Rilindja Urbane në Libohovë së shpejti do t’i dhurojë qytetit një panoramë të re, duke transformuar dhe rijetëzuar qendrën e qytetit, rrugë dhe objekte me rëndësi historike. Investimi prej më shumë se 134 milionë lekë, i cili parashikon rehabilitimin e plotë të 10 mijë metrave katrorë, është drejt përfundimit.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe drejtues të pushtetit vendor pa nga afër punimet që po e shndërrojnë qytetin nga një zonë të shkretë nga pikëpamje infrastrukturore, në një mjedis funksional e tërheqës për qytetarët dhe turistët.
Ministrja Kumbaro shpjegoi se rehabilitimit të plotë do t’i nënshtrohen edhe godina e bashkisë, shkollës, unaza e qytetit, por edhe i zonës historike, me restaurimin e sarajeve të Myfit bej Libohovës dhe rikualifikimi i zonës së kalasë. “Në total janë rreth 10 mijë metra katrorë që rehabilitohet e gjitha, me një vlerë mbi 134 milion lekë. Pjesë e kësaj është edhe gjithë restaurimi i shkollës, i bashkisë, kemi dhe restaurimin e plotë sarajeve të bej Libohovës që është edhe një pjesë historike e rëndësishme dhe unaza gjithashtu. Ideja është që të bëhet këmbësore e gjithë shëtitorja. Që tani kanë filluar edhe investimet private që deri dje nuk iu shkonin në mendje, të lokaleve rreth e rrotull sheshit. Kemi gati edhe rikualifikimin e zonës së kalasë, me ndriçimin përkatës.”