Fjala e Kryeministrit Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Sesioni i 76-të

 

 

Zoti President i Asamblesë së Përgjithshme,

Të nderuar delegatë,

Është një nder i veçantë të mbaj këtë fjalë si përfaqësuesi i një vendi që për herë të parë në historinë e vet, i bashkohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si anëtar jo i përhershëm për periudhën 2022-2023.

Rëndësia e këtij evenimenti për një shtet, i cili jo shumë kohë më parë konsiderohej si një prej më të izoluarve e të shtypurve në botë dhe ndjenja e përgjegjësisë me të cilën e marrim përsipër këtë rol është aq e madhe sa nuk mund të shprehet me fjalë. Do të doja ta nisja duke falënderuar të gjithë anëtarët e OKB-së për mbështetjen dhe besimin e tyre të jashtëzakonshëm.

Shqipëria i sjell Këshillit të Sigurimit pikëpamjen e një vendi të vogël, por të angazhuar, i vetëdijshëm për barrat e së shkuarës dhe për sfidat e së ardhmes, i cili ka përjetuar drejtpërdrejtë kufijtë e izolacionizmit dhe ka zbuluar mundësitë e bashkëpunimit shumëpalësh.

Shqipëria është tashmë një vend që karakterizohet nga respekti për dallimet, tolerancat  për besimet e ndryshme fetare dhe vlerësimi për kontributin që sjell çdo kulturë.

Ajo do të ulet në Këshillin e Sigurisë me një axhendë të qartë përparësish që pasqyron atë çka Shqipëria moderne përfaqëson, nxitjen e paqes dhe sigurisë, zgjidhjen dhe ndërmjetësimin e paqtë të konflikteve, respektimin e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut për të gjithë rritjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në vendimmarrje, aderimin universal në zbatimin e plotë të traktateve të konventave për mospërhapjen dhe çarmatimin. Një angazhim konkret e të vazhdueshëm, aktiv për të luftuar kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Është një kënaqësi e veçantë të kthehem fizikisht në këtë sallë të madhe paqeje e që jam në gjendje të ndaj mendimet tona për botën sot, përfshirë dhe përpjekjet e vendit tim në përballimin e një prej sfidave të përbashkëta më të mëdha, pandeminë COVID-19 që vazhdon, e cila për më shumë se 18 muaj ka shkaktuar dhimbje të tmerrshme kudo. Si në çdo pjesë tjetër të botës, edhe Shqipëria ka vuajtur nga kjo plagë shkatërruese.

Sot kemi më shumë se gjysmën e popullsisë shqiptare të vaksinuar dhe presim që të kemi të gjithë popullsinë e rekomanduar, plotësisht të vaksinuar gjatë 10 muajve të ardhshëm. Një nga mësimet e mëdha të kësaj tragjedie është se asnjë vend nuk mund të përballet i vetëm me të dhe ne e dimë tashmë që askush nuk do të jetë i sigurt nëse nuk janë të gjithë, siç e kemi parë shumë shpesh, pa bashkëpunim, solidaritet dhe veprim të përbashkët, kostoja që paguajmë individualisht dhe kolektivisht do të jetë gjithmonë e më e lartë. Kjo është arsyeja pse në kulmin e krizës së COVID-it, vitin e kaluar dhjetëra mjekë e infermierë shqiptarë ikën në Itali për të ndihmuar kolegët e tyre në rajonin e Lombardisë. Në këmbim, patëm fatin dhe qemë mirënjohës të mirëprisnim mjekët italianë, të na ndihmonin me po të njëjtën luftë në shtëpinë tonë.

I detyrohem një falënderim nga zemra shumë prej atyre që na janë gjendur të na ndihmojnë, Republikës së Turqisë që bëri të mundur për ne, në momente vërtetë të vështira, doza të nevojshme për të nisur vaksinimin, Komisionit të Bashkimit Europian që luftoi fort për të përshpejtuar ofrimin e vaksinave nga BE-ja për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor dhe po kështu qeveritë e Italisë, Greqisë, Kroacisë, Letonisë, që na u gjendën me dhurimet e tyre në vaksina, si dhe për qeveritë e Polonisë, Austrisë dhe Danimarkës, që kanë premtuar të na ndihmojnë gjatë rrugës.

I solla këta shembuj këtu për të mos harruar që do të jemi në gjendje të triumfojnë në këtë luftë për jetën vetëm përmes një qasjeje të përbashkët mbështetur në solidaritet më të thellë, në ndihmë të vazhdueshme e bashkëpunim të pandërprerë. Pabarazia e theksuar në qasje në vaksina që është mënyra e vetme për të ndalur virusin, ka nxjerrë dhe një herë në pah një qasje të ndryshme për nismat globale, gjithëpërfshirje, solidaritet dhe drejtësi si dhe besim në shkencë.

Kjo është arsyeja pse vazhdojmë të jemi avokatë të bashkëpunimit ndërkombëtar  e të mbështesim propozimin për një traktat të ri ndërkombëtar për reagimin dhe gatishmërinë ndaj pandemive. Ne duhet të qëndrojmë sëbashku e t’i rezistojmë çdo tundimi për izolacionizëm e nacionalizëm. Është e nevojshme që të përmirësojmë në mënyrë urgjente qasjen ndaj vaksinave sepse personat e pa vaksinuar bartin rrezikun për të lejuar shfaqjen e varianteve më vdekjeprurëse, të cilat mund të kthejnë pas atë çka kemi fituar me mundim deri më tani e të na ekspozojnë ndaj pasojave dhe më të rënda.

Eksperienca e gjatë dhe e fortë 75 vjeçare e OKB-së, nëse na ka mësuar diçka është se sfidat ndaj paqes, sigurisë, zhvillimit dhe shëndetësisë, kërkojnë kontributin e të gjithëve, të pasur, të varfër, të mëdhenj, të vegjël.

Ne besojmë me vendosmëri se 75 vjet pas themelimit të tyre, Kombet e Bashkuara mbeten guri i themelit, i rendit botëror shumëpalësh, me përpjekjet e të gjithë sistemit të OKB-së njerëzimi ka bërë arritje në paqen, sigurinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe dinjitetin njerëzor. Në fuqizimin e grave dhe motivimin e të rinjve, në ndihmën për miliona njerëz për ta lënë pas varfërinë. Duhet të vazhdojmë të ndërtojmë punën mbi këto arritje. Njerëzit, bashkëqytetarët tanë kanë të drejtë të kërkojnë më shumë, më mirë e për nisma më të shpejta e ne duhet të jemi në lartësinë e kësaj detyre.

Të nderuar kolegë,

Le t’i kujtojmë vetes që e ardhmja jonë, e ardhmja e njerëzimit formësohet nga mënyra se si ne bashkëpunojmë në të tashmen. Veprimi shumëpalësh sfidohet, por mbizotëron nacionalizmi e këto janë mësimet e së shkuarës.

Veprimi shumëpalësh mund të jetë i ngadalshëm, nganjëherë dëshpërues dhe nuk mund të prodhojë rezultate të shpejta, por pa të, pa rregulla, pa detyrime e pa institucione shumëpalëshe do të ishte një makth që ne e njohim shumë mirë.

Për rrjedhojë, nuk mund të lejojmë të humbasim besim në sistemin shumëpalësh. Duhet të punojmë për ta reformuar, jo për ta minuar atë dhe sigurisht jo për ta braktisur atë.

Ne ndajmë shqetësimet e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në raportin e tij për agjendën e përbashkët dhe mendojmë që të gjitha shtetet anëtare të OKB-së kanë përgjegjësinë të kontribuojnë për të rritur funksionalitetin e institucioneve dhe mekanizmave shumëpalëshe për të bërë një dallim të prekshëm në jetët e njerëzve. Është saktësisht në këtë frymë që Shqipëria me sukses kryesoi OSBE-në në 2020 si pjesë e angazhimit të saj të vazhdueshëm dhe përpjekjeve të saj për të forcuar paqen, të drejtat e njeriut, bashkëpunimin dhe barazinë në zonën e OSBE-së.

Këshilli ministerial i Tiranës ra dakord për një sërë angazhimesh të reja për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar, për të luftuar kundër korrupsionit e për të parandaluar torturën në rajonin e OSBE-së.

Ndryshimi i klimës është një përparësi tjetër kyçe në agjendën tonë kombëtare. Nuk na duhen ngjarje të përsëritura nga ekstreme të motit, përmbytje katastrofike apo valë të tmerrshme nxehtësie për të kuptuar që humbja e vazhdueshme e biodiversitetit dhe shfrytëzimi i paqëndrueshëm dhe degradimi i ekosistemeve po shkaktojnë pasoja të thella e negative për miliona njerëz e po kërcënojnë paqen e sigurinë.

Të bindur për urgjencën, për uljen e çlirimit të gazeve serë në përputhje me axhendën e Parisit e në përputhje me axhendën 2030, në korrik të 2019 Shqipëria qe vendi i parë me një strategji të miratuar për ndryshimin e klimës dhe me plane përkatëse të veprimit, me objektiva politike e veprime konkrete për të ulur çlirimet e gazeve serë. Një ligj i veçantë për ndryshimin e klimës u miratua në dhjetor 2020. Më tej, në mbështetje të objektivave të paktit të gjelbër të Bashkimit Evropian,  Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor nënshkruan dy deklarata në nëntor të vitit 2020.

Vendet e Ballkanit Perëndimor për paktin e gjelbër si dhe për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal që synon të bëjë ekonominë të qëndrueshme e me efekte asnjanëse në klimë deri në 2050.

Shqipëria angazhohet për të arritur objektivin global të Kombeve të Bashkuara për të reduktuar emetimet e gazrave serë me 45% në dekadën e ardhshme, si dhe të arrijë emetime neto zero deri në vitin 2050, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit.

Zonja e zotërinj,

Procesi i integrimit europian përfaqëson një spirancë për të ardhmen e Shqipërisë dhe ne presim me padurim konferencën e parë ndërqeveritare në përputhje me vendimin e mëparshëm të Këshillit të Bashkimit Europian për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. E kam thënë në Tiranë, në Bruksel dhe kudo e dua ta përsëris dhe këtu.

Shqipëria ka kohë që është gati. Ajo pret që BE të bëjë pjesën e saj.

Integrimi europian është një objektiv parësor ndërkombëtar dhe është një aspiratë mbarë rajonale dhe burim frymëzimi në një rajon, në një kontekst rajonal të transformuar rrënjësisht, me të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë rënë dakord të rrisin bashkëpunimin duke krijuar një treg të përbashkët rajonal, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së. Kemi hyrë në një fazë të re dhe ambicioze bashkëpunimi dhe po punojmë po kështu për të zbatuar konkretisht 4 liritë themelore të BE-së; Lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, të shërbimeve e të kapitalit përmes nismës Ballkani i Hapur.

Është shenja dhe prova e zotërimit që kemi ne të procesit si rajon për të gjeneruar rritje ekonomike do të ulë papunësinë, do të rrisë tregtinë, investimin, punësimin në Ballkanin Perëndimor dhe së fundi në radhë, por jo nga rëndësia, të bëjë paqe të pakthyeshme e të ndihmojë në zgjidhjen  e konflikteve një herë e përgjithmonë.

Të nderuar kolegë,

Historia e Kombeve të Bashkuara është historia e një zgjerimi të pandërprerë. Nisi me 50 anëtarë në San Francisko e jemi tashmë 193 të tillë, por megjithatë sërish kjo Asamble e madhe nuk është e nuk do të jetë e plotë pa një prej shteteve të rajonit tonë. Republikën e Kosovës! Më keni dëgjuar më shumë se sa një herë këtu të bëj thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nuk është obsesion  e as diçka thjesht sa për ta thënë për kauzën, është ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Europës në Ballkanin Perëndimor ku një shtet i ri lindi me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, angazhuar për kauzën e lirisë e të drejtave të njeriut e të vetëvendosjes. Por kjo punë duhet të përfundohet dhe dua ta theksoj dhe përsëris këtë thirrje dhe e bëj këtë sepse realiteti na ka treguar ne, kosovarëve, serbëve, të gjithë ballkanasve, europianëve e kujtdo kudo që ndodhet që do ta shohë se një Kosovë e pavarur, sovrane është një realitet që vazhdon prej 13 vjetësh dhe ka sjellë më shumë paqe e stabilitet në rajon. Ka kontribuuar që të shkëputemi nga e shkuara e hidhur dhe në mënyrë të pamohueshme është pjesë e së ardhmes së përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria mbështet si alternativë  të vetme dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që do të sjellë njohjen e ndërsjellë midis dy shteteve, dy fqinjëve. Çdo ditë pa një marrëveshje të tillë është një ditë e humbur, një ditë që u vidhet të rinjve në të dyja vendet. Një ditë që i hiqet së ardhmes së përbashkët dhe e them miqësisht, por me bindje absolute, vetëm maturia, kuraja dhe vizioni do ta lejojë më në fund Serbinë të heqë barrën e së shkuarës.

Përpara se ta mbyll më lini të them disa fjalë për Afganistanin. Është detyra jonë të bëjmë gjithçka është e mundur për të mos braktisur popullin afgan që e gjen veten edhe një herë në udhëkryq për të ruajtur arritjet e pamohueshme të dy dekadave të shkuara, për të parandaluar e për t’i rrezistuar çdo kthimi në epokën e errësirës që bota ka parë më parë.

Ndërkohë që ngjarje dramatike zhvilloheshin para syve tanë nuk mund të rrinim duarkryq, pavarësisht kapaciteteve të kufizuara për të marrë emigrantë, për të pritur emigrantë, por me një humanizëm të pakushtëzuar i hapëm dyert refugjatëve afganë. Bëmë atë çka kemi bërë në momente të tjera kritike të historisë sonë kur shpëtuam mijëra hebrej gjatë holokaustit dhe Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa para saj apo kur mirëpritëm gjysmë milioni prej vëllezërve e motrave tona kosovare që i shpëtonin ferrit të spastrimit etnik në 1999.

I mirëpritëm refugjatët afganë sepse kemi detyrën morale për të qenë solidarë për ata që janë në rrezik. I detyrohemi historisë sonë si refugjatë deri 30 vjet më parë e po kështu ua detyrojmë fëmijëve tanë që besoj se duhet të mësojnë, jo vetëm përmes fjalëve, por edhe përmes veprave se në këtë jetë ka një kohë kur merr dhe një kohë kur jep. Ashtu siç laureatja e çmimit Nobel për paqe, Shenjëtorja shqiptare Nënë Tereza ka thënë njëherë, edhe kur nuk bën dot gjëra të mëdha, bëj gjëra të vogla çdo ditë, por me dashuri të madhe.

Përulësisht ne po bëjmë pjesën tonë.

Faleminderit shumë!