Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e lamtumirës së dëshmorit të atdheut,  major Klodian Tanushi:

Për herë të dytë në një hark shumë të shkurtër kohe, flamuri ynë kombëtar mbështjell trupin e një tjetër dëshmori të atdheut, majorin Klodian Tanushi, kolegun dhe pasrendësin me përulje kombëtare të nëntetares Zarife Hasanaj.

Rikthehemi në një ceremoni funebre si kjo, për t’i dhënë lamtumirën një ushtaraku, prind i tre fëmijëve, djalë i dy prindërve dhe i një babai prej të cilit trashëgoi sensin e misionit në Forcat e Armatosura të Republikës dhe bashkëshort që ndahet krejt para kohe nga gruaja dhe familja e tij.

Dhe përsëri është shumë e vështirë për të gjetur fjalë që të mbushin zbrazëtinë e këtij momenti për të gjithë ne, por zbrazëtinë që do të mbetet aty në zemrën e fëmijëve, të gruas, të prindërve, të të afërmeve dhe të të gjithë shokëve të tij të armëve.

Sidoqoftë shpresoj që prania jonë këtu, sëbashku me ju, shumë të respektuar prindër e familjarë e shumë të dashur fëmijë të dëshmorit, t’ju japë sadopak krah për të përballuar humbjen e pazëvendësueshme.

Klodiani ishte në një mision paqeruajtës dhe jeteshpëtues dhe la jetën e tij për të mos lejuar që jetë të tjera të humbisnin.

Në një libër të shenjtë, një vetëflijim i tillë, për të shpëtuar jetët që do të vijnë, quhet vetëflijim për miqtë e panjohur. Ky është edhe thelbi i të gjitha misioneve paqeruajtëse dhe jetëshpëtuese të Forcave tona të Armatosura, si pjesë e aleancës së madhe të popujve dhe të vendeve të NATO-s.

Është më e lehtë të japësh jetën për njerëzit e dashur në çaste ekstreme. Është më e lehtë të merresh nga vdekja, kur mësyn armikun sy më sy dhe është më e lehtë të këmbesh gëzimin e jetës së tashme me ikjen në jetën e amshuar, për të lënë të jetojë një njeri i mirë. Por është tejet e vështirë dhe besoj edhe sublime, të pranosh që jeta jote mund të ndalojë në çdo çast, për të shpëtuar jetë të panjohurish. Të pranosh të korrësh nga vdekja në një vend që nuk është atdheu yt, sepse, duke sheshuar plagën e hapur të minave antinjeri, ke pranuar, ke dashur të mbjellësh farën e mirë që ushqen jetën. Ky është rasti!

Ky është momenti për t’u përpjekur ta themi atë që për shumëkënd sot mund të duket si e pa kuptueshme; Pse një djalë, pse një prind, pse një burrë, shqiptar duhet të kthehet pa jetë nga një tokë e panjohur?

Pikërisht për këtë, sepse sot, Shqipëria dhe shqiptarët dhe Forcat tona të Armatosura përmes tyre janë pjesë e këtij misioni, të cilin e bart si një vlerë të pakrahasueshme dhe të patjetërsueshme Aleanca Euroatlantike.

Klodiani i ngjiti shkallët e karrierës një nga një, si anëtar i denjë i Forcave tona të Armatosura, njeri i përkushtuar, fisnik dhe tejet i respektuar. Gjë që shpjegon përtej dhimbjes njerëzore, edhe lotët të panatyrshme në fytyrën e shefit të Shtabit teksa foli për të, apo zërin e mezi përmbajtur të ministres së Mbrojtjes, e cila e ka njohur personalisht.

Për shumë pak kohë, ai do të kthehej në atdhe sërish e do të ishte pranë familjes, do të mund të përkëdhelte fëmijët, mund të puthe dorën e nënës e mund të ishte në sytë e babait, një arsye e gjallë krenarie, por është kthyer i mbështjellë me flamurin kuqezi, jo për të shkuar në shtëpi, por për t’u bashkuar në banesën e kombit, aty ku kombi ka mbledhur të gjithë ata, të cilët dhanë jetën për të.

Duke njohur familjet e dy dëshmorëve, nuk është e vështirë të kuptohet se dinjiteti dhe pasioni për t’i shërbyer atdheut në këtë vijë shumë të hollë mes jetës dhe vdekjes, është edhe trashëgim brezash, është edhe kultivim vlerash familjare dhe është edhe një provë e asaj që themi ne shqiptarët, gjaku nuk bëhet ujë.

Jeta e Klodianit, Zarifes dhe qindra efektivëve të tjerë, që shërbejnë në misione paqeruajtëse, flet pikërisht për dinjitetin e gjakut që nuk bëhet ujë. Flet pikërisht për shembullin e krijuar ditë pas dite, qysh nga marrja e qumështit të nënës dhe këshillave të para të babait, deri në përfshirjen në këtë familje të madhe të Forcave të Armatosura, e cila është çdo ditë e përkushtuar për të mbrojtur bashkësinë e madhe të njerëzve të këtij vendi.

Ata na tregojnë se në fakt, paqja ka një çmim, ka gjithmonë një çmim.

Ata na tregojnë se bashkimi ka një vlerë, ka gjithmonë një vlerë.

Ata na tregojnë se në një kohë vendimtare për të ardhmen tonë, dielli i shqiptarëve lind si gjithmonë nga perëndimi.

Një tjetër dëshmor nga radhët e Forcave të Armatosura do të shkojë sot, tek “Nëna Shqipëri” dhe nuk është e pamundur, përkundrazi është e natyrshme të bëhet lidhja mes atyre që janë simbol i një lufte heroike dhe vendimtare në 75 vjetorin e çlirimit të vendit dhe Zarifes apo Klodianit, që u bashkohen në banesën e fundit, si pjesë e një historie të re që kërkon sakrifica të reja në një vend që i përket NATO-s.

Të dy, të dyja palët i bashkon ana e duhur e historisë. Dëshmorët e luftës janë dëshmorët e një përpjekjeje kombëtare në anën e duhur të historisë, sikundër dhe dëshmorët e rinj janë dëshmorët e një vetëdijeje kombëtare, të mishëruar në qëndrimin në anën e duhur të historisë. Të ishe dje përballë nazizmit, fashizmit, ishte të ishe i gatshëm të jepje jetën duke qëndruar në anën e duhur të historisë. Të jesh sot, në krah të Shteteve të Bashkuara dhe të të gjitha vendeve të tjera, që janë pjesë e NATO-s, do të thotë të jesh i gatshëm të japësh jetën duke qëndruar në anën e duhur të historisë.

Ky është një vend shumë i vogël, por përtej shifrave, kontributeve financiare, apo kontributeve njerëzore, në të gjitha hapat e përbashkëta ka një kontribut që nuk mund të matet në mënyrë sasiore dhe që na bën të gjithëve tërësisht të barabartë, kontributi i gjakut.

Çdo jetë e dhuruar në emër të vlerave dhe të parimeve, që e mbajnë lidhur si një forcë të pakonkurrueshme NATO-n, është një shëmbëlltyrë e pikërisht barazisë së kontributeve dhe e mundësisë për të qenë të gjithë të barabartë në atë pikë ku çdo jetë vlen sa të gjitha jetët e marra sëbashku.

Në mbyllje, unë dua të shpreh mirënjohjen e thellë, sepse është falë dëshmorëve, atyre të të djeshmes dhe këtyre të të sotmes, që ne e kemi të pamundur mjegullimin e të ardhmes, pasi sakrifica e tyre na ndihmon edhe në momentet më të vështira ta dimë ku ndodhet dhe sa vlen ana e duhur e historisë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi!

Një fjalë për tre fëmijët. Një ditë, kur ju të bëheni prindër, do të keni kuptuar përfundimisht atë që babai juaj ka lënë sot shënim në zemrat tuaja, se asgjë më shumë në këtë jetë nuk vlen sa emri dhe kujtimi i mirë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.