Kukës, takimi i ciklit kombëtar Bashkia që Duam

Kryeministri Edi Rama në takimin me qytetarë të Kukësit, në vijim të ciklit kombëtar Bashkia që Duam:

Shumë faleminderit!

Më vjen shumë mirë që na u dha mundësia që sot, në kuadër të ciklit tonë kombëtar Bashkia që Duam, ne të mblidhemi këtu ku po sot nisin punimet për aeroportin e dytë ndërkombëtar të Shqipërisë. Së shpejti besoj se do të kemi nisjen e punimeve edhe të të tretit në radhë, që është Vlora. Jam i bindur tani, ndërkohë që flas, te Facebook-u kanë filluar vlonjatët të acarohen, se kur shkoj në Vlorë, acarohen kuksianët, kur vij këtu, acarohen vlonjatët, por e rëndësishme është që ne do t’i bëjmë të dyja, edhe aeroportin ndërkombëtar të Kukësit, edhe aeroportin ndërkombëtar të Vlorës.

Aeroporti i Kukësit ka një potencial të madh dhe disa karakteristika shumë të veçanta. Së pari, do të jetë një aeroport për fluturimet low cost, apo për fluturimet me çmime të ulëta.

Së dyti është një aeroport në një pozicion shumë strategjik, sepse përmbledh një pellg goxha të gjerë shqiptarësh këtej dhe andej kufirit, që lëvizin shumë. Sigurisht do t’iu japë mundësi të gjithë çunave të Kukësit nga Londra që të vijnë me shumë pak pound. Shumica do vijnë për punë e për festa. Janë edhe disa që do vijnë për protesta, por nuk ka rëndësi. S’kemi çfarë bëjmë.

E rëndësishme është që sot, këtë punë e nisim për të përfunduar punimet civile brenda një viti dhe pastaj për të bërë sa më shpejt të gjitha certifikimet e nevojshme ndërkombëtare, në mënyrë që të fillojmë fluturimet.

Parashikohet një fluks prej rreth 300 mijë pasagjerësh në vitin e parë, për të shkuar pastaj, vit pas viti, deri në një numër maksimum prej 1 milionë pasagjerësh në vit. Është plotësisht rentabël dhe një projekt që na jep garancinë se do të jetë edhe një gjenerator i madh vendesh pune, si rezultat i zhvillimit të biznesit dhe të ekonomisë.

Është e njohur që çdo dollar në aviacion përkthehet në 4 dollarë në përfitim. Por ajo që është e padiskutueshme, është se ky aeroport do të sjellë një erë të re zhvillimi për të gjithë zonën, sepse vetiu do të krijojë mundësi të reja, pasi do të ketë shumë nevoja për shërbime. E gjithë infrastruktura e shërbimeve do të prodhojë vende pune, që parashikohen në harkun e disa viteve deri në 12 mijë.

Ne jemi duke përfunduar edhe projektin e stadiumit, sepse besojmë që Kukësi e meriton një stadium të ri. Edhe këtu, tani është ditë e keqe për miqtë e mi në Vlorë, se edhe ata duan stadium. Doni të njëjtat gjëra, bashkë me ata. Investimi edhe aty do të kryhet, siç jemi zotuar. Ne e kemi vendosur fondin në dispozicion, do të vendosë edhe FSHF fondin në dispozicion dhe së shpejti do të jemi përsëri këtu, për të filluar punën për ndërtimin e stadiumit të ri. Stadiumi do të jetë i standardeve ndërkombëtare dhe kur të dilni nëpër kupat e Europës, nuk do keni nevojë më të emigroni nëpër stadiumet e tjera, por do t’i prisni këtu miqtë që do vijnë. Edhe stadiumi i ri do të ndihmojë ekonominë, do të ndihmojë biznesin. Siç ka ndikuar ndjeshëm edhe në Elbasan, edhe në Shkodër, edhe këtu do të sjellë ndikimin e vet.

Së treti dhe jo më pak e rëndësishme është që, besoj unë, ka ardhur koha që bashkinë të na e jepni neve. Të na e jepni ne, si detyrë për të bërë për Kukësin shumë gjëra që duhet të ishin bërë me kohë dhe që nuk janë bërë. Për të dalë nga një situatë sa sëkëlldisëse, aq edhe qesharake, që duhen 4 muaj për të marrë lejen e ndërtimit në Bashkinë e Kukësit për spitalin, d.m.th., qeveria vendos fondin për spitalin, që nuk është akoma plotësisht ashtu siç e doni, siç e duam dhe siç duhet, por ka një transformim të madh. Kemi vendosur një fond tani, për të ndërtuar një pjesë të domosdoshme që të kompletohet si infrastrukturë, sepse është një spital që i shërben një rajoni të tërë dhe 4 muaj për të marrë lejen e ndërtimit! Nuk e kam kuptuar akoma arsyen, pse duheshin 4 muaj për të marrë leje ndërtimi për spitalin, por faktikisht kemi humbur 4 muaj.

Ndërkohë që në spital, sot ka shumë shërbime që deri përpara pak vitesh as që nuk mund të imagjinoheshin këtu në Kukës. Edhe për të bërë një eko, nënat e reja shtatzënë duhet të shkonin në Prizren apo në Tiranë, ndërkohë që eko bëhet sot këtu, si dhe shërbime të tjera.

Më në fund kemi dalë nga gropa ku e gjetëm veten për shkak se u mbyllën specializimet për mjekët 4 vjet dhe kështu që na u deshën 4 vjet që të dalin specializantët e rinj. 10 mjekë specialistë janë caktuar dhe do të atashohen në spitalin e Kukësit me orë të plota. Por ka qenë dhe programi i Patronazhit të Spitaleve, që ka sjellë vazhdimisht mjekë specialistë nga Tirana për të shërbyer në Kukës. E gjitha kjo sjell jo vetëm një shërbim afër, por edhe kursime të të gjitha atyre shpenzimeve që janë dashur të bëhen për të shkuar deri në Tiranë, për të marrë një shërbim çfarëdo në spital.

Ne kemi parë që shifrat e turizmit malor në të gjithë Qarkun e Kukësit janë rritur rreth 17% vitin e kaluar, në krahasim me një vit më parë. Jemi të bindur që investimet në turizmin malor dhe në agroturizëm në të gjithë këtë zonë janë rruga e duhur për të mbështetur shumë njerëz që jetojnë në zonën jashtë qytetit dhe që nuk do të munden kurrë, për arsye objektive, që të dalin nga varfëria, apo të fitojnë në mënyrë normale, duke punuar në bujqësi e në blegtori për prodhim dhe për shitje. Por ama mund të dalin nga varfëria dhe të fitojnë më shumë, seç fitojnë atje në emigracion, në rast se investojnë për transformimin e shtëpive të tyre në bujtina, në agroturizëm dhe për vënien në shfrytëzim të tokës përreth, të gjësë së gjallë, të mikpritjes, sepse traditën e mikpritjes e keni shumë të fortë, – megjithëse disa e thyejnë që shkojnë dalin atje te rruga tani, por çdo pyll ka derrat e vet – dhe nga ana tjetër për të krijuar një mundësi që kursimet e emigrantëve të investohen këtu, në shtëpitë e tyre.

Ne kemi një program që i mbështesim me para jo borxh, jo kredi, por para të dhëna drejtpërdrejtë nga fondi i qeverisë, apo fondi që qeveria ka marrë nga Komisioni Europian, bujtinat dhe agroturizmet. Kanë filluar disa projekte, ka disa iniciativa, por duhet të ketë shumë më tepër, sepse bujtina dhe agroturizmi e sjell konsumatorin tek ti në shtëpi. Ndërkohë që, nëse je në kushte pamundësie për të dalë në treg, atëherë detyrohesh, mbush një çantë me patate, një çantë me qepë dhe do dalësh te rruga që ta gjesh blerësin në anë të rrugës. Kjo nuk mund të krijojë dot ekonomi të qëndrueshme familjare, por vetëm mbijetesë.

Ne kemi bërë uljen më të rëndësishme të taksave për biznesin e vogël. Sot, biznesi i vogël me xhiro deri në 15 milionë kanë zero taksë. Ata me xhiro deri në 140 milionë kanë vetëm 5% taksë. Edhe kjo ka lehtësuar deri diku biznesin e vogël dhe ka krijuar më shumë mundësi. Por ky aeroport këtu është mekanizimi që do të bëjë një kapërcim të madh, sepse do të rrisë në mënyrë të jashtëzakonshme numrin e konsumatorëve të shërbimeve rreth e rrotull. Do të ketë shumë më tepër njerëz që do të kalojnë këtu, që do të qëndrojnë këtu, do shkojnë në qytet, do të konsumojnë e do blejnë, kështu kjo do gjenerojë shumë më tepër.

Jemi në një moment ndryshimi të madh për Kukësin, ashtu sikundër jemi në një moment kur ky ndryshim duhet të shoqërohet me këtë ndryshim në bashki. Për fat të mirë janë përputhur të gjitha gjërat për mirë dhe është vetëm paksa vëmendje nga ana e të gjithë kuksianëve që shohin me sytë e tyre dhe që për fat të mirë janë shumica, sepse kandidatin për kryetarin e bashkisë nuk e sollëm ne, por e gjetëm midis jush. E gjetëm midis jush dhe e gjetëm kampion, ose pretendent për kampion, se këtë vit më duket se …. por, të paktën, po s’fituat kampionatin, fitoni bashkinë. Pasi të fitoni bashkinë, e fitoni dhe kampionatin.

Më vjen shumë keq që jemi në kushtet kur nuk i kemi në formë fare kundërshtarët. I kemi jashtë forme. Sado skuadër e mirë të jesh, kur duhet të luash me një skuadër që është jashtë forme, është e vështirë të luash në mënyrë të shkëlqyer, se kundërshtari të motivon. Kur ke një kundërshtar copë-copë, edhe ti vetë fillon shpërqendrohesh.

Unë dua të kujtoj këtu një moment kritik që ne patëm me Kukësin, kur u vendos tarifa e rrugës. Faktikisht, ne ishim gabim dhe ju kishit të drejtë. Ajo që ka rëndësi ama, është që deri dje Kukësi dhe e gjithë Shqipëria kishin një qeveri e cila gabonte shumë, mendonte pak dhe nuk reflektonte kurrë. Ndërkohë që, sot, ne jemi qeveria që gabon herë pas here, mendon shumë dhe reflekton kur gabon. Ne nuk jemi të rënë nga qielli. Ne nuk jemi të pagabueshëm dhe duke u përpjekur të bëjmë sa më shumë punë për sa më shumë gjëra, patjetër që e kemi të pamundur të shmangim gabimet, edhe si ai, që nuk ishte gabim i vogël, sepse shqetësoi dhe futi në siklet një komunitet të tërë. Ama, ajo që është e rëndësishme, është se ne jemi të vetëdijshëm për faktin që ne gabojmë dhe jemi vazhdimisht këmbëngulës për të bërë më të mirën, duke iu dhënë të drejtë njerëzve, kur njerëzit kanë të drejtë.

Jo gjithmonë ata që protestojnë kanë të drejtë. Jo gjithmonë ata që reagojnë kanë të drejtë. Por, kur kanë të drejtë, kanë të drejtë. Në këtë rast, ju kishit të drejtë dhe më vjen shumë mirë që sot, unë mund ta kujtoj faktin se ne reaguam ashtu siç duhet. Sot kemi gjetur një rrugë të arsyeshme që po sjell edhe investime dhe po bën që në rrugën kombëtare, së pari, të jemi duke adresuar rreziqet, së dyti, të vazhdojmë të investojmë. Ju e keni parë të gjithë atë investim që po bëhet për të plotësuar njërën anë të rrugës, që ishte e paplotësuar. Se këta e thonë kollaj, “bëmë rrugë”, por, në fakt, të gjitha rrugët i lanë rrugëve. Edhe këtë rrugë, që është vepra më e mirë që kanë bërë nga pikëpamja e krahasimit me të tjerat, e lanë rrugëve. Ju shkoni ë Kosovë dhe sa kalon, e kuptoni menjëherë ndryshimin. Se kjo u la rrugëve, ndërsa në anën tjetër rruga mbaroi.

Këta, siç lanë rrugët rrugëve, kanë lënë dhe veten rrugëve. Mirëpo, rrugët ne kemi detyrë t’i mbarojmë, por s’kemi detyrë t’i nxjerrim këta nga halli që kanë, se këta hallin e zgjodhën vetë. Kush iu tha të ikin nga Parlamenti?

Mirë që ikën, po pse duan të hyjnë me zor çdo të enjte? Në qoftë se ikën, ikën. Ik, pra! Jo, atje tani dhe me zor.

Brenda ishit, kush ju nxori?! Derën, ata ia mbyllën vetë vetes. Ata thonë ne i mbyllim vetë derën vetes, tani hape derën për ne. Nuk e bëjmë dot. E provuam dhe e bëmë me shumë ndjenjë përgjegjësie para dy vitesh, se fare mirë, para dy vitesh mund t’i kishim thënë, vazhdoni.

Të gjithë e kuptuan që ata nuk fitonin dot. Të gjithë e kuptuan që ata thjesht kërkonin një arsye për të justifikuar humbjen.

Edhe partnerët ndërkombëtarë i bënë të gjithë përpjekjet dhe thanë, tani me keqardhje le t’i bëni zgjedhjet pa ata. Mirëpo ne menduam që sidoqoftë nuk ishte normale dhe nuk ishte më e mira për Shqipërinë. Pas aq shumë lutjeve të Lulit, u ulëm dhe mori gjysmën e qeverisë. Dhe nuk mori Ministrinë e Kulturës, mori Ministrinë e Brendshme. Nuk mori Ministrinë e Turizmit, mori Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, mori Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë, se këtu keni shumë administratë, keni mjekë, infermierë, mësues dhe i nxirrni për zgjedhje, ndaj t’i marr unë? Merri, i thamë.

Të marr dhe këtë OSHEE-në se ka shumë nga këta të eklektikut? – Merre.

Të marr edhe hipotekat? – Merre.

Po sikur të marr dhe ALUIZNI-n? – Po patjetër.

Po Drejtorinë e Burgjeve? Se burgjet i duan gjithmonë, se këtë muhabetin e krimineleve e kanë bërë këngë, por, kur ishin ata në pushtet, i nxirrnin dhe kriminelët më të rrezikshëm nga burgu, deri dhe me leje shtatzënie. Është e vërtetë, nuk është humor. Del burri me leje lindje nga burgu? Dilnin me ta përkrahu, dy javë ata të lirë terrorizonin gjithë dynjanë dhe kur bëheshin votimet nëpër burgje, 99.99% për Partinë Demokratike atëherë.

Ia dhamë të gjitha.

Morën dhe shumicën e KQZ-së, edhe kryetarin e KQZ-së. U bënë zgjedhjet si asnjëherë tjetër. Ju e mbani mend shumë mirë, pa asnjë sherr, pa asnjë shamatë, madje unë, kudo ku shkoja, në të gjitha selitë e PD më përshëndetnin. Ja këtu në Has më kujtohet ajo selia lart. Unë flisja me këta poshtë, duartrokisnin ata lart dhe ky thotë “mi vodhën”.

Çfarë të vodhën? Si t’i vodhën? Ata për pak nuk u hodhën nga kati i dytë për të ardhur, për t’u bashkuar me ne. Natyrisht, ata mendonin se do ta merrja Lulin me vete pastaj, në qeveri. E kuptonin që ai nuk fitonte dot, por thoshin prapë bashkë jemi.

Pse i bëmë ne të gjithë këto?

Tha, unë i mora këto, po ti çfarë do. Unë të dua ty, ti të biesh dakord, e para, kush fiton qeveris, kush humb, bën opozitë dhe e dyta, mos të flasësh më keq për Shqipërinë në gjuhë të huaj, se çfarë kemi këtu me njëri-tjetrin do vazhdojë loja, por jo në gjuhë të huaj, bam e bum. Jua rrokanisëm kokën edhe të huajve, vijnë e dëgjojnë ca këtej që thonë tjetër gjë, ca andej.

Dakord?

Dakord!

Mbaruan zgjedhjet, doli me sukses, por jo dhe me aq sukses. Kaloi muajt e verës, filloi vjeshta, kur filloi prapë muhabeti, na vodhën. Po çfarë vodhëm? Ku vodhëm?

Në 2007-n, kur kemi pasur zgjedhje dhe fituam treçerekun e të bashkive të Shqipërisë, ne ishim në opozitë. Nuk kishim asnjë gjë dhe ju e dini mirë se çfarë taksirati ishte me nxjerr votën, kur kishin pushtetin ata. I nxirrej vota nga kutia këtij shkopit që ka ngelur pa flamur këtu? Që ishte dhe ministër, edhe shef policie, edhe polic vetë. Çfarë kemi hequr, për të nxjerrë votën nga kutia!

Në 2007-n fituam, në 2009-n nuk po e quajmë, në 2011-n fituam, në 2013-n fituam, por nuk fituam me Lulin, fituam me Saliun. Ka ndonjë demokrat që më thotë që Luli është më i fortë se Saliu? Ka ndonjë që thotë se është më vështirë të mundësh Lulin, se Saliun? Këtë nuk besoj se arrin ta thotë asnjëri. Mund ta thotë ky shkopi pa flamur, kur ka Lulin përpara, por edhe ai vetë e di që…

Atëherë Saliun me shtetin, me polici, me gjithë hordhitë e veta, me gjithë ato historitë që e dini vetë, ne e mundëm kur nuk kishim asnjë gjë në dorë, tani ne jemi qeveri, kemi bërë dhe shumë punë, – patjetër ka shumë për të bërë – dhe nuk mundim dot Lulin dhe do shkojmë të vjedhim Lulin?

Kush e beson këtë?

Dakord, e dimë shumë mirë të gjithë që Monikës së shkretë ia vjedhim votat, kjo dihet. Vjen dhe nga shtresa më e varfër, nuk ka asnjë mundësi e shkreta, as të qerasi me një kafe dhe shkojnë ia marrin dhe i ka ngelur tani vetëm “o Zot, thotë, zbrit në tokë të shpëtosh LSI-në nga shitja e votave”. Filxhanin e sheh pasi nuk i përgjigjet Zoti dhe i del aty që një Z e madhe është e zënë, mos i fol për momentin. Se nuk di dhe çfarë të thuash për këta.

Dëgjoj edhe ca profesorë në Tiranë, të thonë, nuk bëhet kjo punë me batuta. Po çfarë t’i bëjmë këtyre, se na habitën fare. Kanë dhe ata kadrinjtë natën në darkë, nëpër kolltukë atje të gjithë, ca me mjekra e thotë, zoti kadri, si e mendoni ju këtë çështjen e lirisë së votës? Shumë keq puna, thotë kadriu.

Çdo natë shtrirë atje, çdo natë janë bërë ato emisionet si 100 Vitrinat. Përsëritet serial pas seriali, babalja. Sidoqoftë, shyqyr që i kemi, shëndeti ka rëndësi, me shëndet janë mirë, mos ia kini merakun se kanë dhjamë plot, deri në 2021-n e mbajnë mirë rrugën.

Ne do vazhdojmë punën tonë. Në 30 qershor janë zgjedhjet. Atyre ka kohë në fakt, se ata e shumë të tjerë mendonin se kjo e aeroportit ishte loja. Unë e dija shumë mirë që ne aeroportin do ta ndërtojmë, e dija shumë mirë që ndërtimin do ta fillonim përpara. E vetmja gjë që i kam thënë kësaj kompanisë, ishte që do punoni me tre turne, edhe natën. Kur ndonjë kuksian të mos e zërë gjumi, mos më thotë mua është errësirë tek aeroporti, por të shohë drita. Më mirë të më ankohen se po bëhet zhurmë, sesa të më ankohen se po flini gjumë si Luli.

E kam thënë në Parlament, ne do fitojmë Kukësin dhe e kam thënë tamam kur ndodhi ajo situata e vështirë. Ne do fitojmë Kukësin. Ne, Tropojën do ta diskutojmë, por jo se është Luli më i fortë në Tropojë, ju atë e kuptoni vetë, por sepse ne nuk jemi organizuar dot aq mirë sa duhet atje. Unë besoj që, nëse PS, nëse socialistët janë të organizuar si duhet, fitojnë në çdo kuti votimi të Shqipërisë. Sepse ne jemi të mirë edhe për demokratët, kurse ata janë të mirë vetëm për veten e vet. Ne nuk sillemi keq, as me ata që nuk na votojnë dhe po të shikosh, shumë nga ne na thonë, ju kujdeseni më shumë për ata sesa për ne, por këtu flasim për njerëzit e zakonshëm.

E këtë njerëzit e dinë dhe prandaj, edhe shumë demokratë vazhdojnë votojnë Partinë Demokratike se thonë, po mirë, këta – d.m.th ne – punët do na i bëjnë, votojmë këta se kushedi na hapen lotot prapë; Votojmë këta se kushedi na vjen Sudja prapë dhe tani u dogjëm njëherë, por e provojmë dhe një herë tjetër se nuk do rrimë tek piramidat gjatë. Do fusim ca lekë, do i marrim dhe do ikim. Votojmë këta se fillojmë prapë ndërtojmë pa leje; Votojmë këta se prapë hapet loja, kush do ta paguajë energjinë e paguan, kush nuk do nuk e paguan, por ndërkohë këta nuk fitojnë, por të paktën ne i votojmë. Por punët jo, punët i bën Edi Rama, bashkë me këta “budallenjtë” e tjerë që e kanë mendjen tek puna.

Nuk ka problem, ne i shërbejmë njësoj të dyja palëve dhe sidomos tani që këta të tjerët kanë ikur në rrugë, jemi të detyruar t’i shërbejmë dhe më shumë, edhe me më vëmendje atyre që i kanë votuar. Kur i morën votën, u thanë, më jep votën se unë do shkoj atje e ti nuk do e njohësh zërin tim se do të duket si zëri yt, kur unë të flas në Parlament. Ma jep votën se unë atje për ty do bëj namin. Tani dolën atje prapa njerëzve dhe u thonë, digjeni ju qeverinë, digjeni ju Parlamentin, shkoni ju në burg për ne, se ne jemi si ju.

Ata i votuan që të rrinë në Parlament, nuk i votuan të rrinë mes turmës. E lamë mandatin që të bëhemi si të tjerët, thonë. Si jeni si të tjerët, duke i thirrur nëpër rrëmuja? Duke u futur në mes atje dhe duke i nxitur, shko bjeri dhe pastaj thonë “lironi djemtë tanë”.

Djemtë i morët ju në qafë, që i përplasni pas murit dhe u them njerëzve, mos shkoni pas tyre për një arsye shumë të thjeshtë, se i bini vetes, se ato historitë atje nuk i bëjnë gjë qeverisë. Ato historitë atje nuk sjellin zgjedhje të parakohshme. Ato historitë atje nuk e luajnë Parlamentin nga vendi. Ato historitë atje dëmtojnë vetëm ekonominë tuaj, sepse nga ato historitë atje, njerëzit blejnë më pak, turistët fillojnë shqetësohen, fillojnë anulojnë prenotimet e kështu, kush paguan këtu? Ai që ka një biznes, që do të shesë më shumë kafe, që do të shesë më shumë ushqime, që do të japi më shumë shërbime. E kanë bërë si agjenci turistike PD-në. Turistë nga Kamza, turistë nga Shkodra, turistë nga Mallakastra, mbyllin bashkitë, futen nëpër autobusë dhe nisen për Tiranë.

Ju jam shumë mirënjohës për mundimin që bëtë për të ardhur deri këtu dhe besoj që jeni dakord që Safet Gjicin ta keni kryetar bashkie dhe jam i bindur që do shihemi shumë shpejt. Nuk diskutohet që shumë gjëra janë bërë, shumë të tjera nuk janë bërë akoma dhe shumë të tjera akoma më mirë duhen bërë, por nuk diskutohet po ashtu, që ka vetëm një forcë që mund t’i bëjë gjërat;  Është Partia Socialiste. Nëse keni nevojë në moment të fundit, për një ndihmë, ke dy mundësi, o do më thërrasësh mua, o do thërrasësh Lulin, kë thërret? Lulin e ke të sigurt që e gjen në gjumë njëherë, kurse unë, edhe në 3 të natës jam aty. Janë ca kuksianë, ca çuna të rinj nga Londra, “akoma zgjuar ti, o gogol”, më thonë. Në tre të natës dhe unë i përgjigjem. Ai është në gjumë. Unë vdiqa ta zgjoj, por nuk zgjohet. Tani e mban Monika, as në gjumë, as zgjuar se i thotë Lul t’i djegim, Lul kështu e ashtu dhe nuk i eci, se nga Saliu te Monika.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe çdo të mirë!

Respekte!