Prononcim i Kryeministrit, pas interesimit të medias lidhur me miratimin e ligjit për Arsimin e Lartë:
Çfarë mund të thoni për miratimin e ligjit për Arsimin e Lartë nga ana e mazhorancës, pavarësisht kundërshtimit e opozitës, por edhe të akademikëve?
Akademikë është fjalë e madhe, por, faktikisht, ne kemi pasur procesin më të gjatë, më të thellë dhe më gjithëpërfshirës, në përpjekjen për të ndërtuar një ligj si mishërimi i një reforme revolucionarizuese për një sektor kaq të rëndësishëm si Arsimi i Lartë. Produkti është absolutisht shumë i mirë, ndërkohë që është për të ardhur keq, kundërshtia që bëhet në emër të të varfërve, duke spekuluar në mënyrën më të padenjë dhe duke gënjyer në mënyrën më të padenjë dhe duke gënjyer në mënyrën më të papranueshme.
Ligji garanton konkurrencë, garanton vlerësim të meritës dhe garanton që asnjë i ri apo e re, që ka dëshirë të ndjekë universitetin dhe që e meriton të ndjekë universitetin, të mos pengohet nga varfëria në familje, sepse është shteti që do të mbështesë të gjithë fëmijët e shtresës së varfër, për të kryer me sukses studimet, kur ata e dëshirojnë dhe janë të aftë që të shpalosin talentet, dhuntitë dhe vullnetet e tyre.
Ashtu sikundër, ligji mbështet përmes financimit të shtetit, edhe të gjithë ata, të cilët janë të shkëlqyer dhe ajka e studentëve.
Ligji siguron financimin e shtetit edhe për të gjitha degët prioritare, ose ato që shteti mbron për interesin kombëtar dhe publik, duke filluar nga matematika, anglishtja deri tek albanologjia e me radhë, ose radhën ndryshojeni si të doni.
Është shumë e rëndësishme të theksohet që ky është një ligj që hap rrugën për ta sjellë Shqipërinë në kohën e re europiane, pas 20 e kusur vitesh degradim, zvarritje, kaos, korrupsion dhe mbi të gjitha, privilegje të pamerituara për një kastë, e cila është financuar nga buxheti i shtetit dhe kurrë nuk ka kthyer mbrapsht investimin e madh që publiku shqiptar ka bërë nëpërmjet buxhetit të shtetit.
Po ashtu, ligji i jep fund ndërmarrjeve private në arsim. Nuk lejohet më që të ketë universitete që funksionojnë si ndërmarrje private. Financimi shtetëror apo publik dhe privat shkon në drejtim të të mirës publike dhe të arsimit publik.
Të gjithë janë të barabartë.
Konkurrencë dhe meritë.
Ndërkohë, garanci për të gjithë prindërit se kursimet e tyre nuk do të shkojnë më dëm, siç kanë shkuar për vite të tëra rëndom, duke iu grabitur ëndrrën më të madhe të jetës së tyre, që ta shikojnë fëmijën të diplomuar realisht dhe të punësuar në bazë të diplomës. Edhe mundimet e të rinjve nuk do të shkojnë më kot, siç kanë shkuar rëndom, ku në fund të rrugëtimit të tyre akademik, ata janë kthyer thjesht në të papunë, me një diplomë pa asnjë vlerë.
Jemi në Europë me këtë ligj. Do të hyjmë në Europë duke implementuar këtë ligj. Sigurisht, sfidat janë përpara. Koha e nevojshme është jo e shkurtër. Gjithçka do të fillojë në vitin e ardhshëm akademik, jo tani në shtator, pasi ky vit do të përdoret për gjithë korpusin e akteve nënligjore, që do të bëjnë të mundur që ligji të jetë një mekanizëm që funksionon në të mirën publike dhe në të mirën e çdo individi që meriton të ketë mbështetjen e plotë të shtetit, për të marrë atë që i takon nga investimi i talentit të tij në arsimin e lartë.