Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Rritja e fashës së biznesit që paguan vetëm 5% tatim-fitimi në vit ndihmon jo vetëm kompanitë që të rriten dhe të shtojnë fuqinë punëtore, por, nga ana tjetër lufton edhe informalitetin. Kryeministri Edi Rama, i cili zgjodhi një kompani në Kamëz, “ItalDivani”, që operon në tregun e prodhimit të mobiljeve, thekson se lehtësimi fiskal i mbi 11 bizneseve që preken nga ulja e tatimit nga 15% në 5% do të sjellë edhe më shumë rezultate kundër informalitetit.

“Gjëja që për ne është shumë e rëndësishme, është pjesa që, të lehtësohet maksimalisht kjo fashë e biznesit edhe të ketë më shumë punësim, por të dalë dhe në dritë edhe e gjithë pjesa financiare, në mënyrë që të mos ketë në masën që ka pas për të gjithë këto vite fshehje dhe informalitet, sepse na ndihmon në të gjithë procesin e konsolidimit dhe transparencës së ekonomisë,” u shpreh kryeministri Rama.

Stivi Loka, administrator i kësaj kompanie, shprehet se puna po rritet dhe se me lehtësimin e tatimit, qeveria i ka ndihmuar më shumë në këtë drejtim.

“Ne për momentin kemi një show room në Tiranë ku çdo klient që do shikon aty, është edhe në “Instagram”, “Facebook”. Ka dhe njerëz që vijnë këtu direkt, ose te dyqani. Me këtë na keni ndihmuar,” thotë ai.

***

Biznesi, kryesisht ai i vogël dhe familjar, e pranon që ulja trefish e tatim-fitimit nga 15% në 5%, kthehet në rritje të biznesit, por njëherësh godet edhe informalitetin. “Art peciglas”, që operon në fushën e përpunimit të materialeve plastike, është një tjetër biznes që përfiton nga kjo masë lehtësuese e qeverisë. Në këtë biznes ishte Kryeministri Rama.

“Këtu kemi një biznes familjar. Gjëja kryesore është peciglasi. Punojmë për reklama. Deri tani ne ishim në një kuotë te 80 milionë lekë të vjetra. Me këtë që bëri qeveria është më e lehtësuar për ne,” shprehet Ylli Picalli, administrator i kompanisë “Art Peciglas”.

“80 milionë lekë të vjetra, edhe me ato që bëhen sikur nuk numërohen, se po u numëruan dilni sipër dhe në fakt, e gjithë kjo fashë, nga 80 të paktën deri te 100, – 110 është fasha ku të gjithë i keni fshehur shifrat reale, – sepse, kapërcimi i madh, nga 5% në 15% taksë nga 80 në 81 milionë ka dhimbjen e vet. Kështu që ne e çuam 5% deri në 140, ndaj tani nuk keni nevojë as të fshihni, as të paguani njerëz sesi të fshini numrat. Kështu që ul edhe kostot e këtyre llogarive false,” nënvizoi Kryeministri Rama.

Sipërmarrësi shtoi se aktiviteti i tij ka ardhur në rritje vit pas viti, por tashmë po mendon një tjetër zgjerim, për të rritur edhe më tej të ardhurat e kompanisë, si dhe pagat e punonjësve.

“Jemi 7 veta të punësuar. Ka hapësirë për të bërë pak më tepër. Rrogat do i rris, por nuk jemi dhe aq keq me rrogat. Punojmë me kompani të ndryshme, me kompanitë e makijazheve, farmaci, hotele. Është një gamë shumë e përhapur,” deklaroi më tej ai.

“Ne kemi pritshmëri të madhe nga kjo masë. Është lehtësi e madhe. Janë rreth 11 mijë që janë pjesa më interesante e biznesit, se janë midis biznesit shumë të vogël dhe biznesit të madh dhe kanë potencial rritjeje, por plus kanë një potencial të madh punësimi me zanate të mirëfillta dhe kjo është gjëja që ne e presim me shumë interes këtë vit,” deklaroi Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.