Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Znj. Linda Rama, zhvilluan sot në mesditë homazhe në nderim të deputetit dhe politikanit Sokol Olldashi, i cili u nda dje nga jeta.
Kryeministri Rama i shprehu ngushëllime nënës, gruas, fëmijëve dhe familjarëve e të afërmve të të ndjerit Sokol Olldashi, në këtë moment kaq të rëndë për ta.
Më tej, në një mesazh të tij, Rama shkroi: “S’kam pasur rastin ta takoj asnjëherë dhe pse dy herë e kam pasur përballë, drejtpërdrejt si kundërshtar. Një herë, si hetues parlamentar dhe një herë, si kandidat për Tiranën. Në distancë i çmoja shumë qysh në krye të herës, hazërxhevapin prej mistreci brilant. Akull dhe shpuzë. Ndër të paktat debate televizive që ndiqja me dëshirë qenë ato kur në anën tjetër përballë të mive, ishte Sokol Olldashi. Në një ditë si kjo është zakon të thuhen me tepri fjalë të mira, por unë kam veç këto pak fjalë të ndjera në respekt të kujtimit të tij, siç e kam. Ashtu siç kam brenda meje qysh mbrëmë, një keqardhje therëse për ikjen e tij kaq tragjikisht nga jeta dhe nga skena e luftës politike, ku mesa duket la një boshllëk të rëndësishëm për aq shumë njerëz sa u vunë sot në radhë, pa dallim, për t’i thënë me dhimbje sinqerisht lamtumirë.”