‘’Lonelyplanet_es’’, faqja e famshme e udhëtimeve, në edicionin spanjoll të saj promovon bukuritë e Shqipërisë me një foto nga Alpet shqiptare.
“Mirë se vini në një vend romantik, të egër dhe magjepsës. Shqipëria, larg hartës turistike për shumë kohë është gati të mirëpresë turistët, udhëtarët me çanta shpine e të pagjumët e çdo tipi. Pas dekadash izolimi, vendi ballkanik i hapet botës me një përzierje të parezistueshme plazhesh të shkëlqyera, pyjesh të dendura dhe qytetesh me trashëgimi osmane”- shkruhet në përshkrimin që bashkëshoqëron fotografinë e realizuar nga Lenar Musin dhe publikuar në rrjetet sociale të Lonelyplanet.
Bukuritë e rralla të vendit tonë përcillen edhe në komentet e bëra në po të njëjtin postim, ndërsa janë të shumtë ata që saktësojnë se kanë patur kënaqësinë t’i vizitojnë këto vise e të tjerë që shprehen se shpresojnë të mund t’i shohin një ditë.