Laçi, qyteti më i prekur nga tërmeti i dy viteve më parë, sot shpalos një pamje të re.
Janë 500 familje që ndërrimin e viteve do ta gëzojnë në shtëpi të reja, më të bukura e më të sigurta se ato që humbën natën e tragjedisë së madhe. Ndërtimet e reja janë pjesë e një lagjeje të bukur europiane, me standarde optimale për të përmbushur nevojat e çdo moshe, plot gjelbërim e me hapësira të bollshme dedikuar për çlodhje dhe argëtim.
Ndërkohë që vetëm pak metra më tutje, po ndërtohet një lagje tjetër e re me 200 apartamente, me infrastrukturë të re nëntokësore e mbitokësore, investim 100% i buxhetit të shtetit. Janë rindërtuar gjithashtu 11 shkolla dhe kopshte, investime të qeverisë shqiptare dhe donacione të BE.
Kryeministri Rama ishte sot mes banorëve të Laçit, për të festuar sëbashku përfundimin e projektit madhor për këtë lagje, ndërsa theksoi se plagët e rënda të tërmetit po shërohen një e nga një.
Falë Programit të Rindërtimit shpresa është rikthyer dhe fatkeqësia po sfidohet, duke u tranformuar në zhvillim të zonave të prekura më fort.
* * *
Mirëmbrëma të gjithëve, mirë se ju gjeta!
Kam dy vjet që e pres këtë moment sepse këtu ka qenë një nga pikat më të nxehta të plagës së madhe që hapi tërmeti, dhe një nga punët më të mëdha që duheshin bërë, punë që në një mënyrë shembullore i shpreh me praninë e vetë gjithë ky kompleks i mrekullueshëm, por që janë shumë më tepër se kaq.
Këtu ne kemi rindërtuar shkolla e vazhdojmë të rindërtojmë shkolla dhe kopshte. Janë 11 të reja me standarde optimale, një pjesë me buxhetin e shtetit, një pjesë me Bashkimin Europian. Këtu jemi duke ndërtuar një lagje të re nga ana tjetër, 200 apartamente të tjera me buxhetin e shtetit. Jemi duke ndërtuar spitalin, që shpresoj, me gjithë vështirësitë që janë hasur rrugës, në pranverë do të jetë gati për t’i shërbyer gjithë banorëve.
Këtu kemi bërë një ndërhyrje masive në gjithë infrastrukturën nëntokësore, një histori e vjetër, ju e dini shumë mirë që edhe një shi vere përmbyste gjithë qytetin. Ndërkohë që, siç e tha Majlinda, me gjithë reshjet shumë të dendura këtë herë, qyteti nuk pati, jo përmbytje si ato, por nuk pati asnjë problem sepse është ndërtuar një infrastrukturë nëntokësore që është bërë enkas për ta zgjidhur dhe këtë problem.
Po ashtu, këtu janë ndërtuar e vazhdojnë të ndërtohen edhe një sërë shtëpish të tjera individuale, për të cilat do të jepet, për pjesën e mbetur, granti në dorë familjeve pasi janë në pika të ndryshme larg dhe garat e bëra nuk kanë dhënë sukses pikërisht sepse kostot për kompanitë ishin më të larta e ne nuk ka kuptim që të paguajmë kosto më të lartë për shkak të kompanive, prandaj do t’ia japim drejtpërdrejtë paratë në dorë familjeve që t’i bëjnë dhe ato shtëpi.
E gjitha kjo sot është një punë në vazhdim, por këtu në këtë pikë, e kam pritur këtë moment sepse këtu ka qenë dhe skepticizmi më i madh, që nga thashethemi që “këtu do prishen dhe nuk do të na japin më kurrë mbrapsht se do ndërtojnë pallate për lekët e veta”, pastaj tek thashethemi që “do i ndërtojnë, por do na i japin me lekë, kështu që ne nuk do i marrim dot, do ti marrin ata që kanë lekë”, pastaj lloj-lloj thashethemesh, por ja ku jemi sot këtu e këtë lagje që faktikisht do të donte ta kishte çdokush në Tiranë, e keni ju e ndryshe nga lagjet e Tiranës apo nga pallatet në Tiranë që janë me këto standarde e që kushtojnë shumë shtrenjtë, ju këtu, shtëpitë e të gjithë ata që kishin njësi shërbimi më parë, njësitë e shërbimit këtu do t’i keni falas do t’i keni me dokumente pronësie, njësoj si çdo pronar i ligjshëm e duke qenë se ju këtu votoni masivisht atë partinë tjetër duhet të bëni vetëm kujdes mos ju ndërrojnë bravën.
E kam pritur këtë moment edhe për këtë arsye, sepse shumë herë, ajo partia e shumicës këtu që tani po bëhen me shtëpi të re dhe janë me buzët vesh më vesh, aman mi ngrëni dy gishta se më mori malli, se nuk po shoh dy gishta me asnjë vend.
Këtu është shembulli më kuptimplotë që Rindërtimi nuk është bërë për socialistët.
Rindërtimi është bërë për të gjitha familjet shqiptare të prekura nga tërmeti, socialistë, demokratë e çfarëdo qofshin, për të gjithë ata që mund të kenë dëshirë të bëjnë fotografi me mua kur vi këtu apo për të gjtihë ata që ma lexojnë librin e shtëpisë prapa shpine kur kaloj në rrugët e Laçit.
Pavarësisht të gjitha këto, rindërtimi është një program për shqiptarët, për çdo familje shqiptare që në momentin më kritik të jetës së vet, por dhe në një moment shumë kritik për vendin, ne ishim të vendosur që të mos e linim vetëm dhe t’i gjendeshim pranë dhe siç e kam thënë qysh ditën e parë “Nga dheu do t’i nxjerr lekët dhe ju do hyni në shtëpi më të mira se ato që humbët”.
Ja ku i keni tani!
Këtu, por jo vetëm këtu, por në të 11-të bashkitë e prekura, shtëpitë, pavarësisht se nga kush janë financuar, në pjesën dërrmuese janë financim i qeverisë shqiptare, në këtë rast është financim i qeverisë turke dhe kujdes i drejtpërdrejtë i Presidentit Erdogan, i atij mikut tim që kur disave iu del në Facebook e bëjnë lloj-lloj komentesh të padenja, por që u gjend si të ishte këtu, i lindur dhe i rritur këtu e si të kishte njerëzit e vet këtu, duke vënë në dispozicion menjëherë të gjithë forcën e miqësisë dhe solidaritetit.
Ashtu sikundër dhe princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, i cili ka financuar një tjetër lagje model që do të ndërtohet në Spitallë në Durrës.
Të dy janë forcat e miqësisë dhe solidaritetit që ne kemi pasur në krah përsa i përket shtëpive, banesave dhe apartamenteve.
Ashtu sikundër edhe fondacionet e subjekteve shqiptare me donacione që kanë bërë dhe ata punën e tyre, por masivisht ky program Rindërtimi është financuar me të gjithë fuqinë e shpirtit dhe me të gjithë forcën e solidaritetit nga qeveria shqiptare dhe nga ana tjetër, kjo nuk është çështje lekësh, kjo është çështje zemre.
Kjo është çështje bindjeje që ne, në momentin kur u sfiduam nga një fatkeqësi e natyrës, duhet të masnim forcën e karakterit tonë dhe duhet t’i tregonim vetes që ne nuk mposhtemi, por përkundrazi, atëherë kur sfidohemi më shumë nga e keqja, atëherë dimë të ngrihemi më fort mbi të keqen.
Jua kam thënë që ditën e parë “Do dalim nga kjo sfidë më të forte!”
Çfarë do të thotë kjo “Më të fortë”?
Do të thotë që çdo familje që u prek dhe u rrënua dhe kurrë nuk do kishte pas mundësi, në 95% të rasteve, të blinte një shtëpi të re, sot ta ketë shtëpinë shumë më të mirë se ajo që humbi dhe ta ketë falas.
Është i pari program Rindërtimi pas tërmetit në të gjitha zonat e rindërtimeve në të gjitha vendet e prekura nga tërmeti, ku familjet nuk ngarkohen me asnjë qindarkë kredi, sado e butë dhe me asnjë lloj detyrimi sepse ky ishte vendimi që morën dhe kjo ishte sfida jonë.
Atyre që bëjnë komente “I keni bërë me borxhe, jo po keni marrë borxhe”, ata që, në fakt, për fatin e tyre të mirë, nuk iu desh ta shikonin qiellin t’iu hapej mbi çati për 5 sekonda iu them Po, patjetër! Për të mbështetur njerëzit e vet në nevojë, këtë duhet të bëjë një qeveri, këtë duhet të bëjë një shtet që beson tek solidariteti dhe që është aty me njerëzit dhe për njerëzit, pa i parë në sy nga shohin majtas apo djathtas, pa i parë nga xhepi, por duke iu thënë të gjithëve që “Këtu ju nuk jeni vetëm dhe shumë shpejt do vijë dita që do jeni të gëzuar”, dhe ja ku erdhi dita.
Erdhi dita në prag të një Viti të Ri, siç është Viti i Ri që po vjen, familjet që kanë 2 vjet që po presin, por të cilat nuk kanë pritur në rrugë. Asnjëri nga ju nuk ka pritur në rrugë, asnjëri nga ju nuk ka pritur nëpër çadra sepse për të gjithë kemi dhënë bonuset e qerasë që të merrni një shtëpi, një apartmanet që të jeni sidoqoftë në një shtëpi, pse jo dhe e juaja, e sot të shohin dhe të shihni se sot keni një pronë që kushton shumë më tepër sesa ajo që kishit.
Në rast se doni ta shisni apo ta lini me qera, kjo është puna juaj dhe e drejta juaj, por sidoqoftë, sot, në rast të tillë, kjo pronë vlen shumë më tepër se ajo që humbët dhe është e gjitha e juaja.
Përveçse, ju thashë, sigurisë që duhet të garantoni për bravën, por edhe në rastin më të keq, maksimumi që mund t’iu bëjnë ata që ngrenë dy gishtat këtu, mund të vijnë t’iu ndryshojnë ngjyrën e braves, por shtëpinë nuk jua prek dot kush dhe nuk jua merr dot kush më, as nuk bën dot pazar njeri me shtëpitë tuaja dhe secili do marrë atë që i takon dhe siç e dini të gjithë ju, shumë mirë me short sepse, natyrisht, e mira s’ka fund, sic thotë populli “Oreksi vjen duke ngrënë”.
Në fillim, kur vija unë këtu, më shihnit nga larg e kujtonit se po vija për shoë, pastaj thonit “Ky po vjen për zgjedhje”. Zgjedhjet e mëdhaja këtu që do bëja unë.
Pastaj, kur u bënë zgjedhjet, filluat të mendonit që tani që nuk i morëm ato vota që, në fakt duhet të na i jepnit, po s’ka problem, mend për herë tjetër ju se unë në rregull jam.
Si i jepni, si nuk i jepni, për mua jeni shqiptarë, jeni vëllezër e jeni motra, pavarësisht se e jepni apo jo ato vota, për mua ka rëndësi, kur të shkoni në shtëpi, doni nuk doni ju, mua do më kujtoni, nuk keni ku shkoni.
Edhe për të sharë, se e di si do shkojë kjo punë, do futeni në shtëpi dhe do thoni “Po mirë, mirë këtë shtëpi na e bëri, por është burrë i poshtër shumë”.
Në rregull.
Nuk ka asnjë problem.
Unë dua të shtoj këtu edhe një gjë tjetër, që nuk mbaron me këtë dhe as me këto punë që do bëjmë për Lacin, dhe gjëja që kam thënë kohë më pare, por që sot është shumë më e mundur seç ka qenë më parë, është që Laçi ka një mundësi dhe potencial të madh për t’u bërë një qytet që të jetojë me turizëm.
Tani ju do thoni “Çfarë turizmi mund të bëhet në Laç”?
Në fakt, ju e keni këtu një nga destinancionet më të hatashme të turizmit fetar, jo në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin dhe një nga destinacionet më të hatashme për madhësinë e këtij komuniteti, edhe në shkallë Europe.
Çfarë duhet të bëjmë ne? Ne duhet që tani, duke qenë se deri dje nuk ishte një qytet ku mund të vije dhe të rrije, për hir të vërtetës, se ku do rrije? Por me këto hapësira të reja, shikoni godinën e Bashkisë. Atë bashki, Lali Eri as në ëndërr nuk e sheh dot. E ka Kurbini.
Së shpejti ajo do inaugurohet dhe do jetë bashkia më e bukur, sepse është e re dhe kur bëhet diçka e re, mundësitë janë që të bëhet më mirë se ato që ke trashëguar, do jetë bashkia më e bukur dhe më funksionale.
Rrugët, të gjithë rehabilitimet e të gjithë godinave.
Ne do bëjmë një investim tjetër në të gjithë pjesën që shkon për Shna Ndo. Pjesën e rrugës dhe një sërë gjërash të tjera që i kemi në projektinee ri dhe sfida cila është?
Sifda është që njerëzit që vijnë për Shna Ndo, që janë pafund, ju e dini mirë, t’i mbajmë një natë këtu, t’i mbajmë dy netë këtu, t’i mbajmë tre netë këtu dhe jo të vijnë me makina dhe të mbushin gjithë rrugët me makina dhe të shkojnë atje dhe, përvec asaj pjesës rituale, të mos bëjnë asgjë tjetër, të mos shohin as majtas, as djathtas, mos guxojnë të shohin as majtas, as djathtas se nuk kanë çfarë shohin.
Sot ka çfarë sheh këtu dhe do ketë edhe më shumë për të parë. Jam i bindur që në këtë dekadë, duke punuar së bashku, ne mund ta bëjmë këtë qytet një nga qytetet më turistike të Shqipërisë. Besojeni këtë gjë.
Kështu, të ngrihen bujtina përreth. Kështu të krijohet mundësia të ketë shërbime për shumë më tepër njerëz.
Pse çfarë ka Lezha që ka gjithë ato restorante të mira? Juve nga një zonë vini pak a shumë dhe siç ka djem nga Lezha që kanë shkuar në Itali dhe janë kthyer për të hapur restorante, ka plot djem nga Kurbini që kanë shkuar në Itali dhe punojnë në restorante.
Po ku të ktheheshin këtu më përpara?
Tani është e mundur që ta mendojnë këtë gjë dhe të fitojnë shumë më tepër këtu, duke qenë shefa të hapësirave të tyre sesa duke punuar për italianët atje. Po kështu, edhe mundësi për të futur njerëz për të fjetur një natë, dy netë e me radhë.
Ne mund dhe do ta bëjmë këtë.
Siç nuk më besonit kur ju thosha që do ta bëjmë këtë lagje, se ju dhimbseshin ato pallatet atëherë që ishin të çarë më dysh, edhe shikonit me dyshim e thonit “Po na ranë dhe këto, nuk kemi më asgjë dhe ky nuk vjen më”, po ju them sot që, siç nuk e besonit atë, nuk keni si ta besoni dhe këtë tjetrën, por siç bëmë atë do bëjmë dhe këtë tjetrën.
Do vijë dita, më herët se vonë, që atë turizëm të jashtëzakonshëm fetar që bëhet këtu dhe nga i cili, qyteti dhe gjithë komuniteti nuk përfiton asgjë, nga pikëpamja ekonomike, ta kthejmë në një mundësi të re ekonomike për të gjithë komunitetin, jo vetëm për qytetin, por edhe fshatrat përreth sepse fshatrat nuk janë në fund të botës e janë zona të mrekullueshme dhe aksesohen shumë shpejt.
Duke krijuar një rrjet bujtinash dhe një rrjet të infrastrukturës së mikëpritjes, ne mund të bëjmë që njerëzit të vijnë dhe të rrijnë më gjatë sesa thjesht ai rituali që bëjnë.
E fundit që kam, dua të falënderoj shumë Majlindën. Ta falënderoj sepse i ka ndenjur mbi kokë kësaj pune ditë-natë dhe është treguar më burrneshë se shumë burra që njoh unë këtu në Laç. Më falni ju burrat.
Unë e kam këtë të metë. Unë e kam bindjen që gratë shqiptare janë më të forta se burrat. E kam bindjen që po të mos ishin nënat, jo vetëm se ju kanë bërë kokën, se burrat shqiptarë thonë “Ku ka gra këtu”, po pse juve kush ju ka pjellë? Jo vetëm se ju kanë bërë kokën, por edhe për karakterin e tyre dhe për edukatën që përcjellin. Po të mos ishin motrat dhe gratë, po të mos ishte graria në shtëpi, e dini si do ishit ju apo jo? Unë po e po, por edhe ju.
Dua ta falënderoj Majlindën si një grua të fortë, si zonjë grua që i ka qëndruar mbi kokë një komuniteti që nuk është i lehtë. Dua të falënderoj me mirënjohje të gjithë ata që kanë punuar, por më i fituari këtu, ju e pranoni, dhe unë e pranoj, por ata që nuk e dinë do ta dëgjojnë, nuk doli kush mori shtëpi por këtu më i fituari doli Serveti.
Serveti, që erdhi, udhëhoqi kantierin dhe e mori nusen për çunin nga kjo zonë.
Servet, në asnjë pikë të Anadollit nuk e gjen ti një gocë si gocat e Lacit, ta kuptosh këtë gjë, dhe të trashëgohen dhe të rroni, të keni jetë, të votoni si të doni gjithë jetën, të trashëgohenni dhe sa më shumë demokratë me mend në kokë të lindni, aq më mirë do jetë për Laçin dhe gjithë Shqipërinë.