Operacioni kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, i cili vazhdon prej një jave në të gjithë vendin, do të shtrihet jo vetëm në luftimin e tij në veprimtarinë ekonomike dhe tregtare, por edhe brenda vetë administratës fiskale. Në një takim që zhvilloi sot në Vlorë me drejtues të institucioneve të angazhuara në të, administrata tatimore, Autoriteti Kombëtar Ushqimor, Inspektorati i Punës dhe Inspektorati Shëndetësor, Kryeministri Edi Rama kërkoi angazhim maksimal, profesionalizëm dhe ndershmëri nga administrata fiskale për suksesin e këtij operacioni, një operacion frontal, siç e nënvizoi Kryeministri, kundër informalitetit në çdo aspekt.
“Është një operacion që vjen si një domosdoshmëri, pas një periudhe të parë ku janë hedhur hapa të rëndësishëm në luftën kundër informalitetit. Por, sikundër flasin qartësisht edhe radhët e gjata të kësaj periudhe të fundit në QKR, kanë qenë hapa të pamjaftueshëm, që kanë sjellë domosdoshmërinë e këtij operacioni frontal në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Dhe, që të jemi të drejtë deri në fund, informaliteti nuk është një sëmundje jashtë sistemit të tatimeve, të doganave apo të agjencive të tjera që janë këtu të pranishme. Është një sëmundje që ka prekur prej shumë vitesh edhe këtë sistem, edhe këto trupa dhe ashtu si me lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, edhe me veprimtarinë e paligjshme ekonomike dhe tregtare, operacioni ka dy anë të medaljes; Përpjekjen e përditshme për të shkulur metastazat e këtij kanceri në rrjetin e veprimtarisë ekonomike dhe tregtare dhe në trupën e tatimorëve, të doganierëve dhe të inspektorëve të agjencive të tjera.”
“Revolucion ekonomik”, e cilësoi më tej Kryeministri, operacionin e nisur, që jo vetëm formalizon ekonominë, por garanton edhe fitimin e ligjshëm të biznesit të ndershëm, si dhe mbron konsumatorin. Kryeministri lajmëroi fuqizimin e masave ligjore kundër të gjithë atyre që i bëhen pengesë këtij procesi.
“Ky është një revolucion ekonomik dhe ju e kuptoni këtë, shumë mirë. Formalizimi i ekonomisë, dhënie e kujtdo, atë që i takon, fitimi i ligjshëm i cilitdo që bën sukses në veprimtarinë e tij ekonomike, apo që mban familjen e vet në punë me një biznes të vogël është domosdoshmëri që të mbrohet me çdo kusht nga shteti. Ndërkohë që, nga ana tjetër, çdo qindarkë që i takon qytetarëve në formë investimesh, ulje taksash dhe shërbimesh më të mira do të shkojë në arkën e shtetit. Kush del ndesh dhe kush i bëhet pengesë këtij procesi historik do të marrë ndëshkimin që parashikon ligji dhe që do të parashikojë edhe më qartë, edhe më ashpër, ligji, pas miratimit të paketës së ndëshkimeve për informalitetin.”
***
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Brisida Shehaj, u ndalën në një supermarket në Vlorë, ku pasi bënë një blerje dhe tërhoqën kuponin tatimor, apeluan qytetarët për ta parë kuponin tatimor, si një investim të tyre për më shumë mbështetje dhe shërbime nga shteti.
Drejtoresha Shehaj garantoi se administrata tatimore edhe gjatë këtij operacioni do të jetë në mbështetje të konsumatorit.
“Ne do të jemi pjesë e suportit për konsumatorin. Ne duhet me doemos ta mbrojmë konsumatorin, që askush të mos vjedhë asgjë, çdo qindarkë t’i shkojë shtetit në fund, për të mirën e të gjithëve,” – tha Shehaj.
Kryeministri nënvizoi se duke tërhequr kuponin tatimor, konsumatori përfiton si individ dhe si qytetar. Ndërsa siguroi se fokusi i këtij operacioni janë pikat e shitjes si pikat fundore të zinxhirit, në krye të të cilit janë grosistët.
“Marrja e kuponit dhe formalizimi i të gjithëve nuk është një shtypje e lirisë së biznesit të vogël, por e kundërta është e vërtetë, është një kornizë brenda së cilës sigurohet që gjithkush merr atë që i takon; Konsumatori si individ merr mallin, kurse si qytetar merr mbrapsht në formën e investimeve, në formën e uljes së taksave, në formën e rritjes së rrogave, atë që i takon. Pika e shitjes është pika fundore e zinxhirit që në krye ka grosistët që shesin më shumicë dhe që janë edhe qendra e gravitetit qoftë të informalitetit, qoftë të këtij operacioni.” – u shpreh Kryeministri.