Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

250 mjekë dhe infermierë nga Kosova kanë nisur të vaksinohen sot në Kukës, si pjesë e planit kombëtar të vaksinimit. Në total do të jenë 500 mjekë dhe infermierë  që kontribuojnë në sistemin shëndetësor të Kosovës që do të vaksinohen.

Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ishin në Kukës, për të ndjekur procesin e vaksinimit dhe njëkohësisht për t’u uruar mirëseardhjen mjekëve dhe infermierëve të Kosovës. “Janë mjekë dhe infermierë të gjithë sistemit shëndetësor të vijës së parë, por dhe të spitaleve të tjera, jo vetëm të Prishtinës. Janë organizuar sipas një filtri, pra, mjekët që janë në ballë të jenë të parët që vaksinohen. Besoj me 500 mjekë dhe infermierë do kemi siguruar dhe një mbrojtje më të mirë të atyre që u shërbejnë pacientëve”, – u shpreh ministrja Manstirliu.

Kryeministri Rama, teksa i vlerësoi bluzat e bardha për punën e bërë deri më tani dhe u uroi mirëseardhjen në Shqipëri, siguroi se “jemi gati të bëjmë dhe më shumë por për momentin është e rëndësishme që të fillojë me bluzat e bardha atje, sepse aty është dhe rreziku më i madh. Dhe nuk ka kuptim që ne të mbaronim tonat dhe ju mos kishit filluar akoma, megjithëse, ne qëkur e filluam në momentin e park, kemi kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë në Prishtinë, kemi thënë që jemi gati, por problemi është që kompanitë nuk lejojnë rieksportim. Nëse ne do t’i nxirrnim nga territori, atëherë do të kishim problem të madh pasi nuk lejohet, është në kontratë që nuk mund ta nxjerrësh diku tjetër. Megjithatë, kjo është njësoj si të jesh në Kosovë, jemi këtu më afër, në Kukës e kështu që vazhdojmë. Ne jemi një dhe kaq e thjeshtë është. Nuk kemi pse e vëmë në diskutim këtë punë, e ardhmja dihet se cila është, por dhe në të sotmen, ne jemi një jemi bashkë dhe mirë se keni ardhur. Ne do bëjmë gjithçka deri në fund, nuk do ta lëmë me kaq”.

“Nuk do t’ju lëmë në asnjë mënyrë vetëm”, – vijoi Kryeministri, – “sepse në fund të fundit, ne jemi një dhe fakti që bëhet në Kukës lidhet me atë që kompanitë nuk lejojnë nxjerrjen e dozave jashtë. Atëherë, ne nuk kemi pse i nxjerrim jashtë, ne i bëjmë këtu. Kukësi është edhe i Shqipërisë, edhe i Kosovës. Ai shoku në Beograd le të publikojë harta e le të luajë me Facebook, ne jemi një dhe do vazhdojmë e një do jemi deri në fund”.

***

Komunikim me mediat i Kryeministri Edi Rama pas vizitës në qendrën e vaksinimit në Kukës:

Ne kemi prej disa kohësh që i kemi bërë me dije Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës që jemi të gatshëm të kontribuojmë. Duhet ta dini që kontrata me kompanitë e vaksinave janë shumë strikte dhe nuk e lejojnë rieksportimin. Pra, një kontratë, e cila nënkupton marrjen e një sasie të caktuar nga një vend, nuk mund të përdoret për të nxjerrë pjesë të kësaj sasie në një vend tjetër. Kjo është dhe arsyeja pse, kur ne morëm sasinë e parë në fillim nga një shtet mik, nuk e nxorëm asnjëherë emrin, për të mos futur në sherr miqtë me kompaninë. Ndërkohë që në këtë rast do të ishte evident, sekret nuk mund të bëhej dhe do të kishim penalitete të forta, por unë i kam thënë që në fillim, hajdeni në Kukës, në fund të fundit është një vend i përbashkët, sepse përtej faktit që jemi dy shtete dhe kemi një kufi, është krejt e thjeshtë dhe krejt e natyrshme që Kukësi të funksionojë si një bazë e përbashkët. U vonua pak pala tjetër, por më mirë kështu, që kjo ndodhi pas asaj hartës së leshit që nxori dje ai shoku në Beograd, duke luajtur me kukulla në Facebook. Ne jemi një, e ardhmja dihet se cila është, për atë ëndërrojmë e punojmë të gjithë. Sigurisht kemi qasje, ndoshta nganjëherë të ndryshme, për se si shkohet tek e ardhmja, por ndërkohë në të tashmen, ne jemi absolutisht një dhe jam shumë i lumtur që e kemi çarë atë bllokadën e tmerrshme të pamundësisë për t’u vaksinuar të Kosovës. U kam thënë Blerimit që ne jemi gati të vazhdojmë. Presim një sasi të konsiderueshme së shpejti dhe menjëherë do të shkojmë më tutje e mjekët, infermierët, punonjësit shëndetësorë të Kosovës nuk do t’i lëmë vetëm. Me shpresë që inshallah do të shkojnë dhe në Kosovë së shpejti vaksinat, por në ndërkohë jam informuar dhe për numrin. Janë 11 mijë punonjës esencialë, të 11 mijë do t’i bëjmë, në rast se nuk do të jetë e mundur të bëhen me vaksinat që do të marrë vetë Kosova.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.