Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama kryesoi delegacionin shqiptar, pjesë e të cilit ishin Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Financimit të projektit të Gazsjellësit TransAdriatik që përmes edhe Shqipërisë do të transportojë gazin nga rajoni i Kaspikut në Evropë.

“TAP mund të jetë; dhe ne jemi të angazhuar ta kthejmë atë, me ndihmën tuaj, një burim zhvillimi; jo vetëm për Shqipërinë, por gjithashtu për Kosovën, Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe të gjitha vendet e tjera të Evropës Juglindore,” – deklaroi Kryeministri Rama, në ceremoninë e nënshkrimit në kryeqytetin azerbajxhanas, Baku, me praninë edhe të Presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe të liderve të vendeve të lidhura me këtë projekt.

Kryeministri Rama, ndërsa theksoi rëndësisë që Shqipëria i kushton projektit TAP, garantoi se Qeveria shqiptare është e gatshme dhe e përgatitur t’i përgjigjet të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga ky projekt madhor për vendin dhe rajonin.

“Qeveria shqiptare do të vërë në shërbim të gjitha burimet e nevojshme njerëzore dhe materiale, kuadrin ligjor e institucional që është nën një proces të udhëhequr nga Ministri i Energjisë, për të garantuar suksesin e projektit TAP në të gjitha aspektet e tij, në lidhje me Shqipërinë dhe vendet e Evropës Juglindore”.

Duke folur për aspektet ekonomike të projektit, Ministri Gjiknuri theksoi se në këtë takim, financuesit strategjikë, “British Petroleum” dhe “SOCAR” morën vendimin final për të furnizuar me gaz, vendet që janë pjesë e këtij projekti. Vlera e investimit vetëm në pjesën shqiptare do të jetë 1 miliard dollarë, parashikohet hapja e mijëra vendeve të reja pune dhe TAP do të jetë një nga kontribuesit kryesorë të GDP-së së Shqipërisë në vitet në vijim.

“Kjo do të thotë që disa qindra milionë dollarë do të përfitohen nga firmat lokale shqiptare dhe do të ketë një punësim prej disa mijëra shqiptarësh, të cilët do të marrin pjesë direkt, me kontributin e tyre, në këtë projekt. Do të thotë që është një nga kontribuesit kryesorë të GDP-së në vitet në vijim dhe prandaj është një ngjarje shumë e mirë për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera, ku kalon ky gazsjellës,” – u shpreh Gjiknuri.

Në Baku u nënshkrua edhe një tjetër marrëveshje shumë e rëndësishme, Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë – Malit të Zi – Bosnje Hercegovinës – Kroacisë që edhe këto vende, nëpërmjet Gazsjellësit Adriatiko-Jonian (IAP) që lidhet me projektin TAP, të mund të shpërndajë gazin edhe në këto vende.

Kryeministri Rama u shpreh se,- “Shqipëria duhet të kapë këtë moment dhe duhet të shndërrohet në një promotor për gazifikimin e shumë vendeve në rajon, të cilat nuk kanë ende një treg të tillë dhe infrastrukturën e nevojshme për të.”

Për realizimin e projektit të gazifikimit, Ministri Gjiknuri pohoi rëndësinë që ka bashkëpunimi me Azerbajxhanin që do të mund të garantojnë, se edhe Shqipëria do të bëhet pjesë e tregut të gazit. “Kemi marrë sigurinë nga pala azerbajxhanase për gazifikimin e Shqipërisë. Ky projekt do të ndryshojë përfundimisht faqen e sigurisë energjetike shqiptare, pasi do të fusë një burim të ri, për herë të parë në energjinë e Shqipërisë, siç është gazi natyral,” – u shpreh Gjiknuri.

Ministri Bushati e vuri theksin në përfitimet jo vetëm ekonomike, por edhe rolin që ky projekt do të luajë në forcimin e pozicionit gjeostrategjik të Shqipërisë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërrajonal.

“Ky ishte një takim mjaft i rëndësishëm, sepse demonstroi angazhimin e vendeve përfituese të gazsjellësit TAP, sikundër edhe vendeve, të cilat do të përfitojnë nga projekti tjetër, IAP, për të bashkëpunuar në mënyrë që të kemi jo thjesht sigurim të energjisë në rajonin tonë, por të kemi në projekt që do të jetë mjaft i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, për lidhjen e Kaspikut me Adriatikun dhe mbi të gjitha, ky  projekt dhe këto zhvillime forcojnë pozitën gjeostrategjike të Shqipërisë, si një vend nyje, ku dy projekte gjeostrategjike kryqëzohen, projekti TAP dhe projekti IAP. Kjo do të sjellë, jo thjesht një mirëqenie ekonomike më të madhe për Shqipërinë, jo thjesht gazifikimin e saj dhe lidhjen e Shqipërisë në rrjetet e gazit, por mbi të gjitha do të forcojë pozitat e vendit tonë nga pikëpamja strategjike në rajon dhe më gjerë,” – u shpreh Bushati.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.