Efektet e pandemisë përgjatë një viti kanë lënë gjurmë të rëndësishme në jetën e për- ditshme të miliarda njerëzve në të gjithë botën, kanë sfiduar sistemet shëndetësore dhe shkencën e teknologjinë, dhe kanë ridimensionuar biznesin, shërbimet dhe punësimin.
Ne u kujdesëm që në krye të herës për menaxhimin e pandemisë, jo vetëm në aspektin e shëndetit, por edhe atë ekonomik, për të mos lënë vetëm mijëra familje shqiptare, të punësuar e të vetëpunësuar, të prekur drejtpërsëdrejti nga pandemia.
Me një paketë gjithëpërfshirëse prej 80 miliardë lekësh, mbështetja e dedikuar e qeverisë për menaxhimin e efekteve të pandemisë është sot e barabartë me rreth 5% të PBB-së.
Përmes pagave të luftës dhe instrumenteve të garancisë sovrane, mbështetëm gati gjysmën e të punësuarve në sektorin privat në mbi 83 700 biznese.
Dyfishuam ndihmën ekonomike në vitin 2020 dhe 2021, dyfishuam pagesën e papunësisë, garantuam rimbursimin e barnave të paketës për trajtimin e virusit, falëm kamatëvonesat e energjisë elektrike për mbi 210 mijë konsumatorë dhe riskeduluam deklarimet e bizneseve për vitin 2021.
Falë mirë-menaxhimit dhe politikave të ndërmarra në qeveri, sot i kemi rifituar të gjitha vendet e punës që u humbën nga pandemia. Në dhjetor 2020 u numëruan mbi 688 mijë të punësuar nga 677,500 në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe nga vetëm 478 mijë të tillë në dhjetor 2013.
- Vaksinimi i popullatës kritike, personat në moshë mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese do të ketë përfunduar brenda shtator 2021.
- Garantojmë vaksinimin për të gjithë popullsinë mbi 16 vjeç deri në shkurt 2022.
- Mbështesim sipërmarrjen në sektorët më produktivë të ekonomisë, për ringritjen edhe më të fortë të tyre pas pandemisë, duke dedikuar:
- 50 milionë euro për sipërmarrjet në sektorin e turizmit, në formën e instrumentit të garancisë;
- 5 milionë euro për sipërmarrjet në fushën e transportit;
- 50 milionë euro për sipërmarrjet në sektorin e manifakturës, si garanci për kreditim apo zgjatje të afatit të kredive ekzistuese.