Postuar më: 5. Shtator 2018

Librat falas edhe nga klasa e 5-të për fëmijët e familjeve në ndihmë ekonomike

Me urimin për një vit shkollor të mbarë, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Arsimit, Besa Shahini, ishin në familjen Musi, e cila përfiton ndihmën ekonomike dhe si e tillë gëzon të drejtën e marrjes së librave falas për dy djemtë, Agimin dhe Manuelin, që këtë vit nisin klasën e 5-të dhe të 6-të.

Këtë vit, falë nismës së re të qeverisë, librat po shpërndahen falas në të gjithë territorin e republikës për fëmijët nga klasa e parë në të katërtën, por ndërkohë jepen falas edhe për fëmijët e familjeve në ndihmë ekonomike që ndjekin klasën e 5-të e lart. “Ne i kemi bërë librat falas nga klasa e parë në të katërtën, por ndërkohë për të gjithë ata që janë nga familje që kanë disa nevoja më shumë se të tjerët, librat janë falas dhe kështu balancohen të dyja. Nga e para në të katërtën është për të gjithë, nga e pesta e më lartë është vetëm për ata që janë familje në nevojë, fëmijët e tretë”, – tha Kryeministri Rama.

E pranishme në dhënien e librave për Agimin dhe Manuelin, ishte dhe mësuesja kujdestare, e cila i vlerësoi të dy fëmijët për interesin dhe vëmendjen që tregojnë për mësimin. Manueli ka pasion futbollin dhe këtë vit një risi është hapja e klasave sportive ku ai mund të tregojë pasionin e talentin e tij, risi të cilën mësuesja e vlerësoi si një mundësi për të gjithë fëmijët që e kanë pasion sportin.

Zëvendësministrja e Arsimit, Besa Shahini tha se projekti i pilotuar vjet në disa shkolla, “Bëjmë detyrat e shtëpisë” do të shtrihet edhe në shkolla të tjera, ndër të cilat edhe në shkollën ku dy djemtë mësojnë. “Ne folëm me drejtorin para se të vijmë këtu. Kemi vendosur që shkolla të bëjë edhe mësim pasdite me programin “Bëjmë detyrat e shtëpisë”. Duhet ta keni parë që është bërë edhe në shkolla të tjera. Ideja është që nxënësit të rrinë në shkollë, të bëjnë mësimet aty e të përgatiten për të nesërmen. Ka rezultuar shumë i suksesshëm programi për lëndët e matematikes dhe shkencës.”

Data 5 shtator përkon me Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Kryeministri Rama u dhuroi një libër mbi Nënë Terezën të dy djemve, të cilët në kohën e lirë mund të mësojnë më shumë për jetën e Shenjtores.