Deklaratë për shtyp e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:
Task Forca Antikorrupsion ka vijuar me intensitet të lartë verifikimin e të gjitha denoncimeve të qytetarëve edhe kontrollin e ligjshmërisë në shërbimet për qytetarët.
Task Forca Antikorrupsion ka ushtruar kontrolle në disa institucione qendrore dhe degët e tyre në rrethe, si:
- Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-s në Tiranë dhe Fier;
- Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Fier;
- Spitalin Rajonal Durrës;
- Pikën e Inspektimit Kufitar të AKU pranë Portit Durrës;
- Drejtorinë Tatimore Fier;
- Inspektoriatin Shtetëror të Punës dhe të Shërbimeve Shoqërore Fier
Bazuar në raportet e inspektimeve të Task Forcës antikorrupsion, janë rekomanduar gjithsej 60 masa disiplinore dhe 8 kallëzime penale për drejtues, ish-drejtues dhe punonjës të niveleve të ndryshme të administratës shtetërore.
Të gjitha institucionet përgjegjëse kanë zbatuar rekomandimet e Task Forcës Antikorrupsion duke marrë 60 masa disiplinore, nga të cilat 9 largime nga puna konkretisht për:
- 3 përgjegjës sektori të ALUIZNI-t Tirana Rurale;
- 2 inspektorë të Pikës së Inspektimit Kufitar të AKU pranë Portit Durrës;
- Kryeinspektorin e Inspektoriatit Shtetëror të Punës në Durrës;
- Kryeinspektorin e Inspektoriatit Shtetëror të Punës në Fier;
- Drejtorin e ALUIZNI Tirana Jug, dhe përgjegjësin e sektorit të legalizimeve të po kësaj drejtorie
Po ashtu është depozituar kallëzim penal pranë organit të Prokurorisë për:
- Dy inspektorë të Pikës së Inspektimit Kufitar të AKU-së pranë Portit Durrës, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke kryer veprime që kanë cënuar respektimin e detyrimeve ligjore në fushën e sigurisë ushqimore.
- Ish-Drejtorët e ALUIZNI Tirana Jug dhe Tirana Rurale si dhe 4 përgjegjës sektori të legalizimeve, të cilët dyshohen të kenë kryer, veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke legalizuar objekte në mos respektim të procedurave dhe në shkelje të afateve për rastet e legalizimeve të objekteve të ndërtimit.
Lufta kundër korrupsionit, mbetet një nga sfidat më të rëndësishme të Qeverisë Shqiptare.
Angazhimi ynë është maksimal, për të evidentuar dhe goditur çdo shfaqje të këtij fenomeni, i cili është një nga pengesat më të mëdha të zhvillimit ekonomik e demokratik të vendit.
Por i gjithë ky angazhim, do të ishte jo i plotë pa pjesëmarrjen e qytetarëve.
Njerëzit janë aleati ynë më i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Pa bashkëpunimin e tyre, pa denoncimet e tyre, pa informacionet e tyre asnjë strukturë, sado efikase nuk do të mund të kishte rezultatet e dëshiruara.
Ndaj përfitoj nga rasti të përsëris ftesën ndaj qytetarëve dhe t’i siguroj ata se e gjithë vëmendja jonë është për ta.
Çdo ankesë, çdo denoncim, çdo informacion pranë platformës së Bashkëqeverisjes Shqiperiaqeduam.al, jo vetëm që zgjidh problemin e çdo qytetari, por është një ndihmesë e drejtpërdrejtë në pastrimin e përmirësimin e punës së zyrave të shtetit.
Në të njëjtën kohë shpreh besimin e plotë se Prokuroria do të kryejë një hetim të gjithanshëm dhe të shpejtë të kallzimeve penale të depozituara nga Task Forca Antikorrupsion, për të vënë përpara përgjëgjësisë ligjore të gjithë shkelësit e ligjit.
Çdo javë, në cilësinë e drejtueses së Task Forcës Antikorrupsion, unë do të informoj qytetarët drejtpërdrejtë për ecurinë dhe faktet e provat e kësaj përpjekjeje të përbashkët.
Faleminderit!