Fjala e Kryeministrit Edi Rama mbajtur sot, në takimin me punonjës së ALUIZNI-t:
“Në radhë të parë, duke shprehur një kënaqësi të posaçme që kështu, nga kjo distancë, munda të konstatoj se pjesa më e madhe e punonjësve të ALUIZNI-t, që janë në kontakt me qytetarët drejtpërdrejtë, janë gra dhe vajza. Kjo është një e dhënë shumë pozitive, sepse e bën procesin shumë më të lehtë për qytetarët dhe absolutisht më pak të korruptueshëm për shtetin. Sepse dihet, aty ku ka më shumë gra dhe vajza, ose ku ka gra dhe vajza, ka më pak korrupsion dhe më pak probleme.
Thënë kjo, dua të ndalem në disa momente që janë shumë të rëndësishme, sepse ky është një angazhim shumë i rëndësishëm dhe një prioritet madhor i Qeverisë sonë. Realizojmë legalizime falas dhe të mbyllim njëherë e përgjithmonë këtë kapitull të tmerrshëm që ka hapur anarkia e fillimviteve ‘90 dhe që nuk arritën ta mbyllin për vite të tëra pushtetet e shkuara, edhe pse u angazhuan dhe u riangazhuan sa herë pati fushata elektorale për të bërë një gjë të tillë. Jo vetëm kaq, por duke mos e mbyllur procesin, e vështirësuan dhe e ndërlikuan atë vit pas viti në një mënyrë jashtëzakonisht alarmante dhe duke krijuar volume të tëra problemesh të reja. Se në fund të fundit, legalizimi ka dy aspekte; njeri është aspekti i formalizimit, tjetri është aspekti i dhënies fund të abuzimit dhe të ndërtimit pa leje.
Dihet botërisht se një proces legalizimi i hapur, që nuk mbyllet, është një proces që nxit rritjen e informalitetit. Ndaj, ne duam ta mbyllim këtë proces jo vetëm për t’i dhënë fund kalvarit të gjatë të dhjetëra – mijëra familjeve, të cilat prej vitesh presin më në fund dokumentin që formalizon investimin e tyre, por edhe për t’i dhënë fund epokës së ndërtimtarisë pa leje dhe të shkatërrimit të shumë burimeve, për të cilat të gjithë së bashku duhet të jemi jashtëzakonisht të shqetësuar që t’i marrim një orë e më parë në mbrojtje se, praktikisht, janë dëmtuar së tepërmi dhe dëmtohen dita-ditës.
Faktikisht, rezultatet e para të këtij procesi, ngritur mbi parimin bazë të legalizimit falas dhe ndërtuar mbi shërbimin derë më derë ndaj qytetarëve, janë mjaft inkurajuese. Për këtë, unë dua t’i shpreh falënderimin dhe mirënjohjen të gjithë atyre që janë këtu dhe të gjithë atyre që mbase nuk kanë mundur të vijnë, për punën e bërë deri më sot. Por, nga ana tjetër, barra është e rëndë, vëllimi është shumë i madh dhe ritmi duhet të vijë duke u rritur, në mënyrë që jo vetëm të përballojmë realizmin e objektivit që i kemi vënë vetes, por edhe, siç e thashë, ta mbyllim këtë proces.
Faktikisht, këtu po i kthehem disa shifrave që i përmendi Drejtori i Përgjithshëm. Është e habitshme se në 8 vjet të shkuara u legalizuan në tërësi vetëm 21 700 objekte. Është një fatkeqësi kombëtare që pjesa dërrmuese e këtyre objekteve nuk ishin shtëpitë e njerëzve në hall, në nevojë dhe në fund të fundit, në të drejtën e tyre për ta marrë më në fund dokumentin e shumëpremtuar nga të gjithë krahët e politikës prej shumë vitesh, por ishin ndërtimet më problematike, më dëmtuese dhe më të palegalizueshme, për qëllime fitimi: lokale, motele, hotele dhe gjithfarëlloj ngrehinash në anë të rrugëve kombëtare, në buzë të liqeneve, në buzë të detit, në mes të lagjes, në mes të trotuarit, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me arsyet pse politika ndërmerr një nismë legalizimi, por kanë të përbashkët me 8 vitet e shkuara, nevojën për përfitime të paligjshme dhe marramendëse.
Jo vetëm kaq, por fatura financiare e këtyre legalizimeve është ende e gjitha për t’u parë në kohë. Pasi, siç e dini, sot, këto objekte janë pronë legale e hipotekuar dhe për çdo ndërhyrje që ne duhet të bëjmë në funksion të infrastrukturës, në funksion të rritjes së sigurisë në rrugë, në funksion të rehabilitimit të shumë akseve nga pikëpamja mjedisore, duhet të shpronësojmë këto objekte si të ishin shtëpi apo prona të trashëguara denbabaden dhe jo si të ishin frute të “pemës” së korrupsionit, të shtrirë në të gjithë rrjetin e ALUIZNI-t. Mjafton t’ju kujtoj një shpronësim të ditëve të fundit.
Mjafton t’ju kujtoj një shpronësim të ditëve të fundit, për objektet e ndërtuara në mënyrë të paligjshme këtu, buzë Parkut Kombëtar të Tiranës, ngjitur me Universitetin e Tiranës, që është edhe objekt monument kulture dhe të legalizuara pak ditë përpara ndryshimit të qeverisë, në mënyrë tërësisht të paligjshme. Gjë për të cilën, Drejtori i Përgjithshëm ka depozituar kallëzimin në Prokurori për shpërdorim të hapur të detyrës, me pasojë një dëm të madh ekonomik për taksapaguesit, përveç dëmit në mjedis, shkatërrimit të pronës dhe dëmit në imazh. Që do të thotë, shifra prej 21 700 legalizimesh, 2500 leje në vit të dhëna, prej të cilave shumica dërrmuese leje të kësaj natyre. Askush nuk e ka çarë kokën, – siç ju e vërtetoni çdo ditë në punën tuaj, siç e përmendi edhe Drejtori i Përgjithshëm, – për t’iu kthyer përgjigje atyre mbi 45 mijë familjeve apo individëve bashkë, që kanë depozituar kërkesën dhe kanë paguar paratë. Kanë paguar paratë jo disa ditë përpara se të ndryshonte qeveria, por i kanë paguar paratë në vitin 2006, në vitin 2007, në vitin 2008 e kështu me radhë.
E me paturpësinë më të madhe, ata të cilët duhet të ulin kokën, minimalisht dhe të mos flasin për këtë proces, dalin e thonë që ne po jepkemi leje për praktika që i paskan përmbyllur dhe i paskemi gjetur ne gati. S’e kuptoj pse na i lanë gati dhe nuk jua dhanë qytetarëve! Sepse nuk ishin gati. Madje, përkundrazi, fatkeqësisht, siç e tha Drejtori i Përgjithshëm, detyrimi vjen automatikisht për të ribërë matje dhe për të përditësuar në terren objektet.
Gjithsesi, unë besoj se këto rezultate të arritura brenda periudhës prill-shtator, – sepse faktikisht, kjo është periudha që ka filluar procesi nga e kundërta, pra, jo hallexhinjtë te dera e ALUZINI-t, në radhë dhe në pritje të gjatë e të stërgjatë, por ALUZNI te dera e hallexhinjve për të bërë matjet, – na jep mundësinë të kuptojmë se mund të bëjmë ende shumë më tepër. Nëse në prill-shtator kemi arritur të përditësojmë 42 100 e ca objekte dhe kemi arritur të përfundojmë praktikat për 10 670 objekte, atëherë me siguri brenda vitit të parë të operimit, pra, deri në prillin e ardhshëm është plotësisht e mundur të shkohet në dhjetëfishin e tetë viteve të mëparshme, jo 2500, por 25 mijë dhe vitin e dytë të operimit, kjo shifër të dyfishohet dhe të bëhet 50 mijë. Vitin e tretë të operimit, kjo shifër të shkojë në 60 mijë. Që do të thotë se në tre vite operative të marra sëbashku, ne mund të shkojmë pa as më të voglin merak, në 120 e ca mijë, apo 130 e ca mijë legalizime në vend, duke hedhur një bazë shumë solide, për të shkuar drejt përmbylljes së këtij procesi dhe falas.
Pavarësisht se çfarë thonë cinikët që komentojnë dhe që analizojnë dhe që përgojojnë dhe që me radhë bëjnë atë që bëjnë se me atë jetojnë, ndërkohë që ne jetojmë me këtë punë, fakti është që sot, jo vetëm legalizimi është falas, por legalizimi është një proces që e bëjmë ne, e bën shteti dhe nuk e bën qytetari. Qytetari rri në shtëpi, ALUIZNI shkon tek dera e shtëpisë dhe ju e dini mirë, se jeni ju që e bëni, ndërton bashkë me familjen përkatëse, gjithë procesin, duke e asistuar nga A-ja deri te Zh-ja.
Sigurisht, kur vjen puna tek toka, e cila nuk është në pronësi, -se kur toka është në pronësi s’ka asnjë qindarkë, ka një pagesë për parcelën, që është pagesa që duhet për të mbyllur për të gjitha gjeneratat në vijim, konfliktin potencial mes shtëpisë së legalizuar, trashëgimtarëve të saj dhe trashëgimtarëve të asaj prone, në mënyrë që të mos lëmë pas, vatra të tëra konfliktesh vëllavrasëse, siç ka ndodhur vijimësisht gjithë këto vite, por të ndajmë qartë atë që i takon atij të cilit i jepet leja e legalizimet dhe atë që i takon atij të cilit ka të drejtën e kahershme mbi atë truall.
Nga ana tjetër është me rëndësi ky takim, edhe për një fakt, për të nënvizuar se ne do të legalizojmë falas dhe e kemi thënë, rithënë dhe do ta stërthemi, shtëpitë, ngrehinat e sakrificës, të mundit, të kursimeve, të ëndrrave, të shpresave dhe të gjithë mundimeve të familjeve që kanë lëvizur në drejtim të qyteteve të mëdha, apo që brenda zonave informale janë vendosur për një jetë më të mirë. Ne, jo vetëm nuk do të legalizojmë falas ngrehina të bëra për qëllime fitimi, por nuk do të legalizojmë fare ngrehina të bëra për qëllime fitimi, aty ku bie ndesh me interesin e komunitetit, siç është rasti gjatë gjithë kësaj periudhe të ndërhyrjeve të Inspektoratit Kombëtar Urbanistik në Tiranë dhe qytete të tjera, me zaptues trotuaresh, hapësirash mes pallatesh, deri dhe rrugësh që thonë jemi në proces legalizimi. Nuk ka proces legalizimi për zaptime të tilla. Nuk mund të bëhen pronarë të trotuareve dhe të hapësirave mes pallate, zaptuesit për qëllime fitimi.
Ka një dallim shumë të madh në këtë pikë. Ashtu sikundër, nuk mund të bëhen pronarë të buzës së liqenit, nuk mund të bëhen pronarë të rërës, nuk mund të bëhen pronarë të detit, nuk mund të bëhen pronarë të zonave arkeologjike, nuk mund të bëhen pronarë të godinave të ngritura mbi kolektorë e mbi vepra publike, ata të cilët nuk i kanë pasur sytë në ballë kur kanë vajtur dhe jo vetëm kanë ndërtuar diçka, por përkundrazi, kanë shkatërruar shumëçka. Ky do të jetë një moment shumë i qartë dallimi. Ne do të godasim, dhe do të godasim, dhe do të godasim pa asnjë tolerancë dhe pa asnjë sens kompromisi të gjitha ato ngrehina që i ka pjellë arroganca, brutaliteti, barbaria, korrupsioni dhe bashkëpunimi me qeverisjet vendore, nga Tirana dhe kudoqofshin, duke ia marrë frymën komuniteteve, duke ia marrë frymën familjeve, duke ia marrë frymën banorëve, qytetit, fëmijëve, të moshuarve dhe duke i detyruar të ecin në rresht për një, në buzë të rrugës, sepse nuk ka trotuare. Duke i detyruar të futen kërrusur nëpër pallate, sepse nuk ka hyrje. Duke i detyruar që të mbulohen me jorgan në verë, sepse i çmend muzika dhe zhurma dhe lloj-lloj absurditetesh. Lloj-lloj absurditetesh të tjera që i bëjnë të vuajnë për qëllime fitimi. Kam dëgjuar njerëz që thonë se kjo po dëmton punësimin. S’është e vërtetë! Aq sa ç’e dëmtoi punësimin në Tiranë dhe zhvillimin e Tiranës prishja e gjithë atyre ngrehinave të marrëzisë në të dy krahët e Lanës. Ka mjaftuar dhe ka tepruar koha për të gjithë këta që i kanë këto ngrehina, për të marrë mbrapsht investimin që kanë bërë dhe për të pasur edhe më shumë para në dispozicion që mund t’i investojnë normalisht, gjetkë, në mënyrë legale dhe pa asnjë diskutim, me shumë më tepër përfitim edhe për veten e tyre. Mjafton të ndjekësh fillin e gjithë atyre investimeve që u bënë mbi Lanë, për të parë se pas prishjeve jo vetëm nuk ra ekonomia e qytetit, jo vetëm nuk ra punësimi në qytet, por përkundrazi, u rrit ekonomia, u rrit dhe punësimi, për aq sa mund të bëhej krahasimi përmes dy fazave, si dhe u rrit edhe vlera e gjithë mjediseve tregtare, duke rritur investimet në to dhe duke hedhur kursimet aty, për investime normale.
Një gjë të fundit për ju. Është e qartë që ju trokisni në dyer të familjeve që në të shumtën e herës janë realisht në hall dhe që hallin më të madh kanë gjithë akumulimin e zhgënjimeve të njëpasnjëshme dhe pamundësinë për të besuar se mund t’ia dalin në këtë proces, bashkë me pamundësinë e akumuluar në vite për të zgjidhur probleme që shpeshherë janë më komplekse sesa thjeshtë matjet edhe dokumentet; kanë probleme me Zyrën e Hipotekës; kanë probleme me Zyrën e Pronave, kanë probleme me gjithfarë zyrash. Nuk duhet t’i lini në baltë! Nuk duhet t’i thoni: “Këtë se kam unë, këtë shko zgjidhe në vend tjetër”. Sepse filozofia e këtij shërbimi që kemi ndërtuar është pikërisht kjo: T’i asistojmë këto familje, t’ua bëjmë gati dosjet dhe t’u japim letrën në dorë. Se kanë 20 vjet që e presin atë letër. Dhe mos t’i lëmë prapë rrugëve e dyerve, e burokracive, e labirinteve ku sigurisht nuk mungon korrupsioni e nuk mundojnë duart e shtrira për t’iu marrë bakshishe. Legalizimi falas ka edhe këtë vlerë. Sepse duke e ditur qartësisht që të gjithë që procesi është falas, atëherë edhe niveli i korrupsionit bie në mënyrë eksponenciale, siç ka rënë. Nuk kam dëgjuar asnjë deri më sot, në të gjitha takimet që kam qenë me Drejtorin dhe me Ministren për të shpërndarë ato dokumente, që një person i vetëm të ketë shtrembëruar buzët kur ka ardhur puna tek shërbimi.
Rasti më i fundit në Durrës, ku nuk ma ha mendja të ketë ndonjë drejtor tjetër në këtë Republikë që të ketë marrë aq shumë lavdërime e përgëzime e ku di unë se çfarë sa Drejtori i Durrësit. Askush nuk ia kërkonte njerëzve që ta bënin këtë gjë. Madje, normalisht, unë prisja që të lavdëronin Artan Lamën, por lavdëruan më shumë Drejtorin. Unë ju falënderoj për praninë tuaj. E, përballë kësaj pamje, ju them me shumë sinqeritet që do të kisha shumë dëshirë që të vija më shpesh dhe të komunikoja me ju që i shërbeni qytetarëve në këto zyra dhe në këtë rrugë kaq të vështirë, por njëkohësisht edhe kaq fisnike. Sepse ka brenda një përmasë të madhe humanizmi dhe shërbimi ndaj njerëzve që, besoj, edhe ju e ndjeni. Dhe shpresoj që prej kësaj përmase të merrni energji dhe motivim edhe më shumë sesa ç ‘merrni nga rroga jo e vogël që keni, në fakt, por që, sigurisht, nuk mjafton për këtë punë jashtëzakonisht intensive dhe me shumë ngarkesë dhe me stres që ju bëni.
Shumë faleminderit!
Natën e mirë!
***
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni zhvilluan sot, një takim me drejtues dhe punonjës të ALUIZNI-t.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, Artan Lame bëri një analizë të rezultateve të punës, kur rinisi procesi. Puna, tha Lame, nisi me një qasje të re ndaj procesit, me reformimin e Agjencisë dhe përmirësimin e kuadrit ligjor. Ministrja Gjermeni theksoi se procesi i legalizimit do të vazhdojë edhe me procesin e urbanizimit të këtyre zonave. “Vizioni i qeverisë është në radhë të parë vendosja e kontrollit mbi territorin, zhdukja e informalitetit dhe rritja e rolit të qytetarit në planifikimin e zhvillimin e territorit, rigjenerimin urban në gjithë vendin. Këto janë sfida që do t’i kalojmë bashkë. Pjesa e legalizimit falas është pjesa e parë dhe shumë e rëndësishme e gjithë këtij procesi. Paralelisht me të, ne po mundohemi që përmes projekteve pilote dhe programeve specifike me zona informale të fillojmë procese të urbanizimit të tyre, për t’ju ofruar qytetarëve një jetë më cilësore”.