Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në hapjen e “Atelier Albania”:

Sot në fakt kurorëzohet një përpjekje intensive, e filluar qysh në gusht në një konferencë ndërkombëtare, ku ne ftuam ekonomistë dhe planifikues urbanë sëbashku, duke besuar që çështja e planifikimit është një çështje shumë e rëndësishme për vendin tonë, por nuk mund të shihet e shkëputur nga çështja e zhvillimit ekonomik e social.

Qysh prej asaj konference ne kemi avancuar me shpejtësi edhe falë ndihmës shumë të çmuar të Qeverise Holandeze dhe personalisht të ambasadorit, i cili në traditën më të mirë të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës ka qenë qysh në sekondën e parë i disponueshëm për të dhënë  mbështetjen e domosdoshme që kjo atelie të lindë si pikë takimi. Një pikëtakimi mes shumë aktorësh për çështje që ndërthuren duke nisur, pikërisht, aty ku e nisa unë, tek ndërthurja mes planeve të zhvillimit dhe vetë natyrës dhe sfidave të zhvillimit si zhvillim, jo vetëm abstrakt por konkret. Një zhvillim jo vetëm urban, por ekonomik dhe social. Në këtë pikëtakimi falë kësaj mbështetje, që është një mbështetje thelbësore qoftë financiare, qoftë me burime të cilësisë më të lartë njerëzore, nga ana e qeverisë holandeze, ne realizojmë një hapësirë ku sfidat e zhvillimit do të mund të trajtohen në një formë të re dhe ku për t’u përballur me këto sfida, do të mund të ndërtohet një qasje e re.

Kemi pasur, tanimë, gjithë kohën e nevojshme, 20 e kusur vite, për të parë se, nga njëra anë, fuqia jonë planifikuese është shumë e dobët si vend, nga ana tjetër, ajo çka kemi planifikuar nuk është përputhur asnjëherë me atë çka kemi realizuar në të gjitha planet, në infrastrukturë, në zhvillime publike apo private, që kanë ndodhur në territor.

Nga ana tjetër kemi pasur gjithë kohën e nevojshme për të mësuar nga e kaluara dhe për të nxjerrë disa konkluzione të thjeshta.

Konkluzioni i parë dhe më i thjeshti është se na duhet të ecim me vendosmëri dhe me vizion të qartë në dy shina paralele;

Nga njëra anë të planifikojmë, nga ana tjetër të realizojmë.

Jo të planifikojmë dhe pastaj të realizojmë, por paralelisht të planifikojmë dhe të realizojmë.

Thënë kjo, është e domosdoshme që planifikimi të zbresë në terrenin e ambicieve, e nevojave dhe e mundësive reale që ne kemi. Të zbresë nga niveli i derisotëm i një planifikimi që është zhvilluar, flas për planifikimin e territorit, si një ushtrim në një hapësirë të mbyllur pa marrë parasysh problematikat dhe sfidat e territorit, në një nivel ku territori të jetë baza e planifikimit dhe ku aktorët në territor, qofshin aktorët publikë, qofshin aktorët privatë, të jenë pjesë e procesit të planifikimit. Në mënyrë që ajo që planifikojmë të jetë realisht një instrument për të realizuar atë që aktorët në territor mund të realizojnë dhe të mos mbetet diçka që në fund të ditës nuk ngjan dhe nuk ka lidhje me atë që është realizuar.

Nga ana tjetër, Atelieja ka një vlerë shumë të rëndësishme, sepse i krijon mundësi gjithë aktorëve të rinj në këtë fushë, planifikuesve të rinj, arkitektëve të rinj, pra, gjithë burimeve njerëzore të vendit, që të zhvillohen duke u bërë pjesë e këtij procesi. Për këtë arsye është konceptuar si një hapësirë e pakufishme. Nuk është një zyrë e re apo një copëz e re që ngjan me të tjerat dhe që i shtohet të tjerave. Nuk është një hallkë e re burokratike, por është pikërisht një pikëtakim, një udhëkryq që bashkon rrugët e gjithë palëve të interesuara në një proces ku ne kemi një sfidë shumë të madhe, sfidën e zhvillimit të integruar urban, ekonomik dhe social.

Për të qenë fare konkretë, për t’u mos u zgjatur shumë, ne nesër kemi eksperiencën e parë të rëndësishme të një konkursi ndërkombëtar, për një pjesë jashtëzakonisht delikate, por edhe jashtëzakonisht strategjike të territorit, në kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit të integruar urban, ekonomik e social të vendit, konkursin për vijën ujore të qytetit të Vlorës. Është një konkurs i hapur ku kanë marrë pjesë shumë studio të huaja dhe vendase dhe me çfarë unë kam lexuar në raportin paraprak për fazën e parë të konkursit që ka përfunduar, është një konkurs që do të jetë shumë mbresëlënës për nga cilësia e propozimeve dhe për nga risitë që do të sjellë. Por nga ana tjetër është një proces ku “Atelier Albania” do të jetë shumë e rëndësishme, për të bërë të mundur që kalimi nga ideja në realitetin e qytetit të Vlorës dhe me instrumente financiarë dhe instrumentet teknikë që ne kemi në dispozicion, që nuk janë instrumente të pakufizuar, të mund të bëhet si një kalim që në fund të ditës na japë në realitet, për të realizuar idenë dhe planin fitues. Kjo nuk është e lehtë, por nga ana tjetër, kjo është sfida që me financat e kufizuara që kemi në dispozicion, me instrumentet teknikë të kufizuar që kemi në dispozicion, me materialet që kemi në dispozicion për arsye të edhe financave, ne, megjithatë, të realizojmë një projekt, i cili të jetë i standardeve më të larta evropiane për sa i përket qasjes urbanistike dhe për sa i përket cilësisë së re që sjell në mjedis dhe të shërbejë si një model për zhvillimet e mëtejshme, qofshin zhvillime publike, qofshin zhvillime private.

Jemi të gjithë të vetëdijshëm se sa shumë është shpenzuar, në raport me atë sa mund të shpenzojë Shqipëria në infrastrukturë. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se sa pak, për të mos thënë aspak, ngjajnë për nga pikëpamja e projektimit, për nga pikëpamja e jetësimit, për nga pikëpamja e dukjes, veprat tona të infrastrukturë me ato të Evropës ku duam të integrohemi, se sa e thjeshtë, sa hap e mbyll sytë, është që të bësh dallimin, kur ecën në një rrugë në Evropë dhe kur ecën në një rrugë në Shqipëri.

E pra, kjo është në radhë të parë, një çështje konceptimi dhe qasjeje dhe pastaj, projektimi dhe realizimi. Në këtë aspekt, përsëri “Atelier Albania” do të jetë shumë e rëndësishme për të futur këtë vetëdije në proces dhe për të bërë të mundur që, në projekte të rëndësishme, aktorët të bëhen bashkë, Qeveria, pushteti vendor, autoritete të tjera të lidhura me një sektor të caktuar të zhvillimit të territorit, në funksion të infrastrukturës rrugore, në funksion të infrastrukturës turistike, në funksion të infrastrukturës së ujit apo të mbetjeve e kështu me radhë.

Në këtë sens, unë besoj që sot, me çeljen e dyerve të kësaj hapësire, ne vendosim një gur të qëndrueshëm themeli në një proces që do të na japë me siguri, shembuj transformues jo vetëm aty ku këto shembuj do të realizohen, por për të krijuar pastaj, atë efektin zinxhir të domosdoshëm, që vjen nga një ndryshim kulturor, në ndërtimin e gjithë procesit të ndërhyrjes në territor, sepse në radhën më të parë na duhet të kuptojmë se këtu bëhet fjalë për të realizuar një ndryshim kulturor, për të ndërtuar një kulturë të re të sjelljes sonë me zhvillimin dhe territorin që përdorim për zhvillim.

Nuk është një pasuri e pafundme që ne të mund ta shpërdorojmë pa pushim, por është një pasuri e kufizuar mbi të cilën ne mund të krijojmë pasuri të reja, në rast se këtë pasuri të kufizuar dimë ta përdorim në një rrugë të re, me instrumente të rinj. Pa harruar asnjëherë se është në të njëjtën kohë, edhe rruga e rritjes së cilësisë së burimeve tona njerëzore, e kapitalit tonë njerëzor, pra, e arkitektëve, planifikuesve dhe të gjithë profesionistëve të tjerë të kësaj fushe, që kanë nevojë për të pasur shansin që të marrin pjesë në këtë proces, kur dalin nga dyert e universiteteve, apo kur kthehen në Shqipëri, pasi kanë bërë universitetin jashtë shtetit. Në të njëjtën kohë e kanë të domosdoshme, që në këtë proces të udhëhiqen nga shembujt e duhur dhe “Atelier Albania”, në vetvete është shembulli i duhur që do të na japë mundësinë që të ndërtojmë në rrugën tonë të zhvillimit të integruar të vendit, shembujt e duhur për të kthyer një herë e përgjithmonë, faqen e kësaj katrahure dhe të kësaj skizofrenie, në krahasimin mes çfarë projektojmë në letër dhe pastaj, çfarë gjejmë në fund të ditës në realitetin e idesë, që në letër ngjan komplet tjetër nga çka është realizuar në fund.

Ju falënderoj!

***

Kryeministri Edi Rama ishte sot i ftuar të ndante vizionin e qeverisë për një zhvillim të qëndrueshëm e të integruar urban, në takimin promovues të “Atelier Albania”, një zyrë që do të operojë brenda Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm urban kërkon një qasje e kulturë të re në qëndrimin ndaj territorit. Kryeministri shprehu bindjen se “Atelier Albania” do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë proces transformues.
“Atelier Albania” ka si mision evidentimin e ideve inovative që stimulojnë projekte cilësore dhe të shërbejë si një urë-komunikimi me ekspertë vendas e të huaj.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.