Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Deutsche Telekom në tregun e telekomunikacionit Shqipëri:

 

Është bërë e qartë që teknologjia jonë e ka tejkaluar qytetërimin tonë dhe kjo nuk është një shprehje e thënë sot, por e thënë shumë kohë më parë nga Albert Einstein.

Ai revolucion teknologjik që nisi në vitet ’50-të me kompjuterët e parë, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën sesi individët dhe kompanitë ndërveprojnë, sot ka mbërritur në proporcione të paimagjinueshme dhe premton për zhvillime të paimagjinueshme.

Faktikisht, qysh në 1950-ën, nobelisti Robert Solow dhe ekonomisti Trevor Swan demonstruan se kontributi i faktorit të prodhimit si kapitali dhe puna janë vetëm të përkohshëm, ndërsa progresi teknologjik dhe rritja progresive e zhvillimit teknologjik është, në fakt, çelësi për rritjen afatgjatë të një vendi dhe të mirëqenies së tij.

Deutsche Telekom është një shprehje kuptimplotë e këtij progresi dhe një prani e paimagjinueshme vetëm pak vite më parë, që sot e kemi në Shqipëri dhe e bën Shqipërinë, pjesë të aventurës së madhe të njërës prej kompanive lider në botë për të ofruar zgjidhje teknologjike të integruara, shërbime të telefonisë fikse, të telefonisë së lëvizshme, të IPTV-së, të lidhjeve satelitore, të internetit, të zgjidhjeve në fushën e teknologjisë për biznesin dhe korporatat në fusha të ndryshme.

Sot, kalimi i një kompanie që 19 vjet më parë hyri në rrjetin e shqiptarëve si dallëndyshja e parë e një integrimi të Shqipërisë në rrugën e progresit teknologjik, në një kompani që sot është lider në progresin teknologjik botëror, na bën që të jemi shumë të inkurajuar për atë që vjen.

Dua të besoj që ardhja në Shqipëri e këtij operatori të madh europian, me shëmbëlltyrën e vet, pra, me logon dhe gjithçka që është pas logos, është në të njëjtën kohë edhe një shenjë kuptimplotë e një tregu që është në rrugën e stabilizimit për nga rregullueshmëria dhe besueshmëria.

Shifrat e Deutsche Telekom janë marramendëse përsa i përket shtrirjes në 36 vende të botës dhe në 27 vende të Europës, përsa i përket numrit të punonjësve dhe të ardhurave, 62.7 miliardë euro në vitin 2014, 151 milionë përdorues të telefonisë celulare dhe përveç 30 milionë të pajtuarve në telefoninë fikse dhe mbi 17 milionë lidhje në Broadband. Por nuk është vetëm kaq, sepse kjo kompani vjen sot në shërbim të shqiptarëve duke tejkaluar edhe një fazë të re të teknologjisë, atë 3G, që në Shqipëri u prezantua në 2010-ën, faktikisht, shumë më vonë sesa në vendet e tjera dhe praktikisht, në fund të vendeve të rajonit, si kurorëzim i një procesi që në Europë kishte nisur që në vitin 2000. Ndërsa ardhja e Deutsche Telekom, përmes Telekom Albania, me teknologjinë 4G përbën një avancim fantastik në rrugën e komunikimit të të dhënave dhe një mundësi për inovacion në shumë sektorë, ku edhe sektori publik është tejet i gatshëm dhe ku qeveria është tejet e përfshirë, për të krijuar hapësira e mundësi, në mënyrë që komunikimet e sigurta dhe shpejtësia shumë e lartë e komunikimit, që garanton 4G-ja, të bëhen pjesë e një procesi qeverisës, që falë këtij ndërveprimi ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u bërë shumë më transparent, shumë më i shpejtë dhe shumë më i sigurt, duke u bërë mburojë e qytetarëve përballë korrupsionit.

Faktikisht, sot mund të themi se Shqipëria bëhet pjesë në kohë reale e një progresi teknologjik që ka një të mirë të madhe për vendet më të pazhvilluara. Na jep mundësinë të kapërcejmë epoka në një kohë shumë të shkurtër, pa pasur nevojë të kalojmë nëpër të gjithë atë rrugë të gjatë që iu është dashur vendeve të zhvilluara, për të qenë ata që janë sot. Është një detyrim i madh moral dhe patriotik, përveç se politik, për t’i dhënë mundësi teknologjisë që të zhvillohet me shpejtësi, duke i dhënë kështu mundësi shoqërisë sonë dhe vendit tonë që të djegin etapa, të cilat pa teknologjinë do të ishin shumë të gjata dhe jashtëzakonisht më të vështira.

Në dhjetor të vitit 2013, Komisioni Europian nënshkroi një marrëveshje historike me shoqatën e infrastrukturës 5G, për të krijuar një Partneritet Publik Privat për teknologjinë 5G. Kjo është një nismë e Bashkimit Europian për të përshpejtuar zhvillimet kërkimore në teknologjinë 5G, përmes një financimi prej 700 milionë eurosh.

Ndërsa aktualisht, T-mobile po punon për krijimin e një rrjeti të vetëm IP, që faktikisht rrëzon të gjithë kufijtë kombëtarë në Europë. Projekti që synohet të përfundohet në vitin 2018 është mishërimi i esencës së projektit madhështor të Bashkimit Europian. Një hapësirë komunikimi dhe ndërveprimi që nuk njeh më asnjë kufi kombëtar dhe që i bën njerëzit të barabartë në të gjithë platformën e komunikimit dhe në mundësitë që i ofron secilit për ta shfrytëzuar këtë platformë. Pra, një Bashkim Europian ku edhe Shqipëria, falë pranisë së Telekom Albania, do të jetë pjesë pa pyetur Komisionin Europian dhe pa pritur që vendet anëtare të na thonë ejani bëhuni pjesë e Familjes Europiane.  Në kuptimin e qytetarit, ky është një progres i jashtëzakonshëm që ofron teknologjia. Padyshim që, ky nuk është një zëvendësim i progresit që Shqipëria duhet të sigurojë për t’u bërë pjesë e Familjes Europiane.

E solla këtë shembull, thjesht për të thënë se çfarë horizontesh të reja, që shkojnë përtej imagjinatës sonë, na ofron teknologjia e re. Jemi, sinqerisht, me fat që Deutsche Telekom e përfshin Shqipërinë në hartën e territoreve ku kjo aventurë e madhe në kërkim të të ardhmes zhvillohet intensivisht nga ky grup lider në botën e zhvillimit teknologjik global.

Së fundmi, jam shumë i kënaqur që sot gjej rastin për të ritheksuar vlerën e madhe të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Prania e Deutsche Telekom është një sinjal shumë i fortë i mundësive për ta forcuar këtë bashkëpunim, një inkurajim shumë i madh për ne, në rrugën e përpjekjeve tona për të garantuar një hapësirë ku investimet gjermane të jenë të sigurta, por pa dyshim, edhe për të bërë kështu të mundur një afrim më të madh me Gjermaninë, që në këndvështrimin tim të palëkundur, përpara sesa të jetë një afrim që sjell më shumë para, – patjetër paratë janë jetike për zhvillimin e vendit tonë, – sjell shumë më tepër kulturë në mirëqeverisje, kulturë në punë dhe kulturë në ndërveprim.

Duke falenderuar kompaninë për mundësinë që më dha për të mbajtur këtë fjalë, duke qenë i bindur se me praninë e Deutsche Telekom në Shqipëri, tanimë 100% e përfshirë përmes Telekom Albania, na krijon mundësi të pamata bashkëpunimi për të shfrytëzuar teknologjinë. Unë i jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që e bënë të mundur këtë ditë, që nga vetë bordi dhe lidershipi i Deutsche Telekom në Gjermani, tek bordi e lidershipi i AMC-së në Shqipëri, tek mbështetja e madhe morale e ambasadës dhe mikut tonë të shtrenjtë, ambasadorit gjerman në Shqipëri dhe në fund, tek nxitja dhe mbështetja padiskutueshmërisht e nevojshme e vetë qeverisë dhe Kancelares gjermane, Angela Merkel.

Faleminderit të gjithëve! Suksese dhe sinqerisht, përgëzime dhe urimet më të mira të gjithë stafit shqiptar të kompanisë, që ka fatin të jetë pjesë e kësaj aventure të madhe, unikale, që është aventura e zhvillimit teknologjik, që në këtë fushë e bën çdo shqiptar të përfshirë të ndjehet pjesë integrale e një zhvillimi të madh global dhe europian, pa kufij.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.