Mati është një fermer, që me punë dhe pa shumë fjalë, ka arritur jo vetëm të fitojë të ardhura për veten dhe familjen e tij, por edhe të punësojë të tjerë. Kryeministri Rama i shoqëruar nga drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Rural dhe Bujqësor Frida Krifca ishin në serat e domateve të Matit në Thumanë, i cili falë edhe mbështetjes dhe bashkëpunimit me shtetin dhe programet mbështetëse të AZHBR synon të zgjerojë serat e tij.
“Gjithë stafi që shikoni këtu, janë të prekur nga tërmeti, janë të angazhuar në serë dhe jemi në momentin që po kultivojmë domaten. Një domate industriale e cila është e parakontraktuar, e parashitur e gjitha”, u shpreh drejtoresha e AZHBR.
Kujtimi, një tjetër sipërmarrës që do të ndërtojë një pikë grumbullimi në këtë fermë. “Kujtimi është një aplikant i programit IPARD, i cili do të ndërtojë një pikë grumbullimi në fermë. Ka kontakte shumë të mira me përpunues në Itali, në Foggia dhe gjithë kontrata parashikon që Kujtimi sjell fidanin e kësaj domateje, mbjelljen e bën Mati dhe i gjithë produkti është i parashitur në Itali për përpunim. Këto 1.5 ha nuk i mjaftojnë Kujtimit. Ka dhe kontrata të tjera deri në 10 ha. Siç nuk i mjaftojnë Matit pasi duan dhe kontrata të tjera, duan dhe sera të tjera të zgjerojnë aktivitetin e tyre”, – tha Krifca.
“Ne duam të shtrihemi se këtu është menduar që veriu nuk bën sera, por këto toka rrinë bosh dhe është gjynah”, – u shpreh Mati.
Rendimenti i fidanëve që mbillen në sera është ndër më të lartët të mundshëm, me rreth 8-9 kilogram për fidan.
“Fidanët i sjellim të përgatitur me dy degë që atje, për të marrë maksimumin e prodhimit. Ne kemi rreth 8-9 kile domate për një fidan dhe kemi rendimentin më të lartë të mundshëm që mund të kemi tek serat”, – theksoi Kujtimi.
Kryeministri Rama nga ana tjetër nënvizoi se tashmë mbështetjen e shtetit, të gjithë ata që kanë një ide dhe projekt për të investuar, e kanë në xhep. “Përshtypja ime është që bazuar në shifra, në fakte, që po avancon shumë mentaliteti. Pra, po thyhet ajo barriera e tmerrshme që secili tek ngastra vet”, – tha Kryeministri.