Në Lezhë u zhvillua sot takimi i radhës në ciklin e takimeve sensibilizuese, mbi Bashkëqeverisjen si Ligj i ri, me qëllim promovimin e risive që sjell ky ligj.
E transformuar tashmë në një mekanizëm të rëndësishëm ligjor, bashkëqeverisja do të mundësojë për qytetarët çlirimin nga pesha e administratës dhe vënien para përgjegjësisë të çdo nëpunësi që shpërdoron detyrën përmes vonesave dhe sorollatjeve në dhënien e shërbimit.
Kryeministri Rama informoi se në ligjin e ri, jo vetëm sanksionohen të gjitha detyrimet e pushtetit ekzekutiv dhe bashkive për t’ju dhënë përgjigje në kohë reale qytetarëve, por ka edhe një mekanizëm tjetër sanksionesh financiare për ata që janë përgjegjës për mos përgjigjen apo mos zgjidhjen e problemit të qytetarëve.
* * *
Mirëmbrëma të gjithëve! Shumë faleminderit!
Këtu jemi sot për të vazhduar një seri takimesh që kemi planifikuar në të gjithë territorin e vendit për promovimin e një procesi, i cili ka filluar në fakt prej 4 vitesh, kur ne fituam mandatin e dytë pa të tjerë në prehër dhe u angazhuam për një koalicion me njerëzit e zakonshëm, si një bashkëqeverisje që nënkupton një marrëdhënie të ngushtë dhe komunikim sa më të drejtpërdrejtë të njerëzve me qeverinë.
Ky proces, ndër të tjera, pati si një prej mjeteve konkrete, një prej instrumenteve konkretë, platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al e cila iu vu në dispozicion të gjithë qytetarëve të vendit, si një inovacion dhe tejkalim i një sistemi të kahershëm që deri në atë moment ishte sistemi i mirënjohur i letrave të popullit nëpër institucione dhe i zyrave të marrëdhënieve me publikun të institucioneve.
Ky është një sistem që e ka çdo shtet, e ka gjithë bota, por që në vendin tonë, sidomos në periudhën e tranzicionit, ka qenë i karakterizuar nga përplasja e ankesave të njerëzve në komplet vesh të shurdhët dhe ato letra që merrnin institucionet nga njerëzit, në rastin më të keq nuk e lexonte njeri dhe në rastin më të mirë mund edhe të lexoheshin, mund tek-tuk të ktheheshin dhe përgjigje, por në tërësi problemet mbeteshin prapë në kurriz të njerëzve dhe nuk zgjidheshin.
Duke ndërtuar këtë platformë digjitale, ne krijuam kushtet që ankesat e qytetarëve, për çfarëdolloj problemi me zyrat e shtetit, të adresoheshin, jo vetëm në zyrat përkatëse, por edhe drejtpërdrejtë në qeveri dhe kështu çdo anëtar i qeverisë të vihej në dijeni për çdo ankesë që lidhet me institucione të varësisë, përfshirë dhe ministrinë.
Kjo bëri që një numër shumë i konsiderueshëm ankesash të merrnin përgjigje dhe zgjidhje. Faktikisht, janë mbi 50 mijë të tilla, në 4 vite, të cilat kanë marrë përgjigje të drejtpërdrejtë, ndërkohë që një pjesë tjetër kanë marrë një përgjigje joshteruese për faktin se kanë qenë ankesa, të cilat lidhen me institucione të tjera, me pushtete të tjera; me pushtetin gjyqësor në radhë të parë dhe platforma e Bashkëqeverisjes nuk është gjykatë, nuk mund të hyjë në çështje të gjykatave dhe nuk mund të zgjidhë probleme që janë probleme gjyqësore, por edhe në një masë të konsiderueshme, me pushtetin vendor, që në përgjithësi ka qenë shumë indiferent ndaj këtij mekanizmi, jo kudo, por në përgjithësi.
Ajo që ne tani kemi bërë me fillimin e mandatit të tretë është kalimi në një nivel tjetër i kësaj platforme dhe gjithë konceptit të Bashkëqeverisjes, duke e kthyer atë në një ligj. Një ligj, i cili u përcoll nga qeveria në mbledhjen e vet të parë, qeveria e re e mandatit të tretë në parlament dhe u kalua nga parlamenti. Është kthyer mbrapsht për të gjitha arsyet e mosarsyes, tanimë, me të cilat të gjithë jemi mësuar, të zyrës së presidentit dhe do të rihyjë në kuvend dhe do të votohet ashtu siç është, duke bërë që, tanimë, marrëdhënia e qytetarit me administratën të jetë një marrëdhënie e ligjëruar, në aspektin e detyrimit të çdo zyre përgjegjëse dhe çdo institucioni përgjegjës për ta trajtuar çdo ankesë të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe për t’i dhënë drejtim.
Këtu, së bashku me mua, janë sot drejtorja e Agjencisë së Posaçme në Kryeministri, që prej 4 vitesh mbulon të gjithë këtë pjesë kaq të rëndësishme të qeverisjes sonë, që është platforma e Bashkëqeverisjes dhe komunikimi apo ndërveprimi mes qytetarëve dhe institucioneve, dhe drejtorja e Agjencisë së posaçme që merret me gjithë procesin e digjitalizimit të qeverisjes ose siç ju e njihni ndryshe që të gjithë, sepse për shkak të pandemisë, të gjithë shqiptarët e njohën drejtpërdrejtë dhe emrin dhe vlerën e shtuar që krijon kjo agjenci, që është platforma E-Albania.
Këtu po ashtu, kemi ftuar, dhe i falënderoj, edhe dy miqtë që janë në krahun tim, të cilët janë përfitues të drejtpërdrejtë të shfrytëzimit të kësaj platforme dhe që unë besoj se me dëshminë e tyre, si qytetarë të zakonshëm që nuk kanë përdorur asnjë mjet, përmes njohjeve apo rrugëve të tjera, por thjesht për hallin e tyre i janë drejtuar kësaj platforme dhe si dëshmitarë që kjo platformë funksionon.
Ajo që është e rëndësishme sot që qytetarët të informohen, është fakti që në ligjin e ri, jo vetëm sanksionohen të gjitha detyrimet e qeverisë dhe pushtetit ekzekutiv dhe bashkive për t’iu dhënë përgjigje në kohë reale, sipas afateve të përcaktuara nga ligji, dhe për t’iu zgjidhur ato probleme që janë probleme ku e drejta është në krahun e qytetarëve, e atyre që aplikojnë apo ankimojnë drejtpërdrejtë në këtë platformë, por ligji ka edhe një mekanizëm tjetër sanksionesh financiare për ata që janë përgjegjës për mos përgjigjen apo mos zgjidhjen e problemit të qytetarëve.
Unë kam shumë besim që, siç ndodhi edhe me lejet, me autorizimet për periudhën e karantinës, ku gjithë qytetarët e shfrytëzuan E-Albania, i shfrytëzuan autorizimet digjitale dhe ne patëm, falë këtij mekanizmi, mundësinë që të mos vëmë në rrezik jetët e njerëzve në atë moment kulmor të përballjes së parë me pandeminë, se imagjinoni sikur të mos ekzistonte ajo platformë, atëherë si do merreshin autorizimet për të dalë nga shtëpia? Çfarë do ndodhte? Do i thonim njerëzve “Dilni dhe mbani radhë që të merrni autorizim?” Do ishte një katastrofë.
Ashtu mund të ndodhë, ashtu duhet të ndodhë dhe duhet të ndodhë sa më parë dhe kjo varet nga qytetarët se sa shumë do angazhohen, edhe me shërbimet, edhe me ankesat, me vonesat, për të cilat qytetarët duhet të ankohen drejtpërdrejtë. Të mos humbasin kohë duke kërkuar miq e të njohur, duke kërkuar kushërinj.
Nga ana tjetër, së bashku me këtë platformë, me këtë mekanizëm të ri, në këtë seri takimesh ne duam të promovojmë edhe një risi tjetër të mandatit të tretë, për të cilën kemi punuar gjatë gjithë këtyre viteve, që është kalimi i të gjitha shërbimeve, me dokumente, në zyrat e shtetit, drejtpërdrejtë në telefonin apo smartphone tuaj, të të gjithë qytetarëve.
Ne sot kemi, falë gjithë revolucionit digjital që kemi nisur dhe që nuk ka mbaruar ende sepse ka ende procese, të cilat duhen përfunduar, mundësi që për të gjitha shërbimet që shteti jep me dokumente, pra, për të gjitha llojet e licencave, autorizimeve, aplikimeve, që nga certifikata familjare tek rillogaritja e pensioneve, tek aplikimi për subvencione në bujqësi, tek pagesa e taksave, tek gjithë ndërveprimet me Institucionin e Sigurimeve Shoqërore, tek të gjithë ndërveprimet me institucionet e tjera, të cilat, madje dhe regjistrimi i fëmijëve në shkollë, tek cila shkollë e me radhë e plot e plot të tjera, janë mbi 1200shërbime, të cilat nuk kanë nevojë për prezencë fizike, – të bëhen pa dalë nga shtëpia fare, në rast se ke një smartphone ose në kompjuterin më të afërt, në rast se në shtëpi nuk ke as smartphone, as kompjuter, tek posta, tek njësia administrative, tek një fqinj që mund ta bëjë këtë gjë për ty dhe të mos humbasësh kohë fare as për të marrë rrugën, as për të mbajtur radhë.
Plus kësaj, nëse deri dje, për të marrë një certifikatë, apo një autorizim, një licencë apo një vërtetim apo një dokument, të thonin “Shiko, që të të japim këtë, duhet të kesh Vërtetimin e Dëshminë e Penalitetit, duhet të kesh këtë dhe atë” dhe ti duhet të shkoje në disa zyra të tjera, duhet të mbaje disa radha, duhet të bëje një dosje të tërë dhe pastaj do ktheheshe prapë tek ajo zyra dhe depozitoje dosjen, me këtë mekanizëm nuk ke nevojë të shkosh asgjëkund sepse të gjithë këto dokumente plotësues për të mbështetur kërkesën, i bën vetë sistemi digjital.
Ndërkohë, janë disa shërbime që nuk bëhen dot në mënyrë të digjitalizuar, që nga marrja e kartës së identitetit që duhet patjetër të japësh gjurmët e gishtave apo tek martesat.
Martesat nuk i bëjmë dot digjitale sepse duhet të jenë prezentë edhe njëri e tjetri e duhet të thonë ato fjalët plus me dëshmitarë. Dëshmitarët digjitalë nuk janë shpikur akoma. Mbase do vijë dhe ajo kohë që do bëhen martesat në mënyrë digjitale, me siguri, por për momentin nuk e ka bërë askush në botë dhe nuk kemi si ta bëjmë ne, që do të thotë shërbimet me prezencë fizike. Por ato janë vetëm 5% e shërbimeve. Ndërkohë që 95% e shërbimeve janë pa nevojën e prezencës fizike dhe është gjynah që kur kemi në dorë këtë makineri, për të cilën kemi investuar punë të madhe, kemi investuar para, kemi investuar kohë të gjatë, të mos e shfrytëzosh dhe të vazhdosh në rrugën e radhëve, e stresit, në rrugën e atyre marrëdhënieve, që për fat të keq, shpeshherë, janë marrëdhënie që ta rrisin edhe më shumë stresin nga sjellja e njerëzve nëpër sportele.
Ndërkohë, sot është shumë e thjeshtë. Sistemi, sot, ka kapacitetin që ta ndjekë kërkesën tënde, që do të thotë që nuk varet nga një person. Nëse sot, ti varesh nga një person, për fat të keq, shkon në një sportel dhe ke përballë një person. Ai person mund të qëllojë i sjellshëm por mund të qëllojë i pasjellshëm, ai person mund të qëllojë aty, por mund të mos qëllojë të jetë aty dhe ti duhet të rrish të presësh. Ai person mund të qëllojë i përgjegjshëm, por mund të qëllojë dhe i papërgjegjshëm dhe atë dosje, që e lë në dorën e tij, ai mund ta humbi fare. Nuk besoj se janë të pakta rastet kur qytetarëve i thuhet dhe i është thënë gjatë gjithë këtyre viteve “Duhet t’i bësh letrat prapë se na ka humbur dosja”.
Sot kjo nuk është më fare e nevojshme dhe e fundit që kam unë për në këtë hyrje është që ne po e bëjmë këtë sensibilizim është sepse ne nuk mundemi të presim që deri kur të gjithë qytetarët ta mësojnë këtë rrugë, edhe në ndërkohë kostoja për shumë qytetarë, kostoja për ne, e them shumë hapur kostoja për ne si qeveri, kostoja për shoqërinë e ryshfetit, e marrjes nëpër këmbë nga një zyrtar, dhe vonesës të vazhdojë të jetë prezente për sa kohë nen nuk kemi pse ta kemi këtë problem sepse sot, të gjithë shtetin, përsa i përket aplikimeve për shërbime, e ke në xhep.
Madje, sot, një pjesë e shërbimeve, dëshmia e Penalitetit, – nuk e keni idenë çfarë tmerri ka qenë dëshmia e penalitetit sepse, praktikisht, është një letër që, si në të gjithë botën, duhet në shumë raste kur ti shkon për të bërë një kërkesë apo për të marrë një autorizim, – sot dëshminë e penalitetit, jo vetëm që aplikohet, por dhe merret në telefon.
Nuk është e njëjta gjë për hipotekën apo legalizimin. Sot aplikimi mund të bëhet nga shtëpia. Ti nuk ke nevojë të shkosh në hipotekë e të mbash radhën atje e të presësh, të gjesh sekser për të futur një dosje. Ti këtë gjë e bën nga telefoni, do titullin e pronësisë në telefon. Ama, sot akoma nuk e kemi sistemin të mbyllur që të ta sjellim titullin e pronësisë në telefon, në mënyrë dixhitale, me vulë elektronike. Kështu që kjo do të kërkojë dhe një pjesë të viteve të këtij mandati, por do të jetë edhe kjo brenda këtij mandati dhe parafytyrojeni se do të jemi në atë moment që duket i paimagjinueshëm sot, por që ne po i afrohemi, sepse është një punë e jashtëzakonshme, e tmerrshme, që gjithë letrat, hartat, mbivendosjet dhe historitë e pronave të futen në një sistem dixhital që të mos ketë më diskutim se ku është kufiri im, ku është kufiri jot e askush të mos fusi dot duart, sepse do të bëhet me një teknologji të super avancuar që do të jetë e palëvizshme, e ti të bësh aplikimin.
Të duhet hipoteka dhe hipoteka do të vijë brenda sekondës siç të vjen sot mesazhi kur çon mesazh, “si je” dhe ti jep një përgjigje “Ç’kemi si dukesh”, me të njëjtën shpejtësi ti të nxjerrësh hipotekën nga kadastra dhe kjo është diçka që nuk është fantashkencë, por diçka për të cilën ne po punojmë sot dhe do të ndodhi brenda këtij mandati, por ama sot, nuk ka nevojë për sportel, as në hipotekë dhe ne në 2022, duke filluar nga janari, do t’i mbyllim të gjitha sportelet, nuk do ketë më sportele në Shqipëri, për të shkuar e për të bërë aplikime, që do të thotë që kjo mbase disa mund t’ju vijë, por siç na erdhi pandemia, që nuk na pyeti e na vuri të gjithëve në kushtin që duhet të lëviznim në një mënyrë tjetër e të gjithë faktikisht shfrytëzuarin e-albania-n që ndryshe as nuk do ta kishin shfrytëzuar ndonjëherë një pjesë e madhe, kështu do të bëjmë dhe me sportelet.
Do të ndodhi e pastaj të gjithë do adaptohen sepse është fatkeqësi që ndërkohë që e kemi këtë mekanizëm, të presim e të presim dhe kostoja të jetë e madhe e përbashkët, kostoja juaj dhe kostoja jonë. Kostoja jonë që marrim mallkime e marrim sharje e marrim përqeshje për shkak njerëzish të papërgjegjshëm këtu e atje e kjo nuk është një çështje, “ndërro njerëzit”, se mund t’i ndërrosh njerëzit sa të duash, nëse nuk ndërron sistemin, prape se prape kthehesh në pikën A. Kështu që me këtë sistem të ri, ne do të bëjmë të mundur që, e para, shërbimet të merren online, e dyta, në të gjithë ato raste kur ti has një problem me shërbimin, ti ke platformën Shqipëria që duam, ku ti e përcjell drejtpërdrejtë ankesën. E mbas ekranit, që të jemi të qartë, kur shkojmë tek e-albania ose kur shkojmë tek platforma, janë me qindra njerëz që janë aty për t’u marrë me kërkesën tënde sipas fushave dhe sistemi i ri i shërbimit, do ta sqarojë më mirë drejtorja, është i tillë që në mënyrë kompjuterike nxjerr me pullë të kuqe aty, me vijë të kuqe, me shenjë të kuqe, të gjitha rastet kur qytetarët kanë aplikuar dhe afati është shkelur. E në atë moment, titullari, ministri, qeveria e marrin vesh menjëherë, që qytetarit X nga fshati Y, që nuk ka as njohje, as lidhje, as mundësi të marri rrugët, as mundësi të paguajë, i është shkelur afati dhe në atë moment fillon procedura e hetimit dhe elementi mbështetës, qoftë i shërbimeve, qoftë i platformës, është njësia e re antikorrupsion që kemi ndërtuar, por puna e njësisë antikorrupsion është për të marrë masa për ata që kanë penguar qytetari. Ndërkohë që qytetari në atë moment e ka zgjidhur çështjen, pra i ka ardhur ajo që ka kërkuar, e drejta që i ka takuar.
Ky është një revolucion që do të transformojë rrënjësisht marrëdhëniet e qytetarit me shtetin, një revolucion që përndryshe, nëse do të na kishte qëlluar që këto biseda e këto sfida t’i kishim 20 vjet më parë, nuk do të ishte i mundur, sepse vendet që ne shohim me zili, Gjermania, Franca, Europa, ia kanë bërë sistemet, e kanë ngritur administratën kur ne nuk kishim shtet akoma, pra kanë nga 150 e 200 e 300 e 400 vjet. E të ndërtosh një administratë funksionale, me të gjithë njerëzit që janë aty e që bëjnë siç duhet detyrën, do shumë kohë. Nuk është çështja që sa dua unë që kjo të bëhet apo sa do Pjerini këtu apo Majlinda këtu apo kushdo qoftë këtu kryetar bashkie, që të bëhet, sepse kur gjëja shkon poshtë e kur ka kaq shumë individë që kanë kaq shumë detyra, aty ka të bëjë shumë pastaj kultura e institucionit, ka të bëjë shumë edhe kultura institucionale e njerëzve, që nuk është diçka që fitohet me urdhër, por është diçka që fitohet me kohë. Por duke qenë se jemi sot në kohën e teknologjisë, duke qenë se ne e morëm detyrën në qeveri, në 2013 kur teknologjia ishte në dispozicion, teknologjia të jep mundësinë që të bësh kapërcime që nuk do t’i bëje dot kurrë pa teknologjinë e ta kapërcesh malin e pakapërcyeshëm që të vë përpara një administratë që nuk është një administratë e themeluar prej qindra vjetësh e që nuk është një administratë e kultivuar prej qindra vjetësh, siç janë administratat që kur shkojmë ne në emigracioni gjejmë gati atje, dhe i kthehemi pastaj Shqipërisë e fillojmë shajmë këtu, duke harruar që ata i kanë ndërtuar, kur ne emigrantët e sotëm atje, nuk kishim lindur, e kur baballarët tanë nuk kishin lindur e kur gjyshërit tanë nuk kishin lindur, i kanë pasur ata ato administrata.
Megjithatë, për ta mbyllur, edhe sot që flasim, të gjitha këto shtete, edhe SHBA-të, kanë sistemin e letrave nga populli, se shumëkush që flet për këtë platformën e bashkëqeverisjes nuk di çfarë flet, se thotë a po kjo tregon që shteti nuk funksionon. Jo, sistemin e ankesave të popullit e ka çdo shtet dhe nëse senatoret dhe kongresmenët amerikan, kanë stafe me dhjetëra vetë njëri, pjesa më e madhe e stafit të tyre e dinë çfarë bëjnë? Merren me letrat e popullit! Çdo senatori, çdo kongresmeni i shkojnë letra nga populli përditë, nga zona e vetë dhe i ankohen për gjithfarë gjërash që janë ankesa që sigurisht lidhen me shtetin, nuk lidhen me familjen e tyre, që do të thotë që edhe në shtetet më të sofistikuara e më të strukturuara, prapë burokracia është burokraci, problemet janë probleme, të një niveli tjetër kuptohet, por janë.
Me këtë sistem ne bëjmë një inovacion shumë të madh dhe për këtë arsye, po të shikoni dhe raportet ndërkombëtare lidhur me qeverisjen dixhitale në Shqipëri janë fantastike, sepse e kanë parë çfarë është bërë. Tani çështja është ta përdorim.
Ky sistem është gjithmonë në një sfidë me mentalitetin dhe me inercinë me të cilin jemi mësuar dhe prandaj vendet, organizata, ndërmarrjet, institucionet, humbin shumë kohë nga momenti kur e kanë në dispozicion, tek momenti kur të gjithë e përdorin. Po ju jap një fakt.
Ne në qeveri, një nga gjërat e para që kemi bërë ka qenë optimizmi, e kishte bërë dhe qeveria e mëparshme, por ne e optimizuam, shkëmbimin e dokumenteve pa letra, me kompjuter, kur shkëmbehen dokumentet nga ministria në ministri. E nuk funksiononte, e imagjinoni dot? vazhdonin prapë çonin letra dhe erdhi letra apo nuk erdhi. U desh një vendimi i prerë që Kryeministria nuk pranon më letra, kush çon letra, nuk i lexohen dhe e imagjinoni dot që për një javë kjo ndryshoi? Se mjaftoi që njerëzit e kuptuan që nuk mund të përdorin më edhe këtë variant, hapën kompjuterët e tani punon normalisht. Kështu do të ndodhi edhe me sistemin, por ama ne që ta nxisim këtë punë, do të mbyllim sportelet, do t’i lehtësojmë njerëzit nga marrëdhënia me zyrtarët, me administratën, me burokracinë.
Marrëdhënia do të jetë e gjitha në telefon, në kompjuter dhe do të jetë shumë eficiente. Ja u them këtë të gjithë mosbesuesve, se ajo që ti çon me telefon, nuk i shkon një personi, siç është kur ti shkon në një sportel. Shkon në sportel tek hipoteka, varet kush të bie aty. Të ra një që nuk e ka mendjen aty, mbarove. E le dosjen, ike, nuk merr vesh se kur do marrësh përgjigje. Kurse, kur ti e çon aplikimin me telefon apo me kompjuter, aty nuk është një person, ajo shkon në disa drejtime dhe aty është personi që duhet të merret, aty është titullari i drejtorisë përkatëse, titullari po themi i drejtorisë së Kadastrës së qarkut Lezhë. Nuk mund të thotë “më fal se nuk e dija”, se i ka aty. Po aty është edhe titullari i madh në Tiranë. Po aty është edhe sistemi vetë që mbledh të dhëna e i çon në agjenci, po aty agjencia mbledh të gjitha ato që dalin me vijë të kuqe e i sjell në kryeministri, dhe kështu ka shumë sy që e kontrollojnë sistemin dhe nga këta sy që kontrollojnë sistemin, buron pastaj dhe ai mekanizmi i sanksionit që i shkon mbrapsht zyrtarit atje dhe i thotë, “ti do paguash kaq gjobë nga rroga jote se ke penguar filan qytetar dhe po e përsërite prapë, do ikësh fare që këtu. Por dhe ti drejtori i kësaj zyre nuk je mangët se ti duhet ta kishë ndjekur këtë, pasi e ke të pasqyruar në pasqyrë, nuk ke pasur nevojë të zbresësh shkallët e as të varesh se çfarë të tregon ky. Në pasqyrë të ka dalë që ky ka shkelur afatin, kështu që dhe ti ke një sanksion financiar”.
Këto janë pak a shumë ato që desha të them, ndërkohë po ia kaloj fjalën të dy miqve që janë këtu e pastaj drejtorja e Agjencisë për Dialog të Kryeministrisë dhe drejtorja e Agjencisë për Teknologjinë e Informacionit, do t’ju japin disa të dhëna që do ta plotësojnë këtë promovim po themi të këtyre sistemeve.