Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë dy ditore në Kazakistan, me ftesë të Presidentit Nursultan Nazarbayev.
Takimin e parë Kryeministri Rama e pati me Presidentin e Kazakistanit, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Presidenti Nazarbayev e uroi Kryeministrin Rama për fitoren e zgjedhjeve dhe theksoi se qeveria e re shqiptare ofron një mundësi të re për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve.
Kryeministri Rama e njohu Presidentin e Kazakistanit me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, sidomos në fushën e ekonomisë dhe turizmit. Rama theksoi gatishmërinë e qeverisë për të mirëpritur investitorë të Kazakistanit, sidomos në fushën e turizmit, infrastrukturës dhe transportit, naftës e gazit, ku Kazakistani është një ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë.
Kryeministri Rama dhe Presidenti Nazarbayev diskutuan edhe për rëndësinë e harmonisë fetare që ekziston në Shqipëri dhe nevojën për ta promovuar këtë frymë bashkëjetese në të gjithë rajonin e Ballkanit.
Presidenti Nazarbayev iu përgjigj pozitivisht ftesës së Kryeministrit Rama për të vizituar së shpejti Shqipërinë.
Gjatë vizitës në Shqipëri, Presidenti Nazarbayev do të shoqërohet edhe nga një grup sipërmarrësish kazakë, të interesuar për të investuar në Shqipëri.
Në këtë vizitë, Kryeministri Rama shoqërohet nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi.