Trajtimi modern i mbetjeve në landfillin e Elbasanit do të shndërrohet në një model që do të shtrihet në të gjithë vendin. Impianti i certifikuar sipas standardeve të Bashkimit Europian, përveç përpunimit të plehrave do të jetë në gjendje të prodhojë energji.
“Ia premtuam Elbasanit këtë dhe po ia bëjmë brenda mandatit. Jo vetëm u zgjidh një problem, por faktikisht u kalua në një fazë komplet tjetër që s’e ka asnjë qytet tjetër”, – deklaroi Kryeministri Rama gjatë inspektimit.
Ndryshe nga landfille të tjera, të cilat do t’i kushtonin bashkisë të paktën dy milionë euro, për mbetjen apo depozitimin e plehrave bashkia në Elbasan nuk do të paguajë asgjë. Ky model do të shtrihet edhe në rajone të tjera të vendit. “Ne jemi në përgatitje për ta përtërirë këtë eksperiencë edhe në disa zona të tjera, me shpresën e madhe që në një masë shumë të konsiderueshme ky problem do të zgjidhet me themel një herë e mirë dhe Shqipëria nga një vend i mbytur nga plehrat nga të katërta anët, jo vetëm për shkak të mungesës së pikave të depozitimit, por edhe për shkak të helmeve që ato prodhojnë të shndërrohet në një vend normal në këtë aspekt, siç e meriton faktikisht”, – shtoi kreu i qeverisë.
Ndërkohë ministri i Mjedisit Lefter Koka tregoi edhe për përfitimin energjetik që do të pasojë këtë investim. “Do të prodhojë rreth 2.8MW, nga të cilat 0.5 do të jenë të nevojshme për vetë impiantin dhe pjesa tjetër do të jenë të ardhura që do t’i shkojnë bashkisë së Elbasanit.”
Paralelisht me punimet për përfundimin e punimeve të landfillit ka nisur edhe procesi i zhvendosjes së mbeturinave nga Elbasani në landfill, proces që do të përmbyllet brenda 3-4 muajve të ardhshëm. “Është bërë gati që të fillojë zhvendosja nga fusha e vjetër këtu. Kapaciteti është 360 mijë m3, ndërkohë që plehrat ekzistuese janë 200-250 mijë m3 mbetjeje. Ka kapacitet edhe për vitet e ardhshme. Për 3-4 muaj besoj mbyllet edhe realizimi i tij dhe faktikisht zgjidhet një problematikë shumë e madhe e qytetit të Elbasanit. Ky është edhe landafilli i parë me këto standarde. Ne kemi marrë edhe një certifikim me standardet e BE-së, CE, është një firmë e njohur holandeze që certifikon landfillet në të gjithë botën dhe në këto momente jemi i vetmi landfill në Shqipëri që ka këtë certifikim,” – informoi drejtuesi i punimeve.