Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Një lagje e re, e ngritur nga themelet është ajo e Ndroqit, e cila pritet të përfundojë në vjeshtë me shtëpitë e banimit, kopshtin, shkollën dhe një qendër komunitare.

Gjithçka është projektuar dhe organizuar nga e para, shumë më ndryshe se në fshatin e dikurshëm, ku shtëpitë e vjetra të ndërtuara në pika të largëta e të veçuara u shembën ose u dëmtuan rëndë nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.

Në kantierin e lagjes së re ishte sot serish kryeministri Edi Rama së bashku me Ministrin për rindërtimin Arben Ahmetaj dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

“Herën e parë që ishim këtu ne ishim në cepin tjetër të lagjes. Tani ndërkohë kemi vazhduar edhe me një parcelë tjetër, kemi shkuar në 74 objekte.” – u shpreh kryebashkiaku Veliaj i cili shpjegoi se në lagjen e re do të rikonstruktohen dhe integrohen edhe disa objekte të vjetra. “Jemi munduar që ata që kanë qenë në mes të territorit t’i akomodojmë, pra duke mos prishur shtëpitë. Thjeshtë në finale kur të bëhet kompletimi i lagjes së re do të duhet të akomodojmë me estetikë edhe objektet e vjetra.” – shtoi ai.

Lagja e re në Ndroq, do të jetë gati në vjeshtë, ku rreth 350 banorë do të mblidhen në këtë lagje qendrore, me akses të shpejtë në shërbime për të gjitha moshat.

“Si kapacitet është rreth 4 herë më i madh se i Vaqarrit, duke qenë se kodrat e Ndroqit kanë qenë ndër më të prekurat prej tërmetit kështu që pjesa më e madhe do të zbresë nga zonat kodrinore në kufi me Durrësin, buzë rrugës kryesore. Është nga zonat ku kemi patur bashkëpunim pasi disa nga terrenet në kodrinat mes Tiranës dhe Kavajës ka qene realisht një peripeci për të çuar shkollën dhe për të zhvilluar rindërtimin me ujë dhe me drita. Transferimi i tyre në qytet është një bonus i jashtëzakonshëm. “ – u shpreh Veliaj. ​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.