Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Lagjja historike e Vlorës, nga një rrënojë e zhytur me dekada nën pluhur e rrecka të vjetra, harrese e dëshpërimi, po rilind si një tjetër zonë rrezatuese zhvillimi turistik dhe ekonomik, punësimi dhe shprese tek e ardhmja. Është bërë rehabilitimi i gjithanshëm i të gjitha lagjeve të zonës, duke risjellë në vëmendje elementët e arkitekturës tradicionale, njëherësh duke iu përgjigjur kërkesave të jetës aktuale. Është bërë rivlerësimi urban i shesheve brenda zonës, duke studiuar hartat e vjetra të qytetit dhe duke ruajtur sa më shumë elementët tradicionalë dhe gjurmët e vjetra të zonës. Është bërë rikonstruksioni i rrugëve “Justin Godard”; “Irfan Shehu”, “Elham Doci” dhe është kryer restaurimi i objekteve historike të zonës. 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e përfundimit të rehabilitimit dhe restaurimit të lagjes historike të Vlorës:

Ç’është e vërteta edhe për mua që e kam parë me sytë e mendjes këtë zonë shumë kohë më parë dhe kam qenë nxitës i këtij bashkëpunimi shembullor me Fondacionin, ajo që po del në dritë është përtej parashikimit. Është një hapësirë tërësisht e re, jo thjesht pastërtie dhe bukurie, por edhe zhvillimi ekonomik.

Për këtë i jam mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuuar për këtë transformim shembullor. Patjetër kryetarit të bashkisë, që më vjen shumë keq që sot nuk është këtu me ne për shkak humbjes tragjike të të vëllait, të cilin kam pasur mundësinë ta njoh personalisht dhe duke u lutur të prehet i qetë, i përcjell edhe me këtë rast publikisht, përveçse e kam bërë personalisht, ngushëllimet e mia më të ndjera Dritanit dhe gjithë familjes.

Nga ana tjetër jeta vazhdon dhe do të vazhdojmë sëbashku me Dritanin, sëbashku me Majkun, me Fondacionin dhe me të gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në transformimin e Vlorës, të çojmë përpara këto projekte, të cilat të gjitha sëbashku do të hyjnë në historinë e këtij qyteti si projektet e një kthese historike, të një transformimi epokal dhe të kalimit nga një periudhë e errët, ku në radhë të parë ka munguar shpresa dhe pastaj si pasojë e mungesës së shpresës ka munguar ambicia dhe ku problemi më i madh ka qenë varfëria e aspiratave, në një periudhë të re, ku pikërisht varfëria e aspiratave është në shënjestër si kundërshtari ynë kryesor dhe aspirata më të mëdha janë sot absolutisht legjitime e të mundshme.

Kur kemi nisur projektin e ngjashëm të pazarit të vjetër të Korçës, e kemi pasur shumë të qartë se çfarë do të bëjmë, por përsëri njësoj si këtu nuk e kemi rrokur dot me forcën e parafytyrimit, atë që ka ndodhur shumë më shpejt, sesa e kemi parashikuar.

Sot, pazari i vjetër i Korçës, që ishte një udhëkryq rrangullash e rrobash të përdorura, mbushur me erë të keqe e me pluhur, është kthyer në një motor të zhvillimit ekonomik të qytetit. E njëjta gjë mund të thuhet për të gjitha projektet që kemi bërë bashkërisht, por edhe për të gjitha projektet në tërësi të Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane.

E kemi parë këtë zonë në vegjëlinë tonë si një zonë fotosh historike, e kemi parë sesi… [ndërprerje] kalimin e tyre të famshëm të vitit 1920, kemi parë përmes fotografive, sesi po në këtë zonë është bërë qëndisja e flamurit që pastaj Ismail Qemali ngriti në nëntor të 1912-n. Po ashtu kemi mësuar se kjo zonë nuk është thjesht një zonë objektesh që kanë një rëndësi të caktuar arkitektonike përsa i përket trashëgimisë sonë kulturore, por është një zonë e mbushur me histori në shumë prej objekteve, është një zonë ku ndërthuren religjionet, është një zonë ku ka pasur shtëpinë e vet edhe qeveria e Shqipërisë. E pra, sot zona rikthehet me një status tjetër dhe me një fuqi krejt të re për të tërhequr vizitorë, turistë, të gjitha moshat që e banojnë Vlorën, për të tërhequr më të rinjtë, jo thjesht si një zonë rekreative, por edhe një zonë ku mund të mësohet duke u prekur historia e jashtëzakonshme e këtij qyteti.

Nga ana tjetër kemi parë realisht të mrekulluar sesi skuta të errëta e krejt të pavizitueshme të kësaj zone po transformohen në hapësira të brendshme, që lënë vend për të imagjinuar shumë aktivitete ekonomike dhe për të imagjinuar se çfarë fluksi i madh jete do t’i vijë zonës, kur ndërhyrja të ketë përfunduar nga pikëpamja fizike, kur të kenë filluar transformimet e brendshme të godinave dhe të ketë filluar një aktivitet ekonomik i një niveli krejt tjetër.

Përpara se të vija këtu, në këtë foltore, bashkë me Majkun dhe me miqtë e tjerë që na nderojnë sot bëmë një vizitë të shkurtër në brendinë e një godinave ku po lind një hotel butik, i paimagjinueshëm për Vlorën pak vite më parë dhe ku me shumë shije po harmonizohet e shkuara me ambicien për të ardhmen në funksion të rritjes të rritjes ekonomike, të punësimit dhe të rritjes së fuqisë tërheqëse të këtij qyteti. Si ai hotel që po ndërtohet, kështu do të jenë të gjitha hapësirat e brendshme të këtyre godinave, natyrisht me një larmi aktivitetesh ekonomike.

Do të duhet pak durim, siç u desh pak durim për transformim që ndodhi në Korçë. Por padiskutim që kjo zonë do të kthehet nga një gropë e zezë ku askush nuk i kalonte pranë dhe ku tregtarë të varfër përpiqeshin të nxirrnin bukën e gojës duke shitur rroba të përdorura, në një arsye për të ardhur në Vlorë, jo vetëm në periudhën e verës, por edhe të dimrit, duke u bërë një pikë tërheqëse për të gjitha stinët. Natyrisht, fillimisht për qytetarët brenda vendit, që lëvizin gjatë fundjavave dhe më tutje për vizitorët e huaj. Të mos harrojmë se paralelisht me gjithë këto zhvillime jemi shumë pranë një zhvillimi rrënjësisht transformues, që është ndërtimi i aeroportit të ri të Vlorës që do të sjellë një impakt ekonomik dhe një hapje eksponenciale përsa i përket numrave të njerëzve që do të vizitojnë këtë qytet dhe Jugun e Shqipërisë.

Paralelisht jemi duke përfunduar projektin e ri të zonës së mbetur midis kësaj pjese dhe pjesës së bulevardit, pra, të gjithë pjesës që aktualisht është Sheshi i Flamurit ku do të duhet të bëjmë një ndërhyrje radikale për të krijuar një hapësirë po kaq cilësore, saç është hapësira e Lungomares, hapësira e bulevardit dhe kjo hapësirë.

Paralelisht po bëjmë projektit për t’u shtrirë më tutje në këtë zonë dhe për ta mbyllur të gjithë kornizën e trashëgimisë historike e kulturore të zonë, po fillojmë së shpejti punën për zgjatimin e Lungomares, fillimisht me segmentin deri tek Tuneli e pastaj do të vazhdojmë me segmentin tjetër deri poshtë në Orikum.

Njëkohësisht, në muajt në vijim do të fillojë projekti i rindërtimit të plotë të shëtitores përballë portit, aty ku faktikisht bëhet ndarja midis rrugës automobilistike që shkon drejt Lungomares dhe pjesës tjetër që përdor atë segment si shëtitore, ku do të ndërtojmë një park të madh qendror për Vlorën.

Po punojmë për ndërhyrjen e integruar të Kaninës, në përpjekjen për ta rivitalizuar Kaninën si një pikë referimi për turistët, por edhe për ta bërë më të qëndrueshme dhe më organike lidhjen mes qytetit dhe Kaninës. E patjetër që duhet të shtyjmë fort, të bëjmë shumë përpjekje për të transformuar Portin e Vlorës, i cili është në një gjendje të ndërmjetme, midis rrënojës që ishte dhe asaj që duhet të jetë, duke e transformuar në një port mirëfilli turistik dhe për pasagjerët, duke rregulluar gjithë aktivitetin tregtar që bëhet për mallra aty dhe duke synuar që të bëjmë një lidhje shumë organike midis asaj porte hyrëse nga deti me portën tjetër hyrëse nga ajri dhe pastaj me portat më të vogla nga toka, në mënyrë që Vlora të marrë të gjithë fuqinë për t’u bërë  një qendër graviteti rrezatuese për ekonominë, për punësimin, për zhvillimin tërësor të gjithë këtij rajoni të madh që është Jugu  i Shqipërisë.

Dua të nënvizoj faktin që paralelisht me këto investime po rritet ambicia dhe po rriten investimet private për të përmirësuar hapësira ekzistuese, apo për të ndërtuar struktura të reja. E nëse deri përpara disa vitesh nuk mund të imagjinonim investime për 5 yje në zonën e Vlorës, për shkak se asgjë nuk të çonte në përfundimin se duhet të bëjmë investime që kanë nevojë për klientë që shpenzojnë shumë para, sot jemi në kushtet kur këto investime janë kryer dhe po vazhdojnë të kryhen dhe shumë të tjera më tutje do të vijojnë.

Natyrisht që duhet përveç të tjerave durim. Unë e them gjithmonë kur flas në Vlorë, që durimi nuk është virtyt i vlonjatëve dhe në tërësi sot, në vend është një mall shumë i kërkuar, por njëkohësisht shumë i munguar. E megjithatë më vjen shumë mirë që duke e krahasuar padurimin e kohëve të fillimit, kur ne filluam investimet, me padurimin e sotëm, ka një përmirësim të ndjeshëm, pra, ka një ulje të shkallës së padurimit, nuk mund të them se ka një rritje të shkallës së durimit dhe sepse ndoshta kjo do t’i fyente motrat dhe vëllezërit vlonjatë.

Shumë faleminderit të gjithëve për kontributin!

Edhe njëherë tjetër, shumë faleminderit edhe miqve të Fondacionit, që kanë ardhur nga larg për të asistuar në këtë moment, besoj të bukur, kur njerëzit që investohen në një ëndërr, kanë mundësinë të shikojnë se si ëndrra po bëhet realitet. Me shpresën që të vazhdojmë të bëjmë së bashku gjera të mira dhe që të meritojmë të kemi edhe më shumë financime nga Fondacioni, duke vazhduar të provojmë se jemi në gjendje që financimet t’i kthejmë në vepra për të cilat të gjithë jemi krenarë, ju uroj me gjithë zemër një të diel të bukur dhe  një javë të mbarë, pas të dielës që mbaron së shpejti.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.