Punësim në vend të ndihmës ekonomike është objektivi i qartë i qeverisë për të ndihmuar të gjitha familjet në nevojë, përmes bashkëpunimit të biznesit me Shërbimin Kombëtar të Punësimit. Një shembull i mirë për këtë është fabrika e këpucëve “Euroasia Footwear” në Kamzë, e cila në një vit të aktivitetit të saj në Shqipëri ka punësuar nëpërmjet bashkëpunimit me zyrën e punës rreth 1 mijë punëtorë, një pjesë e mirë e të cilëve persona që trajtoheshin me ndihmë ekonomike. Kryeministri Edi Rama ishte sot në këtë fabrikë, ku e pranishme edhe ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Jiang Yu.
“Deri tani jemi pothuajse 1000 punëtorë. Kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me zyrën e punës. Deri në fund të qershorit do na duhet të shtojmë edhe 250 punëtorë më shumë, duke qenë se ne kemi dhe një fabrikë tjetër në Valias,” shprehet një tjetër përfaqësuese e kompanisë, duke nënvizuar edhe vështirësinë ndonjëherë për gjetjen e forcës së punës. “Të gjitha listat e ofruara nga zyra e punës, normalisht merren të gjithë, intervistohen dhe kur vijnë këtu për të filluar punë, nuk pranojnë të hyjnë punë; “Nuk punojmë dot”, “Jam e sëmurë, nuk mundem”, “Dua të marr atë ndihmën ekonomike””.
Kryeministri Rama u shpreh se ndihma ekonomike nuk duhet parë më si një status i përhershëm, por duhet shfrytëzuar çdo mundësi për të dalë nga varfëria përmes punës. “Ligji është shumë i qartë, në qoftë se ti ke një ofertë për punë dhe ti e refuzon, herën e dytë del nga skema e ndihmës ekonomike. Kjo është e qartë, sepse është e pamundur që të vazhdojë të jepet ndihmë ekonomike për dikë që është fizikisht i aftë për punë dhe që e refuzon punën, ndërkohë që ndihma ekonomike është për më të varfrit dhe për sa kohë janë në pamundësi për t’u integruar, nuk është një status i përjetshëm varfërie e mjerimi që e paralizon komplet familjen dhe i heq çdo perspektivë prindërve dhe kryetarëve të familjes,” u shpreh Kryeministri Rama.
Për t’i përgatitur punëkërkuesit për tregun e punës, Kryeministri Rama i ftoi të përfitojnë nga një tjetër nismë të qeverisë, trajnimit kundrejt pagesës të të gjithë personave që pranojnë të punësohen me ndërmjetësimin e zyrave të punës. “Ne kemi dhe skemën tani, që ne japim pagesë për trajnimet. Kushdo që është i gatshëm që të trajnohet, atëherë ne japim 55 mijë lekë të vjetra në muaj mbështetje për trajnimin dhe nuk bëhet nëpërmjet kompanisë. Është një masë e re që e kemi vënë, që është faktikisht sa mesatarja e ndihmës ekonomike,” u shpreh Kryeministri. “Kjo histori, – shtoi Kryeministri Rama, – nuk mund të vazhdojë pafund. Duhet ndarë kush është i aftë fizikisht për punë dhe kujt i ofrohet puna duhet të pranojë punën. Përndryshe, si do ta paguajnë të tjerët, me kontribute nga taksat, që të rrijë në shtëpi, i mpirë atje edhe që pak nga pak të bëhet psikologjikisht i paaftë për të marrë përsipër punën.”
“Eurasia Footwear” prodhon për brande të njohura në tregjet europiane, kryesisht në Spanjë, Gjermani, Britaninë e Madhe. Për ambasadoren Jiang Yu, prania e saj këtu është një model i suksesshëm bashkëpunimi, ndërsa theksoi se më shumë kompani të tjera kineze po nxiten për të investuar në Shqipëri. “Ky është një model i suksesshëm i bashkëpunimit trepalësh, Kinë, Shqipëri dhe vendeve europiane. Ne po nxisim edhe më shumë kompanitë kineze për të investuar në Shqipëri, për të pasur përfitime të përbashkëta në të ardhmen.”
“Ne kemi filluar prodhimin në 17 mars të vitit 2017. Këtë muaj bëjmë 1 vit këtu. Ne planifikojmë që në qershor të shkojmë në 1011 punëtorë. Këpucët janë për tregun gjerman. Ne ofrojmë teknologjinë kineze, forcën e punës nga këtu, prodhojmë për brande gjermane, spanjolle dhe britanike. Vendndodhja e Shqipërisë është e përshtatshme, sepse gjendet në mes Azisë dhe Europës. Ndaj dhe klientët tanë na shtyjnë që t’i prodhojmë këpucët këtu. Për këtë vit kemi porosi për 800.000 palë këpucë,” u shpreh administratori i kompanisë.