Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Lagjja e re në Laç, e rindërtuar nga themelet pas tërmetit është shndërruar në simbolin e bukur të miqësisë dhe solidaritetit mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Turqia ishte një ndër vendet mike që e shprehu solidaritetin e jashtëzakonshëm që në momentet e para pas tërmetit, duke u angazhuar me forca njerëzore dhe burime materiale në vendin e ngjarjes.

Zona 1 e lagjes së re në Laç, është projekti i finalizuar me sukses falë kontributit të qeverisë turke. E shndërruar krejtësisht pas tërmetit zona ka 522 apartamente, 13 banesa kolektive dhe 26 hyrje pallatesh. Pjesë e lagjes së re janë edhe  25 njësi shërbimi, 380 vende parkimi, një qendër tregtare me 12 njësi shërbimi, një kënd lojërash dhe hapësira të gjelbra. Projekti është zbatuar ndër të tjera si shprehje respekti për territorin, me parametra urbanë miqësorë me territorin, një projekt që merr në konsideratë dhe elementë tradicionalë, të përkthyer natyrisht në një arkitekturë bashkëkohore.

Ndërkohë, zona 2 e lagjes së re është financuar dhe menaxhuar nga qeveria shqiptare, ku është projektuar ndërtimi i 10 banesave kolektive me rreth 203 apartamente, që priten të përfundojnë plotësisht në pranverë.

Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ishin sot në Laç për t’u dorëzuar banorëve çelësat e shtëpive të reja.

Gjatë ceremonisë, Presidenti turk u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Kurbinit” me motivacionin për solidaritetin e ndihmën në ditët më të vështira për Kurbinin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në procesin e rindërtimit.

Gjithashtu, nga sot, sheshi i lagjes së re, në qytetin e Laçit do të mbajë emrin e Presidentit Erdogan, në shenjë mirënjohje dhe respekti për mbështetjen dhe kontributin  e madh që Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka ofruar  në procesin e rindërtimit pas tërmet tragjik.

 

* * *

 

Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoni: Kjo është një ditë jashtëzakonisht e veçantë dhe unë do të flas sa më shkurt, pasi sot të gjithë duan të dëgjojnë mikun e madh të Shqipërisë dhe kam nderin ta them, mikun tim të çmuar, Presidentin Erdogan.

Sot, dua të tregoj një episod që nuk kam për ta harruar kurrë, nga takimi im i parë fare me presidentin, i cili asokohe ishte kryeministër i Turqisë. Të them të drejtën, unë isha i ndrojtur sepse e njihja vetëm nga larg, nga televizori dhe, ju e dini, nga televizori nuk duket edhe aq i buzëqeshur. Me thënë të drejtën, edhe kur u takuam dhe ishim ulur ballë për ballë, më shikonte, por nuk buzëqeshte. Unë akoma nuk isha bërë kryeministër dhe më thotë “Dëgjo këtu, Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën time, shqiptarët janë në zemrën e popullit turk. Unë dëshiroj ti të jesh vëllai im, por unë do të të them vëlla, atëherë kur ti, si kryeministër i vendit tënd, të meritosh respektin e popullit tënd”.

Unë jam shumë krenar që mund ta quaj veten miku i presidentit Erdogan. Madje një gazetare gjermane para disa kohësh më pyeti në një konferencë, “A është e vërtetë që ju jeni miku i presidentit Erdogan dhe a e keni vërtetë mik presidentin e Turqisë”?

“Jo nuk është e vërtetë, e kam shumë mik, nuk e kam mik”, – i thashë.

(E kam frikë këtë terxhumanin se nuk di si mi kthen fjalët në turqisht por, nuk kam rrugë tjetër, duhet të besoj terxhumanin se unë turqisht jam në moshë shumë të thyer për ta mësuar.)

Sot dua të them edhe këtë. Tanimë u bënë vite që kam privilegjin të jem në këtë detyrë dhe i kam takuar thuajse të gjithë këta burrat e mëdhenj të shteteve.

(Tani erdhi një Terxhuman tjetër, se ai e ka me kokë se ai tjetri edhe përkthen gabim dhe ikën, ndërsa ky është ngjitur me presidentin.)

Po thoja që kam takuar thuajse të gjithë këta burrat e mëdhenj të shteteve për shkak të detyrës dhe është e vërtetë që shpeshherë janë kuriozë “cc‘është kjo miqësi kaq e  ngushtë e imja me presidentin e Turqisë, dhe zakonisht priren ta shohin këtë si një çështje konspiracioni. “Jo po Turqia Neotomane, jo xhamitë, jo aspiratat e presidentit etj etj”. Kurse përgjigja ime është shumë e thjeshtë “Presidenti Erdogan thotë atë që bën dhe bën atë që thotë”.

Më besoni që nuk është e lehtë në botën e sotme, edhe në diplomacinë e sotme, Mevludi e di shumë mirë këtë, që të gjesh njerëz që Po-në e kanë Po dhe Jo-në e kanë Jo. Kjo është arsyeja pse unë tani i solla këto episode, sepse ja ku jemi sot. Këtu është materializimi i të gjithë fjalëve të bukura.

Këtu mund të shikohet se çfarë do të thotë presidenti Erdogan kur thotë “Shqipërinë e kam në zemër dhe çfarë i dhemb Shqipërisë, më dhemb dhe mua”.

Mustafa Kemal Atartuk mbolli në shpirtin e Turqisë moderne frymën se njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo komb është pjesë e atij trupi. Ai tha se “Nuk mundet dot kurrë të themi se çfarë rëndësie ka për ne që një pjesë e këtij trupi është e sëmurë përsa kohë ne nuk jemi të sëmurë. Nëse një pjesë e këtij trupi është e sëmurë, ne duhet të shqetësohemi sikur të ishim ne të sëmurë”.

Këtë frymë presidentit Erdogan e ka rrënjosur thellë tanimë në shpirtin e Turqisë, në qasjen e Turqisë, në mënyrën sesi Turqia e shikon botën dhe miqtë e saj.

Kuptimi që ai i jep me vepra, jo vetëm me fjalë, fjalës vëllazëri është mishërimi i asaj që thotë profeti Muhammed, Paqja e Zotit qoftë mbi të. “Asnjë nga ju nuk beson nëse nuk dëshiron për vëllain e vet të njëjtën gjë që dëshiron për veten e vet”.

Premtova që do flas shkurt, por në këtë pikë, siç thonë kritikët e mi, unë i ngjaj atij. Megjithatë, do ta mbyll duke sjellë edhe një episod tjetër. Gjatë kohës që sapo kishte filluar puna me mikun tonë, ministrin e ngarkuar për këtë rindërtim, Muratin, në Turqi ra një tërmet. Të gjithë këtu u alarmuan se thanë “Tani i ra tërmeti në shtëpinë e tij” dhe presidenti do harrohej rindërtimin këtu. Unë i thashë i bindur që kjo nuk do ndodhë. Jo vetëm sepse Turqia i ka mundësitë që njëkohësisht t’i bëjë të dyja, por dhe nëse nuk do t’i kishte mundësitë, presidenti Erdogan nuk do ta linte punën për të mbajtur fjalën këtu që të shkonte të bënte punën atje, sepse e përsëris dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua, presidenti Erdogan jo vetëm e thotë, jo vetëm e mendon, jo vetëm e beson, por edhe e bën në realitet atë që solla këtu pak më parë si një nga porositë e Profetit; Nuk beson nëse nuk i dëshiron vëllait tënd të njëjtën gjë që i dëshiron vetes tënde.

Ndryshe nga ministrat e Republikës së Turqisë, unë nuk do ta mbyll fjalimin me presidentin e Republikës së Turqisë. Do ta mbyll fjalimin me Servetin, i cili për mua, është shëmbëlltyra e njeriut të punës që ka farkëtuar gjithë politika e presidentit të Republikës së Turqisë. Për më tepër, Serveti i ka çuar vëllazërinë një hap më tutje, e ka tejkaluar edhe presidentin sepse djalin e ka martuar me një shqiptare.

Zoti president, shumë, shumë, shumë faleminderit.

 

*Fjala e Presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan:

I nderuar Kryeministër,

I dashur miku im,

E nderuar kryetare e kuvendit të Shqipërisë,

Të nderuar ministra,

Të dashur motra e vëllezër të mi të qytetit të Laçit,

Të gjithë juve dua t’ju përshëndes me ndjenjat më të përzemërta, me dashuri dhe respekt!

Ju kam sjellë këtu të gjithë dashurinë e miliona zemrave dhe përshëndetjet e përzemërta të popullit të Turqisë!

Ju kam sjellë njëkohësisht dhe përshëndetjet e vëllezërve dhe miqve tuaj në Turqi, të cilët zemrat e tyre rrahin sëbashku me juve!

Nga këtu, nëpërmjet jush, dua të përcjell përshëndetjet e kombit tim të nderuar për mbarë Shqipërinë, për gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptare. Dua të theksoj faktin se jam shumë i lumtur që ndodhem këtu sëbashku me ju, me rastin e kësaj ceremonie kuptimplote e njëkohësisht që jam bërë pjesë e këtyre emocioneve dhe entuziazmit tuaj.

Gëzimi i Shqipërisë është gëzimi ynë dhe hidhërimi i Shqipërisë, njëkohësisht është hidhërimi ynë. Kështu që mirëqenien dhe paqen tuaj e konsiderojmë të njëjtë si tonën.

Duke qenë si një populli i një vendi që ka përjetuar dhimbje të ngjashme shumë herë më përpara, tërmetet e ndodhura në 21 shtator dhe 26 nëntor në Shqipëri, lënduan zemrat tona njësoj si zemrat e popullit shqiptar. Sapo morëm lajmin e hidhur për tërmetin, menjëherë jemi vënë në lëvizje për të ndarë dhimbjen e njerëzve të zonës që ishin prekur nga tërmeti e për t’u munduar që të shërojmë sado pak plagët e tyre. Ne si shtet, duke u mobilizuar me të gjitha mundësitë tona, ju erdhëm në ndihmë.

Njësoj siç e theksoi dhe miku im, zoti Edi Rama dhe në fjalën e tij, vëllai i qëndron pranë vëllait kur ka nevojë e jo kur thirret.

Pas tërmetit të ndodhur, ne menjëherë kemi dërguar në Shqipëri, të gjitha materialet, pajisjet e nevojshme të ndihmës së shpejtë dhe njëkohësisht ekipet teknike, nëpërmjet ambasadës, Tikës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mjedisit. Duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me mikun tim, me kryeministrin zotin Edi Rama, kemi bërë të mundur ndjekjen nga afër të gjithë këtyre punimeve që sapo kishin filluar.

Unë personalisht jam aktivizuar dhe morëm sëbashku iniciativa që përgjatë këtij procesi të tërmetit, për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, filluam kontaktet tona me komunitetin ndërkombëtar dhe me organizatën e bashkëpunimit islamike. Fakti që Turqia ishte një nga shtetet e para që i erdhi në ndihmë Shqipërisë, është një dëshmi e qartë e këtij solidariteti të fortë mes nesh.

Për të lehtësuar sadopak dhimbjen, barrën e atyre familjeve të prekura nga tërmeti, ne morëm vendim me zotin Kryeministër, duke firmosur kështu dhe një Memorandum mirëkuptimi që shtëpitw, banesat, apartamentet që ishin të rrënuara gjatë tërmetit, të ribëheshin, të rindërtoheshin nga zero.

Në muajin korrik 2020, sapo nënshkruam Memorandumin e mirëkuptimit, filluam menjëherë ndërtimin e kantierit, edhe pse kishte shpërthyer koronavirusi.

Para 13 muajsh, pikërisht në këtë vend ku jemi sot, bëmë ceremoninë e hedhjes së themeleve të banesave, pikërisht këtu, ku jemi në një lidhje direkte dhe sot po i dorëzojmë këto banesa, që janë gjithsej 522 njësi banimi që kanë kushtuar afërsisht 42 milionë euro. Në këto momente dua t’i uroj të gjithë përfituesve, familjarëve, t’i gëzoni këto banesa!

Falënderoj të madhin Zot që edhe gjatë këtij procesi, edhe pse Turqia u sprovua gjatë këtij procesi me shumë fatkeqësi natyrore, me tërmete, me zjarre, ne përsëri arritëm të përmbushim e të përmbajmë premtimin tonë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Tani po theksoj një gjë. Ajo që dua të theksoj është parim besimi, i cili, shenja e vëllazërisë nuk është kur ti të vish kur të thërrasi, por të qëndrosh pranë vëllait tënd kur ai ka nevojë. E pikërisht ne, tani e tutje do vazhdojmë t’ju qëndrojmë pranë. Shpresoj që kjo  miqësi me baza kaq të forta, do të vazhdojë deri në pafundësi.

Të jesh me vëllain në kohë të mira e të vështira, është një nga këto vlera, të cilat i përmenda pak më lartë.

Gjatë pandemisë dhe gjatë situatës së ngushtë, të gjithë shtetet e fuqishme e shtetet e mëdha, u kyçën e u mbyllen brenda, duke mbyllur dhe sytë e tyre, ama ne nuk vepruam ashtu, bëmë të kundërtën, dolëm edhe jashtë kufijve për të parë dramat e vëllezërve tanë e për t’u qëndruar pranë me çdo mundësi që kishim ne. Duke besuar fort në bekimet e në mirësinë e ndarjes me të tjerët dhe sidomos, më e rëndësishmja, fuqisë së solidaritet, ne vijuam të mbështesim miqtë tanë në luftën kundër pandemisë dhe ndamë me ta të gjitha mundësitë që kishim.

Si produkt, si fryt i këtij solidariteti kaq të fortë, kaq miqësor, vëllazëror, kemi Spitalin e Miqësisë Turqi – Shqipëri, që ashtu e kemi emërtuar, spitalin rajonal të Fierit, i cili është ndërtuar brenda 68 ditëve. Ky spital, ku mora pjesë në ceremoninë e hapjes nëpërmjet video konferencës, e quajtëm pikërisht Spitali i Miqësisë Turqi – Shqipëri, për të pasqyruar lidhjet e forta mes popujve tanë. Ë këtë spital, tashmë janë ekipet e mjekëve dhe infermierëve turq e shqiptar që punojnë krah për krah, për t’i shërbyer qytetarëve e për të përhapur sa më shumë shërim. Tani, me miqësinë tonë Turqi – Shqipëri, këtu me këtë inaugurim, me këtë ceremoni, po e kurorëzojmë akoma dhe më tutje.

Me këtë rast, i lutem Zotit të gjithësisë, për të gjithë ata shpirtra që kanë kaluar nga kjo botë përgjatë tërmetit, t’i mëshirojë, t’i ketë nën mbrojtjen e tij dhe përcjell ngushëllimet e sinqerta të gjithë familjarëve dhe të afërmeve të tyre dhe the që i madhi Zot të mos na sjellë  përballë këtyre sprovave kaq të mëdha. Ndoshta ata të cilët kanë vdekur, nuk e kemi mundësinë t’i kthejmë mbrapsht, por ajo që na përket neve është që të marrim masa për të mbrojtur ata që jetojnë këtu mes nesh. Me banesat e tërmetit që kemi ndërtuar këtu, sigurojmë tashmë 522 familje shqiptare, të cilat do kalojnë pjesën e mbetur të jetës së tyre këtu.

Edhe një herë uroj, dëshiroj që këto apartamente, njësi banimi, banesa, të jenë të dobishme, të sjellin dobi për të gjitha familjet shqiptare. T’i gëzoni! Uroj që të jetoni në këto banesa me mbarësi, me shëndet të plotë!

Dua të përgëzoj të gjithë ata, të cilët kanë kontribuuar në realizimin dhe finalizimin e këtij projekti, fillimisht Ministrinë tonë të Mjedisit dhe Toki si dhe kompaninë kontraktore, inxhinierët, punëtorët dhe gjithë të tjerët që kanë qëndruar korrekt në mbështetjen e tyre. njëkohësisht një përshëndetje speciale do kisha dhe për mikun tim, për kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama që gjatë gjithë këtij procesi ka qëndruar pranë me çdo mundësi dhe me suportin e tij.

Edhe njëherë ju përshëndes me ndjenja të thella të mia e të përzemërta, ju uroj shëndet dhe mbarësi!

* Përkthim simultan

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.