Laç, drejt përfundimit lagjja e re

Programi i Rindërtimit po i jep qytetit të Laçit një panoramë të re. Kudo punohet pa u ndalur për të ringritur nga themelet qindra shtëpi dhe apartamente, të shkatërruara apo dëmtuara rëndë nga tërmeti. Lagjja e re qendrore e qytetit, me 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë me standarde urbane të cilësisë së parë, po shkon drejt përfundimit. Për të parë se çfarë është realizuar deri tani, ishte sot në këtë kantier, Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryetaren e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara.

“Jemi në dy blloqet e pallateve që janë në fazën përfundimtare. Ashtu siç është komunikuar dhe me kompaninë turke, në fund të gushtit janë të përfunduara. Paralelisht kanë filluar edhe punimet e shkollës që po bëhet në këtë zonë. Në muajin gusht do të jetë përfundimi i të gjithë apartamenteve për t’jua dorëzuar familjarëve,” – u shpreh kryetarja e Bashkisë Cara, duke theksuar se puna po vijon paralelisht edhe me banesat individuale. Sipas saj, nga 200 familje që kanë preferuar të tërheqin grantin për t’i ndërtuar vetë banesat e tyre, 40 prej tyre kanë marrë lejet e ndërtimit dhe kanë filluar ndërtimin e shtëpive. Ndërkohë, nënvizoi kryebashkiakia Cara, jemi në procedurën e prokurimit për pjesën tjetër të shtëpive private që do të ndërtohen nga Bashkia Kurbin me financimin e qeverisë shqiptare.

***

Edhe në Lezhë, Programi i Rindërtimit ka avancuar në të dy sitet ku po ngrihen pallatet e reja. Janë 7 pallate, me 177 apartamente ku do të akomodohen 600-650 banorë. Kryeministri Rama u ndal në një nga dy sitet e rindërtimit, ku punohet me intensitet për përmbylljen e banesave kolektive. Ndërkohë, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu informoi se ka filluar edhe projekti për përforcimet strukturore në pallatet më të dëmtuara, pjesë e Programit DS4 të Rindërtimit, si dhe projekti i riparimeve të brendshme e të jashtme të një grupi tjetër pallatesh.