Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama, që ndodhet në Vlorë në zbritjen e parë në terren të kabinetit qeveritar në kontakt me komunitetet, i shoqëruar nga Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ishin miq në familjen e Viron Micit, në Kaninë. Në atmosferën e ngrohtë e mikpritëse të familjes Mici, Kryeministri ndër bisedat e para që ndau me ta ishte vendimi i shpalljes së Kaninës, zonë e mbrojtur, i miratuar një ditë më parë nga qeveria.

Veç traditave të kësaj zone, ato që bien në sy janë dhe kodrat me ullinj, të cilat janë karakteristikë e gjithë jugut të Shqipërisë. Kryefamiljari Mici i shprehu Kryeministrit, shqetësimin e tij se zona nuk vuan për vajin e ullirit, por vuan mungesën e tregut, pasi shumë nga prodhimi i mbetet pa shitur.

Zhvillimi rural është në fokus të këtij mandati të dytë qeverisës dhe ajo që sugjeron Kryeministri për tregtimin e vajit të ullirit të kësaj zone është ngritja e një sistemi të mirëfilltë të grumbullimit dhe tregtimit, me mbështetjen e qeverisë. “Të bëjmë një model si ai që po përpiqen të bëjnë kudo, në bashkëpunim me bashkinë. Marrim një mbështetje financiare nga Fondi i Garancisë Kombëtarë për Bujqësinë dhe të japim mundësinë për të ndërtuar kompaninë dhe te jeni ju aksionerë, bashkë me bashkinë. Nëse është fjala për investimin, ju mbështesim ne me Fondin e Garancinë. Duhet të bini dakord që te jeni bashkë e të keni një volum të madh, kështu do e keni më të thjeshtë të negocioni. Tregun se garanton dot kështu, copa-copa”, – shprehet Kryeministri.

Veç ndërtimit të një tregu të përbashkët për këtë zonë, një tjetër aspekt në të cilin është bërë përparime është energjia elektrikë, e cila, sipas Vironit, është një premtim i mbajtur për zonën e Kaninës, që tashëm furnizohet me energji 24 orë në çdo stinë të vitit.

Kryeministri Rama përsëriti rëndësinë që ka ky mandat në përmbushjen e punëve të shumta që duhen bërë në bashkëqeverisjen me popullin, duke theksuar se në çdo muaj, qeveria do të jetë në kontakt me qytetarët në një qark të ndryshëm të vendit. “Kemi shumë punë për të bërë, prandaj çdo muaj, qeveria do shkojë në një qark, për të bërë takime. Edhe ministrat, çdo muaj do shkojnë në një qark, në mision të posaçëm për të takuar njerëz. Tani që flasim, ministrat janë në fshatra të Vlorës, në takime, biseda se është e vetmja mënyrë që të mos ndahemi nga njerëzit” – shprehet Kryeministri.

Tashmë që energjia është një problem i zgjidhur për këtë zonë turistike, prioritetet e ardhshme, nënvizon Kryeministri, janë by-pass-et e Vlorës dhe të Fierit, të cilat pritet të lehtësojnë shumë qarkullimin në këto dy qytete, sidomos gjatë pikut të sezonit turistik veror.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.