Sipërmarrësit e sektorit të agroturizmit në Kuçovë, përfitues të skemës mbështetëse në bujqësi ishin sot bashkëbisedues me Kryeministrin Edi Rama, në takimin informues, lidhur me dy linjat e reja të financimit për zhvillimin rural, kredinë e butë dhe garancinë sovrane, ku me qeverinë si garante, do të mbështeten investimet në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.
Në takimin, ku morën pjesë edhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, dhe Kryetari i Bashkisë Berat Ervin Demo, sipërmarrësit u informuan lidhur me dy linjat e reja të financimit që qeveria shqiptare vë në dispozicion të gjitha atyre që duan të investojnë në sektorin e agroturizmit ose të rrisin kapacitetet.
Kredia e Butë me një linjë financimi 250 milionë euro dhe me normë interesi 3.5%, e kombinuar me Garancinë Sovrane, e ul normën e interesit në 2% dhe mbulon kolateralin deri në 70%.
Takimi u zhvillua në agroturizmin “Hani i Qerosit”, një investim model për zhvillimin e qëndrueshëm rural, që ndërthur arkitekturën tradicionale me mikpritjen bashkëkohore për të ofruar një eksperiencë autentike, si dhe kontribuon në ruajtjen e njohurive dhe trashëgimisë lokale. “Hani i Qerosit” është një nga xhevahiret e gjerdanit të ri të agroturizmave të qarkut Berat, ku vizioni, pasioni dhe puna e palodhur, e kanë kthyer një truall të zakonshëm në një destinacion nga më të bukurit.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirë, shumë faleminderit dhe është realisht edhe e them me shumë sinqeritet dhe kënaqësi, që jam këtu edhe falënderoj kujt i vajti në mend për këtë surprizë që u takova këtu me disa protagonistë të kësaj industrie te re, që nga legjenda e Chestnut Hill-it në Tropojë, tek Buni i Bajraktarit në Malësinë e Madhe edhe me radhë deri poshtë tek Çobo legjenda e verës, por më vjen shumë mirë që sot u njoha edhe me qerosin kur kam kaluar nja dy herë po s’kam mundur të ndaloj, dhe shikoj Hanin e qerosit dhe më pëlqente shumë emri dhe pashë që qerosi qenka sipërmarrësi dhe pronari. Ilir të përgëzoj shumë. S’e ke problem të të them qerosi se sot jemi në klubin e qerosëve bashkë. Të përgëzoj vërtetë shumë, është një punë impresionuese edhe është një tjetër shembull domethënës për të gjithë ata që kanë mundësi të bëjnë gjëra të tilla dhe vazhdojnë hezitojnë, se si një territor krejt i zakonshëm, një truall si kudo është kthyer në një destinacion edhe jam i bindur që do të jetë një destinacion po kaq tërheqës dhe po kaq i suksesshëm sa destinacionet që kanë ndërtuar të gjithë këtu zotërinjtë dhe zonat.
Edhe dua të përshëndes edhe zonjën e Fustanellës që ka ardhur në këtë takim. Tani unë në këtë rast nuk kam asnjë problem sepse flas me njerëz që janë vetë dëshmitarë të të gjithë transformimit dhe të të gjithë mirësisë që sjell një mund dhe një investim në këtë fushë, pasi kthen përmbys një realitet dhe kthen përmbys dhe një ekuacion sipas së cilit është e pamundur të bësh bujqësi, është e pamundur të gjesh treg, duke qenë larg hapësirave dhe territoreve ku zhvillohet bujqësia apo larg rrjeteve ku mund të futesh në treg sepse s’ka nevojë fare t’i hysh asaj ane nëse ke një agroturizëm, i sjell vetë tregun tek dera jote.
Dhe jo rastësisht e përmenda Chestnut Hill-in. Chestnut Hill është një destinacion i mahnitshëm në majë të maleve, aty ku jo pula ha gurë po guri ha pulën dhe ku, kurrë askujt nuk do t’i binte rruga po ku shkohet me rezervim sepse dy djemtë, dy vëllezër e kanë mendjen që atë tokë atje, atë bukuri të mahnitshme ta vënë në funksion të suksesit sipërmarrës dhe pak nga pak kanë ndërtuar një destinacion të mrekullueshëm. Dhe kur mund të bëhet në Chestnut Hill, mund të bëhet ngado. Kur mund të bëhet në një distancë aq të largët, imagjino më afër se në krahasim me Chestnut Hill edhe Malësia e Madhe, nuk diskutohet Kuçova, patjetër periferia e Tiranës, pa diskutim zonat e tjera janë fare afër.
Por sot, unë dua që të ndaj me ju, se unë e di shumë mirë që shumë nga ju kanë ambicie për ta zhvilluar më tej biznesin, mbase ndonjëri ka hyrë edhe në planin për të hapur të dytin diku tjetër sepse ajo që ndodh në botën e agroturizmit, me ato agroturizëm që kthehen në brende, ndodh që rrjetëzohen edhe Chestnut Hill mund ta gjesh, siç e gjen në Tropojë, mund të shkosh ta kërkosh nesër ta gjesh në Nikolicë të Korçës apo Bunin e Bajraktarit mbase në atë formë, jo dot, por në një formë tjetër, mund ta gjesh diku tjetër dhe përtej kësaj, ju e dini më mirë se unë se agroturizmi nuk mbaron kurrë kur vjen puna tek produktet, kur vjen puna tek gjithë ekosistemi rreth e rrotull, kur vjen puna tek shërbimi ndaj klientëve me guidat, me surprizat etj, kështu që nevoja për financim është e vazhdueshme dhe për këtë arsye unë e quajta shumë të drejtë dhe dëshirën e ministres dhe drejtores së AZHBR-së, për ta ndarë këtu me ju dhe përmes kësaj, me gjithë të tjerët risinë e dy linjave të reja të financimit, por duke u nisur nga linja kryesore e financimit e re, që është linja e Bankës së Shqipërisë.
Është një instrument krejt i ri i Bankës së Shqipërisë, nuk e ka bërë kurrë më parë, duke vendosur 250 milionë euro në shërbim të bizneseve të vogla dhe të mesme dhe me fokus tek bujqësia. Dhe natyrisht kur vjen puna tek fokusi i bujqësisë, agroturizmi është një nga komponentët. Patjetër serat, patjetër blegtoria, patjetër agropërpunimi nuk diskutohet dhe këtu dua t’ju nxis të shikoni pak më tutje, duke menduar edhe për agropërpunimin në funksion, jo thjesht të agroturizmit, por në funksion edhe të rritjes së biznesit tuaj edhe në funksion të daljes në treg, me produktet tuaja, se po bëhem pak i bezdisshëm për pjesën tjetër duke bërë reklamë për Chestnut Hill po meqë kam një çelës timin atje që mund të shkoj sa herë dua ta hapa dhe të hy brenda, si mik i bujtinës, e kam për borxh t’ia kthej dhe pse deri tani s’e kam përdorur çelësin asnjëherë po po thosha që, produktet për shembull e Chestnut Hill apo nuk diskutohet Çobës, apo Fustanellës të të tjerave janë fantastike, por nuk janë ende masë, nuk janë masë. Jo nuk po flas për masë industriale, por po flas nuk janë masë për të dalë në treg. Dhe po ju sjell vetëm një shembull që më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme, as nuk e dija ka ndodh disa vite më përpara.
Në Zvicër më çoi ambasadori në një farmaci, në farmaci ishte një vaj ulliri i prodhuar në Shqipëri, një shishe kaq dhe kishte një çmim, 5-6 herë më të lartë sesa shishja e një vaji ulliri në treg. Pra ishte një produkt special dhe tregu i kërkon këto dhe duhet të jeni ambicioz, jo vetëm për tregun e brendshëm, por edhe për tregun e jashtëm. Dhe jo për masivitet, por për super cilësi dhe origjinalitet.
Kështu që, siç tha Anila kredia është fantastike me 2%, kredi me 2% është vërtet fantastike me 70 % të garancisë mbi kolateralin, që është prapë diçka që juve ju bën shumë punë dhe këtë e kam si mesazh për të gjithë ata që kanë akoma dyshime. Ndërkohë që, kemi tanimë paketën e maleve në dispozicion, do t’i bëjmë një prezantim shterues dhe kemi kapërcyer me ligj, jo me fjalë të gjithë kalvarin e përpjekjes, sidomos të atyre që janë në emigracion për të investuar në mungesë të letrave të pronësisë si rezultat i faktit që në shumë zona dhe këtu kam parasysh veriun e Shqipërisë, po ka dhe zona të tjera në jug që nuk është pranuar 7501 dhe kanë qëndruar në tokat e të parëve. Ata nuk kanë konflikte me njëri-tjetrin përgjithësisht, po nga ana tjetër e kanë të pamundur që të marrin tokën me një ligj të vetin.
Kështu që, kemi bërë një ligj të posaçëm, që cilido që do të investojë në tokën e vet, mund ta bëjë thjeshtë me një dëshmi të konfirmuar nga këshilli bashkiak. Pra, Gëzimi dihet që ka këtë territor, nuk ka konflikte me fqinjët, por për shkak se hyn tek norma e 7501 dhe te norma 20/20 që ne kemi bërë, prapë na kanë shfaqur komplikacione sepse u bë 20/20 pikërisht për të tejkaluar 7501, atëherë këtu tashti ne i japim një krah, një korsi paralele që Gëzimi mund të vazhdojë investimin e vet, se ka një plan për të vazhduar investimin e vet, pa pasur nevojë për t’i pasur të gjitha dokumentet, që ndërkohë do t’i bëjë avash-avash me 20/20, por duke marrë me Këshillin Bashkiak konfirmimin që kjo është toka e Gëzimit. Dhe mbi atë bazë, vetëm me atë letër, pa asnjë letër më shumë, me projektin merr lejen direkt edhe fillon punën. Në ndërkohë edhe me linjën e re të financimit. Besoj që kjo do të na japë mundësinë që të shkojmë shumë më përpara me zhvillimin e agroturizmit. Me zhvillimin e agropërpunimit. Tani aty te agropërpunimi do të fokusohemi më shumë, se agropërpunimi është mënyra si të krijojmë vlerë të shtuar. Ne e kemi tejkaluar gjysëm miliardin e eksporteve që dukej e pamundur kur kemi marrë detyrën, por që të shkojmë në 1 miliard eksporte që është ambicia jonë duhet të risim vlerën. Dhe rritja në vlerë bëhet nëpërmjet agropërpunimit patjetër.
Kemi rezultate shumë të mira në përmbysjen e deficitit tregtar, sepse kur ne kemi marrë detyrën e kishim 1 me 7, 1 me 8. 1 me 8, pra për ushqimin, eksportimin 1 dhe importonim 8. Sot jemi në 1 me 3 dhe ambicia është të shkojmë 1 me 2 dhe mund të shkojmë 1 me 2 pa diskutim. 1 me 3 tregon që prodhohet shumë më tepër për tregun vendas. Pra, prodhohet më shumë për export, prodhohet më shumë për tregun vendas dhe një pjesë e mirë e atyre që deri dje merreshin nga tregu i huaj, i përballon tregu vendas. Por siç thotë Evin Demo: The sky is the limite, se ky e thotë anglisht, qielli është kufiri jonë dhe ne duhet të synojmë qiellin. Edhe këtu faktikisht me ju kjo ka gjetur mishërim, në gjithë çfarë ju keni bërë në atë shkallën e vogël në dukje, por në fakt shumë ambicioze që keni ngritur nga hiçi, duke dhënë shembuj fantastik. Vërtet fantastik dhe ne jemi në dispozicion.
Uroj dhe shpresoj për ta mbyllur që do të realizojmë objektivin historik të shqiptarëve për të mbyllur negociatat me Bashkimin Europian brenda 2027. Është shumë ambicioze, nuk ka bërë vaki ndonjëherë. Ka njerëz që thonë “po na lodhët me këtë se bëtë për 12 vjet, do e bëni për 4 vjet”. Dhe atyre iu them që Maqedonia e Veriut është bërë kandidate për në Bashkimin Europian në 2005, sot akoma nuk është në negociata. Serbia i ka filluar negociatat në 2014, sot është në pas nesh. Mali i Zi i ka filluar negociatat në 2012, sot është krah për krah me ne. Ne negociatat i kemi filluar vjet. Dhe arsyeja pse ne sot jemi në vijën ë parë bashkë me Malin e Zi është se kemi punuar për të qenë gati për këtë ditë. Nuk e di mbase ndonjëri e mban mend, mbase se mban mend s’ka rëndësi kur unë thosha: Nuk ka rëndësi që këta na thonë “jo, jo jo”. Për ne ka rëndësi që Komisioni Europian, qeveria e Bashkimit Europian që merret me faktet të thotë “po po po”. Sepse ditën kur ne do të hapim negociatat do kemi bërë shumë më tepër sesa vendet i hapën më parë dhe do të duhet të jemi më afër mbërritjes dhe ja ku jemi sot më afër mbërritjes. Por natyrisht 2027 nuk është merita jonë, thjeshtë kemi bërë shumë edhe në aspektin diplomatik gjëra që janë për libra nuk janë për tu treguar kur je akoma në detyrë dhe e kemi bërë Shqipërinë një shining star i thonë ata, Shqipërisë sot. Një yll që shkëlqen në këtë rrugë dhe 2027 na ka ardhur si fat, është momenti i përputhjes së yjeve, sepse janë përputhur rrethanat tona të brendshme, pra janë përputhur ambicia jonë, këmbëngulja jonë, puna jonë dhe dëshira jonë për të qenë brenda në Bashkimin Europian me dëshirën e tyre për ta mbyllur këtë proces me ne në 2027, jo thjeshtë për ne, por për veten e tyre, sepse duan të zgjerojnë Bashkimin Europian dhe për zgjeruar Bashkimin Europain diku, duhet të kapen me dikë dhe faktikisht ne jemi, ne gjendemi në momentin e duhur në vendin duhur.
Tani a jemi ne gjëja e duhur këtë duhet ta provojmë ne. Duhet ta provojmë vete ne, do ta provojmë vetë duke mos humbur asnjë minutë, duke mos humbur asnjë ditë. Janë 1000 veta pak a shumë që çdo ditë kur ne të tjetër dalim dhe shkojmë në punët tona, shkojnë në zyrë dhe punojnë për negociatat. Dje, si çdo të hënë dy ministret tona ishin në Bruksel dhe çdo të hënë shkojnë atje japim llogari jo ca ka bërë Shqipëria vitin e kaluar, po ca ka bërë Shqipëria javën e kaluar, këtu këtu. Janë 40 skuadra që merren me 40 drejtime të ndryshme sepse është gjithë pasqyra e shtetit dhe momenti i mbylljes së negociatave është kur ti mbyll një provim që ka të bëjë me shtetin. Ata nuk i mbyllin negociatat me një vend që ka probleme të shtet funksionimit në tërësi. Mund të ketë shumë probleme, po jo probleme të shtet-funksionimit dhe kjo do të thotë që atë shtetin që ne premtuam, që duam të bëjmë, dhe do bëjmë shtet, ne po e bëjmë dhe pastaj shumë e shumë gjëra do kërkojnë kohën e tyre, por ama një makineri funksionale shtetërore për të gjithë gjërat bazë që garantojnë funksionimin e institucioneve ne po e bëjmë. Pse e solla këtu këtë? Sepse ka aq shumë njerëz që dëgjojnë një fjalë këtu, një fjalë aty. Kapin një lajm këtu, një lajm aty, bëjnë një muhabet këtu e një muhabet aty dhe thonë “ç’na duhet ne Bashkimi Europian”.
Bashkimi Europian ne na duhet si kjo drita që ne shohim këtu, ne shqiptarëve, si kjo drita. Sepse vetëm duke hyrë në Bashkimi Europian ky popull do të shpëtojë njëherë e mirë nga persekutimi i historisë edhe nga hijet e së shkuarës edhe nga rreziku që kthehet gjithmonë mbrapa. Dhe vetëm duke hyrë në Bashkimi Europian çdo shqiptar do ta ketë të sigurte që liria e vet individuale nuk kërcënohet. Vetëm duke hyrë në BE barazia para ligjit nuk kërcënohet, por përkundrazi vetëm forcohet. Të gjitha këto, liria individuale, barazia para ligjit, standardet demokratike janë të kërcënueshme dhe janë të pakthyeshme nëse mbeten në dorë të kush qeveris këtu. Se vjen njëri thotë duhet të bëjmë reformën në drejtësi, tjetri thotë jo s’duhet bërë reforma në drejtësi. Njeri thotë duhet të mbështetur lufta kundër korrupsionit nëpërmjet institucioneve të reja të drejtësisë, tjetri thotë duhet shkrirë. Ndërkohë që, të gjithë këto lojëra kur je brenda BE nuk i bën dot më. Është dorëzimi i një pjesë të sovranitetit në një familje ku ka më të rritur, ka më te vegjël dhe të gjithë funksionojnë si një familje. Nuk mundet njëri të thotë “unë do kërcej sipër tavolinës” se s’të lejojnë. Dhe përfitimi pastaj financiar është i jashtëzakonshëm.
Ju jeni në këtë sektor, po ju them vetëm një shembull sepse kur hyn në BE, aty është një familje ku ka dy kategori. Janë më të rriturit dhe më të fuqishmit, janë më të vegjlit dhe më të dobëtit. Më të rritur dhe më të fuqishmit janë kategoria e kontribuuesit, ata kontribuojnë, pra Franca, Gjermania, Holanda etj. Japin në buxhetin e Europës, të BE më shumë seç marrin prej buxhetit të Europës, ama qëndrimi aty dhe mbajtja në kontroll e asaj familjeje ju intereson për shumë gjëra të tjera që janë përfitime të jashtëzakonshme, tregu i përbashkët etj. Ndërkohë që vende si Shqipëria në momentin kur hyjnë janë përfitues, marrin nga buxheti i përbashkët më tepër seç japin dhe tek bujqësia. Ne në të gjithë këto vite nga BE kemi marrë më pak se 200 milionë euro mbështetje. Madje mbështetje të thënë, ndërkohë ajo konkretja është dhe më pak. Disbursimet e bëra shkojnë pak më shumë se 100 milionë euro në total në të gjithë vitet. Me futjen atje është 300 milionë euro në vit. Kaq e thjeshtë është kjo. 300 milionë euro në vit vetëm për bujqësinë, për të gjithë ato komponentë, që ndërkohë i kemi mbështetur nëpërmjet AZHBR. Çfarë duhet më shumë për të kuptuar që ky është moment i jashtëzakonshëm historik. Dhe një gjë të fundit fare, treni i historisë ka ndaluar përpara nesh sepse janë përputhur. Treni i historisë nuk ndalon asnjëherë se ti do. Ti duhet të jesh gati kur ai vjen sepse rrethanat e përgjithshme e sjellin dhe e kanë sjellë. Ne nuk duhet ta humbim sepse ajo dritare që është hapur mund të mbyllet.
Sot ata duan me çdo kusht që të na fusin brenda ne dhe Malin e Zi, por nëse gjërat e përgjithshme ndryshojnë, nëse lufta mbaron, marrëdhëniet e të mëdhenjve se mëdhenjtë janë ata që e bëjnë muzikën, nuk e bëjmë ne. Ne vetëm kërcejmë sipas muzikës. Kurse muzikën, ritmin e përcaktojnë të mëdhenjtë. Dhe nëse muzika ndryshon mund të fillojë prapë historia nga e para. Se çohet një shtet dhe “duhet të bëni dhe këtë, jo po shiko se keni dhe atë tjetrën’, që janë të gjitha lojëra. Sot është momenti ku asnjeri nuk luan me ne, por thonë “jepi, jepi, jepi”. Ama po nuk i dhamë ne, nuk na marrin ata. Kjo është panorama e përgjithshme. Dhe siç thashë për bujqësinë, kini parasysh shifrën tjetër. Në 10 vjet BE na ka dhënë ne diçka më shumë se 1 miliardë. Me hyrjen në BE kemi 1 miliardë e pak çdo vit. Është eksponenciale! Ju falënderoj.
* * *
Më pas, sipërmarrësit pjesëmarrës në takim prezantuan punën në biznesin e tyre dhe bashkëbiseduan me Kryeministrin, lidhur me risi dhe masa të ndërmarra nga qeveria në funksion të zhvillimit rural të vendit.
Kështu, lidhur me Paketën e Maleve, kryeministri shpjegoi: Që të jemi të qartë, koncepti i paketës së maleve është disponimi i tokës. Ti duhet ta kesh tokën, se kur është tokë shtetërore është tjetër muhabet, por në rastin e maleve, problemi është që ajo që quhet shtetërore, ajo s’është shpesh herë shtetërore, por është një tokë që e ka dikush. Për shembull, toka e Gëzimit, në atë territor që ka Gëzimi, po ta shohësh në letra, është shtet. Mirëpo, s është shtet se është Gëzimi aty. Paketa e maleve bën këtë kapërcim. Ti ke tokën që nuk është e regjistruar si toka jote, ose shkon te dikush tjetër që ka tokën dhe i thua, ma jap tokën me një marrëveshje që unë ta punoj, dhe mjafton këshilli bashkiak të konfirmojë që kjo tokë është e personit në fjalë, dhe me atë ti merr menjëherë lejen e ndërtimit sipas projektit, kuptohet.
Në rastin kur ti ke një agroturizëm që e ke, dhe do t’i bashkëngjisësh një vreshtë, përsëri kjo shkon si funksion i pronës që ke. Jemi në të njëjtën gjë, por gjëja më e rëndësishme është që kjo kombinohet me linjën e re të financimit dhe një gjë tjetër, në këtë paketën e maleve ka një gjë që duhet ta keni parasysh. Janë 500 të parët që përfitojnë nga 10 vjet pa taksa. Vetëm një TVSH 6% edhe 10 vjet pa taksa, por duhet të jesh te 500 të parët. Kështu që, ata që na ndjekin dhe që janë duke u menduar, duhet të fillojnë të bëjnë aplikimet, se i 501 patjetër që do përfitojë nga paketa e maleve, por nuk do përfitojë nga 10 vjetëshi pa taksa.
Sipërmarrës i Chesnut Hill: Në lidhjet me gështenjat e Tropojës. Këto mund të përfitohen nëpërmjet paketës së maleve?
Kryeministri Edi Rama: Përkundër investimit, jo thjesht hajde se po marrim gështenjat. Në qoftë se të jep këshilli bashkiak dëshminë, ky është ai që e gëzon, e ka të stërgjyshit, me atë ti bën projektin e linjës së përpunimit, merr mbështetjen dhe faktikisht, ty dhe bankat të mbështesin se është njësoj sikur të jetë prona jote. Transaksioni bëhet me 1 euro, pra ti thjesht paguan 1 euro simbolike për ta marrë, dhe ndërkohë ti vazhdon procesin me 20-20-tën deri kur ta bësh komplet tënden, por faktikisht ajo është e jotja dhe të jep mundësi të kesh akses te banka se e garanton shteti.
Sipërmarrës Chesnut Hill: Tropoja s’paska çfarë pret më!
Kryeministri Edi Rama: Tropoja priti shumë gjatë derisa e kuptoi mo burrë! Tani që e ka kuptuar Tropoja, ka mbaruar ajo punë. Tani Tropoja vetëm përpara, nuk diskutohet ai muhabet.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Unë dua të përsëris diçka se kur e thosha dikur, thoshin ky po tallet. Nuk ka asnjë vend në Shqipëri, asnjë. Në 28 mijë kilometra katrorë nuk ka asnjë vend që të mos jetë i mundshëm për të bërë, ekzakt këtë që keni bërë ju, sepse Shqipëria tani e ka kapërcyer atë, ka dalë nga errësira dhe Shqipëria tani thith. Tani, ata që vijnë, një pjesë e madhe vijnë për detin, një pjesë tjetër vijnë për malet dhe nuk ka ardhur akoma koha por do vijë dhe koha, e kam përsëritur shumë dhe ketë më parë, kur të zbulohen malet e Shqipërisë, miniera e industrisë tonë të turizmit do jenë malet, miniera e të ardhurave do jenë malet. Kur të fillojë në male të rritet cilësia e shërbimit, pra që të mos jetë thjesht për ata që janë, kanë qejf të bëjnë alpinizma etj, etj por të jetë dhe për ata vijën atje tek vrima e miut në mal, që të kenë një shërbim me 5 yje, atëherë këtu do bëhet nami, nami. Dhe tjetra, është fiks kjo, një njeri në atë zonë ku jeni ju, çfarë mund të bëjë, një familje çfarë mund të bëjë. Kthen kokën rreth e rrotull s’ka ku shkon. Do të punojë, ku të punojë? Do shkojë të kërkojë punë në shtet atje, jo hyri jo s’hyri. Të punojë tokën për të prodhuar çfarë, për t’i çuar ku? Pra çdo tentativë për të prodhuar diçka aty dhe për ta nxjerrë diku tjetër, është komplet dekurajuese dhe ai thotë ‘’po iki fare’’. Ndërkohë që miniera e të ardhurave është aty. Të rrish aty dhe t’i sjellës njerëzit aty. Dhe unë po ju them që ju në 1 vit e gjysmë e marr me mend ça keni kaluar ose përpiqem ta marr me mend se sa vështirësi keni pasur, por po ju them që pas 5 vjetësh kjo e sotmja do të jetë siç është sot ajo e 1 dhome ditën e parë dhe për këtë arsye ne e kemi parë, e kemi punuar shumë me thënë të drejtën. Dua ta falënderoj publikisht edhe guvernatorin sepse është një instrument i ri dhe i papërdorur ndonjëherë nga Banka e Shqipërisë, është një shembull që e kemi marrë nga 2-3 vende të tjera. Nuk është instrument tipik me thënë të drejtën, është instrument zhvillimi dhe e kemi bërë në radhë të parë për njerëzit si ju, pra se nuk mundet dot tani pavarësisht vullnetit, ju nuk mund të merrni dot kredi siç e the, si me qenë duke ndërtuar në Neë York, është e fortë fare. Ose siç tha Gëzimi 8%. 8% është ça të them, me shit apartamentin në Tiranë dhe prapë është e fortë dhe për ketë arsye kemi ndërtuar këtë instrument me 2% dhe me 70% të kolateralit të garantuar kështu që besoj që kjo do t’ju çlirojë shumë.
Edhe një gjë tjetër, se më vjen mirë që tha zonja për pjesën, gjithmonë ta harroj emrin, nuk e di pse, që tha Joana për pjesën e bankave, më vjen mirë po akoma bankat janë skeptike se i duan gjërat më të thjeshta dhe ne kemi bërë një marrëveshje me ta dhe çdokujt që do të vijë për të kërkuar lejen, që tek leja para se të shkojmë tek kredia, do vijë për të kërkuar leje për të ndërtuar agroturizmin, çdokujt do t’i vëmë prapa AZHBR-në dhe AZHBR do ta ndihmojë për bankën , pra pavarësisht se AZHBR vetë mund të mos jetë financuesit direkt po AZHBR do t’i rrijë mbrapa tek banka. Dhe tjetra, po kjo është diçka që është në proces, ne e kaluam ligjin, kaloi ligji i Bankës së Zhvillimit, tani do kemi dhe bankën tonë të zhvillimit. Kjo është linja e Bankës së Shqipërisë po do kemi dhe bankën tonë të zhvillimit, kemi punuar dy vjet për bankën e zhvillimit me “Cassa Depositi e Prestiti” në Itali, kemi bërë komplet të njëjtën skemë, do të jetë një bankë e menaxhuar bashkërisht me italianët, pra me nivelin më të lartë të standardit të menaxhimit dhe ajo do të jetë prapë një bankë që ekzaktësisht do të shërbejë për të mbështetur zhvillimin dhe zhvillimin përmes projekteve të sipërmarrjes të cilat janë jo lehtësisht të financueshme nga bankat komerciale, pra zhvillim mund të jetë edhe të ndërtosh një kullë po nuk ka lidhje me bankën e zhvillimit ndërkohe që çfarë bëhet në drejtime t tjera që janë drejtime zhvillimore jo lehtësisht të financueshme nga bankat komerciale, Banka e Zhvillimit do t’i mbështesë.
Unë them që vërtetë pa diskutim, e tha Gëzimi për shembull, se takova atë çobanin në Greqi, tani çoban në Greqi me 800 euro apo çoban në Malësi me 1000 euro është diferencë shume e qartë. Dhe në Greqi me 800 euro nuk e di a i paguanin dhe të gjitha shpenzimet e tjera kurse këtu me gjithë shpenzimet e tjera. Ndërkohë që agroturizmi është formulë fituese, as nuk diskutohet. Ju jeni dëshmia që llogaria në fund të muajit del më mirë të kesh agroturizmin tënd se të punosh atje për dikë tjetër. Për më tepër që koha e sotme e vendeve më të zhvilluara është një kohë problematike dhe nuk është më koha e Gjermanisë së para 10-15 viteve, kështu që, se mund ta pijë njeriu dhe atë kafen e shëmtuar, hajde se me peliçe dhe rri dhe pa diell po mos të të mbetet asnjë kokërr leku në fund të muajit, edhe të marrësh babën në telefon e t’i thuash ‘’babë, më ço ndonjë lekë se këtu s’po luan leku shumë’’, kjo sikur s’ka kuptim. Më mirë këtu se këtu shiko si je. Atje s’bie as në sy, këtu dukesh yll.