Lezhë, Krujë e Kurbin, shpërndahen grantet për meremetimin e banesave

Procesi i shpërndarjes së granteve për meremetimin vetjak të banesave, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit, vijoi sot në bashkitë Lezhë, Krujë dhe Kurbin. Janë 4810 familje që përfitojnë në këto bashki drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive.
Kryeministri Edi Rama ka bashkëndarë përmes një takimi online të zhvilluar për këtë qëllim me kryetarët e bashkive Lezhë, Krujë dhe Kurbin, të dhënat dhe fazën ku ndodhet tashmë ky proces mjaft i rëndësishëm për rimëkëmbjen pas fatkeqësisë së fundvitit të shkuar. Së bashku me ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj ata ndoqën drejtëpërsëdrejti shpërndarjen e granteve në disa prej zyrave postare të bashkive në fjalë.
“Në total deri tani kemi 20.087 përfitues të kësaj mbështetjeje. Shuma totale është 76 milion dollarë. Por si rezultat i vazhdimit të verifikimit dhe i plotësimit të të gjitha nevojave ne parashikojmë që do të kalojë 80 milion dollarë,” u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Të tre kryetarët e bashkive sollën me shifra dhe fakte numrin e familjeve përfituese dhe ecurinë e këtij procesi të gjerë, përmes të cilit qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët, për meremetimet e dëmeve të tërmetit.
Konkretisht, Bashkia Lezhë ka miratuar mbështetjen financiare në një masë prej afro 2.5 milionë dollarësh, ndërsa ka filluar dhënia e granteve për më shumë se 200 përfituesit e parë. Bashkia e Krujës ka miratuar mbështetjen financiare për një masë dëmi rreth 6.6 milion dollarë dhe janë lidhur 897 kontrata. Bashkia Kurbin ka miratuar mbështetjen financiare për një masë prej 4.7 milion dollarësh, ka lidhur mbi 1000 kontrata, si dhe ka nisur lëvrimin e fondeve.
Duke u ndalur në mënyrë specifike për secilën prej bashkive, Kryeministri Rama u shpreh se në Krujë ka patur një problematikë shumë të rënduar nga tërmeti. “Faktikisht është zona ku kemi të paktën 4 zhvillime masive, dy në Fushë-Krujë dhe në Krujë dhe dy të tjera në Thumanë dhe në Bubq. Ndërkohë që, një pjesë tjetër voluminoze e banesave të reja janë të shtrira në të gjithë territorin. Por edhe nga pikëpamja e mbështetjes financiare për familjet e dëmtuara, shifra e mbështetjes për Krujën është më e madhja (nga tre bashkitë në fjalë) për shkak të dëmit të shkaktuar,” u shpreh ai.
Ndërsa, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, në një informacion të përmbledhur u shpreh se, të treja bashkitë në fjalë, Kruja, Kurbini dhe Lezha janë përfituese në të gjitha programet. “Lezha ka tre objekte arsimore për rindërtim, të klasifikuara sipas njësive zbatuese FSHZH, shkolla 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti” nga UNDP, konvikti i shkollës profesionale, po nga UNDP dhe ka tre objekte arsimore për rikonstruksion nga donatorë. Ndërkohë, që ka dy zona të reja për zhvillim që është programi i infrastrukturës, janë dy zona me një sipërfaqe prej 12,6 hektarë. Ndërkohë në Krujë janë 13 objekte arsimore për rindërtim, të kombinuara nga FSHZH, nga UNDP dhe nga Sllovenia. Ndërkohë janë 5 objekte arsimore për t’u rikonstruktuar. Janë disa zona të reja për zhvillim, të cilat janë ndërtime të një cilësie shumë të lartë. E njëjta gjë vlen edhe për Kurbinin, i cili ka 6 objekte arsimore për rindërtim dhe 4 objekte për rikonstruksion. Të shtunën dhe të dielën është bërë një punë kolosale për demolimin dhe ndërkohë që flasim për pastrimin e inerteve në zonën që ne i referohemi ku do të ndërtojë Enti Kombëtar i Strehimit të Republikës së Turqisë. Ndërkohë është dhe zona tjetër e ndërhyrjes në Laç me një sipërfaqe prej 18 hektarësh. Programi shumë i madh i rindërtimit të banesave kolektive ka filluar për të gjithë bashkitë jashtë territorit të Bashkisë së Tiranës. Në fund të shtatorit në të treja bashkitë për të cilat po flasim do të kemi themelet e banesave kolektive,” tha Ahmetaj.
Në përfundim, Kryeministri Rama kërkoi që puna të vijojë më tej me të njëjtin intensitet që ka nisur. “Ju falenderoj shumë të treve dhe kërkoj të vazhdojmë punën me sa më shumë intensitet. I siguroj qytetarët që absolutisht asnjë familje në nevojë pas tërmetit nuk do të mbetet vetëm, përkundrazi do të jemi përkrah tyre, qoftë për t’i dhënë mbështetjen financiare për meremetimet, qoftë për t’i dhënë çelësin e banesës së re, qoftë në fshat, qoftë në qytet,” tha Kryeministri.