Ligji i ri për Arsimin e Lartë, garanci për më shumë cilësi dhe autonomi universitare

Deklaratë për shtyp e Ministres së Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolla, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Projektligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë vjen si një proces unik, pas dy dokumentesh strategjikë dhe një procesi të gjatë të një debati publik të të gjithë aktorëve.

Duhet të falenderoj këtu, punën e palodhur dhe profesionale të komisionit “Gjonça”, që kanë gjetur forcën për të dalë mbi opsionet personale dhe për të dakordësuar një dokument thelbësor që na u prezantua.

Falënderoj dhe të gjithë rektorët, dekanët, pedagogët dhe studentët, që u angazhuan në përmirësimin e vazhdueshëm të këtij ligji.

Ligji i ri për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në institucionet e Arsimit të Lartë, është një projektligj që sjell një mori ndryshimesh, të gjitha ne frymën e masave të ndërmarra deri më tani.

Ne nuk bëjmë kompromis me cilësinë. Koha e universiteteve që bëjnë sikur japin mësim ka marrë fund.

Ky është një ligj për studentët shqiptarë, një ligj që synon t’i japë mundësinë të rinjve të këtij vendi të fitojnë nga universitetet dije cilësore, të përfitojnë vlerën e munguar të mundit të tyre, t’i japë besimin prindërve që investimi, koha dhe financat e investuara do t’ia vlejnë. Kjo është dhe ka qenë e vetmja busull që na ka orientuar. Gjithçka tjetër, Ministria, universitetet, Profesorati, autonomia, qeverisja, agjencitë janë mjete në funksion të këtij qëllimi.

Ligji i ri ndryshon skemën e financimit, duke futur konceptin modern të financimit në bazë të performancës. Shteti do të jetë gjithmonë e më shumë financuesi i arsimit të lartë, por këto financa, taksa të qytetarëve shqiptarë, duhet të prodhojnë maksimumin e mundshëm të vlerës. Një skemë moderne financimi që priret nga treguesit e performancës të universiteteve tona do t’i shtyjë ato të modernizohen, të përmirësojnë shërbimin e ofruar ndaj të rinjve, të gjenerojnë gjithnjë e më shumë kërkim shkencor, bashkëpunim të zgjeruar ndërkombëtar etj.. Në thelb do të prodhojë arsim të lartë më cilësor.

Ligji që sot kaloi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave e bën më të drejtë financimin publik për studentin, duke iu gjetur pranë studentëve në nevojë, duke krijuar një fond të posaçëm bursash për të gjitha kategoritë në pamundësi financiare dhe për t’ju mundësuar atyre ndjekjen e studimeve; Krijon një fond të posaçëm bursash për studentët që ndjekin degët me prioritet kombëtar dhe mbështet posaçërisht studentët me rezultate ekselente.

Në këtë mënyrë, do të optimizojmë mbështetjen me financim publik, duke e përqendruar tek ata që kanë më shumë nevojë, aty ku ka më shumë nevojë shoqëria dhe aty ku gjenerohet ekselenca.

Projektligji rrit ndjeshëm autonominë universitare, duke deleguar drejt universiteteve publike një sërë vendimmarrjesh të rëndësishme, mbi numrin e studentëve të pranuar, kriteret e përzgjedhjes, përzgjedhjen e studentëve, tarifat e studimit, numrin e stafit akademik. Ju japim universiteteve të drejtën për të promovuar vetë stafin akademik.

Ky është kantieri i parë i mirëfilltë i autonomisë universitare, si pjesë e besimit që universitetet, në balancën mes lirisë së mirëfilltë dhe përgjegjshmërisë ndaj publikut, mund të ofrojnë cilësinë më të mirë.

Ligji i ri për Arsimin e Lartë modernizon qeverisjen e brendshme universitare, duke i dhënë autoritet të qartë senatit akademik mbi qeverisjen akademike IAL-ve dhe mbështet punën e senatit me një strukturë administrative në shërbim të misionit të IALS-së. Në një koncept më modern të qeverisjes së universiteteve, rrisim cilësinë akademike, duke fokusuar akademikët në detyrat akademike dhe rrisim cilësinë e administrimit, duke i mbështetur me administrator profesionistë.

Ligji i ri për Arsimin e Lartë sjell standardizim të gjithë hapësirës dhe të aktorëve, sipas parimit “një kut, një masë”, një sistem qeverisës, një set standardesh trupëzuar në një Kod Cilësie, një sistem sigurimi cilësie, një sistem të unifikuar kontrolli të ligjshmërisë, një sistem modern, në konkurrencë të drejtë, që ofron arsim të lartë cilësor.

E thënë qartë dhe prerë: Jo, ky ligj nuk çon para publike drejt institucioneve private. Përkundrazi, nxit rritjen e financimit publik e privat drejt arsimit publik, ashtu si dhe nxit shtimin e ofruesve të shërbimit publik të arsimit të lartë.

Ligji i ri modernizon kërkimin shkencor në universitete, duke e bërë një tregues të matshëm dhe të krahasueshëm cilësinë e universitetit; Ridimensionon agjencitë ekzistuese, duke i afruar me modelet më të mira europiane dhe duke modernizuar shërbimet e ofruara prej tyre.

Sot përmbyllim një fazë të rëndësishme në këtë reformë, por sigurisht jemi shumë të vetëdijshëm që faza tjetër, ajo e implementimit të kësaj reformë do të jetë një sfidë e madhe për të gjithë ne, universitetet dhe padyshim Profesoratin dhe studentët. Por në jemi të bindur që, kur pas disa vitesh të kthejmë kokën pas, të gjithë, edhe ata që sot janë më skeptikët, do të binden që kemi ecur në rrugën e mbarë.

Faleminderit!