Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Mbështetja e projekteve për agroturizmin ka nxitur mjaft banorë edhe në verilindje të vendit, t’i kthejnë shtëpitë apo kullat e tyre në bujtina mjaft tërheqëse për vizitorë vendas e të huaj. Kryeministri Edi Rama ndaloi në një prej bujtinave më të veçanta të ngritura në Dibër, një kullë mbi 200 vjeçare me vlera historike, rrethuar nga pyje. Rikthimi në gjendjen fillestare të kullës është vënë në jetë nga Lulëzimi, menjëherë pas kthimit nga emigracioni, ku punoi për 7 vite.

“Kjo është mbi 200-vjeçare si kullë. E ka ndërtuar katragjyshi, rindërtim nga gjyshi dhe brezi i fundit jam unë që vura dorë. Fillimet e mia kanë qenë të vështira, e kam filluar nga rruga. Nuk e kam menduar që do e realizoj këtë ëndërr,” shprehet ai.

E gjithë kjo ëndërr, e kthyer tashmë në një histori suksesi për të, ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë e sidomos të turistëve të huaj.

“Turistët kanë ardhur nga rruga. Rastësisht, kalonin. Unë desha patjetër t’i sjell këtu, që tu tregoj historinë, traditën, t’ju tregoj mikpritjen. Ama nuk kisha kapacitet, kisha vetëm këtë dhomë,” tregon Lulëzimi, teksa shton se ka qenë mbështetja e AZhBR-së, ajo që i dha dorë ngritjes së biznesit të tij, që sot ka një kapacitet prej 27 personash.

“Mendova të investoj këtu falë mbështetjes nga AZHBR-ja. Realisht, ndihma që kam marrë nga AZHBR-ja më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Më ka ndihmuar pa pengesa, pa gjëra që nuk ishin të nevojshme,” thekson investitori.

Por ai tregon edhe mbi planet e ardhshme për ta zgjeruar edhe më tej këtë aktivitet, atë që ai e quan projektin e 7 kullave.

“Nuk do ndalem me kaq. Unë kam menduar që të bëj edhe projektin e 7 kullave. Dibra shquhet për këto. Disa i kam identifikuar dhe shpresoj që të bashkëpunoj me AZHBR-në dhe të bëjmë një paketë të përbashkët,” shprehet ai.

Kryeministri Rama tha se përfundimi i Rrugës së Arbrit do të sjellë akoma më shumë turistë në këtë bujtinë, si dhe ofroi edhe mbështetje të mëtejshme për projektin e Lulëzimit.

“Me Rrugën e Arbrit do të vijnë më shumë njerëz këtu. Po të bësh bukur pjesën rreth e rrotull, po të bëhet ajo e 7 kullave, ne do të mbështesim nuk diskutohet. Të bëjmë dhe një plan për mbështetjen e Komisionit Europian, IPARD-it dhe po të bëhet itinerari i 7 kullave do ishte bukur. Shumë ide e mirë,” u shpreh Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.