Në ditën e fundit të vitit, çeli dyert për 100 familjet e para, një nga qendrat urbane, ekonomike dhe sociale më moderne në Shqipëri, Lagjja “5 maji” në kryeqytet.
Vepër e arkitektit të mirënjohur Stefano Boeri, ky projekt madhështor vetëm 400 metra në distancë nga Bulevardi i ri, është premtimi i mbajtur për të rilindur atë pjesë të Tiranës, ku tërmeti la gjurmët më të thella.
Kryeministri Edi Rama ndau sot gëzimin e hyrjes në shtëpitë e reja me familjet e para, që do të pasohen në muajt në vijim nga 1000 familje të tjera. Ndërsa me përfundimin e plotë të saj, lagjja do të ketë rreth 3500 apartamente për 11 mijë banorë, përfshirë parkimin, hapësira shërbimesh për çdo objekt banimi, 5 godina publike, 3 objekte arsimore, një shkollë profesionale, objekte të kultit, qendra franceze e edukimit të Teknologjisë Digjitale për rininë “Ecole 42”.
* * *
Mirëdita të gjithëve!
Ky është një fund viti shumë i veçantë, për mua, për ne, sepse nuk ndodh çdo vit, ndodh një herë në shumë vite, që të kesh nderin dhe kënaqësinë dhe privilegjin madje që për shkak të detyrës të lumturosh kaq shumë njerëz, kaq shumë familje, kaq shumë gjyshe e gjyshër e për më tepër familje, të cilat vijnë nga një moment shumë dramatik i humbjes së strehës së tyre dhe që në të shumtën e rasteve e kanë të pamundur që të kenë një strehë të re, ashtu siç do dëshironin për fëmijët e tyre.
Është vërtetë kënaqësi, nder dhe privilegj që edhe këtu sot, ne të fillojmë rikthimin në shtëpi të familjeve që humbën gjithçka nga tërmeti, duke ju ofruar mbrapsht apartamente të një cilësie që sot në Tiranë kushtojnë shumë për metër katror dhe për shkak të transformimit të kryeqytetit, ju rritet vlera përditë.
Është kënaqësi, nder dhe privilegj që sot fillojmë me 100 familjet e para, të cilat pjesa më e madhe as nuk do ta kishin pasur dot mundësinë që të blenin apartamente të këtyre standardeve, që do të pasohen nga 1000 familje të tjera, në totalin e 1100 familjeve të prekura nga tërmeti, por jo vetëm atyre, por edhe atyre që ishin në këtë zonë ku ne vendosëm të ndërtojmë këtë lagje të re, e cila do të jetë, mbajeni mend këtë që po ju them, sëbashku me lagjen e Kombinatit, do të jetë lagja më moderne e Tiranës për disa vite ku gjejnë strehë, falë këtij programi edhe siç thashë familje që ishin këtu në kushte mizerabël, pa infrastrukturë, disa me legalizime, disa pa legalizime fare, disa me prona, disa pa prona fare dhe për të gjithë, programi dha një rrugë të re, një mundësi të re, duke ju ofruar atyre shumë më tepër se sa do t’u ofronete një zhvillues privat e duke bërë që edhe familjet e tyre të sistemohen për bukuri.
E gjitha kjo, falas! Pa asnjë kokërr leku nga xhepi i këtyre familjeve!
Nga të gjitha programet e rindërtimit që ne kemi studiuar në kontinentin tonë, por edhe në vende të tjera, për të mësuar si i kanë ndërtuar modelet financiare, si i kanë ndërtuar modelet urbanistike, si i kanë ndërtuar marrëveshjet, nuk kemi gjetur asnjë program që t’i kthejë familjet në shtëpi falas, duke u dhënë titullin e pronësisë, njësoj si të ishin pronarë apo blerës. Të gjitha programet kanë kredi. Natyrisht, kredi të buta, por të buta, kreditë janë kredi e ne nuk mund t’i ngarkonim këtyre familjeve asnjë qindarkë, që për çdo muaj që për 10,15 apo 25 vjet t’ia jepnin bankës.
Kështu që për këtë jam shumë krenar se është edhe një përgjigje me vepra e gjithë atyre fjalëve, e gjithë atyre maskarallëqeve që janë thënë, të cilat për hir të vërtetës nuk është se e ndryshojnë bindjen time apo se e ulin energjinë time apo se e bëjnë më të vështirë punën time, por kanë stresuar kaq shumë njerëz, kanë futur në ankth kaq shumë familje, kanë ngatërruar kaq shumë fqinj me njëri-tjetrin dhe kanë futur frikën tek komunitetet, që nga Kombinati, ku çfarë nuk shpifet, deri tek 5 Maji e që nga Tirana, në Kavajë, në Vorë, në Durrës, në Laç, Kurbin, Lezhë e deri në Mirditë. Jo “shtëpitë nuk do ndërtohen kurrë”, jo “do jua marrin tokat që të bëjnë vilat e tyre”, jo “do bëjnë pallate për vete e do i shesin”, jo “po jua prishin juve që tua japin oligarkëve”, një mizerabiliteti në emër të politikës e në emër të luftës së pakuptimtë për pushtet që në kaq shumë kohë e bëri këtë proces të vështirë për njerëzit.
Edhe sot e kësaj dite, në këtë moment që flasim në kombinat mund të gjeni njerëz që mendojnë se natën do shkojnë oligarkët e do t’u marrin tokat e pastaj do shkojë lali Eri të ndërtojë vila atje bashkë me MyBach dhe me Lamborghini.
Ndërkohë që, unë iu them dhe banorëve të Kobinatit që cështjet tanimë janë zgjidhur. Kemi pasur humë çështje për të zgjidhur, edhe këtu. Kemi pasur shumë çështje për të zgjidhur për të konsoliduar pronën, për të bërë marrëveshjen me të gjithë ata, që me të drejtë, kërkonin pjesën e tyre, duke qenë këtu, qoftë pronar, qoftë me shtëpi të legalizuar apo qoftë me shtëpi të pa legalizuar fare dhe për të sistemuar të gjithë aspektin e letrave, në mënyrë që këto shtëpi falas, që vijnë bashkë me titullin e pronësisë në Kadastër, të mos kontestohen nesër nga askush dhe të mos vijë nesër njëri dhe të thotë “Shiko ta kanë dhënë ty shtëpinë ata, por unë jam pronari këtu” apo “Më takon mua të të marr ballkonin” e kështu me radhë.
Nga ana tjetër, këto janë lagjet më të mëdha të rindërtimit.
Këtu, përvec 1100 familjeve drejtpërdrejtë të prekura, projekti parashikon edhe shumë familje të tjera dhe në total, një lagje me 11 mijë banorë dhe në këtë projekt, ne do të vëmë në jetë vazhdimin e gjithë kësaj experience, jo më vetëm për ata që u prekën nga tërmeti, se me ta do mbarojmë punë deri tek familja e fundit, por edhe për familje të tjera, me një kombinim të një Programi Kombëtar Strehimi social për familjet më në nevojë dhe për çiftet e reja dhe me zhvillime komerciale, për të mos krijuar lagje geto, fjetore të varfrish, por për të krijuar lagje ku ndërthuren të gjitha shtresat dhe ku fëmijët e familjeve më të varfra me fëmijët e familjeve më të pasura të rriten bashkë dhe nuk rriten si dy kategori sociale të ndara dhe të dënuara që në fëmijëri që të jenë të ndara dhe ku më tepër, shërbimet janë në nivele më të larta.
Këtu nuk do ketë vetëm banesa. Këtu do ketë kopshte, shkolla, këtu do ketë qendër shëndetësore, këtu do ketë parqe, terrene sportive, gjelbërim pafund.
Këtu do ketë njësi shërbime, restorante, klube, jetë nate.
Do shikoni që ai Bregu i Lumit, që ka qenë plagë për Tiranën do të jetë një Breg Lumi krejt ndryshe me zhvillimet që do të vazhdojnë.
Për më tepër, këtu do ketë dhe godina institucionesh publike. Agjensia e Teatrove të Shtetit , shkolla e famshme e teknologjisë së lartë franceze ““ECOLE 42”, e me radhë. Për më tepër, folëm dhe kemi diskutuar që shumë nga këto njësitë e shërbimit, që një pjesë do u jepet atyre që i kanë marrë si rezultat i marrëveshjes si pronarë këtu apo që kanë asur njësi shërbimi etj, pjesa tjetër do u vihet në shërbim fëmijëve për destinancione, të cilat ne po i përgatisim në kuadër të programit të arteve dhe zejeve në shkollë, klubet e vizatimit, muzikës, të teatrit, e me radhë.
Pra, lum kush do jetë banor i “5 Majit” dhe “Kombinati”-t në fund të kësaj dekade.
Sigurisht që gjithçka kërkon durim dhe kërkon punë, po tanimë jam shumë i çliruar sepse punët kanë filluar të flasin vetë dhe nuk ka nevojë të flasim ne për më gjatë, aq më tepër në këtë moment kur jemi në ditën e fundit të vitit dhe ku një vit i ri vjen përpara nesh me të gjitha sfidat dhe mundësitë e reja.
Unë po ndalem këtu, duke iu lënë porosi të bëni kujdes për bravat sepse ka filluar në qytet një çështje bravash, kështu që, ruani bravat mos jua ndërrojnë dhe bëni kujdes nga çelësat që nuk kanë lidhje me bravën. Mbani celësin dhe bravën tuaj e mos shkoni pas çelësave që nuk hapin asnjë bravë dhe pas bravave që nuk fusin dot asnjë çelës.
Gëzuar!
Ta kaloni gëzuar gëzuar të gjithëve!
T’i gëzoni shtëpitë, janë tuajat. Atyre që po shohin dhe po thonë “Po ne”, iu them që muaj pas muaji, ne do jemi këtu për të dhënë apartamente të reja dhe jam i bindur që në fund të këtij viti, ku ne të gëzojmë së bashku me ata që do vijnë këtu për të hyrë në shtëpitë e reja, ne ta kemi përmbyllur detyrimin për ato familje që janë prekur nga tërmeti në këtë lagje dhe që u takon të marrin shtëpinë në këtë lagje.
Puna do vazhdojë më tutje për zhvillimin e mëtejshëm të një lagjeje që, siç thashë, si lagje e re fillon me 100 banorët e parë dhe me vitet që vijnë, do shkojë në 11 mijë banorë. Kjo do jetë dekada e 5 Majit të ri, i cili do jetë një destinacion për të gjtiha moshat dhe do jetë një zonë ku do ketë punë, shërbime, ekonomi familjare, biznese të vogla, biznese të mëdha, shërbime publike, edhe jetë nate, për të gjtihëa ta që duan jetën e natës, por me garancinë që të tjerët të mund të flenë rehat dhe nuk do llahtarisen gjithë natën nga muzika, duke parë me inat njëri-tjetrin në krevat.
Faleminderit!