Gjatë bashkëbisedimit që Kryeministri Rama bëri në Korçë me qytetarë dhe të rinj nga qyteti u pyet edhe për largimin e të rinjve nga Shqipëria, për të cilën u shpreh se: “Unë nuk e kam një arsye për të thënë pse nuk duhet ti të largohesh, në formën e një predikimi. Unë mendoj që është në radhë të parë, e rëndësishme që ne të gjithë të mos e harrojmë që nuk jemi në bunkerin e shokut Enver, nuk jemi në Shqipërinë nga ku nuk dilte dot asnjeri, nuk jemi në një fazë të parë apo të re të lëvizjes së njerëzve nga Shqipëria, jemi në vitin e 30-të apo 31-të si kohë të krijimit të mundësisë për shqiptarët që të dalin jashtë vendit të tyre e të provojnë veten në vende të tjera. Shqiptarët kanë ikur gjithmonë në historinë e tyre, deri në kohën kur pastaj u ndërtua bunkeri dhe u mbyllën me zor brenda. Ikin, do ikin, janë kthyer, kthehen e do kthehen. Trendët e ikjeve dhe të kthimeve janë varur gjithmonë nga trendet historike, më të përgjithshme e më të gjëra se ato të shqiptarëve. A janë vetëm shqiptarët dhe a është vetëm Shqipëria që përballet me këtë fenomen sot? Nëse do të ishte kështu, atëherë do duhet të bënim një diskutim tjetër. Në fakt jo e nëse kthejmë kokën pas e këtu nuk po flas për 7 vite se, nëse flas për 7 vite, do ta bëja të vështirë për veten time dhe për ju mirëkuptimin në këtë bisedë, por po flas për 30 vite. Nëse ne kthehemi 30 vite përpara, transformimi që i ka ndodhur Shqipërisë, pavarësisht se brenda këtij transformimi ka pasur një sërë ndryshimesh negative, – nuk po i hyj kësaj, – por transformimi që i ka ndodhur Shqipërisë në sensin e mundësive për njerëzit është ndër transformimet më të mëdha që kanë ndodhur në kontinentin tonë. Sepse Shqipëria është nisur në vitin ’90-të nga standardet më të ulëta e nga pozita më e disfavorshme dhe nga një prapambetje e pakrahasueshme me atë të vendeve të tjera komuniste, por ne, sot jemi njëkohësisht në mes të një kontinenti ku është përqendruar pasuria më e madhe e botës. Kjo e bën kontrastin akoma shumë të fortë midis nesh dhe Gjermanisë, Francës, Anglisë, Suedisë dhe kjo e bën edhe hendekun nga pikëpamja psikologjike ende të madh. Kështu që unë e kuptoj shumë mirë që një të ri 20-vjeç nga Pusteci apo ndonjë fshat i largët i Korçës, që thotë dakord, unë i kuptoj të gjitha këto që thua ti, Zoti Kryeministër, që keni bërë këtë e atë, por unë jam 20-vjeç, çfarë do pres, sa do pres e kë do pres unë që të jetoj siç jetojnë bashkëmoshatarët e mi në Gjermani. Unë e kuptoj shumë mirë e nuk kam për të asnjë përgjigje tjetër, përveç përgjigjes që kjo është zgjedhja jote dhe unë nuk e gjykoj, nuk kam si ta gjykoj keq, nëse ai thotë unë nuk të pres ty, as një vit më shumë, jo të pres 10 a 20 vjet e më shumë se unë do shkojë ta provoj atje. Është pastaj ana komike e kësaj faze dramatike të vendit, kur dëgjon disa, – nuk po i përmend emrat, – që thonë se do ta zgjidhin ata këtë punë. Domethënë, parafytyroni sikur kjo të ishte një çështje partish, të ishte një çështje individësh, apo një çështje programesh të partive këtu, që varet nga partitë këtu, nëse kjo lëvizje demografike ndodh apo nuk ndodh. Kjo është diçka që është me kohën që jetojmë dhe nga kjo kanë vuajtur e vuajnë sot, edhe plot nga vendet që janë në BE”.
Kreu i qeverisë shtoi se “ne flasim për të rinj që ikin e kjo është e dhimbshme, por është një dhimbje e kësaj kohe e këtu nuk është fjala që unë të justifikoj një gjë, por është fjala për ta parë realitetin në sy e për të kuptuar që, nëse ne duam, – e përsëris, – që ata që janë sot më të vegjël të mos kenë pyetjen e atij djalit nga Lekasi, sot, ne të bëjmë gjërat e duhura e të jemi të vetëdijshëm që nuk ka shkop magjik, nuk ka zgjidhje sa hap e mbyll sytë. Thjesht nuk ka. Nuk mundet dot Shqipëria t’i ofrojë atij djalit nga Lekasi atë që ati i ofron Gjermania, sido që të rrotullohet fjala, sido që të rrotullohet politika, sido që të rrotullohet qeverisja, sido që të rrotullohen gjërat. Ka limite, është ajo që ju thashë. Një bebe që lind sot në maternitet nuk e bën dot 10 vjeç se do ti që të bëhet 10 vjeç. Do presësh 10 vjet, sepse janë të gjitha proceset e brendshme. Nga ana tjetër, ne duhet të bëjmë akoma më shumë për të rinjtë, por çfarë? Kur ishim në opozitë, me Nikon e ndaja shpesh, se ai ishte kryetar bashkie e kishte këtë sëmundjen që donte të kapej vetë me të ardhmen, në sensin që nuk paqtohej dot me veten e donte që ta bënte Korçën e historive të dëgjuara nga gjyshërit e vetë, apo Korçën që shihet në ato fotografitë e viteve ‘30-të. Në Korçë, para 10 apo 12 vitesh nuk bëje dot një fotografi se kishe frikë çfarë do dilte nga mbrapa. E them këtë në sensin që shkon në një vend dhe del fotografi dhe mbrapa ke diçka të bukur”.