Me studentë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Universitetin e Prishtinës

Bisedë e Kryeministrit Rama me studentë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Universitetin e Prishtinës: 

 

Përshëndetje të gjithëve! Përpara sesa të niseshim, mora një email nga organizata, ia kalova kabinetit dhe u thashë shikoni mundësinë që ta organizojmë këtë takim. Nuk jua fsheh që kishte shumë skepticizëm dhe përgjithësisht këshilla ishte “pse me shku dhe me rreziku atje”. Por unë i kam qejf rreziqet, kështu që jam këtu.

Faleminderit për ftesën dhe praninë tuaj këtu.

Është kënaqësi për mua, sepse besoj së janë hapësira të rëndësishme komunikimi jashtë klisheve me të cilat ne jemi mësuar dhe të cilat na imponohen edhe për shkak të një lloj indiference, le të themi, tek të rinjtë për t’u përfshirë në debate që lidhen me politikën,në fund të fundit. Shumë bëjnë një gabim elementar kur thonë “unë nuk merrem me politikë, nuk dua t’ia di për politikën, nuk më intereson politika”.  Merresh, nuk merresh ti, politika merret me ty dhe sa më shumë njerëz të merren me politikën, aq më shumë ekzistojnë mundësitë që politika të jetë më e dëgjueshme dhe më e vlefshme për njerëzit. Në sa më pak duar të mbetet, aq më shumë ekziston rreziku që politika të humbasë aftësinë për të dëgjuar dhe për të kuptuar njerëzit.

Unë kam shumë respekt për të rinjtë që nuk e refuzojnë sfidën e të marrit me politikë, jo për t’u bërë politikanë domosdoshmërisht, por si qytetarë. Politika ka lindur për të bërë bashkë njerëzit, që të bëjnë të mundura gjëra që të vetëm nuk i bëjnë dot. Askush i vetëm nuk mund të ndryshojë gjëra që janë përtej fuqive të tij. Çdo gjë që hasim kur dalim nga shtëpia është përtej fuqive tona individuale, prandaj duhet politika dhe sa më shumë zera të bashkohen për të realizuar një qëllim apo një tjetër, aq më shumë është e mundur që qëllimi të realizohet. Këtë bën politika, për këtë ka lindur dhe pavarësisht se politika në historinë e njërëzimit ka bërë jo pak të këqija, nuk duhet të harrojmë se pa politikën nuk do të kishte shumë nga gjërat që sot njerëzimi i ka. Pa politikën nuk do të kishte lindur as SHBA-ja, as BE-ja. Pa politikën nuk do të kishte patur as të drejta, që nga liria dhe e drejta për të votuar. Pa politikën nuk do të kishte patur as përparim në çështjen e barazisë gjinore. Pa politikën nuk do të kishte patur sisteme mbështetjeje për më të dobëtit. Pa politikën nuk do të kishte as Kosovë sovrane sot.

 

Ju si qeveri e Shqipërisë së bashku me qeverinë e Kosovës a keni ndonjë plan afatgjatë për përmirësimin e pozitës ekonomike, politike, shoqërore të popullsisë në Luginën e Preshevës dhe në planin afatshkurtër cfarë do të bëni lidhur me këtë cështje.

Kryeministri Edi Rama: Të falenderoj për pyetjen sepse na ndihmon ta kornizojmë debatin, jo thjeshtë tek cështja e Luginës së Presehves, por më gjerë. Shumë shpesh ose ndoshta gjithmonë përveç atyre që banojnë në Luginë apo atyre që janë të lidhur për një arsye ose një tjetër me Luginën, kur flitet për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe përpjekjet për të zhvilluar një marrëdhënie konstruktive me Serbinë harrohet se në Serbi jetojnë shqiptarë dhe bëhet fjalë për një pakicë të rëndësishme kombëtare, të cilët kanë nevojë për një mbështetje të dyfishtë, një mbështeje nga jashtë nga qeveria dhe shteti i Shqiperisë po ashtu dhe nga qeveria dhe shteti i kosovës, por edhe një mbështetje nga brenda në sensin e çuarjes përpara të temave që atyre ju interesojnë, duke krijuar një raport sa më të volitshëm me qeverinë e shtetit ku jetojnë.

Sigurisht që kjo është e lehtë ta thuash dhe është e vështirë ta bësh, as nuk kam asnjë iluzion për këtë, por mospasja parasysh e këtij fakti nuk na ndihmon që të kuptojmë se si mund t’i avancojmë liritë dhe të drejtat e atyre që jetojnë në luginën e Preshevës, duke i përdorur të gjitha organizmat.

Sigurisht që mekanizmi diplomatik që ka të bëjë me marrëdhëniet mes nesh dhe Serbisë është i patjetërsueshëm. Ne mund ta konsiderojmë ose jo, mund ta përdorim ose jo, por nga mospërdorimi dhe moskonsiderimi i tij vjen humbja e një prej elementeve me të cilët ne mund të operojmë në favor të banorëve të Luginës së Preshevës.

E vërteta është që ne kemi bëra disa hapa në ndërveprimin me ta. E vërteta është që qeveria jonë është përpjekur edhe të ndihmojë në mënyrë të drejtëpërdrejtë. E vërteta është që ne jemi në kontakt dhe kemi bërë here pas here përpjekje lehtësuese për komunikimin mes tyre dhe e vërteta është që ne Luginë ka një jetë politike jo të varfër dhe ka njerëz me vullnet, me dëshirë me ambicie që duan të shfrytëzojnë politikën për të përmirësuar kushtet e jetës atje.

Sigurisht që ka shumë për të bërë, por për një gjë jam i bindur, sado që ne të ndihmojmë së jashtmi edhe për shkak të mjeteve të kufizuara financiare që kemi, qoftë Shqipëria, qoftë Kosova është e rëndësishme që ne të përpiqemi t’i mbështesim ata dhe së brendshmi, duke ngritur zërin patjetër, duke vendosur në mënyrë të vazhdueshme para syve të autoriteteve serbe krahasimin mes mënyrës se si trajtohen qytetarët e Serbisë, lirive dhe të drejtave që ata kanë në Kosovë posaçërisht dhe mënyrës se si trajtohen qytetarët serbë me kombësi shqiptare, pra pakicat kombëtare shqiptare në luginën e Preshevës. Kontrasti është i madh, shumë i madh.

E vërteta është që serbët në Kosovë kanë liri dhe të drejta që çdo pakicë kombëtare dhe çdo vend do t’i ëndërronte t’i kishte. Nuk po flas këtu për pakicën kombëtare greke në Shqipëri sepse është një histori komplet tjetër dhe situate është komplet tjetër, por po flas për zona,territore të dala nga konflikte shumë të freskëta. Kështu që do të thosha që ne do të punojmë në të gjitha këto plane. Asnjëra nga këto plane nuk mjafton në vetvete. Duhet të dimë t’i harmonizojmë të gjitha bashkë dhe duhet të përdorim sa më shumë të jetë e mundur dhe sa me më shumë aftësi të jetë e mundur fuqinë e diplomacisë.

 

A jeni dakordësuar me Kryeministrin e Kosovës, zotin Kurti për një marrëveshje të mundshme që do të nënshkruani në muajin nëntor. Cila mund të jetë zgjidhja e bllokadës sa i përket çështjes së Veriut.

Kryeministri Edi Rama:  Ju e dini që prej disa vitesh tanimë, ne jemi angazhuar në një marrëdhenie mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës në një nivel krejt tjetrë nga ai i mëparshmi, duke futur mekanizmin e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive, të cilat përmes këtij instrumenti kanë mundësinë të diskutojnë ndryshe nga c’ndodh në takime bilaterale rutinë,  të marrin vendime dhe t’i japin vetes mundësinë që t’i ndjekin vendimet në process, pasi më pas vjen një tjetër mbledhje e radhës, ku bëhet vletësimi i atyre që janë arritur apo i atyre që nuk janë arritur.

Mendoj që në këtë aspekt kemi prodhuar shumë më tepër marrëveshje dhe dakordësi se sa çdo vit tjetër apo të gjitha vitet e tjera të marra së bashku me parë. Por nga ana tjetër, e vërteta është  që një pjesë e konsiderueshme e këtyre marrëveshjeve nuk janë zbatuar plotësisht ose janë zbatuar pjesërisht ose nuk janë zbatuar fare për shkak të një sistemi pune, i cili duhet ndryshuar dhe për këtë kemi folur sot me Kryeministrin tuaj se si ta ndryshojmë këtë sistem pune dhe si ta bëjmë të mundur që edhe administrata këtu dhe në Shqipëri ta ndjekë me të njëjtën vullnet dhe me të njëjtën aftësi për të kuptuar se sa të rëndësishme janë ato hapa drejt të ardhmes, sic e kemi ne që marrim vendime në çdo marrëveshje dhe ka plot gjëra që mund të duken të vogla në pamje të parë, por të gjitha së bashku përbëjnë një mozaik shumë të rëndësishëm në funksion të lehtësimit dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve, qoftë ketej, qoftë andej kufirit që fatkeqësisht vazhson të na ndajë. E gjëja e parë është pikërisht kufiri që vazhdon të na ndajë dhe që me vullnet dhe angazhim të përditshëm mund të lehtësohet në mënyrë të ndjeshme. Mund të lehtësohet nga radhët e gjata, do lehtësohet në mënyrë të ndjeshme nga kontrollet e dyfishta të gjithë kamionëve që transportojnë mallra nga kjo anë apo nga ajo anë. Mund të lehtësohet nga situatat dramatike  të radhëve shumë kilometrike në sezonet intensive turistike, ashtu sikundër mund edhe të kthehet në një kufi formal pa ndikim të madh në jetën e qytetarëve, siç është në vendet e Bashkimit Europian,  duke u bërë pjesë e një sistemi të ri të lirive të lëvizjes që janë të njëjtat liri të lëvizjes së Bashkimit Europian. Bashkimi Europian funksiono me katër liri lëvizje të padiskutueshme e të zbatuara kudo, që është liri e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Që do të thotë që për këto të katërta, BE-ja nuk ka kufi e duke mos pasur kufi për këto të katërta, faktikisht, hapësira e funksionimit të shteteve me njëri-tjetrin është një hapësirë e përbashkët dhe është e pakuptueshme për mua që Shqipëria dhe Kosova të mos realizojnë këtë. Kjo, në një masë të caktuar mund të realizohet pa pasur nevojë për marrëveshje me të tjerët, ndërsa në masën e vet të plotë, ka nevojë për marrëveshje me të tjerët.

Në vite ka pasur herë pas here udhëheqës apo autoritete politike dhe qeveritarë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë që kanë bërë deklarata të tipit do heqim kufirin. Njëri ka thënë do e heqim për vit të ri, njëri ka thënë do e heqim për Krishtlindje, tjetri ka thënë do e heqim për festën e pavarësisë dhe kufiri asnjëherë nuk është hequr. Sepse nuk kanë dashur këta? Jo fare. Ata vërtetë kanë dashur ta heqin kufirin, por sepse në momentin që ti thua në shqip do heq kufirin, kjo alarmon gjithë dynjanë e nuk alarmon Beogradin, aq sa alarmon Brukselin dhe Washingtonin. Kjo është një nga arsyet pse unë kam insistuar jashtëzakonisht shumë për atë që në fillim u quajt – që ta dini, nuk jam unë, as pagëzuesi, as nuk e kam pëlqyer ndonjëherë atë emrin mini-shengen. Duke qenë dhe 198 centimetra, fjala “mini” nuk më ngjit – Mini-Shengen, që në fakt ishte e njëjta nisëm si Ballkani i Hapur, për të cilën u përdor fjala “Shengen”, për të dhënë të qartë idenë se për çfarë bëhet fjalë dhe insistimi ka qenë pikërisht tek lëvizja e lirë e njerëzve. Serbia ishte e gatshme të futej në atë proces, por pa lëvizjen e lirë të njerëzve dhe është shumë e qartë pse. Sepse për Serbinë dhe për presidentin serb, nëse do të pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve, do të pranonte automatikisht heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, pavarësisht se e njëjta gjë do të vlente edhe për kufijtë e Serbisë me të tjerët. Ndërkohë ne nuk mund të pranonim një projekt të cunguar, ose të katërta ose asnjërën prej tyre. Kështu projekti u vonua për disa vite, deri sa u gjet kjo dakordësi. Kështu që janë dy shina paralelisht në të cilat ne duhet të ecim.

Përsa i përket çështjes së situatës aktuale në Veriun e Kosovës, kjo është shumë e qartë në këndvështrimin tim. Unë mendoj që Kosova ka të drejtë. Çështja  e qarkullimit të mjeteve, çështja e targave është një çështje e legjitimitetit, të sovranitetit të çdo vendi dhe është një çështje që është shqyrtuar më parë në marrëveshje të mëparshme.

Serbia pretendon se këtu po kërcënohen qytetarët Serb të Kosovës, ndërkohë që këtu është shumë e qartë që Serbët e Kosovës, jo vetëm nuk kërcënohen nga askush e për asgjë, por janë pakica kombëtare nga më të përkëdhelurat e me të drejtë mendoj unë. Kjo e bën Kosovën një nga shembujt më të shkëlqyeshëm se si duhet trajtuar një pakicë kombëtare, pavarësisht se unë nuk e kuptoj dot se si mund t’i paguhen edhe faturat e dritave. Kjo është përtej, megjithatë fakti është që ata nuk kërcënohen nga shteti i Kosovës, nga qeveria e Kosovës, nga policia e Kosovës, ata janë pengje të një dialogu që ka mbetur rrugëve e të mos zgjidhjes përfundimtare të çështjes. Edhe ato manovrat teatrale me helikopterë e me avion mund të sugjestionojnë opinionin publik serb që mbase ka nevojë të ushqehet me idenë që disponon mjete ushtarake për të mbrojtur vëllezërit që në fakt nuk kërcënohen nga asgjë, apo mund të sugjestionojnë dhe njerëz këtu apo në botën shqiptare, që shikojnë nga Facebook vetëm luftë. Në Facebook është kollaj, por ndërkohë Kosova e ka fituar luftën kur ju që jeni këtu nuk kishit lindur akoma apo sapo kishit  lindur. Tani ju jeni 20- 23 vjeç.

Si mund të vazhdojë tani historia po njësoj?

Si mund të vazhdojë të jetohet me luftën, ndërkohë që këtu bëhet fjalë për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, pjesë te të cilës nuk diskutohet, se është e pakuptimtë nëse nuk do të ishte njohja përfundimtare e Kosovës, që është në fakt përmbyllja formale e kapitullit të ish Jugosllavisë.

Mendoj që situata është e qartë, por gjëja që më shqetëson është që të mos ndodhi siç ndodhi me tarifën, sepse çuarja e forcave speciale në momentin e parë për të siguruar që nuk ndodh diçka e papëlqyeshme, diçka lënduese për njerëzit, qoftë për ata që shërbejnë, qoftë për ata që shërbehen, nuk më duket se është një shpallje lufte apo se është një provokim i kujtdo qoftë, por mbajtja e forcave speciale aty për një kohë të gjatë do të ishte bumerang, siç ndodhi me tarifën. Kur u vu tarifa, unë isha shumë dakord dhe e mbështeta publikisht. Eshe për mua ishte një klithmë për t’i dëgjuar sepse ndërkohë ishin shkruar letra e letra në Bruksel për shkelje, mosrespektime të marrëveshjeve midis të dyja vendeve dhe u desh tarifa për t’i ngritur veshët gjithë opinionit ndërkombëtar, që nuk jeton përditë me ne dhe nuk është aty për t’u marrë çdo ditë me çfarë hallesh e problemesh kemi ne, prandaj duhet t’i dalim për zot vetes me guxim, jo duke imagjinuar që gjërat që dalin në procesin e paqes të zgjidhen me mjetet e luftës se nuk zgjidhen, vetëm na fusin në iluzione e na vonojnë, por duke pasur kurajo, duke pasur aftësi, duke pasur shkathtësi diplomatike.

Çfarë ndodhi me tarifën ishte që tarifa nga një klithmë  që i sensibilizoi të gjithë, me thënë të drejtën, u kthye në një litar që i lidhi këmbët Kosovës dhe e bëri Kosovën të dukej si delja e zezë për shkak se u mbajt gjatë pa lidhje. U kthye në një instrument për të bërë politikë brenda në Kosovë.

E njëjta gjë do të ndodhte me forcat speciale, në qoftë se tani që është shtruar problemi, forcat speciale nuk do të zëvendësoheshin me forcat në tryezë. Ajo që nuk duhet të harrojmë asnjëherë, është se Kosova është fëmija i bashkësisë ndërkombëtare. Kosova ka lindur nga një marrëdhënie ideale në një moment të caktuar mes dëshirës ekstreme për liri që u përkthye në krijimin e një ushtrie çlirimtare dhe mbështetjes ekstreme të një bashkësie ndërkombëtare, pa të cilën as nuk bëhej fjalë që Kosova të arrinte të pavarësohej. Këtë bashkësi ndërkombëtare, që e dimë shumë mirë se cila është dhe këta miq e këta aleatë të mëdhenj, ne duhet t’i mbajmë shumë afër e nuk duhet t’i japim shkak që të ftohen, të zhgënjehen dhe të lodhen, siç ndodhi për fat të keq, me historinë e tarifës ku Kosova humbi shumë reputacion ndërkombëtar, ku politika e jashtme nuk mund të bëhet politikë e brendshme. Natyrisht që mund ta bësh për të marrë vota, por dëmton vendin, dëmton perspektivën, dëmton marrëdhënien me të tjerët. Ashtu sikundër politika  e brendshme nuk mund të bëhet politikë e jashtme dhe ngatërrimi i këtyre dy gjërave ka qenë një problem që unë shpresoj që Kosova ta ketë kapërcyer.

 

Studentët nga Kosova që dëshirojnë të studiojnë në Shqipëri kuotohen në kuota në vende të ndryshme të lira dhe gjithashtu studentët shqiptarë në universitetet publike këtu. Do desha të di nëse një bashkëpunim ndërqeveritar me disa reforma në arsim so kishte pasur mundësi t’ju ofronte studentëve të arudiojnë në vendet respektive si atudentë të rregullt. 

Kryeministri Edi Rama: Pyetje me vend, në sensin që më jep mundësinë të kthehem përsëri  tek pyetja që bëri vajza lidhur me diskutimet që kemi bërë sot e një nga pikat ka qenë çështja e strukturimit më të mirë të bashkëpunimit në fushën e arsimit ku kemi probleme që lidhen me njohjen e diplomave,  ju besoj e dini shumë mirë, me kontradikta midis ligjeve këtu e ligjeve në Shqipëri, në funksion të studentëve, probleme për lejet e qëndrimit. Shqipëria i ka hequr, për çdo qytetar të Kosovës që vjen në Shqipëri nuk ka nevojë më për dokumente e për leje të përkohshme, pastaj për rinovime, por me një procedurë shumë të shkurtër merret një leje qëndrimi që është pa afat. Po kështu për lejet e punës, se kishte një absurd në legjislacionin tonë që çdokush që vjen nga BE-ja mund të marrë direkt leje qëndrimi sa të dojë dhe të punojë ku të dojë e sa të dojë, ndërkohë që për të tjerët, përfshirë dhe qytetarët e Kosovës, ishte si të huajt e tjerë, sikur të ishin arabë ode kinezë. Ne i dhamë qytetarëve të Kosovës, prej kohësh, të njëjtën të drejtë në Shqipëri si çdo qytetar i BE-së, që do të thotë njësoj si funksionon liria e lëvizjes në BE, që kudo ku të jesh, nuk të thotë njeri që je me pasaportë rumune dhe je në Portugali  dhe ke rregulla të tjera, por të njëjtat rregulla si kanë portugezët. Merre me mend, mes shqiptarësh, një histori letrash, kontrollesh lejesh, autorizimesh, certifikatash që pastaj nuk diskutohet, përzihen me bakshishe, me ryshfete, me kushëri. Kështu që në këtë aspekt, ne e kemi çliruar procesin.

Aspekti tjetër ka të bëjë me sa mund ta hapim procesin për të mundësuar një fluks më të lirë të studimit. Ne po e studiojmë këtë. Duam që nxënësve nga Kosova t’i japim shumë më tepër hapësirë në universitetet e Shqipërisë. Për momentin nuk e kam përgjigjen përfundimtare sepse jemi duke e studiuar, por ajo që dua t’ju them është që paralelisht, ne po bëjmë një punë intensive për ta kaluar në një nivel tjetër larminë e mundësive që ofrojnë universitetet shqiptare në Shqipëri, duke futur universitete të huaja në partneritet me universitetet tona, të cilat të ofrojnë programe të njëjta dhe diplomë të barasvlershme. P.sh, nëse do studiosh agronomi në Vienë, në një nga universitetet më të famshme të botës për çështjet e zhvillimit rural,, këtë gjë mund ta gjesh në Tiranë. Nuk e kemi bërë për momentin, por ky është një proces ku po ecim dhe aty merr një diplomë që është njësoj si ta kesh marrë në Vienë, sepse e merr në programe të përbashkëta. Kemi një sërë universitetesh që po futen në programe të përbashkëta.

Nga ana tjetër, duam të sjellim universitete të huaja. Përshembull, universiteti i parë i huaj që do sjellim, që do të jetë më vete e që nuk do të ketë aty kuota të kufizuara për studentët e Kosovës, por do jetë i hapur për të gjithë, është Universiteti Teknik i Stambollit. Po përgatisim gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Është rënë dakord, tani po punohet dhe hapja  e Universitetit Teknik të Stambollit në Shqipëri bën të mundur që pa lëvizur nga shtëpia ose juve me një lëvizje të vogël nga shtëpia tek shtëpia tjetër, të mund të bëni studime top, të merrni një diplomë që është e vlefshme në të gjethe botën dhe shpenzimet i keni shumë më të përmbajtur nëse do të shkonit atje. Mundësitë janë më të mëdha, sepse ka më shumë vende, kurse atje ka më pak. Kjo është pak a shumë përgjigja.

 

Doja t’iu bëja një pyetje të cilës paraprakisht iu përgjigjët në mënyrë indirekte; ka të bëjë kryesisht me nismën “Open Balkan” në të cilën ju jeni një nga ideatorët kryesorë të kësaj nisme. Dëshiroj t’iu pyes nëse a besoni vërtetë që kjo nismë do të realizonte një bashkëpunim rajonal më të mirë ekonomik dhe mundësi më të reja ekonomike për Ballkanin dhe vendet shqiptare në veçanti, apo mund të cilësohet si një veprim apo akt politik që bën presion mbi Bashkimin Europian për integrimin e vendeve rajonale në Bashkimin Europian?

Pyetja e dytë ka të bëjë me ju si lider i mbarë shqiptarëve jashtë kufijve  të Shqipërisë se për çfarë duhet t’iu mbajnë mend shqiptarët gjatë karrierës suaj politike? 

Kryeministri Edi Rama: Ju dhe përgjithësisht njerëzit mendojnë që politikanët thonë atë që nuk mendojnë, mendojnë atë që nuk thonë dhe bëjnë atë që nuk besojnë dhe nuk besojnë në atë që bëjnë. Por unë dua t’iu them shumë sinqerisht që unë nuk do isha marrë ndonjëherë me politikë, nëse do kisha lindur në Francë, Gjermani, Angli apo Amerikë. As nuk do isha marrë me politikë në Shqipëri, sikur të mos kishte qenë historia e ndërthurur me ecurinë e jetës sime, që në një mënyrë apo tjetër më përfshiu pa menduar asnjëherë që unë një ditë do vishja kostum, përshembull.

Kur unë jam përfshirë me politikën kam pasur vëthë në vesh, kam patur dhëmbët origjinale. Kam pasur flokë, pak a shumë më shumë se të gjithë ju këtu, megjithëse ju i keni të gjata, por i mbani të shkurtra vetë. Unë me dash me i zgjat, nuk kam ç’të zgjas. Pra, shumë vite më parë dhe pa menduar që do merresha me këtë punë, rrodhën gjërat në një mënyrë të caktuar. Nuk e di e keni dëgjuar shprehjen që “jeta është ajo që na ndodh ndërkohë që jemi duke bërë plane të tjera”.

Unë nuk bëj asgjë që nuk e besoj dhe nëse nuk e besoj diçka, nuk kam kapacitet që ta ndjek e ta bëj. E besoj 100%, jo 99%, që rruga e  vetme për të dalë nga inercia e pafundme e riprodhimit të historisë dhe për të prodhuar mirëqenie, është “Ballkani i Hapur” për ne. Sot, si pjesë komplementare për rrugën e integrimit të plotë në Bashkimin Europian, që nuk varet nga ne. Kosova duhet të lëvizte lirisht, ju duhet të lëviznit lirisht prej disa vitesh tanimë, pa viza. Jeni i vetmi komunitet në Europë me viza dhe jeni komuniteti i vetëm që aleanca euro-atlantike e ka çliruar nga një diktaturë etnike. Është një absurd, gjyshërit dhe prindërit tuaj, që në raste të caktuara jetonin nën Sllobodan Millosheviçin, lëviznin lirisht nëpër Europë me pasaportën e Jugosllavisë. Ju jetoni në një shtet sovran dhe nuk lëvizni dot. Sepse Bashkimi Europian nuk mban fjalën. Nuk ka lidhje fare, asgjë nga ato që thonë sot, me të drejtën tuaj për të lëvizur lirisht. I thanë Kosovës, – siç i thanë të gjithëve, siç i thanë dhe Shqipërisë më përpara, – që duhet të bëni këto detyra që janë teknike, për të siguruar kufijtë, për të siguruar parametrat e pasaportave, një sërë prej tyre e pastaj do iu liberalizojmë vizat.  Këtë nuk e them unë, nuk e thotë asnjë politikan këtu në Kosovë, por e thotë raporti i vetë Bashkimit Europian. Nuk e di sa të vëmendshëm keni qenë në moment, se tani kanë kaluar vite, por dolën papritur dhe thanë “duhet të bëni dhe demarkacionin me Malin e Zi që t’iu heqim vizat”. Se çfarë lidhje kishte demarkacioni me Malin e Zi me një proces teknik, të barabartë me gjithë të tjerët, hajde e gjeje. Ngaqë nuk e gjen dot, duhet ta bësh dhe atë. U bë dhe demarkacioni. Pse nuk i heqin vizat?

Ndërkohë kanë liberalizuar vizat për 100 milionë njerëz midis Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë. 2 milionë njerëz këtu nuk lëvizin dot, a thua se po u hapën këtu kufijtë, do ndodhë ndonjë invazion dhe do mbushet me ujë Parisi, bashkë me Berlinin. Është një turp dhe unë këtë e kam thënë publikisht dhe e them në çdo takim që ky është turp.

Shqipëria duhet t’i kishte filluar negociatat sepse e kanë marrë vendimin dhe nuk fillon. Tani na ka dalë historia që Bullgaria do që Maqedonia e Veriut të pranojë që në të shkuarën kanë qenë bullgarë, që të fillojë Shqipëria të diskutojë me Bashkimin Europian për anëtarësimin e vet. Këto të gjitha janë gjëra që ne nuk i kemi në dorë dhe ato nuk e bëjnë as mbajtjen peng të Kosovës, as të Shqipërisë në këtë rast nuk e bëjnë se kanë antishqiptarizëm apo janë kundër jush apo kundër nesh. Ata e bëjnë sepae kanë arsye të politikës së brendshme. Bashkimi Europian ëshët themeluar nga burra, të cilët kishin ideale dhe qëllime. Sot, Bashkimi Europian udhëhiqet nga interesa lokale dhe nga sondazhet. Sipas sondazheve duhet të veprojmë. Prit se po liberalizuam këta, do na mërziten këta, do na humbin votat këtu, kemi zgjedhjet atje, pastaj mbaron njëri zgjedhjet, del tjetri që ka zgjedhje. Janë 27 palë zgjedhje të përgjithshme, 27 palë zgjedhje vendore, 27 palë zgjedhje europiane, 27 palë zgjedhje rajonale brenda 4 vjetësh.

Për ne nuk ka asnjë rrugë tjetër. Ne duhet ta bëjmë Shqipërinë dhe Kosovën shtete funksionale me standardet e Bashkimit Europian dhe bazuar në ato vlera, aspirata e parime që aspiron të mishërojë Bashkimi Europian.Jo sepse na e kërkon BE-ja, por sepse kjo është ajo që duhet t’u kalojmë brezave të tjerë, Në këto lloj shtetesh duhet të jetojnë fëmijët e Kosovës dhe Shqipërisë. Prandaj ne do ta bëjmë këtë gjë. Se kur na fusin ata në një proces apo tjetër, kjo nuk varet nga ne. Nga ne varet që të bëjmë maksimumin që të zgjerohemi këtu, sepse këtu nuk na vjen dot Bashkimi Europian e të na thotë “mos i hiqni kufijtë”, në rajon flas. Këtu nuk vjen dot Bashkimi Europian e të thotë “mos fusni lëvizjet e lira të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve”. Madje, Bashkimi Europian, nën udhëheqjen e Gjermanisë ka nisur një proces që e quan Procesi i Berlinit, mirëpo cfarë është problemi me Procesin e Berlinit?

Procesi i Berlinit është një proces që i ka të gjitha parimet në bazë të të cilit duhet të zbatohen këto liri dhe duhet edhe të financohet ky proces për infrastrukturën etj. Kanë kaluar 7-8 vjet dhe në aspektin politik, Procesi i Berlinit ka bërë shumë mirë sepse sot është bërë e zakonshme që të 6 përfaqësuesit e 6 vendeve, kryeministra apo presidentë apo ministra të Jashtëm të ulen dhe të diskutojnë. Nuk është se kemi parë gjë tjetër. Nuk besoj se ju keni parë ndonjë hekurudhë apo ndonjë infrastrukturë që është ndërtuar, sepse procesi është shumë i ngadaltë. Tjetra është që  Procesi i Berlinit varet nga mbledhjet që bëjnë ata. Po pse, do presim ata që të bëjnë mbledhje njëherë në vit e të flasin për çështjet e fermërëve? Që fermerët apo grumbulluesit, eksportuesit nga këtu të sjellin patate në Shqipëri apo në Maqedoninë e Veriut, në Bosnje, Serbi a kudo qoftë ose anasjelltas, ne duhet të presim ata apo ta bëjmë vetë?

Ne do bëjmë një gjë shumë të thjeshtë. Dokumentacioni i eksportit të mos jetë i shumëfishtë. Pra, që ti kur e nis bostanin nga Konispoli për ta sjellë në Kosovë, për ta çuar në Serbi, Bosnje, për shkak të kontrolleve të mos jetë bërë fik i thatë nga pritjet nëpër kufij nga orët e tëra e nga dokumentat, por të mjaftojë gjithë dosja e dokumentave në Shqipëri siç është në Bashkimin Europian. Kur dikush niset për të eksportuar nga Italia në Suedi një produkt, nuk e kontrollojnë 7 herë në çdo kufi e nuk i kërkojnë të bëjnë 7 analiza të produktit, mjafton origjina. Kjo do të thotë rritje e qarkullimit, kjo do të thotë rritje të ardhurash, rritje punësimi. Ka një të dhënë katastrofë, që është e dhënë e bërë për Procesin e Berlinit nga Banka Botërore në vitin 2015; orët e pritjeve në kufijtë e Ballkanit Perëndimor gjatë një viti janë 110 vjet. Domethënë,  të mbledhësh të gjitha pritjet, bëhen 110 vjet pritje. Këto janë kohë e humbur.

Ndërkohë që po në atë studim të Bankës Botërore thuhet që të gjitha vendet – se thonë që nga kjo fiton Serbia, edhe ne të tjerët humbim. Pse humbim ne nga kjo? Patjetër që Serbia fiton, por fitojmë dhe ne. Fiton Shqipëria, fiton Kosova, fitojnë të gjithë dhe teoria jonë nuk duhet të jetë “mjafton që mos fitojë ai tjetri, pa unë punë e madhe”, po duhet të jetë “të fitoj unë sa të mundem për vendim tim, pastaj ca fitojnë të tjerët është puna e tyre, jo e jona”. Aty thuhet që impakti vetëm i lehtësimit të lëvizjes është me disa pikë përqindje në prodhimin e përgjithshëm kombëtar të të gjithë këtyre shteteve. E pse duhet ne ta privojmë veten nga kjo?

Disa thonë që kjo e nënçmon apo e relativizon apo e çon në plan të dytë çështjen strategjike të njohjes. Jo, unë mendoj që është e kundërta. Unë mendoj që në një atmosferë ku bëhen manovra në ajër që të kujtojnë luftën është shumë më e vështirë të dialogosh e të gjesh rrugën për të marrë njohjen, sesa me një atmosferë ku një pjesë e shoqërisë bën biznes, një pjesë e shoqërisë bën turizëm, një pjesë e shoqërisë lëviz dhe shoqëritë kalojnë në një nivel tjetër dhe tensioni i përgjithshëm është shumë më i ulët. Kauza e njohjes kalon nga strategjia diplomatike, nga aftësia për t’i bashkuar këto bashkë. Është tjetër të merresh vesh me dikë që mund të kesh pasur një gjakmarrje përpara, por në tavolinë të fillosh të komunikosh dhe tjetër është të merresh me dikë që nuk të afrohet as në tavolinë dhe e ka mendjen të të gjuajë me pushke dhe do merresh vesh se s’bën se e ke aty. Fqinjët nuk i zgjedhim, vëllain dhe fqinjët nuk i zgjedh, t’i sjell Zoti. Njërin nëpërmjet dashurisë prindërore, tjetrin nëpërmjet fatit. Këta kemi këtu, si do e bëjmë tani? Duke thënë që ne do luftojmë me Facebook? Që do mbyllemi? Pastaj dalin ca që flasin për tregun, kur këtu, nëse ka një vend që Serbia është këmbëkryq nga pikëpamja e impaktit në konsum, është Kosova. Nuk është Shqipëria e askush tjetër, është Kosova. Do thotë që këtu nuk duhet të hanë njerëzit ushqime meqë vijnë nga Serbia?

Ndërkohë që, e kundërta nuk na çon asgjëkund. U bënë kaq vite, ju keni lindur në momentin e luftës apo pavarësisë. Sa do jetoni sa hqiponja 350 vjet? Sa kohë do presim?

Sigurisht që kjo që them unë nuk e sjell nesër rezultatin, por ama është e sigurtë që ndërton tullë pas tulle, mur pas muri një tjetër rrugë të të ardhmes. Po të shikosh historinë e botës, është e mbushur me këto, se në fund të fundit, me kë do e bësh paqen?

Paqen do e bësh me armikun e dikurshëm apo me armikun e deri djeshëm. E ke mundur në luftë, ke fituar ti, nuk ka fituar ai. Ata vijnë vërdallë me avionë e helikopterë e nuk e di çfarë bëjnë vërdallë atje. Luftën e ka fituar Kosova. Nga fitimtar të sillesh si i mundur e të thuash “ne do mbyllemi”, për çfarë do mbyllemi? Do i krijojmë vetes idenë që po luftojmë? Me kë? Me mullinjtë e erës? Lufta tani bëhet në tavolinë. Kush është më i zoti në tavolinë, kush është më i zoti ta marri me politikë atë që në paqe merret me politikë e jo me dhunë, nuk merret me helikopterë e tanke. Ky është mendimi im modest.

 

Siç e dimë, në qeverinë Rama  kemi pasur 2 ministra nga Kosova, tanimë asnjë. Çfarë ndodhi?

Kryeministri Edi Rama: Tani këtë mandat të tretë do bëhem kosovar vetë. Edhe mos e merrni me të qeshur sepse unë po e vendosa një gjë, e bëj. Shumë faleminderit por nuk do vi të bëj fushatë këtu e të marr vota, të mos ketë frikë njeri, as do vi të votoj këtu.