Kryeministri Edi Rama që prej mesditës së sotme ndodhet në Kosovë për të zhvilluar një sërë takimesh zyrtare.
“Në Prishtinë, për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre”, shkroi Kryeministri Rama në rrjetet sociale me të mbërritur në kryeqytetin e Kosovës.
Vizita e Kryeministrit përmban në agjendë takime me krerët më të lartë të shtetit dhe të politikës në vend.
Kryeministri Rama gjatë ditës së parë të kësaj vizite është pritur në takime të veçanta nga: Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në Presidencë, Kryeministri, Avdullah Hoti në selinë e Qeverisë së Kosovës, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, në selinë parlamentare, kryetari i Partisë Nisma Social-Demokrate, Fatmir Limaj, në selinë e partisë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në selinë e kësaj lëvizjeje.
Kryeministri Rama në këtë vizitë shoqërohet nga ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Vizita e Kryeministrit Rama me takime zyrtare në Prishtinë vijon edhe nesër.