Kryesimi i OSBE nga Shqipëria – Fjala në Konferencën Vjetore të Rishikimit të Sigurisë, 2020

Fjala e Kryetarit të Radhës së OSBE, Kryeministrit Edi Rama në Konferencën Vjetore të Rishikimit të Sigurisë, 2020:

-Faleminderit shumë zoti Ambasador!

Të nderuar shkëlqesi, zonja dhe zotërinj,

Më lejoni t’u përshëndes të gjithëve nga Tirana, Shqipëria, në këto rrethana mjaft të posaçme.

Është realisht një kënaqësi dhe nder për mua që t’u bashkohem në Konferencën e 2020-s për rishikimin e tablosë së sigurisë.

U bënë tashmë 6 muaj të Kryesisë shqiptare të OSBE-së.

Kemi arritur të kalojmë përmes kufizimesh dhe ndërlikimesh të COVID 19 për t’i mbajtur gjallë diskutimet në Vjenë dhe për të vijuar me aktivitetet e operacioneve në terren.

Kemi patur disa arritje të përbashkëta, përfshi edhe një rritje mjaft të nevojshme në buxhetin e misionit të posaçëm të monitorimit në Ukrainë. Por kjo arritje nuk duhet të na ushqejë me shpresë të rreme. Nuk është se gjithçka shkon mirë në OSBE. Të gjithë kremtojnë Helsinkin, Parisin, dhe Porton, si dhe korpusin e gjerë të angazhimeve të OSBE, si sukses i veprimit shumëpalësh.

Këto janë themelet e sistemit ndërkombëtar prej të cilit varemi.

Megjithatë këto themele goditen. Bashkëpunimi ynë po dështon për shkak të mungesës së besimit. Ky besim mungon për shkak të të çarave në dialogun tonë dhe për shkak të shpërfilljes së qartë të përsëritur të parimeve dhe angazhimeve tona. Kjo, po prek themelet e sigurisë së përbashkët të organizatës sonë.

Sepse pa respektuar atë që kemi ndërmarrë së bashku dhe pa një angazhim të mirëfilltë për të bashkëbiseduar, nuk mund të shpresojmë dhe jo më të presim që të nxitet një Europë më e qëndrueshme dhe më e sigurtë.
Wshtë shumë e qartë për mua dhe është shumë e qartë për të gjithë ju, që kemi nevojë për ndryshim. Kemi nevojë për ndryshim tani.

Megjithatë, shoh një mungesë vullneti mes nesh, shteteve anëtare për të reflektuar seriozisht dhe për të pranuar përgjegjësitë për situatën aktuale të sigurisë.

Shoh hezitim për përdorimin e ndikimit apo të imagjinatës për të sjellë ndryshim, për të ushqyer një bashkëpunim më të ngushtë.

Në të kundërt, për fat të keq po vijon një kulturë, ku shpeshherë kritikojmë veprimet e njëri-tjetrit, ku në fakt këmbejmë deklarata e statistika.

Ky kontroll në vlerësim mund të jetë i rëndësishëm për të siguruar llogaridhënie dhe për të inkurajuar përputhshmërinë. Por, a nuk duhet t’i kushtojmë sa më shumë kohë konceptimit, propozimit dhe theksimit të veprimeve që mund të ndreqin situatën?

Duhet të bëjmë përpjekje sa më të mirëfillta për të filluar të mendojmë ndryshe.

Le të mos ndajmë thjeshtë këndvështrimet tona në kontekstin aktual që sugjeron titulli i Konferencës.

Le të jemi më kurajoz, le të propozojmë hapur, le të diskutojmë hapur.

Le të përballemi hapur me njëri-tjetrin për mënyrën se si mund të punojmë drejt përmirësimit të gjërave, sesi mund të ndërtojmë më shumë stabilitet dhe më shumë mënyra të hapura të vështrimit të gjërave përmes dialogut, sesi mund ta drejtojmë OSBE-në drejt rrugës për t’u mëkëmbur.

Do të doja të ndaja reflektimet e mija në katër fusha.

·      Së pari, në raport me COVID-in.

Kriza na ka goditur të gjithëve. Na ka goditur fort. Do të thosha se na ka kujtuar dobësitë tona, pavarësisht pozicioneve, pavarësisht situatave, pavarësisht kapaciteteve tona të fuqisë.

Ne mundemi dhe duhet të reflektojmë për efektet e sigurisë si organizatë, por kjo nuk duhet të shndërrohet si diçka që ta shpërqendrojë vëmendjen tonë nga angazhimet ekzistuese, qofshin ato çështje themelore, të cilat janë afatgjata, që na shqetësojnë.

·      Së dyti, për konfliktin që vijon të marrë jetë të pafajshme, që po përkeqëson vështirësitë e popullsisë civile dhe që po dëmton sidomos gratë dhe fëmijët.

Po i bëj jehonë thirrjes urgjente të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për një armëpushim global. Është koha tashmë që të tërhiqemi nga armiqësitë, të lëmë mënjanë mosbesimin dhe grindjet. Na duhet të veprojmë në frymën e solidaritetit. Duhet të kujtojmë së pari dhe mbi të gjitha që jemi qenie njerëzore, që kanë të përbashkët humanizmin.

Në shkurt, bëra vizitën e parë si Kryetar i radhës në Ukrainë, ku pashë personalisht punën që ka bërë OSBE në terren. Asokohe isha vërtet optimist, duke patur parasysh progresin e bërë, përfshi edhe takimin e dhjetorit, të Normandi 4, në Paris. Në fakt, kam vijuar që të jem optimist, por jam i shqetësuar për mungesën e përmirësimit. E kemi thënë sërish dhe sërish na duhet që të shohim respektim të plotë të parimeve dhe angazhimeve të OSBE, dhe zbatimit të plotë të marrëveshjeve të Minskut.

Në mbështetje të kësaj duhet të rigjallërohen diskutime të besueshme dhe thelbësore në formatin e grupit trepalësh të kontaktit dhe këto duhet të ndërtohen mbi ato praktika që deri më tani kanë lejuar këtë grup trepalësh të kontaktit të ecë përpara, pavarësisht vështirësive.

Ju bëj thirrje palëve që të marrin përgjegjësitë e tyre, duke u mbështetur tek OSBE si ndërmjetësuese. Vëmendja duhet të përqendrohet tek zbatimi në kohë i angazhimeve që janë ndërmarrë. Një armëpushim i plotë gjithëpërfshirës është thelbësor. Na duhet që t’u japim fund viktimave dhe vështirësive të papranueshme civile, në mënyrë që të marrim ritmin dhe të ecim përpara drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme.

E përmenda më parë rritjen e buxhetit dhe përtëritjen e mandatit të misionit të posaçëm të monitorimit si një arritje të rëndësishme të Kryesisë tonë deri më tani. Por, puna e misionit është e penguar seriozisht.

Misioni i posaçëm i monitorimit duhet të ketë qasje të sigurt dhe të mbrojtur në mbarë Ukrainën në përputhje me mandatin e vet. Kufizimet shtesë që u janë vendosur lëvizjeve të tyre për shkak të pandemisë duhet të hiqen.

Misionit duhet t’i lejohet të bëjë punën e vet dhe t’i jepet respekti që meriton. Kjo, do të sigurojë që personeli i përkushtuar i misionit të vijojë të përmbushë sigurinë për personat e prekur. Si të gjithë ju, unë sinqerisht shpresoj të shoh përparim të mëtejshëm në Ukrainë, muajt që vijnë. Ndaj, ju bëj thirrje të gjithë atyre të përfshirë nga afër të angazhohen konstruktivisht për ta bërë të mundur këtë. Megjithatë, ky nuk është i vetmi konflikt dhe nuk është e vetmja krizë në rajonin tonë. Ka vende të tjera, ku Kryesia kërkon të shohë urgjentisht progres.

Në fakt bashkëkryesuesit e grupit të OSBE të Minskut vijojnë të kryesojnë përpjekjet e OSBE për një zgjidhje paqësore në konfliktin e Nagorno- Karabakh-ut. Ndërkohë, puna e rëndësishme e përfaqësuesit tim personal përfshi edhe proceset monitorimit të OSBE, ka përkrahjen time të plotë.

OSBE   po mbështet gjithashtu edhe diskutimet ndërkombëtare të Gjenevës për të ulur përshkallëzimin e tensioneve dhe natyrisht të siguruar dialog, për të përmbushur nevojat e personave në terren.

Menaxhimi dhe zgjidhja e konflikteve na kërkon që të mos humbasim kurrë nga sytë, pasojat njerëzore të konfliktit, që janë zhvendosja, izolimi, humbja e jetëve njerëzore. Në procesin e zgjidhjes Trandniestriane ka pasur angazhim të vazhdueshëm nga palët për të ecur përpara e për të arritur rezultate. Kjo na tregon se vullneti politik dhe ndërmjetësimi efektiv, gjetja e interesave dhe përfitimeve të përbashkëta mund të identifikojnë e të zbatojnë zgjidhje të konflikteve tona në rajon.

Duhet të forcojmë instrumentet që OSBE-ja ka në dispozicion për të parandaluar konfliktet e për t’i ndalur këto tmerre që po ndodhin pikë së pari. Kjo përfshin forcimin e sigurisë së kufijve, forcimin e të drejtave të njeriut, të lirive themelore, mirëqeverisje, institucione, sundim të ligjit dhe rritje të qasjes në drejtësi.
Kjo nënkupton dhe zbatimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme gjinore që pasqyrojnë interesat e të gjithë njerëzve për të maksimizuar gjasat për një paqe të qëndrueshme.
OSBE-ja do të vijojë t’i kushtojë vëmendje të vazhdueshme grave, vajzave në parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit.

Ky vit shënon 20 vjetorin e miratimit të rezolutës së Këshillit të sigurimit të Kombeve të bashkuara 1325. E ç’mënyrë më të mirë ka për ta kremtuar se sa duke dyfishuar përpjekjet tona për të nxitur një mjedis mundësues për pjesëmarrjen kuptimplotë të grave.

·      Fusha e tretë ku dua të reflektoj është kërcënimet transnacionale.
Terrorizmi dhe krimi i organizuar në OSBE ka marrë më shumë jetë e u ka kushtuar ekonomive tona më shumë se sa konfliktet. Ato mbjellin paqëndrueshmëri dhe gërryejnë besimin publik tek institucionet. Në fakt, kjo është arsyeja përse kryesia jonë e ka vendosur në krye të axhendës së kësaj Konference.

OSBE-ja në fakt ka që në 2016 që nuk ka ndërmarrë një angazhim të ri kundër terrorizmit. Është e vështirë ta justifikosh pse. Kërcënimi nuk është zbehur dhe Kombet e Bashkuara kanë rënë dakord për rezoluta të reja gjatë kësaj kohe. Është koha për të ecur përpara që OSBE-ja të ruaj paqen, duke vazhduar të ofrojë kontribut të besueshëm, duke ndërtuar partneritetet efektive e për të forcuar kapacitetet shtetërore, që nga parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm deri tek përballja me kërcënimet që paraqesin luftëtarët e huaj terroristë, përdorimi i internetit dhe financimi i terrorizmit.

Krimi i organizuar është një tjetër fushë ku Shqipëria kërkon të vendosë theks të shtuar.
Flasim për “kërcënimet transnacionale” në dimensionin e parë të OSBE-së, flasim për korrupsionin dhe mirëqeverisjen në dimensionin e dytë dhe për demokracinë efektive dhe sundimin e ligjit, në dimensionin e tretë.

Këto ndarje institucionale nuk duhet të na ndalojnë që të ndërmarrim një qasje më gjithëpërfshirëse të ndikimit të krimit të organizuar në rajonin tonë. Pra, nuk mund që të përballemi me krimin vetëm në një zonë apo në një fushë të vetme, por duhet që të shohim të gjithë ciklin, nga parandalimi, tek hetimi, tek drejtësia penale, tek rehabilitimi.
Dhe, nuk duhet të harrojmë që krimi i organizuar mbetet kryesisht i motivuar nga fitimet financiare, pra duhet të jemi më të bashkërenduar që të ndjekim përfitimet, të ardhurat nga aktivitetet kriminale duke i sekuestruar, konfiskuar e duke rikuperuar asetet kriminale.

Vigjilenca jonë duhet gjithashtu të shtrihet dhe tek siguria kibernetike sepse me rritjen e ndërlidhjes vjen dhe ndërvarësia e rritur. Kështu që është në interes që ne të rritim sigurinë kibernetike në gjithë rajonin tonë përfshirë, duke zbatuar masat e ndërtimit të besimit, të OSBE-së.

·      Së katërti dhe së fundi duhet të reflektojmë mbi kontrollin e armëve, që janë mjetet thelbësore për paqen dhe sigurinë tonë.
Kjo kërkon besim. Pa këtë duket sikur gjërat po dështojnë përballë syve tanë.
OSBE-ja ka një bilanc për t’u krenuar sa i takon masave të ndërtimit të sigurisë përfshi dokumentin e vitit 2011 të Vjenës.
Këto angazhime kanë nevojë të mbrohen. Nuk janë pavlerë, por për t’u përballur me një tablo që ndryshon, duhet të përditësohen. Pra, ju kërkoj shteteve anëtare, jo thjesht të konfirmojnë përkrahjen e tyre për masat për kontrollin e armëve, të OSBE-së, por gjithashtu të modernizojnë, të rigjallërojnë ato e të vërtetojnë që ende kanë rol për të ruajtur për transparencë dhe uljen e rrezikut.
Kjo nuk mund të jetë rrugë e lehtë, por kemi mjetet. Duhet të përdorim formate si dialogu i strukturuar, të kemi një dialog të sinqertë e të lejojmë novacionin. Aty ku mundemi, të shohim se çfarë hapash mund të hedhim përpara drejt ndërtimit të besimit dhe forcimit të përputhshmërisë.

E njëjta gjë vlen dhe për aksionin e për armët e vogla e armatimet e lehta.

Inkurajoj shtetet anëtare që të vijojnë të mbështesin masa që promovojnë kontrollin efektiv të eksportit, shkatërrimin e tepricave, sigurinë kundër trafikimit të tyre, si dhe edukim dhe ndërgjegjësim publik.

Zonja dhe zotërinj,

Konsensusi në këtë organizatë është i paktë, por nuk do të jetë më e lehtë që të arrijmë në konsensus nëse thjesht ankohemi për se si janë gjërat e thjeshtë duke u drejtuar gishtin të tjerëve.

Politikat tona mund të na tundojnë ta bëjmë një gjë të tillë dhe mund të ndihemi dhe plot besim duke e bërë këtë, por ne u shërbejmë popujve tanë dhe ata kanë nevojë për më shumë prej nesh.

Kemi nevojë për ide të reja.

Kemi nevojë për ripërtëritje të synimeve.

Na duhet të rizbulojmë artin e ndërmjetësimit efektiv dhe dëshirën për të luftuar për kompromis. Ne na duhet dialog i mirëfilltë, bashkëbisedim real, mbështetur tek respekti, jo thjesht tek prezantime dhe kundër prezantime, deklarata e kundërdeklarata, fajësime e kundërfajësime.
Nëse do të mund të zbatojmë një qasje më proaktive, atëherë jam i sigurt që gjërat mund t’i ndryshojmë e të përmirësojmë sigurinë në OSBE.

Kështu që, më lini ta përmbyll duke ju falenderuar që jeni sot këtu dhe duke u mbështetur tek përkrahja juaj për këtë mision, jo të lehtë, por të nderuar.

Ju uroj suksese në Konferencë!

Zoti ju bekoftë!