Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Lezha feston ndryshe këtë prag Krishtlindjesh. Një bllok prej 97 banesash të reja të ndërtuara me standardet më të mira të infrastrukturës bashkëkohore, janë gati për të mirëpritur banorët, që sot janë ringritur më të fortë se kurrë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të dy viteve më parë.

Falë programit të Rindërtimit, sfida e tërmetit po kthehet nga një fatkeqësi, në kthesë transformimi të zonave të prekura më fort, e Lezha është një prej tyre.

Kryeministri Edi Rama u mikprit sot nga qytetarët lezhjanë të lagjes “Besëlidhja” në një atmosferë festive, dhe iu uroi hyrjen në shtëpinë më të bukur, më të fortë e më të madhe se ajo që humbën dhe nisjen e një kapitulli të ri në jetën e tyre.

Më pas, Kryeministri vizitoi disa prej apartamenteve të përfunduara, si dhe mjediset e përbashkëta të pallateve, parkingjet dhe ambiente të ndryshme, duke vijuar vizitën në disa objekte të arsimore në rindërtim e sipër.

* * *

Mirëmbrëma të gjithëve! Më vjen shumë mirë që sonte jam këtu bashkë me një pallat mbrapa kështu që nuk thotë dot njeri “Ku i ke ato që thua”. Ja ku është!

Më vjen jashtëzakonisht mirë vërtetë sepse këtu, jo vetëm janë bërë gati 97 apartamente, por janë bërë gati 97 banesa më të mira, më të bukura, më të forta dhe kur erdha, po shikoja pallatin përballë dhe po imagjinoja se si tani si komshinjtë do rrinë duke i parë sikur ata të shkretët kanë faj që nuk i ka rënë tërmeti atyre.

Ky ka qenë edhe qëllimi, që të ringrihemi më të fortë.

“Ajo që nuk të vret, të bën më të fortë” – thotë një fjalë e mençur dhe me kujtimin gjithmonë me dhimbje të humbjeve tragjike të jetëve, që nuk kemi asnjë mundësi t’i kthejmë, sot ne po i kthejmë pjesë-pjesë të gjitha familjet në shtëpi pas një periudhe të vështirë, ku jemi munduar t’iu qëndrojmë pranë, të mos i lëmë vetëm, t’iu mbështesim me bonusin e qerave e me radhë, por sidoqoftë, sado mbështetje e sado që njerëzit, familjet në çadra ishin në numër të kufizuar qysh në fillim dhe sot janë rreth 100 familje në çadër që qëndrojnë aty për arsyet e tyre edhe pse e marrin bonusin e qerasë, nuk ka si shtëpia kur i thonë.

Jam shumë i lumtur që shoh këtu nëna që janë gjyshe, shoh fëmijë të vegjël, shoh këtu gjyshër e prindër që do t’u thonë “Gëzuar” njëri-tjetrit në një shtëpi të re dhe mbase do mendojnë që kushedi kjo politika dhe këta politikanët nuk janë të gjithë njësoj.

Nga ana tjetër, sigurisht që ne nuk jemi më të mirët e mundshëm, por më të mirë se ne, harrojeni se do shihni. Një gjë për të gjithë  ata që na ndjekin dhe posaçërisht për ata në Durrës, ata në Tiranë që presin të kthehen në shtëpi, por do të kthehen në lagje të tëra të ndërtuara dhe kjo kërkon akoma kohë, dua t’iu them që asgjë nga ato që kemi thënë nuk është harruar, gjithçka që kam thënë do jetë deri në fund, ashtu siç e kam thënë.

Nganjëherë, zotimet nuk arrihen dot të mbahen aq shpejt sa ti do, kur i bën ato, por kurrë të mos mendojë askush që unë i them fjalët për të kaluar radhën apo i bëj premtimet për të marrë votat e pastaj për të kthyer kurrizin. Nëse diçka ose disa gjëra nuk arrihet dot të bëhen në kohën e premtuar, kjo vjen për arsye objektive.

Mos harroni që nga tërmeti deri sot, ne patëm në mes një tjetër ngjarje të jashtëzakonshme, fatkeqësi të madhe që e ndeshi dhe vazhdon sot ta ketë në kurriz e gjithë bota, pandeminë. U shtynë afate, u zgjat koha.

Megjithatë, meqenëse ju lezhjanët keni shumë lidhje me Italinë dhe jo rastësisht keni dhe kuzhinën më të mirë në Shqipëri se janë shumë që e marrin zanatin në Itali dhe vijnë e ushtrojnë këtu, e dini shumë mirë që sot, një vend që është fuqia e 5-të ekonomike e botës, ka akoma familje nëpër kabina në pritje të shtëpive prej 12 vjetësh, prej 10 vjetësh e prej 8 vjetësh.

Këtu nuk dua të bëj krahasime të panevojshme, por thjesht dua të them që për ne, për mua ky ka qenë prioriteti i prioriteteve. Më besoni që nuk ka kaluar dhe nuk kalon 1 ditë që unë të mos mendoj për ata që presin të hyjnë në shtëpi.

Me këtë rast, sot janë 97 familje më pak në mendimet e mia nesër.

Juve hytë, kështu që nesër jeni 97 më pak. Janë 1 mijë e disa qindra familje të tjera që do të vazhdojnë të hyjnë deri për vitin e ri e siç e kemi premtuar, me ndihmën e Zotit e mos na ndodhtë më gjë tjetër, se këtu nuk po merren vesh tani me pandemira e tërmete, por nuk ma ha mendja që të gjitha të kenë mbetur për ne, ne brenda vitit të ardhshëm do t’i kemi të gjitha familjet nëpër shtëpia e gjurmët e tërmetit do të jenë vetëm gjurmë në kujtesë, ndërkohë që kujtesa e tërmetit nuk do jetë më në rrënoja, por do jetë gjithë ky realitet i transformuar për të gjithë ata që në momentin kur e humbën çatinë brenda pak sekondash, jam i bindur që janë ndjerë më vetëm se kurrë e kanë menduar se kurrë më nuk do të mund të kenë shtëpinë e tyre. Jo vetëm që do ta kenë shtëpinë e tyre siç e kanë, por do ta kenë shumë më të mirë se ajo që kishin, shumë më të bukur se ajo që kishin, shumë më të fortë se ajo që kishin.

Për ta mbyllur, duke ardhur këtu po shikoja komentet për këtë postimin që kisha bërë për këtë kompleksin këtu, përgjithësisht njerëzit më përgëzonin, por unë komentet i shoh për të parë se kush e gjen fjalën e keqe. E kishte gjetur njëri, thoshte “nuk ka shkallë sigurie kundër zjarrit”. Tani, për ata që nuk do hyjnë  brenda, ky ka edhe ashensor, ka edhe shkallë kështu që si të gjithë pallatet e tjera që ndërtohen sot edhe në mes të Tiranës edhe kudo në botë, ashensori është kur nuk ka zjarr, shkallët janë kur larg qoftë bie zjarri, por paçi vetëm zjarr dashurie, vetëm zjarr lumturie, vetëm zjarr begatie në shtëpitë tuaja dhe ju qoftë e ngrohtë zemra siç do të jenë të ngrohta shtëpitë kur t’i thoni gëzuar njëri-tjetrit për vitin e ri. Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.