Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Jo pa keqardhje m’u desh të largohem për një periudhë kohe, ndryshe nga parashikimi, për të qenë gjatë gjithë ditës në këtë Konferencë që është e para e llojit të vet besoj dhe që realisht ishte një hapësirë shumë interesante ndërveprimi mes shumë aktorësh dhe faktorësh institucionalë. Por m’u desh që të mungoja dhe dëshiroj ta ndaj këtë gjë jo vetëm me ju, por edhe me publikun sepse besoj që vlen, për të qenë në vazhdën e një diskutimi që vazhdon lidhur me çështjen e shumëpërfolur ditët e fundit të çarmatimit të regjimit të Assadit.

Dua të përfitoj nga ky rast për të përsëritur edhe njëherë për të gjithë qytetarët e shqetësuar, se nuk ka vend për alarm.

Unë i mirëkuptoj, me të vërtetë, të gjithë ata që protestojnë.

I mirëkuptoj me të vërtetë vajzat dhe djemtë që shprehin protestën e tyre ndaj një çështjeje, që e ka përfshirë Shqipërinë, natyrshëm, si pjesë e familjes euro-atlantike dhe si partnere e pandashme e SHBA-së, por që mbetet me shumë të panjohura ende për publikun e gjerë.

Mbetet me shumë të panjohura qoftë për faktin se thuhen shumë të pavërteta, por qoftë dhe për faktin se ndërkohë diskutimi vazhdon dhe shumëçka mbetet ende pjesë e një diskutimi intensiv, e një diskutimi të gjerë, e një diskutimi me përgjegjshmërinë më të lartë nga të gjithë dhe ju siguroj edhe nga Qeveria Shqiptare.

Më lejoni të shtoj se pa asnjë dyshim sot dhe gjithherë, unë jam dhe do të mbetem krenar që ne jemi një shumicë e zgjedhur me një votë të fortë popullore që projektin e parë që i çoi parlamentit, pati projektin e ndalimit të importit të plehrave.

Përfshirja në diskutimin e nxehtë të ditës me SHBA-në dhe më të tjerët për çështjen në fjalë, nuk ka asnjë kundërshti me refuzimin tonë për të importuar plehra nga jashtë. Përkundrazi, është rasti që secili të shohë dhe të kuptojë se janë dy gjëra, pa asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Por, pa asnjë dyshim njerëzit kanë nevojë për siguri të plotë.

Njerëzit kanë nevojë për të patur para syve një plan të plotë. Njerëzit kanë nevojë për të gjykuar mbi një marrëveshje të plotë. E në fund të fundit, për të dëgjuar një arsyetim të plotë për çfarë përfiton Shqipëria, pikërisht edhe nga vetë pikëpamja mjedisore në rast se përfshihet në një operacion të tillë.

Të gjitha këto do të mund të thuhen dhe dëgjohen, vetëm kur ky plan i plotë dhe kjo marrëveshje e plotë të jenë gati për t’u diskutuar.

Fakti që sot nuk ka ende asnjë vendim, lidhet me faktin që sot nuk ka ende asnjë plan të plotë dhe asnjë marrëveshje të plotë me vendet e përfshira në këtë proces dhe jo vetëm nga ana jonë, por mes vendeve me njëri-tjetrin.

Kështu që, ajo çka unë mund të them duke kërkuar mirëkuptimin e të gjithëve, ashtu siç mirëkuptoj plotësisht të gjithë ata që ndihen të shqetësuar apo edhe ata që dalin në protestë, jo nga rruga e interesave politike, por nga rruga e interesit qytetar dhe atdhetar; që sot ne mundet vetëm të themi me plot gojën se në asnjë rast dhe për asnjë arsye, ne nuk do të pranonim që të cënohej integriteti i vendit tonë, qoftë në aspektin jetik, qoftë në aspektin mjedisor, qoftë në aspektin e të ardhmes së vet.

Çdo vajzë dhe çdo djalë, nxënës apo student që sot është përfshirë në këtë debat, duhet ta dijë se kurrë, unë vetë dhe kjo Qeveri nuk do të pranonte që, jo jeta, por vetë e ardhmja e tyre të vihej në diskutim me cenimin më të vogël. Çdo prind duhet ta dijë se kurrë, unë apo Qeveria nuk do të vendoseshim në asnjë lloj pozicioni që do të rrezikonte qoftë edhe një fije fëmijën apo familjen. Çdo gjyshe dhe gjysh, në këtë vend, duhet ta dijë se kurrë ne nuk do të thoshim një “Po” dhe kurrë unë nuk do të shkoja përballë publikut dhe përballë Parlamentit për të kërkuar “Po”-në e tyre të domosdoshme, pa pasur në dorë një plan të bazuar mbi një marrëveshje, që do të garantonte jo vetëm që të gjitha rreziqet e imagjinuara për shkak të një propagande, do të thosha të mbështetur në një tërësi të pavërtetash dhe me disa të vërteta që janë dhe të vërtetat tona, të kthehej në një problem.

Pra, është absolutisht e qartë që për ne, për mua, për Qeverinë, me patjetër, kontributi ynë dhe pozicionimi ynë i qartë krah për krah Shteteve të Bashkuara, është i lidhur me interesin e çdo shqiptari, të çdo familjeje shqiptare dhe të ardhmërisë së këtij vendi dhe të familjeve të këtij vendi në këtë vend. Çka do të thotë se “Po”-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe me një marrëveshje, nga ku, të jetë e qartë për të gjithë, që Shqipëria do të dalë jo vetëm më kokën lart, por e fituar dhe edhe më e pastër seç është sot.

Me këtë dua ta mbyll, duke u thënë të gjithë shqiptarëve se sot Shqipëria, në kushtet që gjendemi, jeton në një mjedis të mbushur me hot spote dhe me grumbullime mbeturinash të rrezikshme për shëndetin dhe për të ardhmen. Kjo, sigurisht, nuk është një arsye për të marrë përsipër rreziqe të tjera. Përkundrazi, kjo është një arsye për të medituar mbi mundësinë që një moment i tillë mund të jetë një shans i madh, jo vetëm për të bërë detyrën tonë me kokën lart, por edhe për të dalë nga ky operacion më të fortë dhe më të pastër. Këto janë gjërat që doja të thosha lidhur me këtë çështje. Jam i bindur që do të duhet kohë. Jam i bindur që do të duhen të gjithë argumentet e nevojshëm në mbrojtje të një propozimi për Parlamentin dhe sigurisht, për publikun që Shqipëria ta marrë përsipër një pjesëmarrje të tillë, në një proces kaq historik dhe kaq delikat për mbarë botën, në fakt. Ndërkohë, pikërisht, sepse ne duam të jemi 100% të sigurt, ne ende nuk kemi një vendim. Ky vendim do të merret në konformitet të plotë me gjithë detyrimet që ka Qeveria e Shqipërisë dhe që kam unë personalisht, përballë çdo shqiptari për të rreshtuar çdo argument dhe gjithë tërësinë e argumenteve që e arsyetojnë vendimin si përgjegjësi kombëtare dhe si një proces garancish të plota për publikun shqiptar dhe për të ardhmen e këtij vendi.

Më lejoni të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit sot dhe, në radhë të parë, sigurisht përfaqësuesit e institucioneve të pavarura. Rasti e sjell që për të dytën ditë rresht të falënderoj Kryetaren e Komisionit të Integrimit, përfaqësuese e opozitës, zonjën Majlinda Bregu, sepse e konsideroj të çmuar prezencën e opozitës këtu dhe kontributin e dhënë prej saj. E padyshim edhe të gjithë përfaqësuesit e Komunitetit Ndërkombëtar, të cilëve u them se jam sot ende më i bindur se dje që jemi në kushtet ku mund ta çojmë përpara me sukses axhendën antikorrupsion, jo thjesht të Qeverisë Shqiptare, por të këtij vendi.

Më lejoni që të bëj një vijë ndarëse mes asaj që është Bashkimi Evropian dhe asaj që jemi ne, Shqipëria që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Sepse përmes kësaj vije ndarëse ne mund të dallojmë qartë edhe çfarë e bën Bashkimin Evropian, çdo anëtar të Bashkimit Evropian, më pak të prekshëm nga korrupsioni dhe çfarë na bën ne më shumë të prekshëm prej korrupsionit. Pa dyshim, modernizimi! Bashkimi Evropian është një sistem modern që funksionon në një mënyrë që e bën shumë e shumë herë më të pamundur mundësinë që korrupsioni të marrë avantazh mbi shtetin dhe mbi shërbimet ndaj publikut, në çfarëdo sektori. Ndërkohë që Shqipëria është ende një sistem, i cili është mes arkaizmit të së shkuarës dhe përpjekjes për t’u modernizuar, që deri më sot, në fakt, nuk ka dhënë një produkt koherent, por thjesht ka pjellë copëza të shkëputura nga njëra -tjetra, në një hapësirë kaotike, mekanizma të pakoordinuar me njëri-tjetrin, brenda një makinerie që i ngjan një automjeti ku karkasa është e viteve 50, rrotat janë të blera rishtaz, motori është i viteve ‘89 dhe me radhë, pa folur për karburantin që përgjithësisht është i trukuar, gjë që e bën makinerinë të sforcohet shumë, të konsumojë jashtëzakonisht shumë, të lëvizë avash dhe të mos garantojë, praktikisht, shërbimet për të cilat është ngritur.

E pra, ne duhet me patjetër ta modernizojmë këtë makineri, ne duhet me patjetër që t’i japim sens rrugës së zhvillimit, duke e kuptuar korrupsionin si një problem shumë të madh për t’u zgjidhur dhe duke e kthyer antikorrupsionin jo në një qëllim në vetvete dhe as në një instrument represioni të palogjikshëm, por në një pjesë të pandashme të projektit të modernizimit. Po t’i marrim me radhë pjesët dalluese mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë sot, në atë që bëra si dallimin e parë dhe më kryesorin, do të thosha se Bashkimi Evropian ka siguri; ka siguri për jetën, ka siguri për pronën, ka siguri juridike në themelin e përditshmërisë së vet. Shqipëria sot ende nuk ka siguri; as për jetën, as për pronën, pa folur për sigurinë juridike në themelin e përditshmërisë së vet.

Bashkimi Evropian është një mekanizëm që ka transparencë dhe përmes transparencës, mund të lexohen të gjitha pjesët e makinerisë, qoftë e makinerisë së madhe të familjes së bashkuar, qoftë edhe makinerisë të secilit shtet anëtar. Sigurisht, nuk është e njëjta cilësi kur vjen puna tek secila prej makinerive të secilit prej shteteve anëtare, por është pak por e sigurt që tërheqja e lokomotivës është tërheqja e frymës së modernizimit dhe të kompaktësimit të të gjithë mekanizmave dhe sjelljeve, në funksion të një qasjeje të përbashkët ndaj problemeve të përbashkëta, për të garantuar liri dhe të drejta për çdo qytetar, pavarësisht se jeton në Berlin, jeton në Madrid, jeton në Bukuresht, apo jeton në cilindo fshat nga veriu në jugun e Evropës. Ndërkohë që, kur vjen puna tek ne, për shkak se makineria është ajo që është, për shkak se siguria është ajo që është, edhe transparenca nuk është gjëkundi ajo që duhet të jetë dhe në fund fare, edhe rezultatet ndryshojnë. Edhe rezultatet ndryshojnë, sepse cilësia e performancës është tërësisht e ndryshme mes dy makinerive.

E duke i marrë me radhë të gjitha fushat, ne do të shikojmë që korrupsioni është jo vetëm i kudondodhur, por korrupsioni është ndërlidhësi mes fushave, sepse garanton atë që u mundova të them në fjalën time hyrëse, shërbimin alternativ ndaj gjithë atij shërbimi koherent dhe të ndërlidhur që duhet të garantojë në fakt vet shteti. Është një sëmundje metastatike që e përfshin të gjithë shtetin dhe i prek dhe i ndërlidh gjithë sektorët e shtetit. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për këtë, por në të njëjtën kohë, na duhet një përpjekje për të dalë përtej kufijve që janë kufijtë e një Qeverie, apo të një shumice dhe për të përfshirë në këtë përpjekje të gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë, në funksion të modernizimit të makinerisë, në funksion të modernizimit të sistemit, sigurisht, duke e filluar nga vetja.

I ndoqa më shumë vëmendje paraqitjet e bëra nga drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, disa prej tyre, nuk ishin të gjithë, por disa prej tyre dhe vazhdoj të ruaj mendimin që Qeveria ka një rol shumë të rëndësishëm, i cili fillon nga sjellja e drejtë dhe nga fryma e së drejtës në gjithë procesin qeverisës dhe vendimmarrës të saj. Aty ku Qeveria nuk udhëhiqet nga sensi i të drejtës në procesin qeverisës dhe vendimmarrës, ka pak shanse që e drejta të gjendet në dyert e gjykatave dhe që e drejta të merret nga vendimet e gjykatës.

Aty ku ata që e përfaqësojnë në nivelin më të lartë popullin, janë pak të drejtë, janë pak transparentë dhe kanë pak rezultate të prekshme për njerëzit, është iluzion që të kërkosh që në nivelet më poshtë, gjithë sistemi mbi të cilin ngrihet pushteti ekzekutiv, të kërkosh pastaj siguri, të kërkosh transparencë, të kërkosh rezultat, kur kërkon një shërbim.

Për t’i marrë fushat me radhë do të duhej shumë kohë, por e besoj se ne sot mund të jemi të bindur që jemi në rrugën e duhur dhe që kemi qasjen e përshtatshme në fushën e sigurisë, duke filluar nga përpjekja për ta kthyer Policinë e Shtetit në krye të detyrës dhe duke u përpjekur çdo ditë që të ndërtojmë brenda Policisë së Shtetit, vetëdijen se lufta kundër korrupsionit nuk është një luftë e policisë me të tjerët, por është edhe një luftë e Policisë me vetveten, në kuptimin e zakoneve të vjetra dhe në kuptimin e mekanizmave të ndryshkur të një sistemi që duhet rivënë në punë, duke u modernizuar tërësisht.

Ekonomia jonë dihet që kalon një fazë të vështirë. Por, njësoj si ajo që thashë për drejtësinë, mund të thuhet me plot gojën edhe për ekonominë, se ne nuk jemi sot në gjendje si Qeveri të kërkojmë më shumë nëse nuk vazhdojmë të bëjmë përditë e më shumë atë që po bëjmë, të marrim përgjegjësinë tonë, përgjegjësinë e qeverisë së Republikës së Shqipërisë, pavarësisht se kjo është një përgjegjësi e mbartur nga paraardhësit, në raport me ekonominë në tërësi dhe me sipërmarrjen në mënyrë të veçantë. Kjo është një Qeveri që i ka borxhe të mëdha njerëzve, të cilët kanë vendosur ta ndërtojnë jetën e tyre me sipërmarrje. Kjo është një Qeveri që u ka borxhe të mëdha kompanive që kanë ofruar shërbime për publikun, duke filluar nga kompanitë që bazuar në kontrata me Qeverinë, kanë bërë punë publike të papaguara, tek kompanitë që i kanë shërbyer sistemit spitalor duke sjellë ilaçe të mbetura të papaguara, tek të tjerë që i kanë shërbyer sistemit arsimor dhe deri tek kompanitë që i shërbejë furnizimit me energji, ndaj të cilave Qeveria ka borxhe të mëdha. Ne duhet t’i lajmë këto borxhe! Ne duhet t’i lajmë këto borxhe dhe duhet që të vendosim në një raport të ri Qeverinë me sektorin privat dhe me çdo shqiptar që nuk ka vendosur ta ndërtojë jetën e tij bazuar mbi karrierën politike, apo mbi karrierën në shtet, por ka vendosur ta ndërtojë tërë jetën e tij bazuar mbi të drejtën kushtetuese që të bëhet i pasur këtu, apo që të ushqejë familjen këtu me një biznes. Nuk është Qeveria në një pozicion më të privilegjuar dhe nuk i jep kush Qeverisë të drejtën që ndaj kësaj pjese të shoqërisë, ndaj atyre që merren me sipërmarrje private, të sillet në mënyrë harbute, të vendosë rregulla të pashkruara që e asfiksojnë sipërmarrjen, t’i kërkojë njerëzve në sektorin privat të paguajnë atë që nuk ju takon të paguajnë dhe vetë të mos jetë as në gjendje dhe as aq kokëçarëse sa t’u paguajë atyre detyrimet. E kundërta duhet të ndodhë. Qeveria duhet të ndihet në shërbim të tyre dhe nuk duhet ta ndiejë dhe as ta trajtojë asnjërin syresh si shërbëtorin e vet. Duke ndryshuar këtë kulturë qeverisjeje në raport me ekonominë, në radhë të parë me sipërmarrjen, besoj që të vendosim një gur themeli në një rrugë të përbashkët, ku duhet të ketë dialog, ku duhet të ketë përgjegjësi reciproke dhe është Qeveria e para që duhet të jetë tërësisht në konformitet me përgjegjësitë e veta dhe pastaj duhet të këtë partneritet të bazuar edhe në marrjen e çdo përgjegjësie nga sipërmarrja.

Por korrupsioni, që këtu sigurisht bën kërdinë në këtë fushë, prek për arsye të kësaj kulture qeverisëse dhe të këtij raporti të mbrapshtë të vendosur, në boshllëkun e lënë, apo në boshllëkun ende të pambushur nga një makineri  shtetërore funksionale, duke prekur pasuritë kombëtare të këtij vendi, rëndon në mënyrë të pakthyeshme duke krijuar vatra vdekjeprurëse si ato të shfrytëzimit barbar nëpër miniera, ku përfitojnë një grusht njerëzish dhe rrezikojnë çdo ditë njerëz që nxjerrin bukën e gojës në miniera. Apo në sektorin e naftës, ku populli shqiptar nuk merr përfitimin që i takon dhe ku borxhet ndaj shtetit  të sektorit janë fakt shprehje e një marrëdhënieje perverse mes këtij sektori dhe Qeverisë paraardhëse, apo qeveria paraardhëse si të doni, nuk dua të bëj një dallim të kësaj natyre sot këtu, sepse nuk është ky qëllimi.

Më tutje, edhe në vetë territorin si pasuri kombëtare, apo si pasuri private, korrupsioni bën kredinë duke filluar që nga e drejta e pronës dhe duke vazhduar pastaj me të drejta të fituara me dhunë, apo me imponim mbi pronën e tjetërkujt, deri tek të drejtat e fituara për të shpartalluar pyje, për të shkatërruar shtretërit e lumenjve, për të dërrmuar plazhe dhe shkurt, për të cenuar në pjesë të caktuara në mënyrë të pakthyeshme, besoj unë, potencialin më të madh që ka ky vend për të dalë në dritë që është bukuria e vetë. Pastaj për çfarë zhvillimi rural të qëndrueshëm duhet të flasim, nëse nuk vendosim në vend të gjitha hallkat, që në mënyrë ligjore dhe institucionale lidhen me jetën e fshatit, lidhen me jetën e tokës, lidhen me jetën e prodhimit, lidhen me vazhdimësinë e punës me tokën dhe me vazhdimësinë e prodhimit.

Dëgjuat këtu dëshminë e ministrit të Mirëqenies Sociale lidhur me korrupsionin si një sëmundje që ha në mënyrë të përditshme edhe ushqimin e atyre që janë më të dobëtit, e personave me aftësi të kufizuara. Apo e atyre që janë më të dobëtit, se jo se nuk duan të punojnë, se nuk e kanë mundësinë që të kenë një punë dhe që jetojnë me ndihmë ekonomike. Çfarë mund të jetë tjetër përveçse korrupsion, gjithë ajo tërësi listash dhe emrash të shtuar sidomos për fushatë, në listën e atyre që duhet të marrin shpërblime si persona me aftësi të kufizuara për shkaqe elektorale, ndërkohë që janë shend e verë dhe ashtu qofshin, por nuk ka se pse të bëhen pjesë në një pjesë të buxhetit që është e dedikuar për personat me aftësi të kufizuara, apo për ata më të dobëtit. E përsëri edhe këtu përgjigja është modernizimi i sistemit. Përgjigja nuk është thjesht dhe vetëm ndëshkimi. Ashtu sikundër modernizimi i sistemit është përgjigja edhe në arsim, është përgjigja edhe në shëndetësi, për t’i dhënë mundësi talenteve, por çdo njeriu që kërkon të shkojë përpara me mundin e tij, që ta ketë një mundësi.

Duke e mbyllur, pa dashur të prek, e thashë, të gjitha fushat, dua të vij përsëri aty ku e nisa, tek Bashkimi Evropian dhe tek ne.

E pra, integrimi evropian është pikërisht rruga e këtij modernizimi, është pikërisht rruga e këtij transformimi, që duhet ta bëjë policinë tonë, Polici të Shtetit, jo krah represiv të pushtetit. Që duhet ta bëjë ekonominë tonë hapësirën e lirisë së konkurrencës dhe të përfitimeve përmes aftësive në rrugën e lirisë së konkurrencës. Që duhet ta bëjë territorin tonë vendin ku prona private ka dhe karakterin e vet social dhe ku nuk është një arsye e mjaftueshme për të ndërtuar çfarëdo qoftë dhe sidoqoftë pa pyetur fare se çfarë ndodh, me çfarë ka rreth e rrotull. Ashtu sikundër ku prona e përbashkët është një pasuri që kuptohet si mundësia e madhe që kemi për të vlerësuar pronën privateë ku ndihma ekonomike, ku asistenca, ku gjithë solidariteti social ndërtohet mbi sisteme, të cilat duhet të garantojnë çdo individ që është në nevojë për ndihmë dhe të përjashtojë çdokënd që kërkon ta marrë këtë ndihmë pa i takuar dhe ku padyshim në arsim dhe shëndetësi, ka shumë për të bërë, në rast se duam që fëmijët e sotëm të mos jenë nesër qytetarët e dorës së tretë në Bashkimin Evropian dhe në rast se duam që çdo i talentuar, por edhe çdo nxënës punëtor, nesër të ketë mundësi, që jo vetëm të gjejë një punë, por të garantojë një jetesë të denjë në Bashkimin Evropian. Sigurisht, drejtësia shkon dhe vjen gjithmonë në çdo bisedë, shkon dhe vjen gjithmonë në shprehjen e çdo shqetësimi, por në fund të fundit drejtësia si ngrehinë që përfshin brenda jo vetëm prokurorët, jo vetëm gjykatësit, por të gjithë aktorët, që i japin jetë, jetës së një shteti, mund të jetë e garantuar në radhë të parë, nga pamundësia që një Qeveri, cilado qoftë, të sillet jashtë atyre mundësive që i jep makineria. Është e pamundur për një Qeveri evropiane të sillet jashtë mundësive që i jep makineria.

Në rast se qeveritë në vendet e Bashkimit Evropian, në rast se nëpunësit civilë në vendet e Bashkimit Evropian, në rast se Prokurorët dhe Gjykatësit, në rast se agjentët e taksave sillen në një mënyrë krejt të caktuar, kjo vjen jo sepse, me gjithë respektin, gjermanët, holandezët, britanikët apo merrni kë të doni, janë për shkak të geneve apo për shkak të ndonjë epërsie natyrore, më pak të korruptueshëm sesa shqiptarët. Merrni agjencinë më të korruptuar në Shqipëri, zgjidhni 10 vetë, çojini në një agjenci të të njëjtit profil në një nga ato vende dhe parafytyroni për një moment që të kërkojnë bakshishe. Është e pamundur! Merrni 10 nga e njëjta agjenci në ato vende, sillini këtu, çojini tek kjo agjencia në fjalë dhe prisni dhe do të shikoni… Sepse sistemi, është forca që korrupton njeriun, jo njeriu forca që korrupton sistemin. Arsyeja pse modernizimi i sistemit është përgjigja dhe është përpjekja sot e gjithë ditën edhe e vetë vendeve më të përparuara të Bashkimit Evropian, është, sepse përmes këtij modernizimi shteti i ngjan gjithmonë e më shumë një makine që i shërben pa kushte qytetarit dhe gjithmonë e më pak subjektivizmit të qeveritarit, të policit, të gjykatësit apo të kujtdo qoftë që i del përballë.

Unë jam i bindur për këtë dhe nuk ka, në fakt, shumë nevojë për t’u përpjekur për të bindur këdo qoftë që sheh dallimin elementar mes Bashkimit Evropian dhe vendeve që synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, përfshi edhe Shqipërinë. Ky dallim elementar qëndron tek modernizimi. Vitet drejt anëtarësimit, duhet të jenë vite drejt modernizmit. Çdo përpjekje dhe çdo hap në rrugën e integrimit, duhet të jetë përpjekje dhe hap në rrugën e modernizimit.

E tha kryetari i Gjykatës së Lartë që janë bërë shumë ndryshime të rëndësishme ligjore, por nuk kanë sjellë, tha, rezultatin e duhur. Nuk diskutohet, në letër ne kemi një vend që është gati të hyjë qysh sot në Bashkimin Evropian. Në bibliotekën e Parlamentit, po të shkojmë dhe të marrim me radhë ligjet, me siguri nuk do të bënim ndonjë faj sikur të mendonim se jemi në Finlandë. Por, sapo dalim nga biblioteka e Parlamentit dhe shkojmë në jetën reale, aty shohim dallimin e madh mes Shqipërisë në letër, Shqipërisë së legjislacionit dhe Shqipërisë reale, Shqipërisë ku ligji është vetëm njëri nga opsionet dhe nuk është i vetmi opsion.

Është një sfidë shumë e madhe dhe, e përsëris, nuk mund të jetë dot sfida ekskluzive e një qeverie, aq më pak mund të jetë sfida ekskluzive e një Kryeministri, por është një sfidë e përbashkët. Sa më shumë ne të jemi në gjendje që të krijomë hapësira komunikimi, hapësira ndërveprimi, hapësira shkëmbimi të pikëpamjeve, aq më shumë ne do të jemi në gjendje që të gjejmë rrugën e përbashkët, jo thjesht për të kaluar një ligj, por për të bërë ligje të cilat t’i përgjigjen realisht nevojave imediate, nevojave afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata dhe njëkohësisht nevojave të modernizimit. Padyshim që, edhe përfshirja e opozitës dhe ky nuk është slogan, ne kemi qenë në opozitë tetë vjet.

Unë sot, t’ju them të drejtën, ndjehesha shumë mirë, por në të njëjtën kohë edhe shumë keq. Unë mendoj që diskutime të tilla, me praninë e drejtuesve të institucioneve të pavarura, me praninë e të gjithë atyre që kontribuojnë në shtet si drejtues, duhet t’i bëjë edhe opozita. Askush nuk duhet të ketë frikë apo ndrojë që të shkojë të takohet me opozitën dhe të diskutojë. Ashtu sikundër, do të ishte ideale që edhe përfaqësues të Qeverisë të ftoheshin në këto takime. S’flasim për takime elektorale, por flasim për këto hapësira të shkëmbimit të pikëpamjeve. Jo vetëm që nuk do të kishte asgjë të keqe, por përkundrazi. Për sa na takon, ne do të bëjmë atë që na takon që opozita të takohet pa dert në çdo hapësirë, me këdo, me mësues, me mjekë, me nëpunës. Mjafton që kjo gjë të ndodhë jashtë orarit zyrtar dhe askujt mos t’i ndodhë asgjë pse shkoi në takim me opozitën. Kështu, do të ishim shumë më të gatshëm të flisnim për problemet reale të njerëzve, do të ishim shumë më të gatshëm të flisnim për problemet reale të institucioneve të pavarura, do të ishim shumë më të gatshëm t’i kuptonim problemet reale të njerëzve dhe problemet reale të institucioneve të pavarura, do të ishim shumë të gatshëm që të bashkërendonim përpjekjet, pa pasur frikën se do dukemi sikur po ndërhyjmë në punët e njeri – tjetrit. Duke patur bindjen se vetëm duke qenë në gjendje të gjykojmë lirisht, përmes diskutimeve të hapura për punën e njeri- tjetrit mund ta bëjmë më mirë punën e përbashkët.

Faleminderit!”

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në përfundim të Konferencës Kombëtare Antikorrupsion.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.