Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Biznesi fason në Shqipëri, me lehtësitë fiskale që iu ka krijuar qeveria me rimbursimin e TVSH-së për makineritë në prodhim kanë bërë që tashmë sipërmarrjet të rrisin prodhimin, por dhe cilësinë e produktit final. Kjo ka shtuar interesin ndaj kompanive shqiptare jo vetëm në tregjet europiane, por edhe në ato Amerikane. Kryeministri Edi Rama vizitoi një prej bizneseve fason në Tiranë, që prodhon për markat e modës së lartë “Armani” apo “Versaçe”, me destinacion Italinë dhe punëson 200 persona.

“Prodhojmë për Italinë. Jemi në investim e sipër, sepse jemi duke investuar për t’u zgjeruar akoma më shumë,” – shprehet administratorja e fabrikës, e cila interesimit të Kryeministrit i përgjigjet se prodhojnë kostume për markat “Armani” dhe “Versace”.

Përparim Dika është një tjetër sipërmarrës në biznesin fason, fabrikën e të cilit vizitoi Kryeministri. Ai shprehet i kënaqur me mbështetjen e qeverisë dhe eliminimin e barrierave doganore, duke dëshmuar se tashmë janë shmangur burokraci që shkonin deri në absurd. Kompania që ai drejton prodhon këmisha për tregun amerikan dhe ka të punësuara aktualisht 60 gra dhe vajza.

Kryeministri u interesua se sa e ka ndihmuar rumbursimi i TVSH-së, deri tre vjet më parë një pengesë serioze për sipërmarrjen.

“Është thuajse automatike. Më përpara kishim goxha probleme. Kërkesa, stërkërkesa, historira, jo burokratike, por dhe të pazgjidhshme, sepse kërkohej dikur para shumë vitesh një vulë e njomë nga dogana italiane për deklaratat tona të eksportit, ishte dokument pak absurd.”

Sipërmarrësi thotë se tashmë synimi është arritja e ciklit të mbyllur, një proces që ka nisur.

“Sfida, – thekson Kryeministri, – është dhe ka filluar në fakt, me bë ciklin e mbyllur, që të jetë nga A-ja te Zh-ja. Ka filluar dhe jam i bindur që do hyhet në këtë fazë, sepse prapë ju intereson edhe atyre, por ju intereson edhe juve. Sigurisht që ajo do një zinxhir kualifikimi më të lartë, po jam i sigurt që ajo do vijë.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.