Kukësi do të ketë gati brenda vitit spitalin e ri rajonal, një strukturë moderne shërbimi shëndetësor ku ndërthuret rehabilitimi i objekteve ekzistuese me ndërtimin e një strukture të re, në qendër të korpusit spitalor të rajonit verilindor të Shqipërisë.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, si dhe nga kreu i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, ishin në ambientet e spitalit të ri rajonal ku edhe këtu punimet nuk janë ndërprerë, pavarësisht situatës së vështirë të krijuar nga pandemia Covid – 19.
“Faza e parë përmban ndërtimin e urgjencës, rehabilitimin e godinës së ish-urgjencës që do të kthehet në maternitetin e qytetit. Sallat e reja të kirurgjisë do të jenë tre, me të gjitha pajisjet përkatëse”, – u shpreh ministrja Manastirliu.
Faza e parë e këtij projekti rivitalizues për shëndetësinë në zonën verilindore të vendit është në përfundim. Struktura e urgjencës ka marrë formë, sëbashku me tirazhin. “Urgjenca do të ketë dy tunele që lidhen me spitalin ekzistues, edhe ai në fazën e dytë të rehabilitimit, lidhet me maternitetin dhe më pas dhe me shërbimet e tjera të spitalit të Kukësit”, – theksoi ministrja Manastirliu.
Sistemi i ventilimit të sallave është drejt përfundimit po ashtu, ndërsa të gjithë sistemet e tjera të nevojshme do të vendosen të reja për të siguruar cilësi dhe siguri në shërbim për qytetarët e Kukësit dhe zonave përreth.
Newsroom
Kukësi, brenda vitit me spital të ri rajonal