron dhe thellon bashkëpunimin mes dy vendeve, edhe në kuadër të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Kryeministri Rama, theksoi se Qeveria shqiptare po punon me seriozitet maksimal për të krijuar të gjitha kushtet lehtësuese, për të tërhequr një valë të re të investimeve italiane.

Kryeministri Letta u shpreh se Italia mbetet një mbështetëse e fortë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Kryeministri Rama ripërsëriti se rajoni i Ballkanit, pas paqes mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, po përjeton një erë të re, e cila duhet të shfrytëzohet për të rritur bashkëpunimin ndërmjet vendeve të tij dhe prosperuar rajonin.

 

Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Kryeministrit Italian Letta:

Kryeministri Enrico Letta: Mirëmbrëma!

Me Kryeministrin Rama folëm në radhë të parë, natyrisht për temën që ka të bëjë me marrëdhënien e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, folëm për bashkëpunimin dypalësh, si dhe shkëmbyem disa vlerësime për çështje rajonale.

Së pari, dua ta falënderoj Kryeministrin Rama për praninë e tij këtu. Kjo është hera e dytë në Romë. E para ishte në periudhën kur Kryeministri priste të bëhej edhe formalisht Kryeministër dhe më pas u takuam në Nju Jork. Pra, kemi një marrëdhënie të konsoliduar, një marrëdhënie edhe personale dhe ne do vazhdojmë ta forcojmë atë në të ardhmen, jo vetëm këtu në Romë, por edhe në Tiranë, së shpejti.

I kushtuam vëmendje të madhe dhe arsyetuam për diskutimin që po bëhet në nivel evropian për statusin kandidat. Për ne nuk ka asnjë dyshim, për Italinë, se sot ekzistojnë kushtet që ne të kemi një rezultat pozitiv. Ne e kemi thënë dhe Shqipëria e di që ka mbështetjen tonë të plotë. Gjithashtu, vlerësuam së bashku format dhe mënyrat si të punojmë në ditët që vijnë për të bindur edhe vendet e tjera, të cilat po bëjnë një lloj rezistence që lidhet me disa aspekte të veçanta. Nga ana tjetër, Kryeministri Rama e di që familja evropiane është një familje shumë e gjerë dhe shumë komplekse. Dhe kur të bëheni pjesë e BE-së, edhe ju do ta kuptoni se çdo të thotë komplekse. Ne dimë diçka për të.

Natyrisht, puna bindëse që do të bëjmë këto ditë është absolutisht e rëndësishme.

Ne jemi të bindur për këtë gjë. Natyrisht kjo, sepse e dimë që Qeveria e Shqipërisë është e vendosur të vazhdojë në rrugën e angazhimeve dhe reformave që në nivel ndërkombëtar, në nivel evropian është thelbësore, sepse rruga drejt kandidaturës dhe më tej drejt anëtarësimit ka nevojë për reforma, për hapa që Kryeministri Rama u ka kushtuar vëmendje dhe që kanë nisur të japin rezultate shumë të rëndësishme.

Folëm edhe për marrëdhëniet dypalëshe. Ne jemi dy vende miq, të lidhur ngushtë. Ne folëm edhe për mundësitë që ekzistojnë për sipërmarrjet italiane, për sipërmarrjet e vogla e të mëdha, në Shqipëri. Besojmë se ka shumë mundësi për këtë. Kryeministri Rama është sot për vizitë në Itali, ishte edhe në Pulia, pikërisht për të prezantuar këto mundësi dhe kemi vënë piketat edhe për një seri mundësish të tjera të rëndësishme, në të cilat, Kryeministri do të mund të prezantojë këto mundësi.

Neve duam të ndihmojmë në këtë drejtim, sepse jemi të bindur që Shqipëria është sot një partner strategjik thelbësor. Dhe, natyrisht, afërsia gjeografike është një ndihmë e madhe në këtë drejtim. Ne duam të punojmë në këtë drejtim. Kemi shumë aspekte të një bashkëpunimi potencial dhe në disa aspekte ka dhënë tashmë fryte, si p.sh. puna që është bërë në kuadrin e bashkëpunimit multilateral që ka të bëjë me konsorciumin Shah Deniz që do të ndërtojë TAP, gazsjellësin Trans-Adriatik, një infrastrukturë energjetike themelore për ne dhe siç e dini, në mes të gushtit isha në Baku për të finalizuar këtë rrugëtim dhe që javën e ardhshme në Baku do të marrë firmën, ku natyrisht Qeveria italiane do të përfaqësohet. Jam shumë i kënaqur me këtë bashkëpunim mes vendeve tona. Edhe parlamenti ynë e ka ratifikuar marrëveshjen. Kjo është një pikë e rëndësishme që gjërat po shkojnë në drejtim e duhur.

Ndërkohë që bashkëpunimi ynë vazhdon edhe në shumë aspekte të tjera, si p.sh. dje kreu i policisë sonë ishte në Tiranë.

Gjithashtu, diskutuam edhe për çështje që lidhen me rajonin, marrëdhëniet me Serbinë, Kosova, çështje të cilave u japim shumë rëndësi dhe që kemi qëllim të punojmë së bashku, sepse mendojmë se puna e përbashkët mund të japë rezultate shumë të mira.

Të falënderoj edhe një herë shumë për këtë vizitë. Ju uroj sukseset që meritoni, në punën që po bëni për ta afruar Shqipërinë me BE-në.

 

Kryeministri Rama: Në radhë të parë, ju falënderoj për mikpritjen dhe për mbështetjen që Italia i ka dhënë gjithmonë, Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, por doja të nënvizoja që Kryeministri Letta, ministrja Bonino, i kanë dhënë me vëmendje të veçantë, por besoj edhe me rezultate të rëndësishme. Është rezultati i statusit kandidat të Shqipërisë, të cilin Shqipëria e meriton. Ne presim me durim që edhe ndonjë vend anëtar që ende nuk ka një pozicion të prerë tek “po”-ja për Shqipërinë, të bëjë edhe atë gjysmë hapi të nevojshëm, për të arritur konsensusin që do t’i jepte Shqipërisë atë që ajo meriton dhe që do t’i jepte shoqërisë, shtysën e nevojshme për të ecur përpara me reformat që nuk janë të lehtë, por të nevojshme për rrugëtimin tonë evropian.

Sigurisht,  të vizitosh Italinë është gjithnjë, një nder e kënaqësi e veçantë. Por, kësaj here ishte një kënaqësi vërtet e veçantë të vizitoja edhe sipërmarrjet italiane në Pulia dhe Konfindustrinë, këtu në Romë, një rrugëtim që do të vazhdojë në janar në Veri të Italisë, për të dhënë një mesazh të fortë e të qartë që Shqipëria është e gatshme të mirëpresë investime të reja italiane, me kushte që unë besoj se për ta, janë optimale: jemi një vend që flet gjuhën italiane, kemi një forcë pune ende me kosto të lirë, krahasuar me atë në Itali dhe në vendet e BE-së, kostot e punës në përgjithësi janë shumë të ulëta, taksim shumë i ulët, kemi vullnetin e plotë për të lehtësuar dhe për të thjeshtëzuar në maksimum burokracinë dhe për t’i dhënë sipërmarrjeve italiane që vijnë në Shqipëri, hapësirat dhe strukturat në dispozicion, për të filluar aktivitetin e tyre dhe për të krijuar vende të reja pune. Unë besoj që kjo jo vetëm është e mundur, por është edhe në interesin e të dyja palëve, një mundësi për çdo sipërmarrje që do të ndërkombëtarizohet dhe që do të krijojë më shumë pasuri dhe të kontribuojë më shumë në të ardhmen tonë.

Natyrisht, me Kryeministrin folëm edhe për situatën e re në rajon, ku Italia ka një rol të rëndësishëm. Një rajon që e pret vitin e ri si vitin e parë në historinë e Ballkanit që i gjen të gjithë në shtëpi dhe askënd, me pushkë në dritare drejtuar fqinjit. Me paqen mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, ka përfunduar një histori dhe ka nisur një histori e re, historia e bashkëpunimit, paqes dhe zhvillimit.

Për të përfunduar, unë i jam shumë mirënjohës Italisë edhe nga një tjetër pikëvështrim. Italia na ka shoqëruar e ndihmuar shumë në rrugëtim të vështirë, në kalimin nga një regjim diktatorial dhe izolimi në një sistem të ri, në një sistem demokratik dhe sigurisht, të cilin duam ta konsolidojmë edhe më shumë, duke na ndihmuar për të ndërtuar struktura efikase siç janë duke bërë edhe tani në orët e fundit, me ndihmën ndaj policisë sonë, forcave tona të rendit. Besoj se është shumë e rëndësishme që në këtë fazë, ky bashkëpunim të intensifikohet, për të lehtësuar më shumë punën e saj si këtu dhe atje, kundër krimit të organizuar që është një e keqe që është gjithnjë e më e keqe, të cilën duhet ta luftojmë së bashku. Bashkë jo vetëm midis dy vendeve, por midis shumë vendeve, sepse edhe forma e kriminalitetit është pak e ndryshme, është shumë më i ndërlidhur. Ne u jemi mirënjohës për këtë, sepse ndihma që Italia po na jep në këtë drejtim, na ndihmon të jemi shumë më efikasë në një luftë që siç e tha edhe Kryeministri, bën pjesë në paketën e reformave që Shqipëria duhet ta shohë me shumë vëmendje, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Dua ta mbyll, duke falënderuar edhe një herë nga zemra Kryeministrin, i cili ka shumë punë, gjen gjithnjë kohën për t’u marrë me këtë çështje të rëndësishme, të miqësisë dhe partneritetit me një vend fqinj. Një vend që duket, le të themi, Italia e gjyshërve tuaj, por që i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë pjesë e Evropës, madje për t’u bërë pjesë edhe e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të vetë Italisë.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.