Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Drejtuar: Znj. Greta Deljani

Drejtori i Kabinetit

Partia Demokratike e Shqipërisë

 

E nderuar zonja Deljani,

Duke marrë shkas nga shprehja publike e gatishmërisë së zotit Lulzim Basha për t’u takuar me Kryeministrin, zotin Edi Rama, jam e autorizuar t’ju komunikoj se ftesa që Kryeministri i ka dërguar zotit Basha mbetet gjithmonë e hapur.

Kryeministri është i gatshëm të takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike që nesër në orën 11:00. Zoti Basha është sigurisht i mirëpritur të caktojë orën e takimit në çdo rast.

Duke qenë se vendi i takimit është lënë në zgjedhjen e Kryeministrit, ai mund të zhvillohet në Sallën e Hartave, në godinën e Këshillit të Ministrave. Kryeministri do të jetë i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën në Drejtësi, Z. Fatmir Xhafaj, si edhe nga Kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Z. Bashkim Fino. Zoti Basha është mëse i mirëpritur të vijë i shoqëruar sipas dëshirës së tij.

Në kuadër të këtij takimi, Kryeministri do të dëshironte të trajtonte sëbashku me Kryetarin e Partisë Demokratike, çështjen e Reformës në Drejtësi, atë të Reformës Zgjedhore dhe çdo çështje tjetër me rëndësi dhe interes të përbashkët.

Për rëndësinë e posaçme të këtij komunikimi, kjo letër do të publikohet në faqen zyrtare të Kryeministrisë.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, mbetem në dispozicion për çdo detaj të organizimit të këtij takimi.

 

Me konsideratë,

Vali Bizhga

Drejtori i Kabinetit

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.