Lidhja e zonës së Labërisë së sipërme me bregun, një ëndërr e vjetër e banorëve të kësaj krahine po shkon drejt përfundimit. Dy akset e tjera, Tepelenë – Lekdush dhe Gusmar – Kuç sjellin një hap më pranë lidhjen e malit me detin, duke krijuar kështu dhe infrastrukturën për një turizëm të kombinuar në gjithë këtë zonë.
“Një herë e mirë, e gjithë zona e Labërisë nga ana e infrastrukturës kompletohet. E gjithë Labëria e sipërme bashkohet me të poshtëm dhe pastaj fokusi dhe synimi ynë është promovimi i turizmit malor familjar për vetë shkaqet natyrore, për vetë blegtorinë, traditën, zakonet e kulturën”, – u shpreh kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi.
Kryeministri Rama, i cili gjatë vizitës së tij në këtë zonë u ndal në këto kantiere, evidentoi impaktin që do kenë këto akse për fermerët e zonës, të cilët do të nxjerrin më lehtë në treg prodhimet e njohura të zonës, bulmeti, mishi, sidomos gjatë sezonit turistik.
Segmenti nga Gusmari deri në Kuç, i gjatë 10 kilometra, është një segment totalisht i ri, që nuk ka ekzistuar më parë e që përshkohej vetëm me karvanë. “Kjo ka qenë një ëndërr e të parëve që realizohet sot. Gjithë zona e Kurveleshit, gjithë aktivitetin e tyre e ushtronin drejt bregut, por me atë zakonin e vjetër. Tani e kemi ndryshuar infrastrukturën”, – theksoi kryebashkiaku i Tepelenës.
***
Pas përfundimit të rrugës Tepelenë -Salari vazhdon puna edhe për segmentin Salari – Nivicë. Falë investimeve në infrastrukturë e në mbështetje të agroturizmit u kanë dhënë shpresë e optimizëm emigrantëve që kanë nisur të investojnë kursimet e tyre për kthimin e shtëpive të rrënuara në bujtina mikpritëse.
“Me të marrë njoftimin për rrugën, shumë banorë të fshatit Salari janë kthyer e po investojnë në shtëpitë e tyre. Ka edhe shumë këkesa për agrobiznese”, – u shpreh kryebashkiaku Peçi.
“Kjo zonë do të shpërthejë nga shfrytëzimi i agroturizmit, duke u bazuar tek shtëpitë e vjetra, natyra fantastike, tek tradita, trashëgimia në blegtori dhe tek polifonia. Ka filluar ndryshimi, por jemi ende në fillimet e veta. Janë embrione që do të shpërthejnë pak nga pak e do të bëhet një buqetë oferta turistike e gjithë kësaj zone dhe do të hyjë në një ndërveprim fantastik e gjithë larmia e ofertave, e Përmetit, Gjirokastrës, Himarës. Në 30 minuta të dalësh në det.