Nisi sot puna në terren për realizimin e projektit për modernizimin e bazës ajrore në Kuçovë, për ta shndërruar atë në një bazë të dislokueshme, taktike të NATOS. Projekti është sa ambicioz, aq edhe i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por mbi të gjitha për sigurinë rajonale. Puna e nisur sot do të përmirësojë pistën, infrastrukturën për kontrollin dhe sigurinë e fluturimeve, rrugët lidhëse dhe mjetet e tjera ndihmuese.
Shndërrimi i bazës ajrore të Kuçovës në bazë ajrore të NATO-s është një mundësi për forcat tona të armatosura në ngritjen e kapaciteteve kombëtare dhe modernizimin e forcave ajrore.
Kryeministri Edi Rama, i cili ishte sot i pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast theksoi se “Vendimi që NATO mori për ta përzgjedhur këtë hapësire si një mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë, duke e transformuar në një bazë ajrore taktike të Aleancës në rajon konfirmon faktin se Shqipëria e vogël është sidoqoftë një vlerë e shtuar në këtë Aleancë, e cila bashkon së bashku shtete që besojnë në disa vlera dhe parime për të cilat ja vlen të luftohet.”
* * *
“Kur i hedh një sy rajonit të Adriatikut dhe shikon krahun jugor të kontinentit europian, është shumë e rëndësishme të ruhet paqja dhe prosperiteti. Për këtë arsye, Shqipëria në Ballkan, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, bëhet një vend me rëndësi kritike”. Këto janë fjalë të Gjeneralit të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Todd Ëalters, në një vlerësim të bërë prej tij mbi rëndësinë e pozicionit strategjik të vendit tonë, si pikë ndikuese në Ballkanin Perëndimor dhe Europë gjatë një dokumentari të NATO-s për bazën e Kuçovës.
Vendimi që NATO mori për ta përzgjedhur këtë hapësirë si një mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë, duke e transformuar në një bazë ajrore taktike të aleancës në rajon, konfirmon faktin se Shqipëria e vogël, është sidoqoftë një vlerë e shtuar në këtë Aleancë, e cila bashkon së bashku, shtete, që besojnë në disa vlera dhe parime për të cilat ia vlen të luftohet.
Natyrisht që për ne lajmi i kësaj vendimmarrje të NATO-s ishte një lajm shumë i mirëseardhur sepse, jo vetëm krijonte një vlerë të re në gjithë infrastrukturën tonë të mbrojtjes, por në të njëjtën kohë përçonte edhe një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar me sa më shumë inteligjencë dhe pragmatizëm pozicionin tonë strategjik, në aspektin gjeografik dhe pozitën tonë në NATO në aspektin politik, por edhe ushtarak.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm për përmasën e vendit tonë dhe volumin e kontributit tonë në raport me vendet e tjera, por falë edhe punës së përbashkët, e cila është një punë e cila e ka çuar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në një nivel tjetër. Falë mbështetjes që po gjejmë vijimësisht nga Shtetet e Bashkuara dhe nga strukturat e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, ne po vetëdijësohemi çdo ditë e më shumë se nëse investojmë në mënyrë inteligjente dhe nëse adresojmë në rrugën tonë të forcimit dhe njëkohësisht, të rritjes së cilësisë së forcave tona ushtarake ashtu siç duhet, ne mund të jemi vlerë e shtuar për NATO-n dhe për projekte të tjera.
Sot ne po shohim të realizuar një projekt, i cili, kur erdhi si lajm, ishte i pabesueshëm për shumëkënd. Më kujtohet fare mirë se sa shumë është përqeshur ai lajm dhe sa shumë komente mosbesuese janë bërë atëherë kur 3 vjet më parë, lajmi u bë publik dhe sa shumë është ndjekur në vijimësi ky proces nga komente dhe opinione, sipas të cilave, ky moment nuk do vinte kurrë dhe asnjëherë nuk do ndodhte që Kuçova të kthehej në një bazë ajrore ku do zbatohen 5 projekte të ndara në 3 paketa të rëndësishme dhe përveç përfitimeve në aspektin strategjik dhe ushtarak, do të impaktohet në mënyrë afatgjatë edhe ekonomia. Në aspektin social, po ashtu, zona e Kuçovës do ketë një përfitimin, si të ardhur nga qielli, në këtë çast.
Në ndërkohë, ne sot, së bashku me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, përmes angazhimit, – dhe këtë unë e them sepse është e vërtetë, pavarësisht se asnjëherë nuk jam i lumtur kur më duhet të përmend ambasadoren e Shteteve të Bashkuara sepse është bërë një lloj zakoni në këtë vend që përmendet ambasadorja e Shteteve të Bashkuara vend e pa vend, por kjo është e vërteta, – falë angazhimit të drejtpërdrejtë të saj, në një ndërmjetësim të vazhdueshëm të qeverisë sonë, ministrisë sonë të Mbrojtjes dhe strukturave përkatëse në anën tjetër të oqeanit, jemi duke folur për një projekt që ka të bëjë me krijimin e një qendre ekselence të mbrojtjes kibernetike, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe si një vlerë e shtuar për gjithë NATO-n.
Gjëra që mund të duken komplet të pabesueshme, siç dukej e pabesueshme fakti që ne do kishim këtu një bazë taktike të NATO-s, por që falë miqësive të duhura, partneriteteve të duhura, të ndodhurit në vendin e duhur, si anëtarë të NATO-s, falë pozicionit tonë strategjik dhe falë vullnetit dhe pasionit për t’i dhënë një përmasë tjetër Shqipërisë, duke shfrytëzuar, jo vetëm pozicionin gjeografik, si rasti konkret, dhe as pozitën tonë shumë të mirë në NATO, por edhe teknologjinë dhe inovacionin, ne mund ta bëjmë realitet edhe këtë që sapo thashë.
Nuk dua të zgjatem më tutje. Dua ta mbyll aty ku Shefi i Shtabit nënvijëzoi një element që, në këndvështrimin, është fillesa e një filli që i lidh të gjithë këto bashkë, stërvitjen ushtarake të NATO-s në të gjithë këtë pjesë të botës, Defender Europe 2021, për të cilën kemi marrë vlerësime të rëndësishme, por edhe nga e cila ne kemi mësuar gjëra të rëndësishme për t’u përmirësuar më tutje.
Jemi në një pozicion të favorshëm për ta rikthyer këtu këtë stërvitje edhe në 2023 dhe ambicia jonë është që kjo stërvitje të jetë një fill që lidh çdo dy vjet veprimtarinë e përgjithshme të forcave tona të armatosura, në kuadrin e NATO-s.
Besoj që ky element flet shumë, por për ne është shumë i rëndësishëm në të dyja anët, sepse kemi shumë për të marrë akoma nga e ardhmja, në kuptimin e zhvillimit, në kuptimin e forcimit të pozicionit tonë, në kuptimin e pasjes së një peshe dhe të një rëndësie specifike në kuadrin e NATO-s, por nga ana tjetër, është tejet e rëndësishme sepse na jep mundësinë të mësojmë nga më të mirët, të vetëdijshëm që nuk do t’i arrijmë kurrë sepse asnjëherë nuk do bëhemi dot aq të zhvilluar dhe aq cilësisht të padiskutueshëm se sa për shembull Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, se nuk ka se si të ndodhë, por ama duke qenë në një shoqëri kaq të mirë në këtë drejtim, do mund të përmirësohemi e të përmirësohemi, e të kemi një Forcë të Armatosur, e cila për nga pesha e numrave do të mbetet gjithmonë shumë modeste në kontekstin e përgjithshëm të NATO-s, por për nga cilësia, jam i bindur, mund të bëhet një model i shkëlqyer dhe një shembull kuptimplotë edhe për të tjera vende të vogla ose pak më të mëdha se sa vendi ynë dhe mund të luajë rolin e vetë, duke, siç e thashë, shfrytëzuar teknologjinë, duke shfrytëzuar inovacionin e duke rritur kapacitetet e veta njerëzore.
Fatmirësisht, ne jemi në kushtet kur në kontekstin e përgjithshëm të NATO-s kemi pranuar një detyrim të përbashkët për rritjen konstante të buxhetit të mbrojtjes. Kjo për ne do të thotë një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur cilësisht burimet tona njerëzore, duke rritur vijimësisht vit pas viti stimulin financiar të tyre. Këtë vit, ne kemi bërë rritjen më të lartë ndonjëherë të pagave për Forcat tona të Armatosura, por ambicia është që t’i rrisim ato çdo vit e që të arrijmë në një moment të caktuar që në nivelin e pagave, forcat tonë të Armatosura të jenë në mesataren e vendeve të NATO-s dhe kjo është plotësisht e mundur.
Nga ana tjetër, me financimet në rrije kemi mundësi të rrisim cilësisht logjistikën dhe të rrisim cilësisht kapacitetet teknologjike të Forcave tona të Armatosura, jo vetëm në funksion të Forcave tona të Armatosura por dhe në funksion të shoqërisë.
Për të gjitha këto arsye, sot është një ditë e bukur, është një moment shumë pozitiv që jam i bindur, përçon një energji të jashtëzakonshme pozitive, jo vetëm tek Forcat tona të Armatosura, jo vetëm në kolektivin e vendeve të NATO-s dhe dua t’i falenderoj me gjithë zemër të gjithë përfaqësuesit e vendeve të NATO-s që janë këtu të pranishëm, ambasadorë dhe ambasadore nga të tjera vende anëtare, ashtu sikundër besoj që meritojnë një falënderim të veçantë edhe deputetët këtu të pranishëm duke filluar nga nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, nga kryetari i Komisionit të Sigurisë që është edhe deputet i zonës, ndërkohë që nënkryetarja ka qenë prej vitesh deputete e zonës dhe ka mbuluar nga afër pikërisht zonën e Kuçovës, edhe pse së fundmi është transferuar në këtë aspekt në Tiranë, besoj që është njeriu më i lumtur këtu sot edhe për shkak se ishte dhe njeriu më mosbesues kur doli lajmi që do bëhej kjo bazë e re. Mosbesuese nga dëshira, kuptohet.
Shumë faleminderit të gjithëve, shumë respekt për të gjithë ata që na e mundësuan këtë vlerësim të madh, që na ndihmuan për këtë investim kaq të rëndësishëm dhe që po ashtu e mundësojnë të gjithë këtë proces, i cili është i tëri nga A-ja tek Zh-ja një proces që kalon përmes standardeve dhe praktikës më të mirë të NATO-s.
Shumë faleminderit!